Ida Ismalaj
Shqipëria është përfshirë nga dy ngjarje të rënda kriminale, që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë ngritur pyetje të mëdha mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe kontrollin e rendit publik. Dy vrasjet e fundit, ajo e gjyqtarit gjatë një seance gjyqësore në 6 tetor dhe atentati në aeroportin e Rinasit, në zonën më të sigurt të vendit, të mbikëqyrur nga dhjetëra kamera dhe nën vëzhgimin e forcave të policisë, janë shembuj të një realiteti ku krimi vepron pa frikë nga ndëshkimi.
Ngjarja e ndodhur në ambientet e Gjyakës së Apelit Tiranë ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës është simboli i një shteti që nuk garanton dot as sigurinë e përfaqësuesve të ligjit. Autori arriti të kryente krimin brenda institucionit që duhet të garantonte rendin dhe drejtësinë. Ky akt nuk është vetëm një vrasje e rëndë, por një sinjal alarmi për dështimin e mekanizmave të sigurisë në sistemin gjyqësor, që nga mungesa e kontrollit në hyrje, te mbrojtja minimale e gjyqtarëve, prokurorëve dhe dëshmitarëve. Ekspertët e sigurisë, shoqatat e gjyqtarëve dhe Dhoma e Avokatisë e kanë cilësuar këtë ngjarje si një atentat ndaj shtetit ligjor, duke theksuar se kur një gjyqtar vritet në sallën e gjyqit, askush nuk është më i mbrojtur nga krimi.
Vetëm 1 muaj më pas, një tjetër akt kriminal ndodhi në zonën më të monitoruar të vendit, në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Në një hapësirë të pajisur me dhjetëra kamera sigurie, nën vëzhgimin e forcave policore dhe sistemit të kontrollit, një person u ekzekutua me armë zjarri dhe një tjetër mbeti i plagosur, në mes të ditës. Fakti që autorët arritën të planifikonin, ekzekutonin dhe largoheshin nga një zonë e tillë, mjaft të populluar, tregon për nivelin e lartë të organizimit të grupeve kriminale dhe dobësinë e shtetit për të parandaluar apo reaguar në kohë.
Për ekspertin e sigurisë Fatjon Softa, kjo ngjarje është një provë e qartë ndaj shtetit, që ka mision për të garantuar sigurinë publike: “Kur autorë të armatosur veprojnë lirshëm në një nga pikat më të mbrojtura të territorit, siç është perimetri i aeroportit, mesazhi që përcillet është i dyfishtë: Për qytetarët krijon pasiguri dhe humbje besimi te strukturat e rendit, ndërsa për partnerët ndërkombëtarë ngre pikëpyetje mbi nivelin e parandalimit dhe monitorimit”.
Në skenën e ngjarjes, pamjet e policëve që përpiqeshin të hapnin me forcë dritaret e makinës së viktimës, duke treguar mungesën e mjeteve të ndërhyrjes, u bënë simbol i një strukture të papërgatitur për emergjenca të tilla.
Sipas Softës, Shqipëria ndodhet në një periudhë turbulence përsa i përket rendit dhe sigurisë. Ai thekson se vrasjet me armë, atentatet dhe përplasjet mes grupeve kriminale nuk janë më ngjarje të izoluara, por kërcënime serioze për stabilitetin publik dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
“Ngjarje si kjo e Rinasit apo vrasja e gjyqtarit nuk janë thjesht çështje hetimore, por janë kambana alarmi për sigurinë publike dhe kombëtare. Çdo atentat në një zonë të mbrojtur është në vetvete një sfidë ndaj autoritetit të shtetit” nënvizon eksperti i sigurisë.
Ngjarjet e fundit kanë shkundur besimin e publikut te institucionet, sigurinë e turistëve dhe besimin e investitorëve të huaj. Vrasja e një gjyqtari dhe atentati në portën hyrëse të aeroportit nuk janë thjesht dy ngjarje tragjike. Ato janë pasqyra e një realiteti ku krimi ka fituar guxim përballë shtetit. Nëse drejtësia vritet në sallë dhe krimi “lëviz i lirë” në Rinas, atëherë pyetja që mbetet është e vetmja: Kush e mbron më Shqipërinë nga krimi?
Eksperti i sigurisë nënvizon se mënyra për të rikthyer kontrollin është një analizë e thelluar strukturore dhe përmirësim i protokolleve të sigurisë.
“Kërkohet rritja e patrullimit të zonave të ndjeshme, investime në sistemet inteligjente të kamerave inteligjente, percaktimi i perimetrit të sigurisë 150-300 m jashtë perimetrit të rrethimit të aeroportit, rishikim i parkimeve dhe në veçanti parkimit nëntokësor. Po aq e rëndësishme është transparenca dhe komunikimi me publikun për të shmangur panikun”. /acqj.al