Muso HC Qytezë, hidrocentrali me kontratë 30-vjeçare, i cili ka prodhuar vetëm një vit energji

Autor: Jona Kaso

Janë dashur 10 vite për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Devoll, leja për të cilin u mor në vitin 2008 (megjithëse kontrata ka qenë për një vit); hidrocentral që ka arritur të prodhojë energji vetëm një muaj.

Muso HC Qytezë është emri i hidrocentralit, të cilit iu deshën plot 10 vite për t`u ndërtuar, që pas marrjes së lejes koncesionare, 30-vjeçare.

Ndonëse leja është marrë në vitin 2008, punimet kanë nisur pesë vite me vonesë dhe kanë përfunduar vetëm në vitin 2019.

Arsyet pse janë zgjatur kaq shumë punimet për këtë hidrocentral, ishin të arsyeshme, sipas përgjigjes që na dha AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore), institucioni i ngarkuar me ligj për të monitoruar veprimtarinë e HEC-ve.

Punimet janë pezulluar tri herë, dy herë për “shkak të kushteve atmosferike” dhe një herë për shkak të “vështirësive financiare.” 

Ky hidrocentral ka punuar vetëm një muaj gjatë këtyre 10 viteve të fundit që nga data e lidhjes së kontratës koncesionare. Ndërsa detyra e AKBN-së është të monitorojë çdo tre muaj hidrocentralin e Qytezës.

HEC-i nuk ka prodhuar as çerekun e energjisë që duhet të prodhonte në një vit

Neni 7 detyron kompaninë koncesionare të mbarojë punimet brenda afatit kohor 12 muaj pas lidhjes së kontratës.

Ndërsa në nenin 18 të kontratës thuhet se hidrocentrali për një vit duhet të prodhojë 1.340.000 Kwh dhe, nëse kjo vlerë nuk arrihet, koncesionari mund të gjobitet me 0.05% të vlerës së prodhimit të energjisë për periudhën e raportuar.

Nga monitorimet e kryera, referuar raportit të ERE-s për vitin 2019, hidrocentrali Qytezë ka hyrë në prodhim në gusht të vitit 2019.

Prodhimi për vitin 2019 (Kwh), vetëm për muajin gusht është 499,200 Kwh, e konvertuar në vlerë monetare gjithsej arrin vlerën e 4,222,333.44 lekëve. Ndërsa për vitin 2020 nuk disponojmë informacion për prodhimin e energjisë, pasi shoqëria koncesionare nuk ka raportuar dhe jemi në pritje të përgjigjes nga OSHEE në lidhje me prodhimin e HEC-eve për vitin 2020”, – shkruhet në përgjigjen e AKBN-së.

Por, sipas raportit të të Dhënave të Tregut të Energjisë Elektrike, publikuar në faqen zyrtare të ERE-s, hidrocentrali për vitin 2020 ka prodhuar 2110 Kwh gjithsej, sipas katërmujorit të parë dhe tetëmujorit të dytë.

Pra, hidrocentrali nuk ka prodhuar as çerekun e energjisë që duhet të prodhonte në një vit.

HEC-i u shit sa vlera e një apartamenti

Ky HEC u ndërtua për prodhimin e energjisë elektrike me vlerë kapitale 27 700 000 lekë, nga të cilat 6 800 000 lekë do të investoheshin në makineri e pajisje. Projekti parashikonte ndërtimin e digave, të cilat do të zinin rrjedhën e lumit Devoll, që kalon në disa fshatra të Bashkisë së Devollit, si Miras, Sinicë, Qytezë dhe Arrëz.

Ishte viti 2008, kur Pëllumb Muso dhe Rakip Muso, ortakë themelues të kompanisë Muso, lidhën kontratë koncesionare Partneritet Publik Privat për ndërtimin e një HEC-i në Njësinë Administrative Miras në fshatin Qytezë të Devollit.

Projekti nisi si fillim me koncesionar Rakip Muson dhe Pëllumb Muson me nga 50% të aksioneve secili. Më pas Rakip Muso 50% të aksioneve të tij ia kaloi Pëllumb Musos duke u larguar kështu nga shoqëria. Në datë 14. 12. 2017 Pëllumb Muso ia shet Mira Andonit 100% të aksioneve për vlerën e 155 mijë eurove. Mira Andoni njëkohësisht është edhe administratore e shoqërisë Autovision Al sh.p.k., e cila zotëron 100% të kuotave të kapitalit të kësaj shoqërie, referuar të dhënave të QKB-së deri më datë 14. 11.2019.

