Autor: Inva Hasanaliaj
Kripa e zezë është kripa e papërpunuar, e cila merret direkt nga vaskat e prodhimit të kripës në bregdet. Ajo quhet e zezë për shkak të përmbajtjes së elementeve të huaja, kryesisht dheut. Por, veç papastërtisë, ajo nuk ka as sasinë e nevojshme të jodit në përbërje, një element shumë i rëndësishëm për shëndetin e njeriut. Për këtë arsye kjo lloj kripe është e ndaluar të përdoret në kuzhinën shqiptare me ligj që prej 12 vjetësh. Megjithatë, ajo vazhdon dhe tregtohet ende në vendin tonë. Shqipëria ka qenë një vend që ka vuajtur nga deficienca jodike, për këtë arsye kripa e zezë në vitin 2008 u ndalua të tregtohet për përdorim human dhe shtazor.
Vetëm gjatë vitit 2019 AKU ka bërë kthimin në origjinë të 24 tonëve dhe asgjësimin e 1.62 tonëve kripë të ardhur nga importi.
Një vit më pas, në vitin 2020, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se për herë të parë po punohet mbi elementin e gjurmueshmërisë së kripës në të gjitha etapat për të garantuar një konsum 100% kripe të jodizuar nga konsumatorët.
Por, a i ka ndaluar kjo shqiptarët të tregtojnë kripë të pajodizuar, e cila përdoret edhe për gatim? Nga një vëzhgim në tregun kryesor të qytetit të Vlorës, pamë se kripa e zezë shitej dukshëm si çdo produkt tjetër, madje jashtë çdo standardi.
Pas këtij vëzhgimi ne pyetëm Ministrinë e Shëndetësisë, nëse kishte dijeni mbi tregtimin e këtij produkti, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Nga ana tjetër, ne komunikuam edhe me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të mësuar, nëse janë ushtruar kontrolle për këtë çështje gjatë vitit 2020 dhe çfarë masash janë marrë ndaj subjekteve që e tregtojnë këtë produkt.
Nga përgjigjja e AKU mësuam se vetëm në Tiranë gjatë vitit 2020 janë kryer kontrolle në 413 subjekte tregtuese, ku janë marrë masa me paralajmërim në 207 raste për mangësi të një rëndësie të vogël. Po ashtu, sipas këtij institucioni, nga drejtoritë përkatëse të AKU-së në Lezhë, Berat, Fier, Durrës, Kukës, Dibër, Korçë, Vlorë dhe Shkodër, gjatë inspektimeve të kryera sipas planit vjetor apo inspektimeve të tjera nuk janë konstatuar problematika në lidhje me tregtimin e produktit ‘Kripë’.
Ajo që vëmë re nga informacioni i AKU, është se kontrolli është ushtruar vetëm në subjekte, të cilat janë të licencuara si të tilla për përpunimin dhe tregtimin e kripës. Jashtë kontrollit mbetet tregu i zi. Edhe pse krejtësisht legal, tregtarët informalë e shesin këtë produkt në tregjet e qyteteve dhe asnjë institucion nuk merr përsipër ndalimin e saj.
Çfarë thonë specialistët për konsumin e kripës së pajodizuar?
Jolanda Hyska, specialiste pranë ISHP, shprehet se dëmet që shkakton mungesa e jodit në organizëm janë të ndryshme për mosha të ndryshme. Te të rriturit shkakton dobësi, lodhje të shpejtë, ulje të aftësisë për të punuar, reduktim të aktivitetit fizik, si dhe rënie të nivelit të inteligjencës. Te gratë shtatzëna shkakton dështime, lindje të parakohshme, fëmijë të lindur të pajetë, fëmijë të lindur me peshë të ulët dhe me pak shanse për të jetuar, fëmijë të lindur me deformime etj.
“Gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël kanë më shumë nevojë se të tjerët për jod për një zhvillim normal të trurit dhe trupit të fëmijës. Për foshnjat burimi i vetëm i jodit është nëna. Nënat që ushqejnë fëmijët e tyre me gji janë burimi i vetëm dhe i mjaftueshëm jodi për foshnjën, nëse e marrin jodin në sasi të mjaftueshme.”,- përfundon Hyska.
Shqiptarët kanë patur mungesë jodi në organizëm, jo për shkak të mungesës së kripës, por sepse historikisht kanë konsumuar kripë të papërpunuar e të pajodizuar. Sasia e jodit, sipas mjekëve, nuk plotësohet duke konsumuar më shumë kripë, por duke konsumuar kripën që përmban sasinë e nevojshme të jodit.
Për mjekun urolog, Artan Koni, konsumatori shqiptar është një konsumator i tepruar i kripës.
Kjo vjen, jo vetëm nga zona gjeografike ku jetojmë, por edhe nga tradita e ushqimit nëpër familjet tona. Sipas Dr. Konit, konsumimi i tepruar i kripës shkakton probleme të ndryshme në organizmin e njeriut. Kripa e tepërt grumbullon sasi të mëdha uji në trup, duke rritur presionin e gjakut. Rritja e presionit të gjakut sjell probleme me një sërë organesh në trup, duke filluar që nga zemra, veshkat, sytë, mëlçia etj.
Sipas INSTAT, vetëm në vitin 2019 vdekjet nga grup-sëmundjet në aparatin e qarkullimit të gjakut zënë 53,4 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 410,0 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një rritje prej 0,9 %
“Konsumimi i kripës duhet ulur ndjeshëm. Të gjitha grupmoshat ndikohen nga konsumimi i tepërt i kripës. Me fjalë të tjera, ngushtimi i damarëve apo kristalet në veshka duan vite të formohen, por ato i japin shenjat klinike zakonisht në moshat mbi 50 vjeç. Nëse konsumoni shumë kripë përgjatë gjithë rinisë, të jeni të sigurt se do keni probleme me shëndetin, kur të shkoni në moshën 50-vjeçare.”, – përfundon Dr. Koni.