Sinjalizuesi denoncon: Bashkia kreu tender sipas interesit të kompanisë. Ekspertët: Kjo ndodh shpesh kur mungojnë konkurrentët

Autor: Merxhan Daci

Mbas një auditimi fianciar, Kontrolli i Lartë i Shtetit është i bindur se SPAK duhet ta hetojë Bashkinë e Tropojës për tenderat. Duke veçuar tenderat publikë për rindërtimin e rrugëve dhe rikonstruksionin e një shkolle, në dosje dyshimet bien mbi funksionarët dhe anëtarët e njësisë së prokurimit dhe të komisionit të ofertave që akuzohen nga audituesit se kanë kryer shkelje gjatë proçedurave. Por ankesat për Bashkinë e Tropojës mbi tenderat nuk kanë të sosur. Një qytetar shkroi në platformën “Sinjalizo” për një tjetër tender që është kryer pa konkurrim dhe sipas shtetasit (Sinjalizo po e ruan identitetin e tij) në shkelje të hapur të ligjeve. Sinjalizuesi tregoi në muajin tetor, se bashkia e Tropojës po blen një kamion për transport mbetjeve, kur në fakt i kishte dhe dy të tillë në gjendje posaçërisht për mbetjet. Gjatë shpalljes së autoritetit prokurues të kryer pesë muaj më parë, caktohet si fond limit shuma prej 6,4 milionë lekë pa TVSH.

Nga investigimi i mëpasshëm i “Sinjalizo” u zbulua se tenderi ka si objekt “Blerje mallrash” nga ana e bashkisë dhe në përshkrim thuhet të jetë një kamion vetëshkarkues, që do të përdoret për mbledhjen e mbeturinave. Por ndërkohë një nga kushtet gjatë shpalljes të bashkisë ishte kriteri që kamioni të ishte prodhuar jo më parë se viti 2020 dhe me kilometra zero.Sipas vëzhgimit të “Sinjalizo” në faqet e internetit ndërkombëtare që shesin mjete të tilla të përdorura dhe të reja, një kamion mbetjesh mund të shkojë deri në 90 mijë euro.

Skica e kamionit
Tenderi i Bashkisë Tropojë për blerjen e kamionit

Kritere të diskutueshme

Bashkia e Tropojës vë kushte për garuesit me kërkesat si vijon:

Operatori ekonomik duhet të paraqesë bilancet e dy viteve të fundit (2019 – 2020) të çertifikuar nga organet tatimore ku të paktën në dy bilance të njëpasnjëshme nuk ka raport negativ ndërmjet aktivit dhe pasivit. Kopje të deklaratave të xhiros vjetore, të realizuar nga Operatori Ekonomik ofertues gjatë 2 (dy) viteve të fundit (2019, 2020) lëshuar nga Administrata Tatimore, me vlerë jo më të vogël se 40% e fondit limit që prokurohet. Ofertuesi duhet të ketë kryer furnizime të ngjashme në një vlerë jo me pak se 40 % e  fondit limit, të realizuara gjatë 3 (tre) viteve të fundit nga data e shpalljes se njoftimit të kontratës.

Siç rezulton njoftimi afishohet në datën 15 korrik dhe afati i vendosur në dispozicion u la për 12 ditët vijuese. Në përfundim paraqiti interes vetëm një subjekt dhe pavarësisht mungesës së ofertave rezulton se fitues e tenderit u shpall kompania “Timac” shpk me adresë në Kashar të Tiranës, mbasi ishte e vetmja në garë. Por të dhënat tregojnë se kompania nuk përmbushte kriteret, njëra ndër to, ajo e afatit të themelimit, duke qenë se në shpallje kërkoheshin bilancet nga viti 2019 e në vijim. Nga një vëzhgim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), sipas ekstraktit të kësaj kompanie rezulton se ajo është regjistruar në 5 maj të vitit 2020.

Pra, kësaj kompanie i mungonin kushtet për bilancet apo për xhirot vjetore për të njëjtën periudhë dhe njësoj edhe për furnizime të ngjashme në tre vitet e fundit.

Po kështu ndër të tjera kontrata parashikohej të lidhej me ofertën ekonomikisht më të favorshme por po të shikojmë, vlera e kontratës së lidhur është 6,36 milionë lekë ku fondi limit ishte 6,4 milionë lekë pa TVSH, pra një diferencë prej 40 mijë lekësh. Sipas sinjalizuesit në rrëfimin e tij “vlera e lidhur aq afër shifrës së fondit limit tregon se ky tender është dhënë posaçërisht për këtë kompani” duke e paracaktuar atë.

