Ida Ismalaj
Çmimet e qirave të apartamenteve në Tiranë kanë arritur nivele rekord gjatë vitit 2026, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të papërballueshëm për familjet me të ardhura mesatare. Ndërsa kërkesa për banesa mbetet e lartë, ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme po identifikojnë një faktor që po ushtron presion gjithnjë e më të madh mbi çmimet, zgjerimin e qirave ditore përmes platformave Airbnb dhe Booking.
Fenomeni po shoqërohet me një rritje të fortë të çmimeve të qirave afatgjata, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të papërballueshëm për qytetarët me të ardhura mesatare.
Tregu i qirave ditore është zgjeruar me ritme të shpejta gjatë viteve të fundit, i nxitur nga rritja e numrit të turistëve dhe fitimet më të larta që sigurojnë rezervimet afatshkurtra.
“Interesi për banesa me qira ditore në Airbnb është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Po fuqizohen individët që kanë apartamente dhe po i përdorin për këtë qëllim. Kemi edhe klientë që marrin prona me qira me afatgjatë dhe më pas i përdorin për qira ditore” thotë eksperti i tregut imobiliar Ervin Demirxhiu.
Sipas tij, zonat më të preferuara nga turistët dhe investitorët e qirave afatshkurtra janë Liqeni Artificial, Blloku, zona rreth stadiumit “Air Albania”, Pazari i Ri, Selvia dhe Zogu i Zi. Kërkesa mbetet e lartë edhe në destinacione turistike si Durrësi, Golemi, Gjiri i Lalzit, Vlora dhe Ksamili.
Në zona si Pazari i Ri, qiratë ditore arrijnë deri në 70 euro për natë, ndërsa në Bllok dhe Komunën e Parisit luhaten nga 55 deri në 70 euro.
Ndërsa për pronarët ky model biznesi përfaqëson një mundësi më të mirë fitimi, për qiramarrësit po krijon vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të gjetur banesa me çmime të përballueshme.
Qiratë në nivel rekord në 2026
Qiraja mesatare e apartamenteve në Tiranë për vitin 2026 ka arritur në 721 euro në muaj, sipas të dhënave të agjencive imobiliare. Teksa çmimet e qirave vijojnë të rriten, të ardhurat mujore nuk po ndjekin të njëjtin ritëm, duke e kthyer koston e strehimit me qira afatgjatë, përtej kufijve të përballueshmërisë për individët dhe familjet.
Në të njëjtën kohë sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 90.119 lekë, ose rreth 930 euro, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Llogaritjet tregojnë se një individ me pagë mesatare bruto duhet të shpenzojë rreth 77% të të ardhurave mujore vetëm për të paguar qiranë e një apartamenti mesatar në Tiranë.
Sipas standardit ndërkombëtar të përdorur për matjen e përballueshmërisë së strehimit, kostot e banimit konsiderohen të përballueshme kur nuk kalojnë 30% të të ardhurave mujore bruto.
Ndërkohë që administrata tatimore po përpiqet të formalizojë tregun e qirave ditore, ndikimi social i këtij fenomeni po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.
Individët që japin prona me qira afatshkurtër nuk kanë detyrim të hapin NIPT nëse nuk ushtrojnë aktivitet tregtar, por duhet të deklarojnë të ardhurat përmes deklaratës DIVA dhe të paguajnë tatim prej 15% mbi fitimin e realizuar. Megjithatë, përtej aspektit fiskal, sfida kryesore mbetet balancimi mes zhvillimit të turizmit dhe garantimit të aksesit në strehim për banorët.
Teksa qiratë afatshkurtra vazhdojnë të zgjerohen, strehimi po bëhet një barrë gjithnjë e më e rëndë për familjet me të ardhura mesatare. Pa masa që balancojnë interesat e turizmit me nevojat e banorëve, rreziku është që tregu i banesave të bëhet i papërballueshëm për qytetarët e Tiranës./acqj.al