Toka të zaptuara pa dëmshpërblime

Ndërtimi i këtij HEC-i ka shkaktuar një seri dëmesh. Dëme të mëdha përveç burimeve natyrore kanë pësuar banorët, pasi janë dëmtuar tokat bujqësore, është bërë devijimi i rrjedhës së lumit, janë lënë pa ujë të pijshëm qindra banorë dhe është dëmtuar së tepërmi rruga lidhëse mes fshatrave.

Disa nga banorët ankohen se u janë zaptuar tokat për të bërë ndërtimin e këtij HEC-i dhe deri më sot ata nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.

Një banor i fshatit Sinicë, i cili nuk donte të identifikohej, thotë për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore se e ka kundërshtuar që në krye të herës këtë projekt, madje ka bërë edhe kallëzim penal.

“Unë kam qenë në kundërshtim të ndërtimit të këtij hidrocentrali. Një nga arsyet është, sepse më kaluan përmes një toke dhe nuk më pyetën fare. Bëra një kallëzim penal dhe prokuroria ma rrëzoi, duke e mbyllur çështjen dhe duke më thënë: “Drejtoju gjykatës, se kjo është një çështje civile, nuk është çështje penale”. E lashë me kaq, nuk e vazhdova kallëzimin më tej, sepse e dija që nuk do të fitoja gjë”, – thotë ai.

Ai shton se nuk është banori i vetëm, i cili nuk ka marrë dëmshpërblim, ka edhe banorë të tjerë, të cilëve u janë marrë tokat dhe nuk kanë marrë dëmshpërblim.

Nëse banorët do të ngrinin zërin, ndoshta ky hidrocentral nuk do të ishte bërë kurrë, edhe banorët ama nuk mund të shkonin gjyqeve”, – u shpreh një banor tjetër me iniciale LL.Xh.

Sipas hartës tregohet qartë rruga që është ndjekur për të bërë devijimin e rrjedhës së lumit, duke futur një pjesë të mirë të sasisë së ujit të lumit në tuba e duke tharë kështu gati 3 km nga rrjedha e lumit Devoll. Nëse nisemi drejt vendit ku është ndërtuar diga, sytë të shohin tuba të mëdhenj hekuri, ku është futur uji i lumit Devoll, rrugën e cila vende-vende është gërmuar, si dhe gropa të mëdha që kanë mbetur të pambushura nga gërryerja e skrapit. Edhe pse u premtua që kjo rrugë do të rregullohej nga koncesionarët e HEC-it, ajo më shumë është prishur se është rregulluar.

Kompania koncesionare nuk iu përgjigj kërkesës për informacion lidhur me dëmet e shkaktuara nga ndërtimi i këtij hidrocentrali.

Pingpongu mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe AKBN-së për përgjegjësinë e monitorimeve

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore për të dytën herë përmes një kërkese zyrtare i kërkoi AKBN-së vënien në dispozicion të raporteve të monitorimit për këtë HEC. Sipas përgjigjes së marrë nga ky institucion, HEC-i është monitoruar periodikisht nga AKBN dhe i gjithë informacioni i mbledhur nga këto monitorime i dorëzohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me anë të raporteve tremujore dhe gjashtëmujore. Sipas përgjigjes së marrë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, gjatë monitorimeve të dy viteve të fundit hidrocentrali nuk ka qenë në fazë operimi. “Referuar monitorimeve gjatë dy viteve të fundit, HEC-i Qytezës është monitoruar me qëllim skanimin e kontratës së koncesionit në muajin shkurt të vitit 2019. Gjatë monitorimit është konstatuar se në atë periudhë kohe hidrocentrali nuk ka qenë në fazën e operimit”, – shkruhet në përgjigjen e AKBN-së.

Ndërsa për monitorimet e kryera në terren ky HEC nuk ishte vënë në punë për shkak të prurjeve të pamjaftueshme që sillte lumi Devoll.

Nga monitorimi në terren në muajin tetor të vitit 2019, AKBN ka konstatuar se HEC-i ishte gati për testin përfundimtar, por nuk është vënë në punë për shkak të prurjeve të pamjaftueshme”, – thuhet në përgjigje, ndërkohë që sipas përgjigjes së parë, po nga AKBN, thuhej se HEC-i është vënë në punë në gusht të vitit 2019.

