Studentët mes premtimeve dhe realitetit

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Pa(k) konvikte, pa biblioteka, pa mensa publike

Në konvikte akomodohen 7%-10% të studentëve që studiojnë në universitetet publike. Disa godina janë ende në proces rikonstruksioni, ndërsa disa janë të amortizuara. Mungesa e bibliotekave të mëdha dhe mjediseve për të kaluar kohën e lirë është evidente, ndërsa mungojnë mensat publike ku studentet të shpenzojnë më pak për ushqimin.

48 orë për t’u regjistruar në konvikt

Në 19 Shtator, rreth orës 5:30 të mëngjesit Olta B. u nis nga qyteti i Prrenjasit drejt Tiranës për t’u regjistruar në njërin prej konvikteve shtetërore për studentët e Mjekësisë. Ndonëse mbërriti në kryeqytet përpara orës shtatë të mëngjesit, nuk mundi të siguronte një numër për rradhën e regjistrimit. Studentja e vitit të tretë të Mjekësisë tregon për “Sinjalizo” se për të siguruar një dhomë konvikti për vitin akademik 2023-2024 iu deshën më shumë se 48 orë pritjeje në kryeqytet.

“Pasi u akomodova më datën 19 në hotel, të nesërmen rreth ores 6:20-6:30 kam shkuar pranë Rezidencave Studentore dhe kam parë shumë njerëz, prindër dhe studentë që shtyheshin me njëri-tjetrin për të marrë një numër rradhe dhe nga ana tjetër ishin disa roje që hidhnin numrat në mes të turmës ose ia pasonin njëri-tjetrit tufën me numra sikur te ishte ndonjë lojë”,- thotë Olta, e cila mbante rradhën me numë 160 dhe arriti të regjistrohej rreth orës shtatë të mbasdites së datës 20 shtator.

“Pagesën në bankë e kam bërë më datë 21 dhe kontratën e firmosa po atë ditë pasi kisha frikë se do të mbetesha pa dhomë dhe nuk mund të përballoj një shtëpi me qira”,- thotë ajo duke treguar se aktualisht është e akomoduar në godinën numër 1 të Rezidencës Studentore numër 2.

Në RSU 2 janë 8 godina, nga të cilat 6 janë godina të reja ndërkohë që godinat numër 1 dhe numër 2, sipas Zhanina Dapit, Drejtoreshës së Konvikteve në RSU 2, do i nënshtrohen rikonstruksionit vitin e ardhshëm. Në vitin akademik 2023-2024 në këtë rezidencë janë regjistruar 1523 studentë, nga të cilët 772 janë studentë të Mjekësisë.

Sipas drejtoreshës Dapi, në dispozicion të studentëve janë 1933 shtretër ndërsa në çdo dhomë ndodhet një dollap.

“Ndonjë hapësirë të madhe nuk kemi, rrobat nuk i marr dot të gjitha, marr një pjesë dhe çoj një tjetër”,- thotë  studentja Olta B duke pohuar se në godinën numër 1 është mbyllur njëri kat për studentët për shkak të lagështirës në mure, ndërkohë që çdo kat ka 27 dhoma.

Një tjetër problematikë për studentët që banojnë në konviktet shtetërore është mungesa e bibliotekave të mëdha dhe e mjediseve bashkëpunuese. “Mungojnë bibliotekat e mëdha, mungojnë hapësirat e mëdha të studimit dhe të bashkëveprimit midis studentëve, dhe hapësirat sportive. Në qoftë se do ta shohim në plan të parë kemi të bëjmë me një fjetore të studentëve se sa me një kampus universitar siç është premtuar,”- thotë Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare.

Rikonstruksionet e vonuara

Në Qytet Studenti rikonstruksioni i godinave nisi në vitin 2019 me godinën numër 6, punë e realizuar në bashkëpunim me agjencinë turke TIKA. Disa godina ende janë në fazë rikonstruksioni, ndërkohë që të tjera janë të amortizuara dhe të banuara nga studentët. Në përgjigjen që Drejtoria e Rezidencës Studentore numër 1 jep për “Sinjalizo” thuhet se nga 29 godina që përfshihen në RSU1, 22 janë në funksion të studentëve. “Një është në fazën e fundit të ndërtimit, si dhe 5 konvikte në rikonstruksion në kuadër të Progamit të Qeverisë Gjermane përmes KFW”,- thuhet në përgjigje.

Dy prej godinat që po rikonstruktohen janë godina numër 16 dhe ajo me numër 17. Sipas të dhënave të publikuara në tabelën informuese pranë godinave, investimi për secilën prej tyre shkon mbi 9 milionë euro, ndërkohë që si afat përfundimi është vendosur data 13 dhjetor i këtij viti.

Tabela informuese rreth punimeve në godinën 16, Qytet Studenti

Por, këto godina duhet të ishin tërësisht në funksion të studentëve. Në Paktin për Universitetin, një plan premtimesh për 8 kërkesat e studentëve të bëra publike gjatë protestës të dhjetorit të 2018-s, e shpallur nga Kryeministri Rama po në të njëjtin muaj në Universitetin e Vlorës, thuhet se ndërhyrjet për rikonstruksion me financim nga buxheti i Shtetit do të realizoheshin brenda afatit 3-vjeçar, 2019-2021. Gjithashtu, me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2020 për godinën numër 16 u mor vendimi për rindërtim duke akorduar fondin me vlerë 311 425 288 lekë. Një vit më parë “Sinjalizo” publikoi shkrimin ku administratorja e konviktit, pavarësisht vendimit të miratuar nuk ishte e informuar rreth punimeve që mund të kryheshin, ndonëse godina 16 nisi t’i nënshtrohej rikonstruktimit vetëm në mars të 2023-shit me financim të projektit të Qeverisë Gjermane.

Godinat e parashikuara për t’u rikonstruktuar në Qytet Studenti janë dhe godina 24-25, si edhe godinat 27-28.

Anisa, studente për Punë Sociale thotë se në këto godina, “Kanë lyer vetëm disa dhoma”. E ardhur nga Kukësi ajo tregon se zgjodhi të qëndronte ne konviktet shtetërore vetëm prej pagesës më të favorshme. “Unë paguaj 4300 lekë në muaj dhe për kushtet që janë, mund të justifikohet”.  Por ndryshe mendon studentja e Socilogjisë në vitin e dytë bachelor, Esmeralda Sherfi e cila ka vendosur të jetojë në shtëpi me qira. “Unë e ndaj qiranë me dy goca të tjera e përsa i përket pagesës mujore së konvikteteve, gati më binte njëlloj si me shtëpinë,”- thotë studentja e ardhur nga Konispoli duke theksuar se në këtë mënyrë arrin të banojë në kushte më të mira.

Xhemollari: Në konvikte akokomdohen 7%-10% të studentëve në universitetet publike

Drejtoria e Rezidencës Studetore numër 1 thotë se në godinat kanë kapacitete akomoduese për 4600 studentë, ndërkohë që aktualisht janë akomoduar 3974 studentë. Në Universitetin e Tiranës për vitin akademik 2022-2023 numri i studentëve të programeve të studimit të Ciklit të Parë, Ciklit të Dytë dhe Master Ekzekutiv në UT është 22 076, nga të cilët 13 450, ose ndryshe rreth 61% e tyre vijnë nga bashkitë e tjera. Ndërkohë, sipas të dhënave nga INSTAT për të njëjtin vit akademik në Tiranë numri total i studentëve shkon në 51 843.

“Lidhur me kapacitetet akomoduese të godinave studentore, aktualisht në këto rezidenca akomodohen nga 7%-10% të totalit të studentëve që studiojnë në universitetet publike”,- shprehet Rigels Xhemollari, sipas së cilit mënyra e oganizimit të kampuseve universitare në Shqipëri  mbetet mbrapa Kosovës.

Asnjë nga rezidencat studentore në Tiranë nuk ka një mensë publike që të ofrojnë ushqim me kosto të reduktuar për studentët që janë aty duke u kushtuar atyre gjysmën e buxhetit mujor”, thotë Xhemollari duke shtuar se të gjitha godinat nuk janë të rrethuara ose të ndërtuara brenda një “zonë sigurie”. “Janë të aksesueshme nga makinat, nga lokalet, floktoret dhe shumë biznese që pengojnë jetën normale studentore apo qetësinë”,- përfundon ai.

Studentët e akomoduar në godinat e konvikteve të vjetra paguajnë rreth 4300 lekë në muaj, ndërkohë që pajisjet shtëpiake si soba e gatimit dhe frigoriferi sigurohen privatisht prej tyre duke mos u konsideruar nga konviktet si elemente që përfshihen në “kapacitetet e akomodimit”.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/