I kanë sjellë bilancet

“Sinjalizo” e pyeti në mënyrë zyrtare Bashkinë Tropojë në lidhje me tenderin për blerjen e kamionit, për faktin e mungesës së konkurencës dhe kritereve jo të zbatuara të tenderit. Nga përgjigjja kuptohet se kompania i ka dorëzuar faturat për bilancet, por pa u sqaruar se si janë dorëzuar këto shkresa për kohën kur kompania as që ekzistonte.

Konkurrenca është në dorën e konkurrentëve dhe pjesëmarrja në mënyrë elektronike në faqen e APP. Aksesi për dokumentacionin është për të gjithë njëlloj. Përsa i përket pikës dy, i përmbush kriteret sipas kërkesës së kërkuar në dokumentacion ku ka sjellë faturat dhe vërtetimin e xhirove vjetore. Kamioni është për grumbullimin e mbetjeve të gjeneruara në qendrat e banuara të Bashkisë Tropojë. Bashkia ka në gjendje dy kamionë teje të amortizuar, njëri në difekt prej shumë kohësh. Janë prodhim i vitit 1981 dhe 2003”, tha Bashkia në përgjigjen e saj për “Sinjalizo”.

Kompania “Timac” insiston gjatë reagimit për “Sinjalizo” se i plotëson të gjitha kushtet për të marrë pjesë në garë dhe se çdo kompani e re ka të drejtë të garojë.

Po, është e vërtetë që shoqëria Timac shpk është regjistruar në vitin 2020 dhe falë punës së palodhur ka bilanc pozitiv për 2020 ashtu sikurse do jetë dhe për 2021. Timac shpk dhe çdo kompani tjetër e regjistruar rishtazi nuk privohet të marrë pjesë në tender, mjafton që bilanci i kompanisë të plotësojë kriterin e xhiros mesatare dhe furnizimet e ngjashme të jenë minimum aq % sa kërkohen në tender. Dhe në rastin konkret bilanci i vitit 2020 dhe sigurisht punët e ngjashme e tejkalojnë xhiron mesatare të dy viteve të fundit e cila duhet të jetë jo më e vogël se 40% e fondit limit”, tha në komentin e saj, kompania për “Sinjalizo”.

Kompania Timac shpk është themeluar në 5 maj të vitit 2020 me kapital themeltar 100 mijë lekë.

Vetëm vitin e parë, sipas Open Corporates, kompania ka pasur fitim para tatimit prej afro 35 milionë lekësh të reja.

Burimi: OpenCorporate.al

Pano Soko, ekspert i ekonomisë, i pyetur nga “Sinjalizo” për rastin konkret tha se kjo është parregullshmëri, krahasuar me termat, por nuk e di a mund të përbëjë shkak për anulimin e tenderit.

Pra çështja që ka vetëm një vit që është regjistruar, nuk përbën shkelje thelbësore të termave. Këto raste, nganjëherë vlerësohen si të rregullta, sidomos kur ka mungesë ofertash. KLSH në disa raste i ka konsideruar të rregullta, në disa raste jo”, tha Soko.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi, shkon më tej teksa thotë se studimet e Qendrës për Kërkime Ekonomike që ai drejton kanë provuar se në mjaft raste agjencitë shtetërore qendore apo vendore, i hartojnë specifikimet teknike të mallrave apo të shërbimeve që prokurojnë duke patur në mendje kompaninë apo individin fitues të paracaktuar.

Në këtë mënyrë iu largohen standardeve të njohura, kufizojnë dukshëm konkurrencën dhe ulin eficiensën e përdorimit të fondeve publike (kjo shprehet në maksimizimin e përdorimit të fondit limit). Kuptohet që raste të tilla formojnë edhe dyshimin e bazuar për përfitime korruptive të zyrtarëve vendim-marrës të përfshirë”, thotë ai.

Sipas Preçit, kjo tendencë rritet sa më larg Tiranës që të jetë agjencia apo institucioni publik.

Një situatë e tillë ndodh edhe për shkakun se auditimi i brendshëm në këto institucione është in-kompetent dhe thuajse non-ekzistent, ndërsa auditi i jashtëm (KLSH) e ushtron detyrën e vetë shumë kohë mbasi shkeljet proçeduriale administrative apo veprat penale të rastit janë kryer”.

“Sinjalizo” pyeti avokatin Dorian Matlija nga Qendra ResPublica në lidhje me fenomenin e tenderave me një konkurent dhe ai tha se problemi më i madh nuk qëndron tek fakti që ligji i lejon këto procedura, por se “hilja” qëndron te fakti se kriteret formulohen nga autoritetet në një formë sikur “i qepen” një kompanie. Kjo sipas tij duhet të ndryshojë. Matlija tha po ashtu, se ajo çka është më e rëndësishmja është që për këto raste kur ka mungesë konkurrence duhet patjetër të shprehet Autoriteti i Prokurimeve Publike për secilin rast, gjë që momentalisht ky institucion nuk e bën.

