Industria e kromit mban nën shfrytëzim dhjetëra gra në Bulqizë

Autor: Bejli Çaushaj

Lindita Rama niset çdo mëngjes drejt stogjeve të kromit në Bulqizë me një kazmë në dorë dhe të shoqin invalid përkrah. Gruaja 53-vjeçare thotë se rropatet prej 13 vitesh në kërkim të ‘arit të zi’ –një punë e rrezikshme dhe shpeshherë e paregjistruar, por që i siguron familjes së saj të ardhura minimale prej nëntë mijë lekësh në muaj.

“Është punë e rëndë shumë, më dhemb kurrizi, por nuk kam rrugë tjetër. Mbledh 50 kilogramë krom (në ditë) dhe e shes për 300 lekë në fund të ditës,” thotë Rama, teksa qëndron në oborrin e shtëpisë përdhesë, pasi ka mbyllur një ditë të stërgjatur pune mbi pirgjet e kromit.

Si dhjetëra gra të tjera në qytetin e Bulqizës, edhe Lindita Rama e lidhi jetën e saj me kromin për shkak të mungesës së mundësive dhe kushteve të vështira ekonomike. Me bashkëshortin invalid dhe vjehrrën e moshuar në shtëpi, 53-vjeçarja thotë se nuk kishte ‘ku të përplasej tjetër’.

Ndonëse miniera e Bulqizës njihet më së shumti si ‘një vend për burra’, me dhjetëra gra punojnë aty prej vitesh në ndarjen dhe seleksionimin e kromit; një punë e vështirë dhe e keqpaguar, që zhvillohet shpeshherë në shkelje të Kodit të Punës.

Sipas ekspertëve të sigurisë në punë, gratë në minierat e Bulqizës përballen shpeshherë me shfrytëzim dhe vetëm një përqindje e vogël e tyre janë të siguruara.

“Më shumë se punë, është shfrytëzim i kamufluar, që lidhet me nevojën ekstreme ekonomike që kanë gratë dhe familjet e tyre,” thotë Edison Hoxha nga Qendra për Marrëdhënie në Punë dhe Dialog Social (CLRD).

“Kontratat janë provizore, të përkohshme kur mund të ketë fluks të madh pune ose pas ndonjë aksidenti, ku vëmendja dhe kontrolli është më i madh,” shtoi Hoxha.

“Punë burrash”

Miniera e Bulqizës është burimi kryesor i të ardhurave për familjet e varfra të qytetit dhe një ndër burimet kryesore të aksidenteve në punë në rang vendi. Aktualisht ka mbi 100 kompani të licensuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit në zonën e Bulqizës, eksportet e të cilave arrijnë së bashku rreth 100 milionë euro në vit.

Feruzane Kurti

Feruzane Kurti, 53 vjeç dhe nënë e tre fëmijëve ka punuar për vite me radhë ‘në të zezë’ për seleksionimin e kromit në zonën famëkeqe D të minierës së Bulqizës. E siguruar vetëm dy vjet më parë, Kurti shpreson që kur të vijë koha, të mos mbetet fare pa pension.

Është punë burrash, por kjo është e vetmja mundësi që kemi”, thotë Kurti, pasi ka lënë për pak minuta kovën e karrocën dhe është ulur bashkë me koleget e saj për pak minuta pushim.

“Për shumë vite me radhë kam punuar e pasiguruar. Punoja në të zezë. Punonim gjithë ditën,duhet të kapnim normën. Në fund, kromi peshohej dhe i merrnim paratë në dorë. S’e mendoja se një ditë do të vinte dita e pensionit,” shtoi ajo, duke shpjegur se i gëzohej faktit që arrinte të dërgonte lekë në shtëpi për të ushqyer të vegjëlit.

Feruzane Kurti kujton gjithashtu se për vite me radhë, puna ishte jo vetëm në të zezë, por edhe e rrezikshme.

