Haga drejt verdiktit final: katër figurat e luftës përballë historisë dhe drejtësisë!

Në Hagë po mbyllet një nga proceset më të ndjekura gjyqësore për luftën në Kosovë. Katër ish-drejtues të UÇK-së përballen me akuza të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa mbrojtja kërkon pafajësi të plotë. Mes protestave dhe pritjes së vendimit, verdikti i ardhshëm pritet të ndikojë jo vetëm drejtësinë, por edhe mënyrën si do të rrëfehet historia.

Denada Jushi

18 shkurti do të jetë dita e fundit e procesit në Gjykatën Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka nisur më 3 prill të vitit 2023, ndërsa ndalimi dhe transferimi i tyre në dhomat e paraburgimit ka ndodhur në nëntor të vitit 2020.

Më 9 shkurt të këtij viti, në Dhomat e Specializuara nisi paraqitja e fjalëve përmbyllëse të këtij procesi, çka shënon fazën përfundimtare. Prokuroria, në përmbyllje të fjalës së saj, ka kërkuar që secili të dënohet me 45 vjet burg, në total 180 vjet.

Në këtë proces, katër liderët akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ku përfshihen rrëmbimi, tortura dhe vrasja. Sipas përmbajtjes së aktakuzës, edhe pse ajo është ndryshuar disa herë, ajo që po gjykohet aktualisht përshkruan se krimet e paraqitura u kryen të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë thuhet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe se ishin pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Ndërkohë, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar që ata të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që mbështet pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Një nga momentet kryesore të këtij procesi ka qenë dëshmia e 15 shtatorit, ku ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ishte i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së. Pas tij, në bankën e dëshmitarit u ul diplomati Christopher Hill, i cili dëshmoi për tri ditë radhazi. I fundit nga dëshmitarët amerikanë ishte gjenerali që udhëhoqi bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999, Wesley K. Clark.

Përgjatë këtyre tri viteve, një pjesë e procesit ka qenë e hapur dhe publike, ndërsa një pjesë tjetër është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa mundësi për t’u njohur me dëshmitarët apo dëshmitë e prokurorisë. Gjatë dy javëve të fundit është bërë edhe përballja e argumenteve të Prokurorisë me ato të mbrojtjes dhe anasjelltas.

Nesër, trupa gjykuese, e përbërë nga gjykatësi Çarls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Genël Metro dhe Fergal Gejnor (gjykatës rezervë), do të tërhiqet dhe ka tre muaj kohë, me mundësi shtyrjeje për shkak të volumit të madh të dosjeve, për të shpallur vendimin lidhur me këtë çështje. Kjo është vetëm shkalla e parë, pasi të dyja palët, si Prokuroria ashtu edhe mbrojtja, kanë të drejtë apelimi.

Më 17 shkurt, 18 vjet më parë, u lexua deklarata e pavarësisë së Kosovës. Sot, katër eksponentët kryesorë të atij momenti po përballen me drejtësinë. Në Kosovë sot nuk u festua, por u protestua, me thirrjen që historia të mos rishkruhet. Për të ditur nëse historia do të ndryshojë apo jo, do të duhet të presim deri në qershor të këtij viti./acqj.al