Autor: Semiljana Azizi
Ekspertët e medias ngrenë shqetësimin se pushtimi i televizioneve me këto programe po e shtrembëron perceptimin e audiencës dhe i shtyn të rinjtë e të rejat drejt modeleve të pashëndetshme.
Salla e teatrit Migjeni në Shkodër u mbush plot pak ditë më parë. Nuk ishte një shfaqje artistike, as takim politik apo promovim i ndonjë libri. Dikush u habit, por shumë të tjerë u indinjuan, kur mësuan se njerëzit po nxitonin të shihnin nga afër “idhujt” e Përputhen, një program televiziv njohjesh, i transmetuar në Top Channel.
Trendi më i ri i programeve në televizionet shqiptare është drejt atyre dating, ku të rinjtë shkojnë dhe krijojnë njohje me njëri-tjetrin. Këto programe duket se thyejnë rekorde audience, teksa janë të transmetuara në një fashë orare, ku mund të ndiqen nga të gjitha grup-moshat, fëmijët, adoleshentët apo edhe mosha e tretë. Nga ana tjetër, telenovelat, turke kryesisht, kanë mbipopulluar ekranet tona dhe shpesh hyjnë dhunshëm në përditshmërinë e secilit prej nesh.
Të dhënat e siguruara nga Telemetrix, një kompani e matjes së audiencës, tregojnë se në muajin maj 2021, emisioni Love Story, që u transmetua në televizionin Klan, e kaloi audiencën (share – (audienca e një programi të veçantë televiziv, e shprehur si përqindja e popullsisë që sheh televizor në një kohë të caktuar), me 40% të shikueshmërisë.
Emisioni tjetër me format të ngjashëm, Përputhen, që u transmetua në Top Channel nga shtatori i vitit 2020 deri në maj të vitit 2021, në javën e parë të muajit prill arriti në 6.6 milionë klikime, sipas një vëzhgimi nga Qendra për Gazetari Cilësore, duke shënuar një nivel rekord shikueshmërie.
Për emisionet e programet e tjera shikueshmëria javore në YouTube nuk i kalon 128 mijë klikime.
Lule të vetmuara, një telenovelë turke që u transmetua në Tv Klan gjatës pasdites, kishte një audiencë rekord, me një ‘rating’ që i kalonte 60%, që arrin ta konkurrojë vetëm telenovela tjetër, po turke, Doktori i mrekullive.
Por, sa vlerë kanë për audiencën këto programacione?
Ekspertja e medias, Valbona Sulçe, shprehet se të tilla programe nuk kanë asnjë qëllim edukimi apo informimi në vetvete, sepse janë krijuar për të argëtuar, teksa, nga ana tjetër, sipas saj, të tilla programe janë duke shtrembëruar perceptimin e audiencës mbi tema të caktuara.
“Kjo nuk do të thotë që programet, që janë zbavitëse, nuk duhen dhënë në televizion, por, nëse do i referoheshim parimeve të televizionit të mirë, siç e ka dhe BBC, duhet të fusim edhe një element të katërt, siç është “shija e mirë”. Pra, televizioni duhet të nxisë shije të mira te publiku, qoftë në muzikë, në veshje, në fjalor, në sjellje. Në këtë mënyrë e bën edhe edukimin e publikut në mënyrë të hollë, të nënkuptuar, jo si leksion, as si shkollë, por me përmbajtjen që ofron, orienton shijet e publikut drejt asaj që është e duhura dhe jo dekadente apo vulgare”, shprehet ekspertja e medias.
Sipas ekspertes, programet e dashurisë ndikojnë në perceptimin që të rinjtë kanë rreth temave të tilla, si lidhjet intime, njohja e tjetrit/tjetrës, vlerat që duhen kërkuar në një lidhje, autoimazhi etj.
“Të rinjtë nuk arrijnë ta bëjnë dallimin midis një programi televiziv, i cili, me gjithë përpjekjen për t’u dukur real, është i stisur, sa kohë ka një skenar dhe autor programi.
Televizioni paraqet një tjetërsim të realitetit në përputhje me atë që ti do që të dukesh, jo siç je në të vërtetë. Është një impostim i vazhdueshëm, pasi je i vetëdijshëm se po të shohin, veprimet e tua po gjykohen”, tha Sulçe.
Një tjetër shqetësim që ngre ekspertja është fakti se programe të tilla po i shtyjnë të rinjtë drejt modeleve të pashëndetshme.
“Në këtë aspekt, programe të tilla e shtrembërojnë realitetin dhe i shtyjnë të rinjtë e të rejat drejt modeleve të pashëndetshme, vetëm pse janë “trendy”. Iu vënë në pikëpyetje identitetin, pikërisht në moshën kur farkëtohet karakteri dhe personaliteti, duke i detyruar që t’iu përshtaten shijeve të shumicës, një publiku në eter që as nuk i njeh dhe as nuk i sheh. Iu krijon iluzionin se dashuria mund të gjendet në formate televizive, duke i larguar nga jeta reale. Këto janë programe komerciale, të cilat bëhen që të fitojnë pará kanalet televizive. Është një tip programesh që nuk do ta rekomandoja në asnjë fashë orare”, përfundon Valbona Sulçe.
Sociologia Entela Binjaku ka vijuar mendimin e saj në të njëjtën linjë me atë të ekspertes Sulçe. Ajo shprehet se kjo është një metodë, e cila ka nisur të hyjë dhunshëm, me ose pa orar, në ambientet e shtëpive të gjithsecilit prej nesh.
“Ky është një realitet tërësisht i ri, i mbivendosur tashmë një realiteti që nisi të krijohej me telenovelat amerikane, latin-amerikanë apo italiane. Sot këto produkte mediatike kanë hyrë dhunshëm në të gjitha shtëpitë e qytetarëve, orë e pa orë, në të gjitha kanalet kombëtare dhe publiku iu dorëzua ngadalë shijeve që përcillen përmes ekranit. Natyrisht, të përbashkëtat në fjalët e fjalorit, në mentalitetin familjar, përputhshmëria në mjaft norma, koha e lirë e madhe, papunësia, mungesa e një jetë aktive e kulturore jashtë shtëpisë, varfëria që i privon qytetarët nga shumë mundësi për cilësi jete, ka bërë që ekrani të jetë dritarja e vetme e lidhjes me jetën jashtë. Sa i takon aspektit edukativ, nuk e di sa studiohet ky aspekt, në çastin kur vendoset të përcillet për transmetim. A shihet edhe ky aspekt apo mjafton sintagma “këtë do tregu”?!”
Këto prodhime mediatike kanë vlerat e tyre në përcjelljen e traditës dhe kulturës turke të prodhimit, por një shoqëri si e jona “lindjen e sheh në perëndim”, jeton në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, e ka busullën e saj të orientimit që kur në `90-ën doli shesheve me shprehjen lapidar “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, vijon Entela Binjaku.
Programet e debateve sjellin efektin e kundërt të asaj që dëshirohet
Sociologia Binjaku tërheq vëmendjen edhe për programet e debateve që mbizotërojnë pothuajse çdo mbrëmje në televizionet shqiptare. Në sytë e saj programe të tilla shpesh shoqërohen nga një gjuhë e varfër komunikimi mes palëve. Binjaku thekson se nëpërmjet mesazheve që japin, këto programe bëjnë që audienca të krijojë perceptime të gabuara mbi temën që trajtohet.
“Një pjesë e emisioneve në ekranet tona karakterizohet nga fjalori i varfër, mungesa e etikës në komunikim, të ftuar që flasin shumë e nuk thonë asgjë etj., duke i sjellë vetë programit efektin e kundërt të asaj që dëshirohet. Në shumë prej emisioneve pjesëmarrësit në bisedë përcjellin një frymë tensioni e konflikti, duke i ngarkuar emocionalisht spektatorët apo dëgjuesit, dhe më e çuditshmja është se ky emision quhet edhe i “suksesshëm”.
