Ida Ismalaj
Popullsia në vendin tonë vijon të tkurret nga viti në vit. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2025, Shqipëria humbi rreth 28.500 banorë. Popullsia zbriti në 2.33 milionë banorë në janar të vitit 2026, duke shënuar një rënie prej 1.16% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse numri i lindjeve vazhdon të jetë më i lartë se ai i vdekjeve, emigracioni vazhdon të mbetet faktori kryesor që po zbraz vendin.
Në vitin 2025 u regjistruan 22.541 lindje dhe 21.394 vdekje, duke prodhuar një shtesë natyrore prej vetëm 1.147 personash. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të frenuar tkurrjen demografike të vendit.
Migracioni neto rezultoi negativ me 28.531 persona, që do të thotë se më shumë njerëz u larguan nga Shqipëria sesa u kthyen apo u vendosën në vend. Praktikisht, për çdo shqiptar që i shtohet popullsisë nga lindjet, afro 25 të tjerë vendi i humbi nga emigracioni.
Një analizë e të dhënave sipas grupmoshave tregon se rënia e popullsisë prek pothuajse të gjithë brezin e ri, duke nisur nga foshnjat deri tek grupmosha 30-34 vjec, duke pasqyruar ndikimin e emigracionit dhe lëvizjen e të rinjve drejt vendeve të tjera, në kërkim të mundësive më të mira të jetesës dhe punësimit. Ndryshe paraqitet panorama te grupmoshat e mëdha, ku umri i personave 65-69 vjeç u rrit me 2.5%, ndërsa grupmosha 70-74 vjeç me 6%.
Tirana vazhdon të jetë qarku më i populluar në vend, duke përqendruar rreth 32.8% të popullsisë totale. Pas tij renditen Fieri, Elbasani dhe Durrësi, të cilët mbajnë peshën më të madhe në shpërndarjen gjeografike të banorëve në Shqipëri.
Kukësi dhe Shkodra pësuan rëniet më të mëdha të popullsisë, me përkatësisht 2.59% dhe 2.56%. Fenomeni po krijon një Shqipëri gjithnjë e më të përqendruar në pak qendra urbane, ndërsa zonat periferike po humbasin banorët e tyre.
Ndërsa treguesit demografikë përkeqësohen, auditimi më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxori në pah mangësi serioze në reagimin institucional. Ndërsa vendi përballet me rënie të vazhdueshme të popullsisë, KLSH evidentoi se institucionet publike rezultojnë pa një qasje të integruar dhe pa një strategji të vetme kombëtare që adreson fenomenin në mënyrë të plotë.
Auditimi evidentoi gjithashtu probleme në programet e punësimit dhe në Fondin Social, të cilat nuk po arrijnë të përballojnë kërkesat në rritje. Programi i Garancisë Rinore, i menduar për integrimin e të rinjve në tregun e punës, ka shfaqur luhatje të mëdha në zbatim dhe rezultate të paqëndrueshme.
Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë një paqëndrueshmëri të theksuar në zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit. Nga 28% realizim në vitin 2020, shifra u rrit në 97% në 2022, për të rënë sërish në 68% në 2023 dhe 46% në tetëmujorin e parë të 2025. Në shumë raste, buxhetet e rishikuara rezultojnë më të ulëta se ato fillestare, duke reflektuar mungesë konsistence në planifikim.
Një nga masat më të promovuara për nxitjen e lindjeve ka qenë bonusi i bebes. Megjithatë, efektiviteti i tij ka qenë i kufizuar, pasi fondet kanë qenë në rënie nga viti në vit.
Sipas gjetjeve të auditimit, familjet shqiptare nuk i marrin vendimet për të pasur fëmijë bazuar në një pagesë të vetme financiare. Faktorët vendimtarë mbeten siguria ekonomike, punësimi afatgjatë, strehimi, çmimet e larta të jetesës dhe aksesueshmëria e shërbimeve sociale.
Tkurrja e popullsisë nuk është thjesht një statistikë demografike. Ajo prek drejtpërdrejt ekonominë, tregun e punës, sistemin arsimor dhe qëndrueshmërinë financiare të shtetit. Nëse trendi aktual vazhdon, Shqipëria rrezikon të hyjë në një cikël të tkurrjes demografike, më pak të rinj, më pak lindje, më shumë emigracion dhe një popullsi gjithnjë e më e plakur./acqj.al