Redaksia ACQJ
Shqipëria po përballet me një transformim të thellë demografik që po shndërrohet në një krizë strukturore afatgjatë. Viti 2025 shënoi një pikë kthese të fortë: vetëm 21.425 lindje u regjistruan në rang kombëtar, rreth 8.1% më pak se në vitin 2024 dhe afro 6 mijë lindje më pak krahasuar me vitin 2021. Nëse krahasohet me fillimin e viteve ’90, kur vendi regjistronte mbi 82 mijë lindje në vit, rënia arrin rreth 74%, duke sinjalizuar një epokë të re demografike për Shqipërinë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, tkurrja nuk kufizohet më vetëm në zonat e thella apo qarqet tradicionalisht të varfra. Të dhënat tregojnë se rënia ka prekur edhe qendrat ekonomike dhe industriale. Durrësi regjistroi një ulje prej 11.7%, duke humbur mbi 300 lindje brenda një viti, ndërsa Fier, Elbasan dhe Vlora shënuan rënie mbi 12%.
Goditjen më të rëndë e ka pësuar Dibra me 20.4% më pak lindje, e ndjekur nga Korça me 18.5%. Tirana, megjithëse mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve (8.830), regjistroi një rënie prej 2%, çka tregon se fenomeni është sistemik dhe jo rajonal. Në jug, Gjirokastra mbetet në nivele minimale me vetëm 301 lindje në vit, ndërsa Kukësi dhe Berati ndjekin të njëjtën prirje negative.
Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me plakjen e popullsisë dhe uljen e ndjeshme të fertilitetit, që sipas të dhënave të Eurostat ka rënë në 1.21 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit prej 2.1. Shqipëria ka shënuar edhe rënien më të madhe të fertilitetit në Europë nga viti 2012 në 2022.
INSTAT vëren se mosha mesatare e grave që lindin ka arritur 29.5 vjeç, ndërsa mosha mesatare e popullsisë ka shkuar në 44.3 vjeç, duke reflektuar një shoqëri gjithnjë e më të plakur.
Sociologët e shohin fenomenin si rezultat të ndërthurjes së faktorëve socialë, ekonomikë dhe kulturorë. Sipas Gëzim Tushit, emancipimi i grave dhe ndryshimi i modelit familjar kanë bërë që lindshmëria të mos jetë më ideali kryesor i familjes shqiptare, ndërsa rritja e kostos së jetesës e bën vendimin për të pasur fëmijë gjithnjë e më të vështirë.
Nga ana tjetër, sociologia Marsi Simo thekson tre arsye kryesore: individualizmin dhe prioritetet e reja personale, pasigurinë ekonomike dhe mungesën e mbështetjes strukturore për gratë që punojnë, të cilat përballen me vështirësi në balancimin mes karrierës dhe rolit të nënës.
Të dhënat tregojnë gjithashtu rënie të lindshmërisë në grupmoshat 20–24, 25–29 dhe 35–39 vjeç, ndërsa Koeficienti Bruto i Riprodhimit ka rënë në 0.59, duke treguar se gratë shqiptare janë rreth 41% larg nivelit të zëvendësimit të vetvetes. Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian,
Shqipëria mbetet prapa edhe për shkak të mungesës së politikave mbështetëse për familjet e reja. Shtetet e BE-së kanë arritur të ruajnë nivele më të larta lindshmërie falë subvencioneve për familjet, pushimeve më të gjata për nënat dhe lehtësimeve fiskale, ndërsa në Shqipëri politikat mbështetëse vlerësohen si të vonuara ose joefektive.
Pasojat e kësaj tkurrjeje janë të shumëfishta dhe prekin drejtpërdrejt ekonominë dhe strukturën sociale. Një popullsi në plakje nënkupton më pak fuqi punëtore, presion më të madh mbi sistemin e pensioneve dhe shëndetësisë, si dhe rritje të pabarazive rajonale. Nëse trendi aktual vijon, disa zona rrezikojnë zbrazje të pakthyeshme, ndërsa balanca mes brezave mund të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme.
Viti 2025 mund të mbetet në histori si momenti kur Shqipëria konfirmoi hyrjen në një krizë demografike të thellë. Nuk bëhet më fjalë për një luhatje statistikore, por për një transformim strukturor që prek ekonominë, territorin dhe vetë modelin shoqëror të vendit.
Pa politika afatgjata dhe masa konkrete për mbështetjen e familjeve të reja dhe fuqizimin ekonomik të të rinjve, tkurrja e sotme rrezikon të shndërrohet në realitetin e qëndrueshëm të dekadave që vijnë./acqj.al