Të kthyer nga Al-Hol/ Fëmijët që u shpëtuan nga plumbat, por jo nga abuzimi mediatik

Autor: Ardit Hoxha

Në datën 27 tetor të vitit të shkuar u riatdhesua nga kampi Al-Hol në Siri Floresha Rasha së bashku me 4 fëmijët e saj. Një lajm i mirë që për gati një javë mori të gjithë vëmendjen e opinionit publik. Vizita e kryeministrit dhe e disa krerëve të lartë, shtetërorë në Siri, shoqëruar edhe me disa gazetarë, solli në sytë e publikut shqiptar pamje tronditëse nga kampi ku mbahen pengjet e luftës së të ashtuquajturit Shtetit Islamik (ISIS). Por pamje të forta nuk ishin vetëm ato që vinin nga kampi Al-Hol, por edhe nga aeroporti i Rinasit dhe këtë radhë protagonistët ishin fëmijët e nxjerrë nga ai kamp. Floresha Rasha me fëmijët e saj, A. Rasha, E. Rasha dhe H. Rasha, si edhe fëmija tjetër, E. D., të cilët, me gjithë traumën që kishin kaluar në kamp për disa vite me radhë, iu paraqiten publikut shqiptar si disa “viktima” që ishin nxjerrë nga “ferri Al-Hol”.

I pari që publikoi pamjet, ishte kryeministri, Edi Rama. Më pas videot dhe fotot e fëmijëve u transmetuan në të gjitha televizionet dhe mediat online në vend pa censurimin e fytyrës së fëmijëve.

                Foto e shkëputur nga videoja e publikuar nga kryeministri Rama në Facebook

Këto pamje që bënë xhiron e mediave shqiptare për ditë më radhë, me kronika dhe madje emisione të shumta, të transmetuara, ngrenë një tjetër problem shumë serioz. Dëmi dhe pasojat psikologjike që këtyre fëmijëve veçanërisht, por edhe Floresha Rashës, mund t’iu shkaktohet për shkak të ekspozimit në media në një gjendje jo të mirë psikologjike.

Ekspozimi mediatik mund të ngadalësojë rehabilitimin e fëmijëve

Për ekspertët e fushës, psikologë që merren vazhdimisht me traumat dhe problemet psikologjike të fëmijëve, ekspozimi mediatik tek ata fëmijë mund të shkaktojë një seri problemesh, që nga ngadalësimi i rehabilitimit e deri të përkeqësimi i gjendjes.

Psikologia Denada Toçe na tregoi disa nga problematikat e ekspozimit mediatik të fëmijëve pa asnjë lloj filtri mbrojtës që mund të ngadalësojnë rehabilitimin e tyre.

Rreziqet që kanosin shëndetin mendor të fëmijëve, sipas saj, janë të shumta dhe duhet të mbahen parasysh nga autoritetet shtetërore.

“Janë të mitur që kthehen nga një kamp me një historik, përveçse çnjerëzor, edhe delikat. Historia e këtyre fëmijëve dihej nga gazetarët dhe nga ata që u morën që në fillim me të dhe, në vend që qëllimi të ishte të shpëtoheshin nga ai ambient i rrezikshëm e fill pas kësaj të rehabilitoheshin, ky konfidencialitet profesional u thye që në krye të herës. Ata u shitën për të disatën herë; u ndjenë përsëri të tradhtuar.

Humbja e besimit dhe pasiguritë për njerëzit dhe botën që tashmë i rrethonte, nuk u qetësuan në asnjë moment që prej mbërritjes në atdhe. Në ditët apo javët e para kjo vëmendje mediatike, pa asnjë kujdes etik për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, gjendjen e tyre psiko-emocionale, gjendjen e tyre mendore, krijoi një mbivendosje dhe vonesë në rehabilitimin e fëmijëve”, shpjegon psikologia.

Po ashtu, edhe psikologia Lediona Braho thotë se paraqitja në medie në atë formë për ata fëmijë mund ta ngadalësojë procesin e rehabilitimit, por mund të sjellë ndoshta edhe përkeqësim të gjendjes së tyre.

