Burgjet shqiptare më shumë si izolim sesa si rehabilitim

Burgu duhet të jetë fundi i një cikli kriminal dhe fillimi i një rikthimi në shoqëri. Por një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se në Shqipëri rehabilitimi mbetet kryesisht në letër. Nga mungesa e programeve dhe specialistëve te kushtet problematike dhe mbipopullimi, sistemi penitenciar vazhdon të funksionojë më shumë si mekanizëm izolimi sesa si instrument ndryshimi.

Denada Jushi

Dënimet me burg, për ata që kryejnë vepra penale, zakonisht nuk shihen vetëm si ndëshkim, por edhe si një periudhë rehabilitimi dhe reflektimi, me synimin që koha në izolim t’i ndihmojë të dënuarit të mos rikthehen më në veprimtari kriminale.

Por një nga rastet më të rënda që ilustron dështimin e rehabilitimit ishte ai i 1 marsit 2023, kur Dan Hutra, një person me precedentë të rëndë penalë dhe i liruar vetëm pak javë më parë nga burgu, kreu një seri vrasjesh në Tiranë dhe Kamëz. Në total, atë ditë u vranë tre gra dhe u plagosën disa të tjera.

Kur u riarrestua, ai deklaroi se gjatë qëndrimit në burg kishte ideuar të gjithë planin.

Ky është vetëm një nga rastet e shumta që tregojnë se sistemi penitenciar shqiptar po dështon në një nga misionet e tij kryesore: rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar.

Edhe pse Shqipëria ka miratuar një kuadër ligjor të përafruar me standardet europiane dhe ndërkombëtare, një raport auditimi tregon se, në praktikë, burgjet vazhdojnë të funksionojnë kryesisht si struktura izolimi dhe sigurie, ndërsa rehabilitimi mbetet një objektiv i parealizuar.

Gjetja më shqetësuese e raportit përfundimtar të auditimit “Trajtimi, rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të dënuar”, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, është se sistemi penitenciar nuk po arrin të ndryshojë jetën e të dënuarve. Në vend që burgu të shërbejë si një mundësi për edukim, formim profesional dhe përgatitje për jetën pas lirimit, shumë të dënuar largohen nga institucionet ku kanë vuajtur dënimin me të njëjtat probleme sociale, ekonomike dhe profesionale që kishin në momentin e hyrjes, e në jo pak raste edhe me probleme më të thella.

Pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj situate është rritja e rrezikut të rikthimit në veprimtari kriminale. Në mungesë të aftësive profesionale, mbështetjes sociale dhe mundësive për punësim, ish-të dënuarit përballen me vështirësi serioze për t’u integruar në shoqëri.

Por po aq problematike është mungesa e programeve që synojnë reflektimin mbi veprat e kryera dhe pasojat e tyre. Pa një sistem që i ndihmon individët të kuptojnë dëmin e shkaktuar dhe rrezikun e përsëritjes së sjelljeve kriminale, rehabilitimi mbetet i vështirë për t’u arritur.

Raporti evidenton gjithashtu se ligji penitenciar i vitit 2020 është harmonizuar me Rregullat Mandela dhe Rregullat Europiane të Burgjeve, duke garantuar në teori trajtim dinjitoz, respektim të të drejtave të njeriut dhe mbrojtje nga trajtimet çnjerëzore apo poshtëruese. Megjithatë, këto standarde nuk reflektohen plotësisht në jetën e përditshme të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Një tjetër problem serioz lidhet me kushtet fizike të burgjeve. Sipas raportit, infrastruktura e disa institucioneve është e amortizuar dhe, në raste të caktuara, kushtet konsiderohen të papranueshme. Burgjet e Rrogozhinës dhe Lushnjës përmenden si raste ku problematikat janë veçanërisht të theksuara.

Për këtë çështje ka ngritur shqetësime edhe Avokati i Popullit.

“Unë besoj se të gjithë të burgosurit duhet të kenë kushte dinjitoze në burgje. Rasti i burgut të Durrësit është tipik: edhe kur është i njëjti burg, trajtimi nuk është i njëjtë”, u shpreh zoti Shabani.

Ndërkohë, investimet publike janë orientuar kryesisht drejt sigurisë dhe transportit, duke lënë në plan të dytë përmirësimin e ambienteve të jetesës, arsimit dhe formimit profesional.

Auditimi evidenton se nuk ekzistojnë fonde të dedikuara qartë për rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve. Kjo do të thotë se shteti nuk mund të masë saktësisht sa para investohen për këtë qëllim dhe çfarë rezultatesh prodhojnë ato. Në praktikë, rehabilitimi trajtohet më shumë si një objektiv dytësor sesa si një prioritet i politikave publike.

Problemet shtrihen edhe te programet e rehabilitimit. Arsimi, formimi profesional, mbështetja psikosociale dhe punësimi brenda burgjeve konsiderohen të kufizuara dhe me ndikim të ulët. Shpesh, këto programe nuk lidhen me nevojat e të dënuarve apo me kërkesat e tregut të punës, duke e bërë të vështirë përdorimin e aftësive të fituara pas lirimit.

Raporti ngre shqetësime edhe për përdorimin e lartë të paraburgimit. Rreth 56 për qind e personave në sistem janë të paraburgosur, një nivel që, sipas ekspertëve, krijon presion mbi kapacitetet e burgjeve dhe vë në diskutim përdorimin e masave alternative ndaj burgimit.

Për këtë problem është diskutuar prej muajsh, ndërsa Gjykata e Lartë ka vendosur rishikimin e praktikave. Mbetet për t’u parë se si ky vendim do të reflektohet në praktikë.

Mbipopullimi i institucioneve e bën edhe më të vështirë ofrimin e shërbimeve rehabilituese.

Një tjetër hallkë e dobët është mungesa e bashkëpunimit efektiv mes institucioneve. Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës, bashkitë, institucionet arsimore dhe agjencitë e punësimit nuk funksionojnë si një sistem i koordinuar për riintegrimin e ish-të dënuarve. Marrëveshjet ekzistojnë, por rezultatet konkrete mbeten të kufizuara.

Raporti evidenton gjithashtu mungesë të psikologëve, punonjësve socialë, mësuesve dhe trajnerëve profesionalë. Kjo dobëson cilësinë e trajtimit dhe kufizon mundësinë për ndërhyrje individuale te personat që kanë nevojë për mbështetje.

Në përfundim, auditimi arrin në konkluzionin se Shqipëria ka ndërtuar një legjislacion modern për burgjet, por nuk ka arritur ta materializojë atë në praktikë. Ashtu si në shumë fusha të tjera të reformave publike, kuadri ligjor rezulton i avancuar në letër, ndërsa zbatimi mbetet dukshëm pas objektivave që vetë sistemi i ka vendosur./acqj.al