Shpesh në emisionet tona spontaniteti shndërrohet në vulgaritet, biseda ndërpritet pa asnjë lloj etikete dhe mendimit të tjetrit i përgjigjen me profilin e zhurmuesit. Edhe pse njerëzit në vetvete nuk janë plotësisht të lirë nga ndikimet e ndjenjave, ata mund të mësojnë t´i qasen njëri-tjetrit mbi baza miqësore dhe jo imponuese.”, – shprehet sociologia Binjaku.
A duhet që televizionet ta ndjekin me çdo kusht audiencën apo duhet të edukojnë?
E pyetur se si duhet të veprohet për të shmangur emisionet dating dhe telenovelat turke dhe që në televizionet tona të futet një trend i programeve më edukuese, sociologia Binjaku e drejton gishtin nga autorët e programeve.
“Ajo që vëmë re, është se shumë emisione nënvleftësohen, kur në vend të konfliktualitetit mbushen me informacion kulturor apo debate intelektuale, të vlefshme për shoqërinë.
Pra, mediat tona duhet të mendojnë edhe për këtë aspekt, pra për “ndërtimin e marrëdhënieve funksionale” dhe ne si shoqëri kemi shumë nevojë.”, – përfundon Binjaku.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Zefina Hasani, një ish-autore programi, e konsideron këtë trend për të përcjellë më shumë programe argëtuese dhe spektakël si një kërkesë të audiencës, teksa, sipas saj, nuk ka formate të gabuara programi, por e gabuar është mënyra se si ato trajtohen e paketohen për t`u transmetuar për audiencën.
“Të them të drejtën, nuk jap dot një gjykim të prerë, sepse ka formate të ndryshme që sjellin tematika ta ndryshme. E rëndësishme është që televizioni ka një larmi programesh dhe audienca ka mundësi të zgjedhë. Bazuar në eksperiencën time si gazetare dhe më vonë si autore programesh, nuk jam dakord me disa programe, pa kaluar në përcaktime emrash, lënë për të dëshiruar në mënyrën si trajtohen dhe mesazhin që sjellin.
Unë them gjithmonë se nuk ka formate të gabuara, ka mënyrë të gabuar trajtimi dhe joprofesionale. Kjo na ka sjellë në gjykimin e lehtë e të gabuar se “këtë do audienca dhe këtë sjellim.” Kjo është e gabuar, sepse audienca të ndjek, çfarëdo që t’i sjellësh, edhe nëse i sjell diçka cilësore, edhe nëse i sjell diçka banale.”, – shprehet Zefina Hasani.
Sipas Hasanit, telenovelat, por edhe emisionet “dating” janë formate, të cilat i kërkon audienca, teksa shprehet se njerëzit duan të shikojnë atë që nuk e kanë apo atë që dëshirojnë të kenë.
“Njerëzit duan të shikojnë në ekran jetën e tyre, jetën që kanë ose atë që nuk e kanë.
Historitë e dashurisë gjithmonë tërheqin, dramat apo edhe telenovelat. Njerëzit duan të gjejnë veten në të mundurën ose në të pamundurën e tyre.
Sa iu përket telenovelave, ato janë një format i pranueshëm në televizionet tona.
Duhet të mendojmë që pjesa më e madhe e audiencës janë gra që kanë nevojë të shikojnë filma të thjeshtë dhe të kuptueshëm. Edhe formatet me takimet e dashurisë janë interesante, por duhet të themi se televizioni nuk ka gjithmonë qëllim edukativ. Format janë të pranueshme, por mënyra se si ato trajtohen, nuk janë gjithmonë të pranueshme dhe kjo bën diferencën.”, – shprehet Hasani.
Sipas zonjës Hasani, në vend të parë për nga shikueshmëria janë edicionet informative. Përgjithësisht të gjitha emisionet, të cilat transmetohen në prime time, janë të ndjekura.
Ndërkohë, në periudha të ndryshme ndiqen programe të caktuara. Për shembull, në periudhën e fushatës zgjedhore, që sapo lamë pas, në listën e shikueshmërisë ishin të gjitha debatet politike.
“Lajmet zënë vendin e parë, kurse programet e prime time janë thuajse gjithmonë të ndjekura. Në kohë fushate janë të gjitha debatet politike që ndiqen. Telenovelat, të cilat kanë audiencën e tyre besnike, mbeten ndër më të ndjekurat. Edhe programet e argëtimi ndiqen, ka emisione që ndiqen, sepse njerëzit e duan edhe pjesën e argëtimit.”, – përfundon Zefina Hasani, e cila tashmë jep kontributin e saj në një agjenci marketingu.
Programet më të ndjekura
Ivi Rexhepi, drejtues i kompanisë Telemetrix, e cila merret me matjen e audiencës dhe shikueshmërisë në televizionet shqiptare, tregon se programet më të ndjekura janë ato të argëtimit, ndërkohë që nuk ngelin pas edhe programet politike. Në gjuhën e shifrave, sipas Rexhepit shikueshmëri të konsiderueshme kanë gjithashtu dhe telenovelat, të cilat zënë një kohë të madhe gjatë orëve të pasdites.
“Vendin e parë e mbajnë programet “Spektakël dhe Argëtim”, me emisionet si Love Story ose E Diela Shqiptare. Në vend të dytë për nga shikueshmëria janë telenovelat, më të ndjekurat janë Lule të Vetmuara (tashmë ka përfunduar) dhe Stuhi Dashurie. Vijojmë më tej, në vendin e tretë janë programet “Talk Show”, më i ndjekuri Opinion, teksa në vendin e katërt janë edicionet informative të lajmeve, sidomos ato në orarin e mesditës që kapin shifra të konsiderueshme shikueshmërie.
Në vendin e pestë janë emisionet investigative, teksa shikueshmërinë më të madhe e merr emisioni Stop.
Sipas matjeve tona, dy në pesë teleshikues ndjekin telenovelat dhe emisionet argëtuese.
Ndodh në raste ndeshjesh futbolli apo kompeticione të rëndësishme që më shumë se gjysma e audiencës të jetë duke ndjekur atë program, por në ditë të zakonshme audienca ndjek programet e sipërpërmendura”, – tha Rexhepi.
Thuajse të gjitha agjencitë e marketingut, por edhe kompania, e cila merret me matjet zyrtare të audiencës, nuk dëshiruan të na vendosin në dispozicion të dhënat për matjet e audiencës dhe ndryshimet në shikueshmëri që kanë nga njëri-tjetri televizionet, teksa i konsiderojnë ato konfidenciale.
Megjithatë, në një raport të siguruar në rrugë jozyrtare po nga Telemetrix, mësohet se televizionet në bazë të programeve kanë pikun e shikueshmërisë në orare të ndryshme të ditës.
Nga kurba e grafikëve për javën 16-23 maj 2021, televizioni Klan dhe Top Channel konkurrojnë për pjesën e luanit të audiencës, që në pjesën më të madhe të rasteve fitohet nga TV Klan.
Në TV Klan programet më të ndjekura janë E diela Shqiptare, Doktori i Mrekullive, Zonë e Lirë dhe lajmet e drekës. Në javën nga 16 maji deri më 23 maj, emisioni më i ndjekur i Top Channel ishte Përputhen dhe më pas seriali i humorit, Portokalli dhe emisioni i debatit, Open.
Në mëngjes dominanca është e News 24, me emisionin Koha për t`u zgjuar.
*Grafikët e siguruar në rrugë jozyrtare nga Telemetrix për shikueshmërinë në televizionet Klan TV, Top Channel, New24, Fax News, Report TV, ABC News, Vizion Plus, Syri TV, Ora News iu përkasin datave nga 16/05/2021 deri më 23/ 05/2021. Këta grafikë, në bazë edhe të programit më të ndjekur në televizionet tona gjatë ditës, i gjeni në fund të shkrimit. Ndërkohë, tabela numër 1 është një vëzhgim i kryer nga ana jonë kundrejt të gjitha episodeve të emisionit “Përputhen” dhe klikimeve që ky i fundit ka marrë gjatë muajve prill dhe maj. Shifrat arrijnë deri në 6.6 milionë klikime në javë.