Autor: Ina Allkanjari
“Amarisin e linda në spital privat disa muaj më parë, pasi e kishim planifikuar që në fillim të shtatëzanisë së bashku me bashkëshortin, ndjekjen dhe lindjen e fëmijës. Nuk e kuptoj arsyen se pse kur lindja realizohet në privat nuk përfitohet shporta e bebes. Të lindësh në privat nuk është luks, pasi edhe ndjekja e shtatëzanisë për muaj me rradhë dhe lindja në maternitet shtetëror ka gjithashtu shumë shpenzime”, shkruan për “Sinjalizo” Ana, mamaja e një foshnjeje disa muajshe. Ajo që sinjalizon nëna e re lidhet me të drejtën e prindërve për të fituar “Shportën e bebes”, që tre vite më parë zëvëndësoi bonusin prej 5000 lekë të reja, që e përfitonte çdo i porsalindur, që kishte banues të përhershëm në kryeqytet njërin prej prindërve. Por prej shkurtit të vitit 2020, kur ky vendim u aprovua nga Këshilli Bashkiak Tiranë, me mijëra prindër që kanë zgjedhur të lindin në një institucion privat, nuk e kanë përfituar “Shportën e Bebes”. Në një vendim që mban numrin 6, datë 5 shkurt 2020, specifikohet se përfituesit e shportës janë të porsalindurit në maternitetin publik “Mbretëresha Geraldine” dhe “Koço Glozheni”.
Bashkia Tiranë zvogëlon bonusin për bebet e porsalindura
Nga dalja e vendimit për heqjen e bonusit prej 5 000 lekë të reja, dhe zëvendësimin e tij me shportën e bebes, janë zhvilluar dy tendera për blerjen e tyre, ku figuron fituese e njëjta kompani.
Në tenderin e parë me institucion prokurues Qeverisjen Vendore Tiranë, i cili u mbajt në gusht të vitit 2020 me objekt tenderimi “Shporta e Bebes”, vlera e fondit limit figuron rreth 37 milion lekë. Ky tender rezulton pranë OpenProcurment Albania me Flamur të Kuq, çfarë do të thotë skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Me një kohëzgjatje kontrate për një periudhë 1 vjeçare, në dokumentat standarte të tenderit evidentohet se janë parashikuar të shpërndahen 9 mijë shporta, pra rezulton se vlera e një shporte është rreth 4000 mijë lekë.
Në tenderin e dytë të mbajtur në muajin korrik të vitit 2022, vlera e fondit limit paraqitet shumë më e ulët, konkretisht rreth 25 milion lekë. Sërish pranë Open Procurement ky tender shfaqet me Flamur të Kuq, kësaj here në mungesë konkurence, pra me një konkurrent të vetëm që është kompania fituese. Kohëzgjatja e kontratës paraqitet 12 muaj. Ndërkohë baza materiale për një “Shportë bebe” e specifikuar në tender është: 1 Pako Pelena një përdorimshe; 1 Shishe qelqi me biberon; 1 Shampo për bebe; 1 Pako letra të lagura për fëmijë; 1 Krem për bebe me vitamina; 1 Vaj hidratues trupi; 1 Biberon fallco; 1 Lodër pellushi; 1 Një botim për kujdesin ndaj fëmijës në vitet e para të jetës.
Ajo çfarë vihet re është se në dokumentat standarte të tenderit, numri i shportave të parashikuara për shpërndarje është 3 mijë më pak në krahasim me tenderin e fundit, pra në total do të jepen vetëm 6 mijë shporta për 12 muaj.
Për të mësuar se pse vlera e tenderit fitues për ‘Shportën e Bebes’ për vitin 2022 dhe numri i shportave të parashikuara figurojnë më të ulëta se ajo e vitit 2020; cila është kosto e çdo produkti për një shport; sa është në total numri i bebeve të porsalindura të regjistruara në bashkinë Tiranë për vitin 2022 dhe se cila është arsyeja që fëmijët me vendbanim në Tiranë, që lindin në spitalet private nuk e përfitojnë shportën e bebes, “Sinjalizo” kërkoi informacion pranë Bashkisë Tiranë. Megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi asnjë përgjigje.
Ndihmat për të porsalindurit, të pamjaftueshme
Shefi i Nefrologjisë Pediatrike Diamant Shtiza, i pyetur nga “Sinjalizo” se për çfarë kanë më shumë nevojë bebet e porsalindura dhe sa u vjen në ndihmë shporta e bebeve, nënave të reja, tregon se çdo hap ndërmerret për mirë, por ndihmat aktuale janë të pamjaftueshme.
“Ne ende nuk mund të krahasohemi me vende shumë të zhvilluara, dhe çdo hapë që ndërmerret shikohet për më mirë. Normalisht edhe nëse do të ofrohej njëkohësisht edhe shuma prej 5000 lekësh edhe shporta, nuk do të mjaftonin. Këto janë mundësitë që Shqipëria ofron, duhet një mbështjetje e vazhdueshme, por shpresojmë që vëmendja ndaj të porsalindurve të vijojë të jetë në rritje nga instancat shtetërore”, u shpreh pediatri.
“Shporta e Bebes” e papërdorshme nga nënat e reja
“Thuajse nuk kam përdorur asnjë prej produkteve të “Shportës së Bebit” të ofruar nga bashkia. Kjo pasi në të njëjtën kompani unë kam bërë blerje vazhdimisht dhe vura re që produktet që ishin në shportë ishin përzgjedhur më të lirat që kjo kompani ofron”, tregon për ‘Sinjalizo’ Sabina, mamaja e një vajze 1 vjeçare nga Tirana.
30-vjeçarja shprehet se për shumë nëna të reja do të ishte ndihmë më e madhe mbështetja fianciare dhe jo shporta, pasi në këtë mënyre do të kenë mundësi ti zgjidhnin vetë produktet e nevojshme për bebet e tyre.
“Bebelinat e shportës nuk ia përdora asnjëherë, as kremin e trupit apo vajin. Shampon ia kam përdorur tashmë që vajza është një vjeç. Ndërkohë biberonin e qelqit e kam përdorur për të ngrohur qumështin, por kur e kam ushqyer vajzën ia kaloja në biberon tjetër më të përshtatshëm për një të porsalindur”, thekson Sabina.
Ndërkohë Elena, e cila solli në jetë vajzën e saj pranë maternitetit të Tiranës, 2 vite më parë, ndan një eksperiencë jo të mirë me produktet e shportës së bashkisë.
“Unë u bëra nënë në vitin 2020, kur kishte fare pak muaj që ishte zëvendësuar shuma prej 5000 lekësh me shportën për beben. Për të qenë e sinqertë unë si fillim përdora për vajzën bebelinat që ishin në shportë, por vetëm një herë ia përdora pasi i bën alergji dhe puçrat e krijuara te vajza e pata shumë të vështirë tja largoja”, tregon e reja për ‘Sinjalizo’, teksa thekson se pasi kaloi këtë eksperiencë kishte frikë të përdorte produktet e tjera që përmbante shporta.
Alketa, një tjetër banuese në kryeqytet shprehet se dy muaj më parë u bë nënë për herë të dytë pasi solli në jetë djalin e saj Noel. Ajo është një ndër përfitueset e “Shportës së Bebes” nga Bashkia Tiranë.
“Nuk mund të them që kanë qenë një ndihmë për mua. Në shportën që morëm nga bashkia ishte nja pako bebelina,që kishin 20 copë dhe e imagjinoni sa shpejt u mbaruan”, shprehet nëna e re.
Bonusi i bebes
“Bonusi i bebeve”, një stimul financiar që qeveria nisi të japë në fillim të vitit 2019 për nxitjen e lindjeve nuk po jep rezultate në rritjen e lindshmërisë në vend, teksa nga të dhënat vihet re se përfitimet po shkojnë në masë për fëmijët e emigrantëve të lindur jashtë vendit.
Në ditët e para të muajit dhjetor kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale njoftoi se bonusi i bebes u ka shkuar prindërve të më shumë se 36 mijë të porsalindurve këtë vit.
Por sipas të dhënave të INSTAT ku raportohet vetëm numri i lindjeve të banuesve në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Drejtorisë e Përgjithshme e Gjendjes Civile, kjo shifër paraqitet shumë më e ulët, çfarë tregon se një pjesë e madhe e lindjeve të publikuara nga kryeministri nuk janë banues në vendin tonë.
Konkretisht sipas të dhënave të analizuara rezulton se përgjatë 9 mujorit të parë të vitit 2022 kanë ardhur në jetë në total në të gjithë vendin 17, 612 të porsalindur.
Vitin e kaluar në të gjithë vendin lindën 27.284 foshnja, me rënie 2.8 për qind në krahasim me vitin 2020.
Sociologu Gëzim Tushi tregon për “Sinjalizo” se në të gjithë historinë e këtij shteti, kurrë ska qenë në nivele kaq kritike procesi i plakjes së popullsisë si rezultuat i uljes së lindshmërisë por edhe i faktorëve të tjerë.
“Mjafton të kujtojmë historinë e këtij vendi që nga 6 fëmijë për grua që ka pasur shoqëria shqiptare në vitet 60, mbërriti në 2.3 fëmijë për grua në vitin ´90 dhe që nga ndryshimi i sistemeve, procesi ka vijuar të pësojë rënie dhe tani kemi arritur në 1.3 fëmijë për grua”, tregon sociologu, teksa thekson se nëse para viteve ‘90 ne kemi pasur rreth 1 milion e 400 mijë fëmijë të moshës shkollore parauniversitare, tani kemi rreth 400-450 mijë fëmijë të moshës shkollore.
Vendimi i qeverisë
Nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave që hyri në fuqi në 1 janar 2019, nënat dhe bebet përpara se të linin spitalin do të merrnin një çek, vlera e të cilit varej nga rendi i fëmijës. Kështu sipas VKM-së, fëmija i parë përfiton 40.000 lekë, fëmija i dytë 80.000 lekë dhe fëmija i tretë 120.000 lekë. Në janar të 2019 nisi të zbatohet politika e re sociale e Qeverisë që mbështet familjet e reja, e cila jepet për çdo familje, pavarësisht statusit social-ekonomik.
Të drejtën e sigurimit të këtij shpërblimi e kanë të gjithë prindërit shtetas shqiptarë për foshnja të lindura brenda ose jashtë vendit. Po ashtu, nga kjo mbështetje financiare përfitojnë edhe prindërit me shtetësi tjetër të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
Shkaqet kryesore të rënies së numrit të lindshmërisë
Sipas sociologut Gëzim Tushi janë disa shkaqe të cilat kanë ndikuar në rënien e lindshmërisë në vend, ndër të cilat përmend komponentin kulturor që ka të bëjë me emancipimin e shoqërisë, rënien e numrit të martesave; rritja e numrit të divorceve të cilat kanë arritur në 30%; si dhe rritja e numrit të familjeve me një fëmijë.
“Koncepti i familjes me një fëmijë, apo siç quhet në sociologji fëmija “trofe” është një ndër komponentët e rënies së lindshmërisë. Pra nuk mund të kesh shumë fëmijë sepse nuk e përballon dot rritjen, arsimimin, pasi sot flasim për fëmijë elitarë. Fëmijët sot kanë kërkesa për financim, shkollim, mirëqënie etj dhe kjo ka bërë që çiftet të sjellin një fëmijë në jetë dhe të përqëndrohen rreth tij”, shprehet sociologu.
I pyetur se cilat mund të jenë disa rrugë që do të ofronin zgjidhje të situatës dhe nxitje të natalitetit, Tushi tregon se nuk është shteti ai që mund të ndikojë në shtimin e lindshmërisë në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Por sipas tij shteti ka mundësi që në mënyrë të tërthortë të ndërtojë politika që favorizojnë e nxisin lindshmërinë.
“Duhet të ofrohen politika favorizuese për nënat që lindin fëmijë, që nga lejet e lindjes, benefitet e tjera financiare, bonusit që japin për lindjen e një fëmije prej 40000, 80000 dhe 120000 lekësh për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë është jashtëzakonisht shumë pak pasi nuk besoj që ka njeri që do të sjellë një fëmijë në jetë sepse do të marrë këtë shumë lekësh”, shprehet Tushi.
Sipas sociologut, ende nuk jemi një ndër popullsitë më të plakura në Europë pasi moshën mesatare e kemi 38 vjeç, por ne kemi ritmet ndër më të larta të plakjes ndaj është e rëndësishme ti kushtojmë rëndësi nxitjes së lindshmërisë në vend.