“Ekspozimi në media i viktimave në përgjithësi mund të shkaktojë ritraumatizimin e tyre, duke shtuar stresin psikologjik vetëm nga fakti i të shfaqurit në publik. Ky efekt është i njohur edhe në literaturë, ndaj gjithmonë sugjerohet mbrojtja e viktimave përballë publikut.

Efektet e këtij ritraumatizimi të mundshëm, që vijnë nga shkujdesja e medias, mund të jenë momentale, por edhe më të zgjatura në kohë (sidomos nëse fëmijët nuk trajtohen në mënyrë të përshtatshme). Paraqitja në media i ka riekspozuar, duke mos respektuar të drejtën e tyre për privatësi dhe mbrojtje. Mediat duhet të ishin treguar shumë më të ndjeshme në këtë drejtim.”, – shprehet psikologia Braho.

Sakaq, psikologia e specializuar për fëmijët, Aurela Agalliu, shpreh shqetësimin se një trajtim i pakujdesshëm i këtyre fëmijëve, pas asaj që ata kanë kaluar në kampin Al-Hol, mund të kthehet në bumerang.

“Duhet të theksojmë se qëndrimi në kampin Al-Hol është traumatik për këta fëmijë.

Të ekspozuar ndaj dhunës, armëve, ngjarjeve, të cilat shkaktojnë deformime të shumta në modelet e sjelljes, ata vuajnë pasoja të tmerrshme psikologjike. Mediatizimi i këtyre fëmijëve është absolutisht po aq i dëmshëm, pasi i vendos ata përballë rrezikut për një riviktimizim të mundshëm”, – deklaron Agalliu.

Foto e takimit të nënës me E. D., pas rikthimit të tij nga kampi Al-Hol, e shkëputur nga video e publikuar nga kryeministri Rama në Facebook

Ndërsa përfaqësia në Shqipëri e organizatës në mbrojtje të fëmijëve, Save the Children, e pyetur nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore për këtë rast, ngre shqetësimin se imazhet e fëmijëve që kanë jetuar në konflikt, mund të thellojnë traumën e tyre.

“Imazhet e fëmijëve, të cilët kanë kaluar nëpër kontekste konfliktesh, tragjedish dhe katastrofash natyrore, mund të jenë fuqimisht të përligjura, por në të njëjtën kohë mund të thellojnë më shumë traumën dhe cenojnë mbrojtjen, integrimin dhe të ardhmen e tyre, nëse ato nuk trajtohen në mënyrën e duhur”, – thotë në reagimin e saj Save the Children.

Organizata e cilëson rastin e këtyre fëmijëve si shumë të përshtatshëm për t`u mbajtur nën kontroll me ndihmë të vazhdueshme psikologjike për të parë reagimin e tyre dhe mënyrën se si do të përshtaten me realitetin shoqëror në Shqipëri, i cili është totalisht ndryshe nga ai që ata lanë pas në Siri.

“Fëmijët e bllokuar në Siri janë viktima të pafajshme të konfliktit dhe duhet të trajtohen si të tilla. Ata kanë jetuar përmes konflikteve, bombardimeve dhe lirisë së mohuar.

Ata kanë nevojë për ndihmë të specializuar për t’u rehabilituar nga përvojat e tyre traumatike dhe për t’iu kthyer normalitetit, çka është e pamundur në kampe refugjatësh në zona kritike lufte.

Në çdo përpjekje për të mbrojtur, riatdhesuar, integruar, si dhe për t`u informuar mbi fëmijët, duhet të mbizotërojë dhe të respektohet interesi i tyre më i lartë”, – vijon reagimi i Save the Children.

Fëmijë në kampin Al-Hol Foto Achilleas Zavallis/The Guardian

Po ashtu, edhe UNICEF Albania e cilësoi si shumë të rëndësishëm procesin rehabilitues, përmes të cilit këta fëmijë duhet të kalojnë pas riatdhesimit. Në këtë pikë edhe trajtimi mediatik, sipas UNICEF, ka një rol të posaçëm.

Zyra e UNICEF-it në Tiranë përgëzon kthimin e disa fëmijëve shqiptarë në vend.

Ky është lajm i shkëlqyer! Pavarësisht kësaj arritjeje të lavdërueshme, nuk duhet lënë në harresë siguria dhe mirëqenia e fëmijëve të tjerë shqiptarë, disa prej të cilëve janë jetimë, që vazhdojnë të qëndrojnë në kampin Al-Hol dhe në zona të tjera, të prekura nga konflikti. Rimëkëmbja fizike dhe psikologjike, si dhe ri-integrimi social i fëmijëve mund të kërkojnë kohë dhe përpjekje të palodhura, ndaj UNICEF shpreh gatishmërinë për ta mbështetur qeverinë e Shqipërisë në arritjen e këtij objektivi. Krahas kësaj ne i bëjmë thirrje medias dhe gazetarëve që të garantojnë etikë dhe kujdes maksimal, në mënyrë që gara për lajme të bujshme mos t’i tronditë ose t’i traumatizojë fëmijët edhe më shumë”, – thuhet në deklaratën e dhënë nga përfaqësia e UNICEF-it në Shqipëri.

Si duheshin trajtuar…

Në një udhëzues të parimeve bazë për një raportim etik mbi fëmijët, të hartuar nga UNICEF, thuhet se interesat më të larta të fëmijës – e drejta e fëmijëve për dinjitet, respekt, mbrojtje dhe pjesëmarrje – janë kriteret bazë që përcaktojnë se cilat imazhe duhet të përdoren dhe se si duhet të përdoren. Janë gjashtë parime themelore që UNICEF këshillon të mbahen parasysh, para se të raportohet për fëmijët:

  1. Dinjiteti dhe të drejtat e çdo fëmije duhen respektuar në çdo rrethanë.
  2. Gjatë intervistës dhe raportimit mbi fëmijët një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar çdo të drejte të fëmijëve për privatësinë dhe konfidencialitetin, për të dëgjuar mendimet e tyre, për të marrë pjesë në vendimet që i prekin ata, si dhe të mbrohen nga lëndimi dhe ndëshkimi, duke patur parasysh mundësinë e lëndimit dhe ndëshkimit.
  3. Interesat më të larta të çdo fëmije duhen mbrojtur me çdo kusht, duke përfshirë edhe përkrahjen për çështjet e fëmijëve dhe promovimin e të drejtave të tyre.
  4. Kur përpiqemi që të përcaktojmë interesat më të larta të fëmijëve, së drejtës së fëmijëve që pikëpamjet e tyre të merren parasysh, duhet t’i jepet një rëndësi e veçantë në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre.
  5. Personave që janë më afër situatës së fëmijëve dhe më të aftë për ta vlerësuar atë, iu duhet marrë mendimi rreth shtrirjes politike, sociale dhe kulturore të reportazheve.
  6. Mos publikoni një histori ose imazh që mund ta rrezikojë fëmijën, të afërmit ose shokët e tij, madje edhe kur identitetet janë ndryshuar, fshehur ose nuk janë përdorur.

Në këtë linjë edhe ekspertët, në përgjigje të pyetjeve të dërguara nga Qendra për Gazetari Cilësore, theksojnë se, përpara se fëmijët të ekspozoheshin në medie në atë gjendje, ata duhet të ishin konsultuar nga psikologë dhe ekspertë të fushës.

Denada Toçe thotë se, personat e parë që ata fëmijë duhet të takonin, pasi dolën nga kampi, duhet të ishin psikologët dhe punonjësit socialë.

“Ky nuk ishte një telefilm, por një histori e vërtetë që duhet të konsumohej në intimitet të plotë mes familjarëve. Që prej fillimit profesionistë të fushës sociale duhet t’i merrnin në patronazh; punonjësit socialë duhet të kujdeseshin për t`i mbrojtur në terren nga stresorët e shumtë dhe, deri në ditën kur ata do të ishin gati për një ekspozim në publik, do duhej t’iu kushtohej pikërisht ky kujdes”, – shpjegon psikologia Toçe.

Ndërsa Aurela Agalliu është e mendimit se të dhënat dhe identifikimi i fëmijëve duheshin censuruar.

“Lajme të tilla janë vërtet të gëzueshme, por media do të bënte mirë t’i transmetonte të censuruara dhe në raste të tilla nuk duhet bërë me dije asnjë e dhënë për këta fëmijë apo familjarët e tyre”, – thekson specialistja.

Trajtimi në vijim

Të katër fëmijët bashkë me Floresha Rashën që me ardhjen e tyre në Shqipëri trajtohen në një qendër rehabilitimi, për t’iu mundësuar tejkalimin e traumave që kanë kaluar në Al-Hol. Qendra, sipas asaj që deklaroi kryeministri më 27 tetor, është një nga elementet e planit që kishte përgatitur qeveria shqiptare paraprakisht në lidhje me trajtimin e fëmijëve dhe më pas integrimin e tyre në grupet sociale.

“Vendimi për të hyrë në territor është marrë në momentin e duhur, por ne duhet të ishim gati dhe më parë. Struktura është gati për fëmijët që do të riatdhesohen, me psikologë, me mësues, me mjekë dhe do të bashkëpunohet me të afërmit për të parë ecurinë dhe më pas përfshirjen e tyre në strukturat e tjera sociale”, – pati deklaruar kryeministri, Edi Rama, pak ditë pasi fëmijët mbërritën në Shqipëri.

Por psikologia Denada Toçe sugjeron që trajtimi i tyre psikologjik në të ardhmen duhet që të marrë parasysh edhe dëmet që mund t’iu jenë shkaktuar nga ekspozimi mediatik në momentin e riatdhesimit. Në këtë pikë ajo ka këto sugjerime për fëmijët, por edhe për Floresha Rashën. “Terapia konjitive, bihejviorale është ndër terapitë më të këshillueshme për problemet e stresit post-traumatik. Edhe terapia BËRT mendohet të jetë një ndër qasjet e reja, të shpejta për ndërhyrjen në traumë. Personalisht mendoj se qëndrimi në një ambient të qetë, me sa më pak stresorë, me bashkimin e familjarëve – faktor kyç në sigurimin e kësaj qetësie, – do të jenë elementet kryesore të rehabilitimit të tyre”, – shprehet ajo.

Për Lediona Brahon fillimi i terapisë rehabilituese duhet të jetë unik për secilin fëmijë, duke u bazuar në nevojat e ndryshme që gjithsecili ka.

“Ka lloje të ndryshme terapish që mund të ofrohen, kryesisht terapi të fokusuara tek emocionet, mendimet dhe sjelljet e lidhura me traumën. Përpara terapisë duhet bërë një vlerësim i burimeve dhe nevojave të çdo fëmije dhe më pas duhet vendosur për terapinë më të përshtatshme në varësi të kontekstit dhe kapaciteteve të çdo familjeje. Një qasje individuale me në fokus nevojat e fëmijës, ripërpunimi i traumës me ndihmën e një psikologu për ta ndihmuar të rehabilitohet dhe të rikthehet në normalitet, mund të kombinohet me një qasje familjare për të fuqizuar mjedisin natyral dhe personat e rëndësishëm në jetën e fëmijës”, – thekson ajo.

Ndërsa psikologia Agalliu shprehet se gjatë trajtimit nuk duhet lënë pas dore edhe indoktrinimi fetar që ata fëmijë kanë marrë në një moshë fare të mitur.

“Raste të tilla kanë nevojë për terapi të alternuara dhe kjo duhet të realizohet me ngritjen e një ekipi multidisiplinar profesionistësh për të realizuar ndërhyrjet e duhura në aspektin social, psikologjik, shëndetësor, fizik dhe edukativ. Një formë terapie dhe një trajtim vetëm nga një psikolog nuk është e mjaftueshme për raste të tilla, pasi mënyra se si iu janë induktuar besimet dhe modelet e sjelljes në rrethana traumatike, prekin shumë aspekte, të cilat kanë ndikuar në mirëqenien e tyre psikologjike dhe jo vetëm”, – nënvizon ajo.

                                                                    Kampi Al-Hol/ Foto AFP

Nga autoritetet shtetërore nuk ka një të dhënë fikse për numrin e fëmijëve shqiptarë që ndodhen ende në kampin Al-Hol në Siri, por Bedri Elezi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, gjatë një intervistë për gazetën Si foli për një numër prej 53 fëmijësh dhe grash që janë në kampin që ruhet nga kurdët në veri të Sirisë.

Në total, sipas Elezit, janë 144 shqiptarë që mbahen ende në këtë kamp, i cili është më i madhi në Siri pas shpërbërjes së formacionit ushtarak të atij që u vetëquajt Shteti Islamik (ISIS).

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter