Autor: Denis Tahiri
Mes shifrave që janë në rritje me shoferë jo vetëm të dehur në timon, por edhe të droguar, limiti u kalua nga garat me makina që u kthyen në një trend gjatë orëve të mesnatës. Një video shfaq një makinë sportive, tip audi që nuk e respekton semaforin në ngjyrë të kuqe. Policia e sinjalizuar për shkeljet e kësaj natyre që nuk lidhen me ngutin e shoferit por me gjendjen e tij nën efektin e narkotikëve, i bën shenjë drejtuesit të audit të ndalojë. Sipas njoftimit zyrtar, drejtuesi i automjetit ka kundërshtuar punonjësit e policisë rrugore dhe ka tentuar të largohet, por është prangosur nga efektivët e policisë. Pas shoqërimit në ambientet e policisë rrugore, ai është testuar për përdorimin e alkoolit dhe drogërave. I riu rezultoi se ishte pozitiv dhe nën efektin e kokainës.
Por përballë situatave të tilla që gjatë vitit 2021 numëroi 47 drejtues mjetesh të arrestuar në gjendje të droguar, një muaj nga përdorimi i një aparati të posaçëm për gjurmimin e drogës, shifrat janë të papërfillshme. Ky aparat sipa burimeve të Sinjalizo, deri më tani ka kapur në flagrancë vetëm 4 qytetarë që drejtonin makinën në kryeqytet. Të tjerët janë konstatuar si përherë me doza droge të fshehur në atlete, xhepa, dhe në sedilje.
3 mijë dollarë një test, por akoma më shtrenjtë tamponët
Përballë rritjeve të frikshme të përdoruesve, burime nga Policia Rrugore bëjnë të ditur se aktualisht në dispozicion të Policisë Rrugore janë dy aparatura AquilaScan. Kjo është edhe arsyeja se pse nuk ka gjetur një përdorim masiv prej efektivëve të Policisë.
“Janë dy aparatura dhe nuk i përdor dot në terren, prandaj janë të vendosur pranë ambienteve të Policisë Rrugore. Kur drejtuesit të mjeteve kanë indikacione se kanë konsumuar lëndë narkotike, shoqërohen, u bëhet testi dhe në bazë të rezultateve vijojnë proçedura”, tha i njëjti burim për Sinjalizo.
Nëpërmjet verifikimeve në faqe të ndryshme në lidhje me këtë pajisje rezulton se çmimi i blerjes i saj është 2995 dollarë. Kjo aparaturë sipas edhe shpjegimit që jep prodhuesi funksionon duke përdorur një mostër lëngu oral që merret duke përdorur një sfungjer nëpërmjet të cilit monstra merret në pjesën e brendshme të gojës së subjektit. Pasi merret kampioni, vendoset në kasetat e provës dhe më pas futet në njësinë analizuese, ku skanohet për 7 lloje të ndryshme droge. Analizimi tregon përdorimin e fundit të drogës dhe gjithashtu tregon në ekran testet e pavlefshme.
Një test si ai i covidit
Besmir Qibini, Shef i Policisë Rrugore të kryeqytetit në një intervistë për Sinjalizo, shpjegon se aparati funksionon në mënyrë të ngjashme me testin e covid-19. “Pasi merret në vend sekrecioni nga drejtuesi i mjetit, brenda 2-3 minutave pajisja arrin të detektojë të gjitha llojet e drograve”, thotë ai. Por i pyetur nëse vendosja e këtij testi në dispozicion të Policisë Rrugore Shqiptare është një “projekt pilot”, kreu i rrugorëve të kryeqytetit nuk jep një përgjigje të saktë, por tregon se është diçka që nuk është në të gjitha komisariatet.
“AquilaScan është pajisja më e fundit që ka filluar të përdoret për herë të parë nga policia e qarkullimit rrugor Tiranë dhe shpresojmë që edhe komisariatet e tjera të policisë rrugore të ndjekin shembullin tonë”, thotë ai duke lënë të nënkuptuar se pajisja nuk ndodhet në asnjë komisariat tjetër të Republikës së Shqipërisë përveçse në kryeqytet.
I pyetur për numrin e pajisjeve që kanë në dispozicion efektivët e policisë rrugore zyrtari i policisë nuk jep një numër. Por nëse do të jesh një subjekt i testit të drogës në kryeqytet apo jo, janë një sërë faktorësh që e vendosin, duke nisur që nga informacionet e ndryshme policore mbi persona që dyshohen se përdorin lëndë narkotike. “Sjellja e çrregullt apo e rrezikshme e drejtuesve të mjeteve në rrugë, apo element dyshues në sjelljen e të ndaluarve për kontroll”, janë disa nga faktorët sipas kreut të policisë rrugore të Tiranës që shtyjnë efektivët të kryejnë testimin. Qibini shton gjithashtu se punonjësit e policisë rrugore janë të trajnuar për të evidentuar sjellje të drejtuesve të mjeteve që ngrenë dyshime mbi përshtatshmërinë e tyre në përdorimin e rrugës.
Ligji për të droguarit në timon
Por nëse konstatohesh se je duke drejtuar automjetin kur keni konsumuar lëndë narkotike, edhe ndëshkimi ndryshon nga shkeljet e tjera rrugore. “Këto shkelje parashikohen si krime nga neni 291 i Kodit Penal dhe dënohen me burg deri në 3 vite. Kjo do të thotë se përveç masave administrative si heqja e lejes së drejtimit, gjobat dhe detyrimi për ritestim, drejtuesit e mjeteve që konstatohen në gjendje të dehur apo nën efektin e lëndëve narkotike i nënshtrohen arrestimit në flagrancë dhe proçedohen penalisht”, përfundon shefi i Policisë Rrugore të Tiranës.
Ekspertët: Testi i kushtueshëm, duhet bashkëpunim mes forcave të ndryshme të policisë
Ndonëse ekspertët e shohin si një hap pozitiv futjen e testit të drogës për shoferët në Shqipëri, e shohin me skepticizëm për shkak të kostove të tij. Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore thotë se kjo është edhe arsyeja se pse nuk përdoret shpesh.
“Pajisja bën 2-3 mijë dollarë, por janë të kushtueshëm elementët për marrjen e kampionit, pra tamponët. Prandaj nuk përdoret shpesh dhe nuk ka ndonjë rezultat të madh, jo se nuk ka përdorues në timon”, thotë ai duke shtuar se parandalimi i drejtuesve të mjeteve që përdorin lëndë narkotike kërkon një gërshetim midis punës së policisë rrugore me atë të rendit dhe kriminale, që të identifikojnë përdoruesit dhe tu bëj testin. “ Se kjo është diçka e kushtueshme, nuk është si ampulat e alkoolit që para disa kohësh i kemi prodhuar edhe vet”, tregon ai duke këmbëngulur se duhen databaza dhe bashkëpunim mes forcave të policisë.
“Duhen programe që japin alert. Është njësoj si kur policia vendos në alert një makinë, e rregjistrojnë dhe çdo polic që e takon në rrugë atë i del me alert, polici se di shkakun por e merr vesh në komisariat ku pastaj e identifikon”, përfundon ai.
Nga kërkimet që “Sinjalizo” ka kryer i ka rezultuar se tamponët për këtë pajisje kushtojnë 18 euro. Në faqen web të një kompanie rumune e cila e tregëton pajisjen, tamponët e saj listohen me çmim prej 18 eurosh, ndërsa pajisja vet rreth 4000 euro. Kompania rumune jep gjithashtu edhe specifikimet e kësaj pajisje të cilës i duhen 5-10 minuta për të identifikuar nëse drejtuesi i mjetit ka përdorur drogë dhe çfarë droge ka përdorur nga 9 llojet që kjo pajisje identifikon. Në 9 llojet e drograve që kjo pajisje identifikon janë: kokaina, metafetamina, benzodiazipeni, kanabis, opiumi, amfetamina, ekstazi, metadoni dhe ketamina.
Por, në Shqipëri nuk qarkullojnë vetëm këto lloje drogrash të cilat aparati “AquilaScan” nuk arrin ti identifikojë. Një nga këto drogra të cilat kanë përhapje të gjerë në Shqipëri është edhe heroina, e cila rezulton e tillë sipas statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit e cila në vitin 2010 ka kapur 15.5 kg, në 2011 rreth 21.4 kg, në 2012 një sasi prej 87.7 kg, në 2013 një sasi prej 47.3 kg, në 2014 plot 73.5 kg, por në vitin 2015 sasia e kësaj droge e sekuestruar nga ana e policisë ka shkuar në 36.9 kg, duke shkuar në vitin 2016 në sasinë e 57.3 kg. Ndërsa në vitin 2017 sasia e heroinës e kapur nga policia shqiptare ka shkuar në 21.4 kg, duke u pasur me një sasi prej 23.9 kg në vitin 2018 e nga 38 kg në vitin 2019. Ndërsa në vitin 2020 dhe 2021 janë sekuestruar respektivisht nga 51.6 kg dhe 35.5 kg heroinë.
Në listën e drograve të Policisë së Shtetit të cilat janë sekuestruar brenda territorit të Shqipërisë janë edhe narkosintetikët, diazepan si dhe feterminë.
Droga trend, por përdorimi i alkoolit mbetet shqetësimi më i madh
Dhe përballë kësaj risie në polici që është e qartë se nuk e përballon dot fluksin e shoferëve me vetëm dy aparatura, për policinë problem mbetet shoferi i dehur në timon. Madje deri tek ata që drejtojnë mjete të transportit publik. Rastet e fundit të aksidenteve të mjeteve të transportit publik në kryeqytet, ka sjell edhe njëherë në vëmendje nevojën për të rritur masat e sigurisë. Eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha, thotë se është e nevojshme që këto automjete të pajisen me pakisje të cilat shoferi nëse nuk bën testin e alkoolit dhe të rezultojë negative mos të ndizet automjeti.
“Ke shofer autobuzi që pinë alkool dhe vendoset një si kjo pakisja që po nuk i fryu asaj dhe të rezultoj esëll nuk ndizet automjeti”, thotë eksperti, i cili shton se këto pakisje janë të kushtueshme, por kostoja mund tu ngarkohet kompanive “ Për transportin publik kjo duhet të bëhet e detyrueshme, ka preçedent në vende të tjera që ka funksionuar”, përfundon ai.
Vetëm pak ditë më parë, me automjetet e transportit publik, në kryeqytet u regjistruan 3 aksidente, ku pas një aksidenti me një makinë tjetër, një autobuz i transportit qytetas përfundoi në lumin e Lanës, ku fatmirësisht nuk pati viktima. Por nuk munguan as të lënduarit ku 2 persona në makinën që u përplas me autobuzin dhe 4 qytetarë në automjet përfunduan në Spitalin e Traumës.