Autor: Denis Tahiri
Qyteza e studentëve në Vlorë gjendet në prag falimentimi. Dhe shkak i dështimit, janë jo vetëm shpenzimet për administratën, por po ashtu edhe faturat e papaguara të energjisë elektrike, të ujit dhe njëherazi edhe taksat e akumuluara. Me një borxh të akumuluar në kohë dhe që është kaluar si stafetë ndër vite, shenjat e para duken tek mirëmbajtja e konvikteve dhe tek shërbimet ndaj konviktorëve. Borxhi i grumbulluar deri në momentin e publikimit të artikullit kap shifrën prej 66714597.97 lekë.
Kampusi që akomodon të rinjtë studentë përfshin dy konvikte, për të cilat u deklarua se ishin rikonstruktuar dhe ishin gati për vitin e ri akademik. Por vetëm njëra nga godinat është me kushte të mira. Tek tjetra nuk është kryer asnjë ndërhyrje.
“Godina që është rikonstruktuar ka 120 dhoma mos gaboj dhe janë vetëm dy veta për dhomë, është më e mirë se ajo e vjetra me thënë të drejtë. Kjo e vjetra ka rreth 45 dhoma dhe studentët zakonisht rrinë nga 2 ose 3 veta në dhomë”, e nis bisedën për “Sinjalizo”, Marjusi. Studenti vendosi të jetojë në komunitet me bashkëmoshatarët e tij. Ai përmend se në konvikt tanimë problemi më i madh lidhet direkt me mirëmbajtjen
“Ka qenë një zgjedhje e imja që të qëndroja në konvikt, të jep shumë mundësi për socializim, plus pastaj është edhe më lirë se sa një shtëpi me qera që të jemi realist në Vlorë nuk është se janë edhe aq lirë” shpjegon i riu.
Aktualisht nga informacionet e siguruara nga “Sinjalizo”, në këto dy konvikte jetojnë rreth 200 studentë të cilët ndjekin shkollën në Vlorë. Të rinjtë që u kontaktuan nga “Sinjalizo” shprehën ankesa për kushtet.
Kujt i detyrohet “Trajtimi i Studentëve SHA VLORË”
Të thuash që borxhi total i një institucioni është 66714597.97 lekë, është një shifër e madhe, por kur tregon edhe ndaj të cilave janë këto detyrime, kupton më mirë situatën e paprecedentë që ndodhet një institucion i cili ofron një shërbim shumë të rëndësishme për qindra të rinj, atë të strehimit.
Aktualisht nga dokumentat e vendosura në dispozicion për platformën e “Sinjalizo” pranë ACQJ, mund të identifikohen qartësisht borxhet ndër vite të këtij institucioni. Një shumë prej 24892515.38 lekë, ndërrmarrja e trajtimit të studentëve Vlorë e ka si detyrim të prapambetur ndaj OSHEE Vlorë, ndaj të cilës Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vendosur edhe një kamatvonesë e cilat është parafërsisht e njëjta shumë me detyrimin, me një vlerë totale prej 23018161.69 lekë, ku detyrimin total ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Qyteza Studenti Vlorë e ka në vlerën e 47910677.07 lekë.
E ashtu si pohohet nga studentët rastet kur ka patur shkëputje të energjisë elektrike nuk kanë munguar. “Ka patur raste kur ka ikur dritat, por kanë ardhur prapë. Kemi marrë vesh që ka qenë një shkëputje prej OSHEE, por nuk mund ta them me siguri”, thotë një prej studentëve në këtë konvikt.
Ndërkohë detyrimet janë të larta edhe ndaj Ujësjellësit të Vlorës, ku vlera e detyrimit është 7652964.9 lekë me një kamatvonesë prej 458235 lekë. Totali i borxhit ndaj Ujësjellësit të Vlorës është një shumë prej 8111199.9 lekë.
Por nga ana tjetër, detyrimet afatgjata të ndërmarrjes së trajtimit të studentëve Vlorë, janë edhe ndaj subjekteve private. Aktualisht ky institucion i detyrohet një operatori të shpërndarjes së hidrokarbureve një shumë prej 1512267 lekë.
Në gjyq me bashkinë dhe sigurime të punonjësve të papaguara
Në listën e detyrimeve që Ndërrmarrja e trajtimit të studentëve në Vlorë ka janë dhe detyrimet në degën e tatim- taksave në Vlorë, ku prej marsit deri në shtator 2022, nuk është paguar asnjë detyrim për punonjësit e kësaj ndërrmarrjeje. Vlera e detyrimit në Tatim- Taksa për punonjësit e këtij institucioni është 3592084 lekë me një kamatvonesë prej 1180451 lekë dhe me një detyrim në total prej 4772535 lekë.
Nga ana tjetër ky institucion është në gjyq me Bashkinë e Vlorës, e cila nëse del VKM e nevojshme do ta ketë institucion në varësi. Shkaku i gjyqit janë detyrimet e taksës së ndërtesave dhe trullit të vendosura ndër vite. Ky detyrim prej 1956160 lekë është shuar me vendim të Gjykatës Administrative të shkallës së parë por mbetet për tu parë vijimi i saj.
Ndërkohë detyrime ky institucion ka edhe ndaj dy audituesve të cilët kanë kryer auditimin për vitin 2021, ku secilit prej tyre u detyrohet një shifër prej 360000 lekë.
Ministria në dijeni për situatën
Në dokumentat të cilat zotërohen nga “Sinjalizo”, ekziston edhe një letër e cila është përgjigje e një shkrese të Ministrisë së Arsimit, ku ndër të tjera shkruhet se: “Siç jeni në dijeni, Shoqëria, që prej vitit 2019-2022, nga MAS, nuk ka marrë miratim të Programit të Zhvillimit Ekonomik. Të ndodhur në këto kushte, shpenzimet e shoqërisë javë vetëm ato standarte: paga + sigurime shoqërore, energji, ujë, internet+ postë, të cilat falë monitorimit tonë janë realizuar në minimumin e tyre të mundshëm. Shpenzimet e tjera operative nga viti 2019-2022, nuk janë realizuar për mungesë fondesh, duke çuar shoqërinë në kushte të “lypë” diku klorin e diku detergjentin për pastrimin e konvikteve”.
Nga ana tjetër në dijeni të kësaj situate në të cilën ndodhet kjo shoqëri, është edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë e cila është marrëse e kësaj shkrese gjithashtu, ku specifikohen edhe detyrimet e shoqërisë.
Ndër të tjera në këtë dokument bëhet e ditur gjithashtu se subvencionimi nuk është bërë në zbatim të VKM nr 75, datë 12.2.2018 “Për miratimin e modelit të financimit të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, Kreu V, pika 2 dhe as në zbatim të Udhëzimit të MFE nr.9, datë 20.03.2018 “Për procedurat standard të zbatimit të buxhetit”, i ndryshuar, Kreu III, Subvencionet, pika 191 dhe 192 e rrjedhimisht, as sipas shpenzimeve reale të shoqërisë dërguar me Situacionet mujore përkatëse (situacioni, fatura, listëpagesa etj)”.
Ndërkohë Ministria e Arsimit e pyetur zyrtarisht për këtë çështje shprehet se: “Masa e financimit për çdo shoqëri llogaritet në bazë të treguesve dhe raporteve në zbatim të Udhëzimit të Përbashkët nr.7, datë 24.04.2003 “Për kriteret e planifikimit dhe përdorimit të subvencionit buxhetor në ndërmarrjet e trajtimit të studentëve dhe ndërmarrjet e konvikteve e mensave”, si më poshtë:
-numri i planifikuar dhe numri faktik i studentëve të akomoduar në konvikt;
-numri i punonjësve sipas strukturës organizative të shoqërisë, e cila duhet të jetë në kufijtë e parashikuar me Udhëzimin e përbashkët të tre ministrive, në raportin 1 (një) punonjës për çdo 11 (njëmbëdhjetë) studentë;
-pagës mesatare vjetore sipas projekt programit ekonomik të shoqërisë.”
Studentët largohen, buxhetet e konvikteve bien
Aktualisht në vendin tonë, të vetme shoqëri të trajtimit të studentëve të cilat nuk janë marrë në administrim nga bashkitë, janë ato të Korçës dhe të Vlorës. Shkaku zyrtar është se ende nuk ka dalë VKM-ja e nevojshme.
“Transferimi 100% i aksioneve të shoqërive aksionare “Trajtimi i Studentëve” Vlorë dhe Korçë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te bashkitë Vlorë dhe Korçë, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, thotë zyrtarisht Ministra e Arsimit për “Sinjalizo”. Ndërkohë nga ana tjetër, burime jozyrtare bëjnë të ditur se shkak janë edhe borxhet e akumulura prej vitesh nga këto institucione.
Ajo që bie në sy, subvencionimi i këtyre shoqërive ka ardhur në rënie vit pas vit. Në vitin 2018 trajtimi i studentëve Korçë, përfitoi një shumë prej 19,986,744 lekë si subvencion nga MAS, ku një vit më pas kjo shifër shkon në 16,846,891 lekë, duke shënuar sërish në vitin 2020 një rënie tjetër të lehtë e duke shkuar në vlerën 16,415,000 lekë. Ndërkohë në vitin 2021 shifra e subvencionit shkon në 11,500,000 lekë, ndërsa për 2022 “Trajtimi i Studentëve Korçë” ka përfitur një vlerë prej 6,856,078 lekë.
Nga ana tjetër, Qyteti Studenti Vlorë në vitin 2018 ka përfituar një vlerë prej 26,641,334 si subvencion ndërkohë në vitin 2022 kjo vlerë është vetëm 13,446,806 lekë. Ndërkohë numri i studentëve është qartësisht më i vogël, ku sipas INSTAT në vitin akademik 2017-2018 në universitetet shqiptare uleshin 131,833 studentë, në vitin akademik 2022-2023 në bankat e universiteteve u ulën në total 123,880 studentë.