Bregdet: Investime strategjike apo një industri imobiliare në kurriz të mjedisit

Në pak vite, bregdeti shqiptar është kthyer në kantierin më të madh të vendit. Resorte luksoze, vila dhe marina po zëvendësojnë dunat, pyjet dhe hapësirat natyrore që dikur ishin pasuria kryesore e turizmit shqiptar. Pyetja nuk është më nëse investimet po sjellin zhvillim. Pyetja është nëse ky zhvillim po konsumon burimin që e bëri bregdetin të vlefshëm.

Ida Ismalaj

Nga Gjiri i Lalëzit e deri në Ksamil, kartolina e bregdetit shqiptar po ndryshon me shpejtësi. Ndërsa qeveria mbron me pasion “boom-in” turistik dhe statuset e investitorëve strategjikë si motorin e ri ekonomik të vendit, në terren po luhet një betejë tjetër.

Pas fasadave të resorteve luksoze fshihet një pyetje që po ndan shoqërinë: A po ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme apo po shkatërrojmë pikërisht ato pasuri natyrore që i jepnin vlerë Shqipërisë?

Bregdeti po njeh një transformim të madh urbanistik, me projekte turistike dhe rezidenciale të mbështetura shpesh nga statusi i investitorit strategjik dhe nga politika që synojnë tërheqjen e kapitalit vendas e të huaj. Por, pas investimeve marramendëse po zhvillohet një debat i ashpër sa i përket mënyrës se si po përdoret territori, sidomos në zona që deri dje ishin të mbrojtura me ligj.

Investimet strategjike: Turizëm apo zhvillim imobiliar?

Të dhënat e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) tregojnë se gjatë periudhës 2016–2025 janë miratuar 56 projekte med status investimi strategjik. Nga këto, 40 i përkasin kompanive shqiptare dhe 16 investitorëve të huaj. Megjithatë, shpërndarja sektoriale e tyre ngre pikëpyetje mbi objektivin fillestar të ligjit.

Në teori, ligji për investimet strategjike ishte konceptuar për të nxitur zhvillimin në sektorë të shumanshëm të ekonomisë, si energjia, industria përpunuese, teknologjia, infrastruktura apo bujqësia. Në praktikë, 71.4% e investimeve strategjike janë përqendruar në turizëm, kryesisht në resorte, komplekse turistike dhe zhvillime rezidenciale përgjatë vijës bregdetare.

Zona si Gjiri i Lalëzit, Palasa, Dhërmiu, Himara, Ksamili dhe Saranda janë bërë epiqendra të këtij modeli. Ky orientim ka nxitur kritika të forta për betonizim të pakontrolluar dhe për përdorimin e statusit “strategjik” si një mjet për zhvillim të shpejtë imobiliar, ku objektet ndërtohen për shitje të menjëhershme dhe jo domosdoshmërisht për të gjeneruar ekonomi afatgjatë.

Paralelisht me këtë trend, çmimet e pasurive të paluajtshme në bregdet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Sipas ekspertit të pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu, kërkesa vazhdon të mbetet e lartë, veçanërisht nga blerësit e huaj:

“Tregu në bregdet mbetet jashtëzakonisht dinamik. Vilat po blihen kryesisht për banim sezonal, ndërsa apartamentet shihen si investim i pastër për qira ditore.”

Edhe Komisioni Evropian ka shprehur vazhdimisht rezerva për zgjatjen e ligjit të investimeve strategjike, i cili është shtyrë gjashtë herë. Në raportet e progresit janë evidentuar shqetësime serioze për ndikimet mjedisore dhe për zhvillimet në zona me ndjeshmëri të lartë ekologjike.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar së fundmi se ligji e ka përmbushur misionin e tij dhe nuk do të jetë më i nevojshëm pas skadimit të afatit aktual. Në një takim me gazetarët nga vendet e Bashkimit Evropian, Rama tha:

“Ky ligj ka ndihmuar në tërheqjen e investimeve që përndryshe nuk do të kishin ardhur në Shqipëri. Tashmë Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit ekonomik, ku kapitali dhe investitorët e mëdhenj po vijnë pa pasur nevojë për lehtësime të veçanta ligjore, por kërkojnë më shumë siguri dhe status të mbrojtur”.

Nga Syri i Kaltër te Narta: Si i la ligji i ri monumentet e natyrës pa mbrojtje

Një pjesë e debateve më të forta lidhen me projektet që po zhvillohen direkt brenda ose pranë zonave me vlera të veçanta natyrore. Projekti “Durrës Yachts & Marina”, me vlerë rreth 2 miliardë dollarë, është shoqëruar me polemika pas raportimeve për probleme strukturore në disa prej godinave në ndërtim. Në jug, Green Coast në Palasë vazhdon zgjerimin me ndërtime të reja 1 deri në 9 katëshe, ndërsa Gjiri i Lalëzit po përjeton një intensitet të tillë ndërtimesh që ka vënë në pikëpyetje kapacitetet infrastrukturore dhe ka shkaktuar humbje të pariparueshme të hapësirave natyrore.

Por, përplasja më e madhe është përqendruar në zonën e Nartës dhe Zvërnecit në Vlorë, ku ambientalishtët dhe qytetarët u ngritën në protesta masive në kryeqytet kundër një projekti të madh turistik që cenon biodiversitetin. Laguna dhe habitatet përreth strehojnë qindra specie shpendësh, përfshirë flamingot, duke e bërë zonën një nga pikat më të ndjeshme mjedisore në Shqipëri.

Shqetësimet u thelluan pas miratimit të ligjit Nr. 21/2024, i cili ndryshoi ligjin bazë për Zonat e Mbrojtura. Një nga ndryshimet më të debatuara është heqja e zonave “tampon”  rreth monumenteve të natyrës. Kjo do të thotë se zona si Syri i Kaltër, kanionet apo shpellat nuk gëzojnë më mbrojtjen shtesë kundër ndërtimeve intensive pranë tyre. Ligji i ri zgjeron mundësitë e ndërtimit, duke sanksionuar se edhe brenda një Parku Kombëtar mund të ndërtohet një super-resort turistik me të gjithë infrastrukturën shoqëruese, mjafton që “të garantohet integriteti mjedisor”. Për më tepër, ligji i jep kompetenca të plota Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), i cili vendos për gjithçka përmes mbledhjeve me dyer të mbyllura dhe pa dëgjesa publike.

Sipas ekspertit të mjedisit, Taulant Bino, kjo kornizë e re ligjore e kthen mjedisin në një plaçkë për t’u shitur: “Shoh me keqardhje që gjithçka që kemi ndërtuar për dekada në fushën e mbrojtjes së natyrës vihet në diskutim. Aty do të ketë struktura 8-katëshe, ku pishat do të mbeten më të ulëta se ndërtesat. Problemi më i madh janë ndërhyrjet nëntokësore tek dunat ranore. Këto janë habitate prioritare dhe çdo ndërhyrje mund të sjellë pasoja të pakthyeshme.”

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe organizata EcoAlbania e dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese, por kërkesa u rrëzua në korrik të vitit të kaluar (2025). Sipas tyre, ligji cenon Konventën e Aarhusit për pjesëmarrjen publike dhe krijon pasiguri të madhe juridike.

Eksperti i PPNEA-s, Joni Vorpsi shton se klasifikimi i zonave nuk është bërë mbi baza shkencore: “Pasojat do të jenë shumë të rënda, jo vetëm për biodiversitetin, por edhe për vetë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”

Teatri i IKMT-së: Prishje në kulm të sezonit, ndërsa betoni zyrtar nuk ndalet

Në një kohë kur miratohen projekte të reja gjigante, autoritetet paradoksalisht vazhdojnë aksionet për prishjen e ndërtesave ekzistuese në kulmin e sezonit turistik. Sipas të dhënave të IKMT-së, gjatë vitit të kaluar janë prishur 447 ndërtime pa leje dhe janë vendosur 232 gjoba.

Vetëm në bregdet u shembën 106 objekte:

  •  67 në Kepin e Rodonit
  •  20 në Palasë, Dhërmi dhe Jalë
  •  10 në vijën bregdetare të Vlorës
  •  3 në Ksamil
  •  Nga 2 në Velipojë, Shëngjin dhe Shirokë

Kontrollet kanë nxjerrë në pah edhe probleme të rënda me sigurinë teknike. Në Golem dhe Qerret, sipas kryeinspektorit të IKMT-së, Afrim Qendro, nga 55 leje ndërtimi aktive, vetëm dy objekte rezultuan në përputhje të plotë me kriteret ligjore të sigurisë. Megjithatë, zhvillimi i këtyre aksioneve në mes të verës, kur vendi pret fluksin më të madh të turistëve, ka ngritur pikëpyetje mbi strategjinë dhe mesazhin që i përcillet botës.

Mes lejeve të reja, ndryshimeve drastike ligjore, protestave qytetare dhe shembjeve selektive, pikëpyetja e madhe mbetet pezull. Në fund, turizmi nuk matet vetëm me numrin e vizitorëve apo me lartësinë e hoteleve me pesë yje. Nëse rëra e dunave të Nartës zëvendësohet me nëntoka betoni dhe nëse pishat mbyten nga godinat 8-katëshe, çfarë do t’u mbetet turistëve për të parë pas një dekade?

Shqipëria gjendet në një udhëkryq kritik ose do të frenojë etjen e pangopur për betonizim të shpejtë, ose do të mbetet në histori si vendi që sakrifikoi parajsën e tij natyrore për llogari të përfitimeve imobiliare afatshkurtra. Ora po troket, dhe mjedisi nuk pret dot seancat e radhës të KKT-së./acqj.al