Kishim shumë vështirësi. Punonim në stogje dhe kishte shumë rrezik,sepse mund të shembej e të zinte poshtë. Sot është disi më e lehtë, se e shtron fadroma dhe pasi e ndajmë e vendosim në kova dhe e trasportojmë me karroca”, shtoi ajo.

Të tjera gra kujtojnë punën çnjerëzore për të plotësuar normën në këmbim të rrogave të vogla dhe të papërfillshme.

Dhoma e zhveshjes e grave, vënë në dispozicion nga punëdhënësi

Nuk mbaj mend kur e kam nisur këtë punë. Aq shumë vite kanë kaluar. Bashkë me mua vinte dhe vajza, por sot jam e lumtur se ajo tashmë është martuar dhe ka emigruar në Itali. Me dhimbte shpirti, kur ajo rropatej në stogje”, thotë Lindita, e cila qëndron përballë Feruzanes, teksa rrëfejnë vështirësitë e shumta të jetës.

Ne punojmë me normë, 650 kg krom në ditë. Ka muaj që mbledh deri 30 tonë, por paguhemi shumë pak”, thotë Vera Ndergjoni, nënë e gjashtë fëmijëve.

Ndergjoni është në prag pensioni dhe thotë se po pret me padurim që të dorëzojë veglat e punës dhe të largohet nga stogjet. Megjithatë, vetëm një numër i vogël i grave që punojnë në minierë e kanë këtë mundësi.

Njëra prej tyre, Zamira Xheka u largua nga miniera pas vitesh të tëra pune të rëndë dhe të pasiguruar.  Nëna e dy fëmijëve ka gjetur punë në një lokal në qytetin e ri dhe as e mendon që të rikthehet sërish në minierë.

Puna ishte e rëndë. Punoja e pasiguruar dhe me një pagë të ulët, ndaj vendosa të largohesha”, thotë Xheka në vendin e saj të ri të punës.

Siguroheshim për pak muaj, kur ndodhte ndonjë aksident në minierë. Jeta ime ishte një tmerr. Kjo është e vërteta”, shtoi ajo.

“Shfrytëzim dhe diskriminim”

Aktivistët e të drejtave të grave dhe të sigurisë në punë gjejnë një sërë problemesh mes historive të rrëfyera nga gratë e kromit në Buqlizë.

Mirela Arqimandriti, drejtore ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim me seli në Tiranë thotë se përveç shfrytëzimit, ato përballen edhe me diskriminim.

Pavarësisht se kuadri institucional dhe ligjor është i kompletuar, përsëri punonjësit kanë  shumë frikë që të raportojnë rastet e diskriminimit në vendin e punës”, tha Arqimandriti, ndërsa shton se të rralla rastet kur ndërgjegjësohen për t’i ndjekur çështjet në rrugë gjyqësore.

Avokatja Enida Bozheku thotë se ligjet janë të mira, por nuk gjejnë zbatim. Duke pranuar se ka shfrytëzim e diskriminim në vendin e punës mbi baza gjinore, ajo shprehet se gratë preferojnë të heshtin dhe të largohen nga vendi i punës, por nuk i drejtohen gjykatave. “Shumica e grave janë të painformuara për të drejtat e tyre, çështje që më së shumti I përket shoqërisë civile”, shton ajo.

Edison Hoxha nga Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social e vë theksin te problematika e këtyre grave me kushtet e punës.

Nxjerrja e mineraleve, edhe pse në sipërfaqe bëhet në kushtet e mungesës së mjeteve të duhura të mbrojtjes, pa veshje pune të përshtatshme, që të minimizojnë rreziqet nga puna, pa vlerësim të riskut, prej të cilit edhe konkretizohen gjithë masat që punëdhënësi duhet të marrë për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit të punonjësve të tij”, tha Hoxha.

Ai thekson se punë të tilla “mezi i japin njeriut vetëm bukën e gojës, por ndërkohë i heqin gjithë dinjitetin e të qenurit gjallë”.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter