Autor: Megi Cuka
Pandemia solli një rritje të rasteve të krimit kibernetik dhe policia po përballet me një numër të shtuar të denoncimeve të qytetarëve.
Krimi kibernetik, sipas policisë, shfaqet në blerjet online, në aksesin në email-e dhe në rrjete sociale, si dhe në shantazhin e përdorur për përfitime financiare dhe seksuale.
Vetëm për vitin 2020, që përkon me periudhën e pandemisë, është kërkuar mbyllja e më shumë se 200 adresave në rrjetet sociale për mosekspozimin e të dhënave personale.
Gjatë vitit të parë të pandemisë (2020), numri i denoncimeve është rritur me 35,65% krahasuar me një vit më parë.
Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krimin kibernetik është në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, që përbën 67% të numrit total të denoncimeve, pasuar nga Shkodra, me 6%, ndërkohë që prokuroritë e Përmetit, Sarandës e Pukës nuk kanë regjistruar procedime penale lidhur me krimin kibernetik për vitin 2020.
Dënimet për krimin kibernetik shkojnë nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Sipas të dhënave të prokurorisë, të pandehurit janë të gjithë të rritur (mbi 18 vjeç), nga të cilët 76,92% janë meshkuj dhe 23,08% janë femra. Afro gjysma janë me arsim të lartë, (46,15%).
Më shumë se 60% e të pandehurve banojnë në qytet. Policia thotë se në shumicën e rasteve të hetuara personat e përfshirë në krimin kibernetik nuk kanë patur aktivitet të mëparshëm, kriminal.
“Zakonisht këta persona kanë njohuri në fushën kompjuterike dhe nuk i përkasin një kategorie të veçantë shoqërore. Në mjaft raste keqbërësit janë të mitur.”
Ekspertët: Policia nuk i ka kapacitetet e duhura
Numri i rasteve të hetuara nga Sektori i Hetimit të Krimeve Kompjuterike është në rritje, por ekspertët shprehin dyshime për kapacitetet e policisë për t’u përballur me krimin kibernetik.
“Lufta ndaj këtij krimi, për mendimin tim, është shumë e ulët, pasi dhe vetë institucioni ose zyra në Policinë e Shtetit nuk i ka kapacitetet e duhura për ta luftuar”, – thotë eksperti i IT, Genti Progni.
Një raport i muajit shkurt 2022 i CRCA/ECPAT i kërkon qeverisë të investojë “urgjentisht te Policia e Shtetit, Sektori i Krimit Kibernetik, për të fuqizuar trajnimin, teknologjinë dhe forcimin e hetimit të krimeve kibernetike”.
“Një prej arsyeve kryesore, që shkakton krimin kibernetik, është padituria dhe mos-informimi.
Kemi shumë raste, kur personat kanë rënë pre e sulmeve, sidomos phishing në email dhe iu kanë vjedhur shuma të ndryshme, monetare. Gjatë pandemisë kemi pasur raste të shumta të vjedhjes me anë të faqeve, që supozohej se shisnin produkte, vjedhje të cilat kanë arritur shuma të konsiderueshme. Klienti porosit produktin, paguan dhe më pas produkti nuk vjen.
Kemi pasur dhe një ndërhyrje nga policia ose, më saktë, nga Njësia C që merret me krimet kibernetike, ku u arrestuan shumë persona, që kishin përfituar mijëra euro me këtë skemë”, – thotë Genti Progni për ACQJ.
Për të luftuar krimin kibernetik nuk mjafton vetëm policia, por duhet më shumë informim dhe ndërgjegjësim për përdoruesit.
“Ka ardhur koha që të hapet një institucion, apo vetë AMA, (Autoriteti i Medias Audio-vizive), që të bëjë më shumë për të qenë më i mbrojtur në internet. Kjo do të sjellë uljen e sulmeve, informimin e publikut, parandalimin dhe rregullim të detajuar të sigurisë së përdorimit të internetit”, – thotë Progni
Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve i kërkon Ministrisë së Arsimit që ta bëjë të detyrueshëm “informimin e fëmijëve dhe të adoleshentëve nga mësuesit në lidhje me mekanizmat dhe linjat e mbrojtjes së fëmijëve”.
Profilet false, shqetësim në rritje
O.M., ka bërë kallëzim në polici dhe në prokurori, për shkak se persona të tjerë kanë krijuar profil fals me të dhënat e saj. Profili është raportuar në rrjetin social, Instagram.
O.M., si dhe kallëzues/i/ja iu ka kërkuar miqve të tij/saj që të bëjnë të njëjtën gjë, me qëllim mbylljen e këtij profili. Megjithëse profili i hapur në emër të O. M., nuk ka bërë asnjë postim, shqetësimi mbetet mbi keqpërdorimin në komunikim me miqtë e saj në këtë rrjet social.
Megjithatë, pas raportimeve të shumta që O. M., bëri në rrjetin social, Instagram, për profilin me emërtimin nooneueoeo dhe adresë https://www.instagram.com/nooneueoeo, grupi i suportit i ka kthyer përgjigje nëpërmjet postës elektronike, se nuk mund të angazhoheshin për rastin konkret, për shkak të fluksit të madh të ankesave gjatë pandemisë. O. M., pret që denoncimi i bërë në polici të japë rezultat.
Përdoruesit e internetit, paralajmërojnë ekspertët, duhet të jenë të kujdesshëm, sidomos në përdorimin e Messenger-it, kur shohin që kanë marrë një link.
“Në të gjitha rastet, kur kemi një sulm me URL, link, duhet të bëhet një copy paste në një incognito browser, që të mos ketë mundësi “sulmuesi” të tërheqë të dhëna. Duhet gjithmonë të shihet me saktësi emri i domain-it, sepse mjafton një germë e ndryshuar dhe ndryshon faqja, ku ju supozohet që po klikoni.”
“Jeta” online, rreziku kryesor për të miturit
Numri i faqeve të raportuara të materialeve me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijët, krahasuar me periudhën përpara COVID-it, u trefishua gjatë vitit 2021.
Mbi 2800 faqe me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijë u raportuan pranë ISIGURT.AL.
Një raport i CRCA/ECPAT ngre alarmin për sigurinë e të miturve në internet.
Mosha më e prekur e fëmijëve dhe adoleshentëve nga incidentet në internet është grup-mosha 15-17 vjeç, e cila përbën rreth 47% të të gjitha incidenteve të raportuara.
Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, thotë se duhen marrë masa të menjëhershme për të rritur sigurinë e lundrimit të të miturve në internet.
CRCA rekomandon: “Përmirësime të mëtejshme në Kodin Penal, në Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe në Ligjin për Komunikimet Elektronike – si dhe detyrimin për kompanitë e internetit që të vendosin filtra mbrojtës për aksesin e materialeve të papërshtatshme apo të paligjshme për fëmijët.”
Kryeqyteti ka gjysmën e numrit të incidenteve të raportuara, por nuk është vetëm Tirana, që raporton incidente që lidhen me jetën virtuale. Elbasani, Fieri, Durrësi, Peqini dhe Vlora janë qytete, ku raportohen incidente në lidhje me të miturit.
Instagram-i është platforma me më shumë incidente, e ndjekur nga YouTube dhe Facebook.
Siguria në internet mbetet një nga sfidat më të mëdha për përdoruesit dhe institucionet e vendit.