Duke marrë shkas nga raportet e monitorimit dhe raportet që duhet të dorëzohen në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, zyrtarisht kërkuam nga ky institucion raportet periodike të monitorimit në natyrë të realizimit të veprës për sa i përket ndërtimit të saj, gjithashtu dhe raportimet mbi parashikimet kontraktore për prodhim energjie dhe prodhim aktual në HEC-in e Qytezës gjatë viteve që ky HEC ka qenë në operim.

Ministria e kalon përgjegjësinë e kthimit të përgjigjes tek AKBN.

Po leja mjedisore?

Qendra për Gazetari Cilësore i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Mjedisit informacion për lejen mjedisore, por Agjencia thotë se është krijuar, pasi kompania kishte firmosur kontratën koncesionare dhe se ky informacion duhej kërkuar te Ministria e Mjedisit. Kjo e fundit nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion.

Mirasi, fshati që ka mbetur pa ujë të pijshëm 

Me ndërtimin e hidrocentralit banorët filluan të hasnin probleme: përveç lumit Devoll, i cili është tharë, rrugës, e cila është prishur nga hapja e kanaleve dhe futja e ujit në tubacione, problemi më i madh është se pak më poshtë digës së hidrocentralit ndodhet dhe burimi që furnizon me ujë të pijshëm fshatin Miras. Ky fshat numëron rreth 1000 banorë, të cilët kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

“Nuk pimë dot ujë nga çezma; dalim dhe mbushim bidonë në çezmat e fshatit, është gjithë plehra”, – tha një banor i Mirasit.

Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit të digës, të gjitha mbetjet që ndodhen në digë, mblidhen në atë burim e për pasojë banorët nuk mund ta përdorin ujin. Pas ndërtimit të HEC-it të Qytezës një projekt i dytë u hodh për zbatim nga Bashkia e Devollit, ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal të Mirasit.

Zgjidhja për ujin e pijshëm për banorët e fshatit Miras ishte ky ujësjellës, i cili do të furnizonte disa fshatra, si Mirasin, Çetën, Qytezën, Vidohovën dhe Sinicën, por ky projekt në zbatim përfshin zonën e mbrojtur natyrore, Ujëvarën e Valës në fshatin Sinicë. Tenderi për këtë projekt u hap në datën 24. 09. 2020 dhe 2 muaj pas hapjes së tenderit, në datë 10. 11. 2020, u shpall kompania fituese për ta vënë në zbatim projektin. Operatorët konkurrues ishin: Ed Konstruksion sh.p.k., Arkonstudio sh.p.k., dhe Niem sh.p.k., Iliriada sh.p.k., Rafin Company sh.p.k., dhe Viante Konstruksion sh.p.k.

Operatori fitues i këtij tenderi ishte Ed Konstruksion sh.p.k., me një ofertë prej 147,992,038 lekësh pa tvsh. Kontrata me kompaninë fituese u lidh në datë 16. 10. 2020 dhe kjo kontratë do të zgjasë 12 muaj.

Banorët e Sinicës kundër ndërtimit të ujësjellësit

Sipas banorëve të fshatit Sinicë, vendi ku do të ndërtohet ky ujësjellës dhe uji që do të merret, do të shkatërrojnë një zonë të mbrojtur natyrore.

Uji i Valës është jashtë standardit të ujit të pijshëm”, – thotë Marijon Pano, banor i fshatit Sinicë. “Ne i kemi bërë analizat e ujit dhe kanë dalë me përmbajtje të lartë gëlqereje, kështu që ai ujë nuk mund të përdoret si ujë i pijshëm”, shpjegon ai.

Por, a mund t`i fillojë procedurat e një projekti si ujësjellësi i jashtëm dhe i brendshëm i fshatrave Sinicë, Çetë, Miras, Qytezë Bashkia e Devollit pa marrë në fillim lejen mjedisore? Në një bisedë telefonike, kryetari i Bashkisë së Devollit, z. Eduard Duro, thotë se “është marrë leje mjedisore vetëm për një pjesë të zbatimit të këtij projekti.”

A mund të ndërtohet ky projekt në një zonë të mbrojtur natyrore dhe a është kjo në shkelje të ligjit?

“Në këtë projekt janë bërë ndryshime dhe vendndodhja e burimit, nga cili do të merret uji, nuk do të jetë në Ujëvarën e Valës, uji i saj nuk do të preket, por ky ujë do të merret nga tri burime të tjera në po atë zonë, gjithashtu punimet për këtë ujësjellës kanë filluar”, – thotë kryetari Bashkisë së Devollit.

Banorët e fshatit Sinicë thonë se nuk i kanë parë makineritë që punojnë për ndërtimin e këtij ujësjellësi që prej dy javëve të para të muajit janar.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter