Çfarë ndodh në qytetin tim? Bashkitë përjashtojnë qytetarët nga vendimmarrja, shmangin konsultimet publike

Autor: Elsa Dautaj

Resul Baleta dhe banorë të tjerë të fshatit Gur i Bardhë u thirrën nga Bashkia e Matit në konsultime publike, dy vjet pasi Këshilli Bashkiak i Matit, kishte vendosur ndërtimin e një hidrocentrali në fshat. Konsultimi publik, rrëfen ai, u zhvillua në 2019 dhe pavarësisht se 95 përqind e pjesëmarrësve ishin kundër projektit, ata edhe sot, janë me frikën se punimet mund të nisin nga dita në ditë.

Rasti i banorëve të Gurit të Bardhë, është një mes dhjetrave raste të bashkive të vendit, ku vendime që lidhen me infrastrukturën, buxhetin, objekte historisë, apo edhe rritje të çmimit të biletave të transportit vulosen pa u marrë me parë mendim taksapaguesve, banorëve të qytetit.

Konsultimet publike një akt i rëndësishëm për transparencën e pushtetit vendor, përfaqësojnë një nga format që bën qytetarët të jenë pjesë të vendimmarrjes, por rezulton se realizohen vetëm si procedurë dhe formalisht.

Ndonëse Covid-19 zhvendosi të gjithë veprimtarinë nga fizike në online, as pandemia nuk i bëri bashkitë të përdornin website-in si informim zyrtar për qytetarët, por përkundrazi, gjatë muajve shkurt-korrik 2020 u kthye në justifikim për të mos kryer konsultime publike me qytetarët dhe grupit e interesit.

Ligji nr.139/2015 neni 16 për vetëqeverisjen vendore dhe ligji Nr. 146/2014 për Njoftimin dhe Konsultimin Publik detyron bashkitë të njoftojnë dhe ftojnë qytetarët në konsultimet publike të bashkisë. Por, nga një monitorim i kryer rezulton se hezitojnë të informojnë publikun për vendin, orën dhe projekt-propozimin për konsultimet publike gjithashtu nuk informojnë as për procesin sesi i miratojnë projektet të ndryshme në funksion të një jete më të mirë për komunitetin. Ky ligj është shkelur prej shumë vitesh dhe për më tepër edhe gjatë Covid-19.

Për këtë artikull, janë monitoruar website-t zyrtare të 61 bashkive, gjatë 1-7 Korrik 2021, për periudhën Shkurt-Korrik 2020, për të parë nëse bashkitë kanë publikuar njoftime për konsultimet publike dhe nëse kanë publikuar një informacion të detajuar me qëllim informimin se çfarë ka ndodhur gjatë konsultimit publik. Por të dy këto detyrime ligjore janë shkeluar nga 45 Bashki.

Infografik me të dhënat përkatëse për çdo bashki

Formalisht, të gjitha bashkitë në website-in e tyre zyrtar kanë krijuar një hapësirë e cila titullohet “Konsultime Publike”, por kjo hapësirë rezulton bosh, ose me njoftime të publikuara jashtë afatit ligjor apo me postime të 2 apo 3 viteve më parë. Gjatë monitorimit na është dashur që të provojmë edhe opsionin search, duke qenë se opsioni Konsultime Publike rezultonte pothuajse gjithmonë bosh.

Sipas monitorimit që kemi kryer rezulton se: 45 Bashki nuk njoftojnë qytetarët dhe grupet e interesit për konsultimet publike dhe nuk postojnë takimet në website; vetëm 5 Bashki njoftojnë qytetarët dhe grupet e interesit për konsultimet publike dhe postojnë takimet në website. 3 Bashki edhe pse janë përpjekur të publikojnë njoftimin për konsultimin publik ka qenë në shkelje me ligjin pasi njoftimi është kryer vetëm 1 dite përpara konsultimit publik ose pas, pra është kryer vetëm si procedurë lajmërimi në website; 7 website në periudhën që është kryer monitorimi u konstatuan me probleme dhe nuk u hapen dhe 1 Bashki nuk ka website.

Edhe pse ndodhemi në muajin Gusht 2021 vetëm në 5 Bashki shohim njoftimet dhe postime nga takimet të publikuara, Durrës, Shkodër, Tropojë, Ura Vajgurore dhe Vau i Dejës. 45 Bashki mes tyre edhe bashkitë e mëdha si: Tiranë, Elbasan, Vlorë, Berat, Korçë, Fier, Kukës, Gjirokastër, Dibër, Lushnje, Përmet, Sarandë, Tepelenë etj, nuk njoftojnë qytetarët dhe grupet e interesit për konsultimet publike dhe nuk postojnë takimet në website.

Sesioni konsultime publike pa informacion

Ligji Nr. 146/2014 neni 17 pika 2 për Njoftimin dhe Konsultimin Publik e specifikon qartë që institucioni duhet të njoftojë qytetarët për projektin dhe t’ju jepet jo më pak se 20 ditë pune kohë përpara konsultimit publik. Neni 17 pika 2, “Palëve të interesuara, të ftuara për të marrë pjesë në takimet publike, u jepet koha e nevojshme për përgatitje. Në çdo rast, ato informohen jo më pak se 20 ditë pune përpara takimit publik, duke u vënë në dispozicion kopje të projektaktit që do të diskutohet”. Por në fakt, bashkitë i njoftojnë konsultimet 24 orë para ose një ditë me vonesë.

Ekspertët: Mungesa e transparencës kufizon pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje

Por a po e pengojnë bashkitë transparencën me publikun duke punuar në këtë mënyrë? A po i përjashtojnë nga vendimmarrja qytetarët? Sipas Evelina Azizaj, Menaxhere Programi për Qeverisjen Lokale dhe Zhvillimin e Integruar në IDM, mungesa e transparencës kufizon pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.“Bashkitë janë të dvetyrurara të njoftojnë për vendin, datën, orën dhe aktin për konsultim si dhe informacion përmbajtësor në lidhje me aktin. Gjithashtu, pas konsultimeve duhet të publikohet edhe proces verbali i dëgjesës publike. Kjo mungesë informacioni kufizon pa dyshim pjesëmarrjen e komunitetit dhe grupeve të interesit të marrin pjesë në dëgjesa publike dhe të japin mendimet dhe opinionet e tyre. Në fakt, vendimmarrja vendore e kërkon natyrshëm konsultimin me publikun me qëllim përmirësimin e vendimeve që merren”, shprehet ajo.

Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e cilëson teknologjinë si lehtësi në komunikimin me qytetarët, e cila ndihmon në informimin e qytetarëve dhe ai thekson që njoftimet duhet të jenë të aksesueshme. “Bashkitë e kanë detyrim ligjor transparencën dhe të reklamojnë njoftimet e tyre në websitet zyrtare. Bashkitë duhet gjithashtu të kenë plan strategjik tëtransparencës dhe komunikimit, dhe këtëplan duhet ta prezantojnë qëçdo i interesuar të marrë pjesë. Bashkitë për çështje të rëndesishme si buxheti, investimet, taksat dhe tarifat, apo edhe njoftimi për vende të lira punesi dhe çdo njoftim për takim të këshillit bashkiak dhe vendimit të tij, duhet t’ju mundësohen qytetarëve”, shprehet ai

Ekspertët rendisin raste kur konsultimet publike bëhen edhe formalisht. “Ndonjëherë qytetarët janë të interesuar vetëm për disa çështje dhe jo për të gjitha. Nëse flet me qytetarë dhe grupe interesi do të tregojnë se bashkitë bëjnë takime me qytetarë të ftuar mbi baza njohje apo përkatësi politike. Sallat mbushen me militantë. Ose konsultimet bëhen formalisht”, shprehet Evelina Azizaj.

Nga komunikimi zyrtar te ai përmes rrjeteve sociale…

Website është forma më zyrtare e komunikimit të bashkisë, por disa bashki preferojnë të përdorin edhe facebook-un për njoftime dhe promovime të ndryshme. Ne rastësisht kontrolluam faqet në facebook të disa bashkive dhe u vu re e njëjta problematikë me shkeljen e afatit kohor dhe njoftim pa asnjë dokument mbështetës. Njoftimet publikoheshin një ditë pasi kishte mbaruar konsultimi publik dhe rasti konkret është si më poshtë me Bashkinë Mat, Memaliaj dhe Devoll.

 

Nga ana tjetër ekspertët i konsiderojnë edhe mediat sociale si një kanal pa kosto financiare, ku bashkitë mund të ftojnë lehtësisht qytetarët në proceset vendimmarrëse.

Ka shumë rrugë që mund të ndjekësh për të rritur pjesëmarrjen dhe komunikuar me qytatarët. P.sh takimet online, apo mediat freesociale janë kanale që thjeshtë fare mundesojnë një qasje komunikative të hapur, por edhe qoftë të njëanshme. Mjafton që bashkia të flasi, t’i thotëqytetarëve planet e saj dhe t’i degjojë ato”, shprehet Agron Haxhimali.

Të vendosur përballë këtyre të dhënave, ekspertët e komentojnë si mungesë transparence.

Është pakujdesi, mungesë kulture organizative për tëkomunikuar.Pra e shikojnë si një çështje jo prioritare në raport me shumë probleme që kanë bashkitë me shërbimet publike dhe ato administrative.Këtu fokusohen kryesisht bashkitë. Mendoj se duhet të bëhet pjesë e sjelljes dhe kulturës së bashkisë komunikimi dhe transparenca”, shprehet Agron Haxhimali.

Pavarësisht indiferentizmit të qytetarëve dhe interesit të pjesshëm të tyre ndaj vetëm disa çështjeve, bashkitë duhet të sigurojnë transparencën në lidhje me konsultimin publik, si pjesë e detyrimeve ligjore që kanë. Transparenca është hapi i parë për të rritur pjesëmarrjen qytetare dhe më tej ndërveprimin e qytetarëve me bashkinë. Një ndërveprim i rritur dhe pozitiv ka gjasa të ndikojë pozitiv në besueshmërinë e qytetarëve te bashkia”, shprehet Evelina Azizaj.

Edhe pse nuk dëgjohen, qytetarët hezitojnë të ankohen…

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bën me dije se ndër vite ka marrë ankesa nga qytetarët për cenim i të drejtës për njoftim dhe konsultim publik, por në vitet e fundit këto ankesa kanë ardhur duke u pakësuar.

Gjatë viteve 2015-2016, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka marrë 2 ankesa me objekt “Cenim i të drejtës për njoftim dhe konsultim publik”; për vitet 2017-2018, Zyra e Komisionerit, ka marrë 8 ankesa; ndërsa për vitet 2019- 2021, Zyra e Komisionerit, nuk ka marrë asnjë ankesë me objekt “Cenim i të drejtës për njoftim dhe konsultim publik”.

Në lidhje me vendimmarrjen e Zyrës së Komisionerit, për ankesat ndaj njësive të vetëqeverisjes vendore, Zyra e Komisionerit ka pranuar ankesën ndaj Bashkisë Shkodër, duke miratuar Vendimin nr. 54, datë 21.03.2017.

Agron Haxhimali na tregon disa faktorë që ndikojnë që qytetarët të mos kenë interes të marrin pjesë në vendimmarje. “Bie interesi qytetar nëse shikon që organizata është e mbyllur, dhe duhet të harxhojnë kohë për të zbuluar çfarë ndodh në bashki. Por sot çdo njeri e ka kohën e kufuzur, dhe nëse do t’i bësh pjesë në vendimmarrje qytetarët, duhet t’ju krijojë vetë bashkitë mundesitë. Pjesa më e madhe edhe i ka këto mundesi. Pjesa tjetër e bashkive të mesme dhe të vogla ndeshen me probleme që lidhem me mungesë të burimeve njerëzore, me specialistë të komunikimit, me mungesë të teknologjisë dhe njohjes së saj etj. Por problem mbetet menyra se si bashkia i qaset bërjes së transparencës, sa vizon dhe vullnet ka”.

Ligji i vitit 2014 nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” parashikon ndër të tjera që bashkitë duhet të vendosin projekt-aktet në faqet zyrtare të internetit për konsultim publik dhe jo vetëm në të, por mund të shfrytëzojnë dhe faqen zyrtare www.konsultimipublik.gov.al. Por përditësimet e fundit ne këtë faqe i referohen vetëm ministrive dhe aty nuk rezulton asnjë e dhënë për bashkitë e vendit.

Përtej detyrimeve që burojnë nga ligji dhe nevojës për transparencë ndaj qytetarëve, bashkitë refuzojnë t’i dëgjojë dhe t’i bëjnë pjesë të vendimeve të tyre, edhe kur vulosin zbatimin e projekteve me vlerë miliona euro, për të cilat shpesh banorët janë mes dy zgjedhjeve: të ngrenë supet ose të ngrihen në protesta.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.