Autor: Denis Tahiri
Në Tiranë mesatarisht çdo ditë qarkullojnë rreth 120 mijë automjete. I njohur si qyteti me trafikun më të rënduar në vend, Tirana është njëkohësisht zona ku shoferëve nuk u garantohen parkime publike falas. Pavarësisht intesitetit të madh të automjeteve që vijnë edhe nga qytetet e tjera, në kryeqytet egzistojnë vetëm 1430 vende parkimi që ofrohen falas. Pra vetëm rreth 1 përqind të makinave në qarkullim mund tu sigurohet një vend parkimi falas. Të gjithë të tjerët, duhet të shpenzojnë kohë, para dhe nerva derisa të gjejnë një parkim për mjetin.
Por sa stres sjell dhe sa kushton për xhepat e kryeqytetasve parkimi i një automjeti, e shpjegon Hasan Stafa që është drejtor i Zyrës së Ankesave të Konsumatorit Shqiptar dhe që mbron interesat e qytetarëve.
“Gjobat janë alarmante dhe abuzive. Jo vetëm që nuk ka vende të mjaftueshme , por edhe kur gjenden poshtë banesës qytetarët gjobiten. Kemi patur shumë ankesa nga të 11 njësitë në Tiranë. Ankesat më shumë janë për parkimet në lagje, sidomos nga parkimet dysh që kryhen vend e pavend. Shume janë detyruar të përdorin edhe parkimet me pagesë, por sa mund ta përballojë një familje shqiptare të paguaj ccdo ditë për parkimin” pyet Stafa duke u shfaqur i prerë për rëndimin e xhepave të qytetarëve.
Por ajo çfarë theksohet në shqetësimin e zyrës së ankesave të konsumatorit shqiptar lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me gjobat e shumta, por dhe kaosin që krijohet më tej nga nga parkimet dyshe. “ Meqënëse nuk ka vend parkimi , në shumë raste parkohet dysh pa harruar edhe mungesën e sinjalistikës. Kjo sjell një vështirësi tjetër, bllokimin e rrugëkalimit për rastet e emergjencave të autoambulancave dhe zjarrfikseve” shpjegon Stafa
Për Almën e cila është banore pranë “Shkollës së Kuqe”, mos sigurimi i një vendparkimi është një refren i përditshëm, i kthyer në një makth të dyfishtë. Për çdo ditë kur niset për në punë me makinë dhe kur kthehet për në banesë , Alma i nënshtrohet të njëjtës sfidë. Pa përmendur sipas saj telashet me detyrën në rastet kur i duhet të vonohet përderisa gjetja e një parkimi është një vështirësi më vete.
“Parkimi është problem i përditshëm i yni, edhe kur ikim në punë edhe kur kthehemi nga puna, mendojme se ku do ta lëmë makinën. Sepse asnjëherë nuk gjejmë vend para banesës tonë. Janë disa lokale që klinetët zënë të gjitha vendet e parkimit” thotë 49 vjeçarja që shton se “edhe pse jam pajisur me kartë rezidenti nuk kam asnjë përfitim pasi nuk ka vende parkimi “
Karta e rezidentit
Por në dyert e zyrës së ankesave, trokitet edhe për të ngritur shqetësimin për kartat e rezidentit, që ata i konsiderojnë të pafuqishme për tu siguruar vendparkime në zonën e banimit .
“Karta e rezidentit nuk është duke funksionuar. Janë shkaktuar konflikte mes qytetarëve sepse në kartë nuk përcaktohet një numër vendparkimi për një rezident dhe shpesh herë këto vende janë shumë të paktë, duke mos plotësuar kërkesën e qytetarëve” shton Hasan Stafa
Nga ana tjetër, një zyrtar i Policisë Rrugore, në anonimitet i tregoi Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, se dy vitet e fundit , kryeqyteti praktikisht është kthyer në një zonë urbane pa parkime.
“ Gjithë Tirana është problem për parkimet, sidomos në pjesën e brendshme. Unaza e vogël paraqitet kritike për parkime, bulevardet gjithashtu, rruga e Kavajës, ajo e Durrësit. Kjo situatë është rënduar dy vitet e fundit, e sidomos gjatë këtij viti edhe më shumë. Është shtuar trafiku, por edhe gjobitjet e qytetarëve për parkim të gabuar. Situatën e rëndojnë akoma më tepër koristë e bicikletave, pasi janë fshirë vendet e parkimit dhe janë kthyer në korsi”.
Me mision për të parkuar
Nëse do të shikohet harta e kryeqytetit fare lehtë konstatohet se Tirana zotërohet nga Tirana Parking të cilës i paguhen sipas zonave fatura nga 20 lekë deri në 100 lekë për orë. E krijuar në vitin 2015 , kompania që është nën varësi të bashkisë së kryeqytetit nisi pushtimin e parkimeve së pari duke marrë sheshet kryesore , më pas rrugët dhe së fundmi edhe zonat e rezidentëve.
Thënë ndryshe, kushdo që parkon në katër sheshe nëntokësore pranë Sheshit Skëndërbej, Bulevardit të ri , tek ish 7 Xhuxhat dhe në Sheshin Italia, duhet të paguajë. Kuletën duhet ta hapë edhe qytetari që parkon makinën në gjashtë sheshparkime të hapura që gjenden pranë stadiumit Selman Stermani, Asllan Rusi, në Qytetin Studenti, pranë Digës së Liqenit si dhe pranë Infosoft. Edhe në 60 nyja rrugore të kryeqytetit të ndara sipas zonave parkimi me pagesën që kryhet përmes një mesazhi telefonik kushton 100 lekë në zonën A, 40 lekë në zonën B dhe 20 lekë për orë në zonën C.
Por të gjitha këto rrugë dhe sheshe në total përmbajnë 12,543 parkime automjetesh ku më pak se gjysma e tyre me një shifër prej 5841 janë parkime të rezidentëve, të cilët sipas kartës duhet të parkojnë në vendparkimet pa pagesë . Gjithë të tjerët duhet të paguajnë , me tëpër paguajnë ata që nxitojnë dhe kërkojnë parkim në rrugë, ku dhe numërohen 3917 vend parkim , si dhe 971 vende në sheshparkime nëntokësore dhe 384 vende sheshparkime të hapura.
Për këdo që është banor i Tiranës apo vjen nga jashtë qytetit dhe që nuk dëshiron të paguajë , kryeqyteti ofron kapacitet falas vetëm për 1430 drejtues automjetesh. Ndaj parkimi me pagesë për të shmangur gjobat është shpëtimi i vetëm për shoferët që parkimi i makinës iu është kthyer në një mission të pamundur.
Të dhënat zyrtare më të fundit të bashkisë së Tiranës në lidhje me popullsinë i përkasin vitit 2018. Deklarohen si banorë të Tiranës 842,019 banorë. Nga ana tjetër automjetet që ata kanë në përdornim në këtë periudhë numërohen 158,234 të tilla. Kjo shifër do të thotë se qarkullojnë gati 100 fish më tepër mjete se sa kapaciteti i parkimeve që ofrohen falas apo me pagesë.
Thesari i Bashkisë, nga gjobat dhe parkimet
Dhe kur qyteti më i madh në vend vuan fluksin e makinave nga njëra anë dhe mungesën e theksuar të parkimeve, të ardhurat që vilen nga parkimet me pagesë janë kthyer në vezën e artë që depozitohet në buxhetin e Bashkisë.
Vit pas viti të ardhurat njohin vetëm rritje nga ky zë , si edhe nga vjelja e gjobave të firmosura për parkim të gabuar.
Në vitin 2017, Bashkia e Tiranës ka përfituar nga gjobat për parkime të gabuara 53,218,000 lekë të ardhura, çka do të thotë se buxheti qeverisjes vendore është rritur me 145,802.74 lekë në ditë. Ndërsa gjatë vitit 2018 shënohet edhe shifra më e lartë e arkëtuar nga bashkia Tiranë, prej 1 miliardë lekë të vjetra, më saktësisht, 102,283,000, ose mesatarisht 280,227.40 çdo ditë të vitit. Gjithashtu edhe gjatë 2019, këto të ardhura ishin një zë i rëndësishëm në buxhetin e bashkisë, ku në total janë përfituar 88,542,000 lekë çka përkthehet për vitin 2019 në një mesatare ditore prej 242,580.82 lekë. Fitimet janë të pandalshme edhe gjatë kufizimit të lëvizjeve gjatë pandemisë dhe futjes së vendit në karantinë përgjatë dy muajve izolim nga covid 19. Sipas të dhënave të vendosura zyrtarisht në dispozicion për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore , deri në datën 31 tetor të 2020, bashkia e kryeqytetit ka përfituar një shumë prej 67,986,000 lekë, e cila përkthehet në një mesatare ditore prej 222,904.92 lekë.
Fitimprurëse dhe me një ndikim të madh në buxhetin e Bashkisë së Tiranës, rezultojnë të jenë të ardhurat nga parkimet me pagesë në kryeqytet, qofshin këto , sheshe, qofshin parkime publike me pagese në anë të rrugës. Në vitin 2017 ky zë në buxhetin e bashkisë ishte prej 335,845,126 Lekë, ku mesatarisht për një ditë janë arkëtuar 920,123.63 lekë. Kjo shifër rritet në vitin 2018, ku në total nga parkimet me pagese, Bashkia Tiranë do te arkëtonte një shumë prej 454,788,832 Lekë, e mesatarisht për një ditë ka arkëtuar plot 1,245,996.8 lekë. Edhe në 2019 këto të ardhura kanë njohur rritje, ku janë arkëtuar 469,401,688 Leke, pra mesatarisht një shumë ditore prej 1,286,032 lekë. Ndërkohë prej 1 janarit të 2020 deri në 31 tetor, Bashkia e Tiranës ka arkëtuar një shumë prej 318,325,387 lekë në total, e cila përkthehet në një shumë mesatare në ditë prej 1,043,690 lekë.
Shkolla pa parkime, e mijëra euro një garazhd
“Një vend parkimi për çdo klasë” theksohet në rregulloren e Planit të Përgjitshëm vendor të Bashkisë Tiranë i miratuar në vitin 2017. Por në terren, e vërteta qëndron krejt ndryshe. Qytetarët vuajnë mungesën e vendparkimeve dhe krahas kësaj mbi ta rëndojnë gjoba.
Shkolla “Kosova” me adresë në rrugën e Elbasanit dhe me një numër të lartë nxënësish, është një nga institucionet arsimore të rikonstruktruara së fundmi në kryeqytet. Por pas një vëzhgimi të kryer përreth kësaj shkolle, vërehet mungesa e qoftë edhe një vend parkimi të dedikuar për të. Para një neglizhence të tillë, prindërit që presin fëmijët e zgjidhin problemin në rrugë rastësore. Ose duke ndaluar me bllokazh përpara hyrjes kryesore ose duke parkuar rrëmujshëm, kryesisht në parkime dyshe. Por kjo zgjidhje shkakton së paku trafik të rënduar që jo pak herë mbyllet me konflikte .
E njëjta panoramë kaotike paraqitet edhe para shkollës “Edi Durham” dhe në pjesën dërrmuese të shkollave.
Gerta, një nënë e re , ndeshet me këtë stres çdo mëngjes dhe çdo drekë kur vrapon për ta çuar dhe marrë djalin në shkollën ‘Kosova’.
“Shpesh e lë makinën anës rrugës me bllokazh të ndezur . Vrapoj që ta dorëzoj tim bir tek mësuesja që zakonisht e presin te dera. E di që ky veprim sjell bllokim të qarkullimit, por nuk kam zgjidhje tjetër” justifikohet e reja .
“Edhe kur shkoj më pas në punë e njëjta gjendje. Ka patur raste ku më është dashur të paguaj tre ose katër herë tarifën për një orë parkimi në rrugën e Kavajës brenda një dite, deri sa kam gjetur një vend të lirë parkimi. Shpesh përdor edhe parkimet private, shkojnë më lirë pasi mjafton të paguash 200 lekë dhe parkimi zgjat gjithë ditën. Por edhe për parkime private është bërë e vështirë, ose ato jane plot dhe duhet tua besosh celësat rojeve”
Kush përfiton tjetër?
Në këtë rrëmujë , stres dhe ankth për një vend parkimi , jo të gjithë janë të humbur. Për ndërtuesit fluksi i makinave nga njëra anë dhe mungesa e parkimeve është një moment i shkëlqyer dhe që nuk duhet humbur për të bërë biznes. Mjafton një kërkim i thjeshtë në ‘Google’ për blerje-shitje garazhdesh në Tiranë, për të kuptuar se si çmimi paradoksalisht i afrohet vlerës së një apartamenti. Nga kërkimet në internet, rezulton se garazhdi më i shtrenjtë shitet për 35 mijë euro në zonën e Tiranës së Re, 20 mijë euro në zonën e Ali Demit dhe më okazionali blihet për 5500 euro në zona periferike. Kjo sigurisht edhe për shkak të pozicionimit të ndërtesave, ku sa më afër qendrës të jesh, aq më i kushtueshëm është një vend parkimi, si dhe për shkak të hapësirës.
‘ Disa i kërkojnë garazhdet edhe për sigurinë e automjetit të tyre , por shumica janë shoferë të tejlodhur nga mungesa e një vendparkimi’ shpjegon Agron T. që është i punësuar si administrator në një firmë ndërtimi. ‘Kapërcimi i çmimeve të garazhdeve ra në sy këto pesë vite, pasi katet e para përdoren për biznes , por që automatikisht kjo do të thotë më pak vende parkimi për banorët. Kështu që kam vërejtur se qytetarët që porosisin shtëpi, në zona sikurse pranë rrugës së Kosovarëve, pranë Tiranës së Re, pranë 21 dhjetorit apo ish parkut të autobuzave e të tjera, ata negociojnë edhe për çmimet e garazhdeve që variojnë me çmime të kripura” shpjegon administratori sipas të cilit kjo gjendje lidhet jo vetëm me kërkesën e lartë për blerje në Tiranë, por edhe me mungesën e parkimeve.