Agjencia e Prokurimeve Publike nuk iu përgjigj “Sinjalizo” deri në çastet e botimit të këtij artikulli. Për të marrë një qasje më përfundimtare në lidhje me këtë proçedurë dhe ligjshmërinë e saj, “Sinjalizo” pyeti edhe Komisionin e Prokurimeve Publike, njohur ndryshe si “gjykata e tenderave” se cila është praktika që KPP ndjek në rastin kur një kompani ka vetëm një vit jetë, por në tender kërkohet performanca e dy viteve dhe kemi vetëm një ofertues, nëse përbën kjo shkak për anulim tenderi, por edhe ky institucion heshti.

Tenderat me mungesë konkurrence nëpër bashki

Por ligji shqiptar i lejon procedurat e prokurimit me një konkurrent të vetëm, ndonëse më pas ato shoqërohen me flamur të kuq dhe ndaj tyre hidhen dyshime, si tenderi për të cilin shkroi sinjaluzuesi. Sipas shpjegimit të Open Data Albania, shpesh këto proçedura më shumë se mungesë konkurrence në treg, shfaqin mundësi të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera sipas tyre meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk. Këto procedura shënjohen me një flamur të kuq dhe shpjegimi i mëtejshëm është se kjo është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore.

Nëse marrim, tenderat me “flamur të kuq” të Bashkisë Tropojë për vitin 2021, ka pasur katër të tillë, ndër to edhe tenderi në fjalë me objekt “blerje kamioni” që trajton ky shkrim.

Burimi: Open Data Albania

Nga të dhënat e filtruara nga baza e të dhënave të Open Data Albania, nga 1 janari i vitit 2021 deri në 9 nëntor të vitit 2021 në 61 bashkitë e vendit janë mbajtur plot 407 tendera me mungesë konkurrence, pra me një operator të vetëm në garë dhe që janë konsideruar “me flamur të kuq”.

Vendin e parë të tenderave me një konkurent për këtë periudhë e mban Bashkia e Tiranës me 68 tendera, ndjekur nga Vlora me 44 tendera, Elbasani me 23, Durrësi me 17 etj.

Burimi: Open Data Albania

“Kostum me porosi”

Në korrik të këtij viti, pak ditë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Lushnjës dhe punonjës të tjerë nga SPAK për abuzime me tendera, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive dhe u bëri thirrje të zbatojnë ligjet në mënyrë që të mos bëhen objekt hetimesh.

Ai tha se kriteret e shtuara enkas në tendera si “kostum me porosi” për fituesit dhe mungesa e garës janë një dukuri që duhet të marrë fund. Ndër të tjera ai shtoi se bashkitë kanë qenë indiferente ndaj kërkesave për të përmirësuar punën e tyre, edhe kur kanë patur këshillime nga Agjencia e Prokurimeve Publike.

88.5% e proçedurave kanë rezultuar me probleme, në hartimin e kritereve, ndaj dhe bashkive përkatëse u janë dërguar rekomandime preçize nga APP. 52.5% e bashkive nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proçes të rekomandimeve teknike të saj. Qepja me dorë e proçedurës së tenderit e cenon drejtpërsëdrejti shkallën e pjesëmarrjes dhe drejtësinë e konkurrencës së operatorëve publikë. Është një teknikë grabitqare, e shëmtuar, përjashtuese”, tha asokohe kryeministri Rama.

Po në korrik, Open Data Albania, që mbledh të dhëna për prokurimet publike por jo vetëm, i tha Zërit të Amerikës se bashkitë nuk janë sektori më problematik sa u takon tenderimeve abuzive, krahasuar me të tjerët.

Drejtuesja e organizatës Aranita Brahaj, deklaroi se tenderat e qeverisë ua kalojnë bashkive për sa u takon mungesës së konkurrencës, anullimeve të përsëritura, negocimeve dhe mos-respektim afatesh.

Tenderat e bashkive kanë nivel risku 30 për qind për korrupsion por bashkitë nuk janë sektori më problematik. Sipas Open Data, janë 40 për qind e tenderave të sektorit të shëndetësisë, që vlerësohen me risk të lartë për korrupsion dhe klientelizëm dhe lista vazhdon me autoritete të tjera publike si ARRSH etj.

Nëse flasim për dëmin në buxhet të prokurimeve problematike, korrupsioni në Shqipëri në fushën e prokurimeve i ka sjellë buxhetit të shtetit mbi 120 milionë dollarë dëm gjatë dekadës së fundit, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave që kanë analizuar të dhënat e 129 njësive të auditimit në gusht të këtij viti.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter