Harrohen policët e regjimit 41-bis, të ekspozuar ndaj të rrezikshmëve

“Nga dita kur në muajin shtator 2020 u hapën dyert e 41-bis që ne i themi ‘burgut brenda burgut’, ne oficerët e këtij regjimi nuk kemi marrë trajtimet financiare e parashikuara në vendimin e Këshillave të Ministrave”, – shkruan për “Sinjalizo” një oficer policie, i emëruar në detyrë për të ruajtur deri më tani, 10 nga protagonistët më të rrezikshëm të krimit në vend.

Duke u prezantuar si Y.K* polici i burgut të ashpër shton se prej 20 vitesh punon si oficer sigurie dhe prej vitit 2020 ushtron profesionin e tij në një nga regjimet “41-bis” të ngritur në Shqipëri. Duke kërkuar ruajtjen e anonimatit nga frika e humbjes së punës, Y. K shprehet më tej për “Sinjalizo” nën kushtet e privatësisë se në regjimin e posaçëm nuk respektohet Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, ku përcaktohen privilegjet e punonjësve të policisë të përzgjedhur për të kryer shërbimin në “bis”.

“Shumica e policëve që qëndrojnë në gadishmëri gjatë orëve zyrtare të punës por edhe jashtë saj, sipas dëshmitarit i kanë qendrat e banimit jashtë vendit ku janë emëruar me detyrën. Pa vlerësuar rrezikun, ne i mbulojmë vetë kostot dhe shpenzimet. Transportin, uniformat i paguajmë me rrogën tonë mujore, e cila nuk u rrit aspak, edhe pse tashmë vështirësia e punës sonë është disafishuar”, – rrëfehet ai.

Në një nga rregulloret që disponon “Sinjalizo” ndaj policëve që u kaluan në filtra të rrepta kontrolli ka një sërë ndalesash, që nga mos qëndrimi vetëm për vetëm me të dënuarin që SPAK e ka konsideruar të rrezikshëm. Një polic i tillë që punon në 41-bis e ka të ndaluar të shprehë detaje nga vendi i shërbimit, rrethi familjar dhe informacionet personale e gjithashtu nuk duhet të kontaktojë askënd përfshi edhe avokatët që kanë lidhje me të burgosurit.

Burgu i “Cosa Nostrës”

Regjimi “41-bis” nisi të aplikohet në Shqipëri më janar të vitit 2020 në IEVP Peqin dhe në paraburgimin “Jordan Misja”, Tiranë.

Huazuar nga sistemi italian, ky regjim ka si synim izolimin nga bota e jashtme e të dënuarve për vepra të rënda penale, duke mos lejuar në këtë mënyrë ushtrimin e veprimtarisë kriminale gjatë kohës së shlyerjes së dënimit.

Çfarë e bën këtë regjim të ndryshëm nga burgjet e zakonshme në vend janë rregullat e ashpra ndaj të dënuarve, si dhe përzgjedhja e oficerëve të posaçëm të policisë, me anë të verifikimit të rreptë të integritetit, ndershmërisë, besueshmërisë dhe arsimimit.

Të dënuarit e izoluar në regjimet “41-bis”

Arbjon Aliko I akuzuar për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Ibrahim Basha më 2015
Genc Balla Imami ekstremist, anëtar i ISIS-it
Aleksandër Llanaj Autor i vrasjes së 3 të rinjve në Vlorë në vitin 2015
Endrit Qyqja I akuzuar si pjesë e strukturës kriminale të krijuar nga daja e tij, Emiljano Shullazi
Emiljano Shullazi I dënuar për gjobëvënie dhe shkatërrim prone
Redjan Rrahja I akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja
Arbër Çekaj I dyshuar si organizator i aktivitetit kriminal të trafikimit të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri
Fatmir Pjetri I njohur si “Babagjyshi”, ndaj tij rëndojnë veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Nga dallon bis-i shqiptar nga ai italian?

Në dallim nga regjimi bis në Itali, ku të dënuarve u pezullohen përkohësisht disa të drejta në përpjestim me rrezikshmërinë e veprimtarisë kriminale, në Shqipëri izolimi i të dënuarve kryhet me kërkesë të prokurorisë së posaçme SPAK dhe me firmën e ministrit të drejtësisë. Por kjo superburgosje me afat u kundërshtua në disa shkallë të gjyqësorit duke përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, me paditës i dënuari Emiliano Shullazi ndaj të cilit në dy raste të njëpasnjëshme iu zgjat mbajtja në një qeli të veçuar në këtë regjim. Gjyqtarët kushtetues vlerësuan se ishin shkelur disa dispozita kushtetuese sa i takon dëgjimit të provave nga gjyqtarët e posaçëm, mbas pretendimit të SPAK se informacionet ishin sekrete. Aspekte të tjera kushtetuese të mbajtjes në këto qeli ku të burgosurve ju ndalohen produktet ushqimore nga jashtë dhe u lejohet vetëm një takim në muaj nuk janë vlerësuar ende, ndonëse së fundmi 6 nga ‘të rrezikshmit’ kundërshtuan kyçjen nën këtë rregjim me këto ndalesa. Më e rëndësishmja në kërkesat e të burgosurve është rishikimi i dietës ushqimore që konsiderohet me përmbajtje të ulët të vlerave ushqimore.

Avokati i Popullit: Ushqimi është i varfër

Për “Sinjalizo”, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha se ka inspektuar regjimet e posaçme, pas ankesave të drejtuara këtij institucioni nga ish-avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, dhe familjarët e Arbjon Alikos (i dënuar përjetë për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Ibrahim Basha, në Lazarat) dhe Genc Ballës, imami radikalist.

Erinda Ballanca, Avokate e Popullit

Secili prej tyre nuk ka të drejtë të komunikojë me të dënuarit e tjerë dhe numri i librave  të lejueshëm për të hyrë në qeli është i reduktuar. Menuja e ushqimeve të burgut mbetet një problem” – ka thënë Ballanca, e cila thekson faktin se menuja nuk është ndryshuar që prej vitit 2004.

Mosmarrja e ushqimit nga familjarët dhe konsumimi i ushqimit të burgut ka sjellë jo pak problem në shëndetin e të burgosurve.

Emiljano Shullazi, i dënuar për gjobëvënie dhe shkatërrim prone, njëkohësisht ndër të burgosurit e parë të izoluar në këtë regjim, po përballet më një sërë problemesh shëndetësore të lidhura ngushtë me cilësinë dhe llojin e ushqimit të shërbyer në burgje. I burgosuri është transferuar pranë Spitalit të Burgjeve, Qendra Spitalore Nënë Tereza dhe po kurohet nën masa të rrepta sigurie si dhe në mbikëqyrjen e policëve “ të ashpër” të 41-bisit.

Ai ka dhimbje të kockave, probleme me stomakun dhe me zemrën” – pranon avokati Bledar Meminaj gjatë një interviste për “Sinjalizo”. Ndërkohë Ballanca bën të ditur se Endri Qyqja, një ndër bashkëpunëtorët e Shullazit, humbi 10 kilogramë nga dita e parë kur është izoluar. Mbasi e përfundoi superdënimin e përkohshëm, i riu u nxorr nga regjimi ku çdo gjë është e monitoruar me kamera dhe e veçuar nga kushdo tjetër. Edhe dalja në ajrim kryhet vetëm, kurse drita e diellit nuk depërton në qeli për shkak të grillave të hekurta.

Sipas inspektimeve të bëra nga Avokati i Popullit rezulton se çdo veprimtari ditore e të dënuarve bis mbikqyrej nga stafi i sigurisë së institucionit të trajtuar për këtë synim.

Përmes reagimit zyrtar për “Sinjalizo”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se në dy regjimet “bis” janë të stacionuar 63 punonjës policie, nga të cilët vetëm dy janë oficerë.

Këta policë të posaçëm janë përzgjedhur duke iu nënshtruar një procesi verifikimi që kryhet në bashkëpunimin e institucioneve relevante si Policia e Shtetit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Sipas Vendimit nr.920, datë 25.11.2020 të Këshillit të Ministrave, punonjësit e policisë së “41- bis” në IEVP Peqin dhe në IEVP “Jordan Misja” përfitojnë trajtime financiare për orët shtesë gjatë natës, për shkallën e vështirësisë, e cila është 15 000 lekë të vjetra mbi rrogën bazë. Gjithashtu, sipas këtij vendimi policët e bis që nuk kanë mundësi ta garantojnë transportin nga vetë institucioni, apo qeranë dhe ushqimin, kanë mundësinë e kompensimit të shpenzimeve. Por në terren diçka e tillë nuk zbatohet, duke ekspozuar edhe policët.

Si po respektohen vendimet për policët në bis?

Një tjetër punonjës i policisë, që gjithashtu kërkoi ruajtjen e anonimatit, theksoi se një rregull tjetër që nuk gjen zbatim në “bis” është  ‘veçimi’ i policëve nga kolegët e tjerë që kryejnë shërbimin në sektorët e tjerë.

Ashtu sikurse të burgosurit tanë, edhe ne jemi policë të posaçëm dhe sipas rregullores duhet të mos komunikojmë me kolegët e sektorëve të tjerë, por kjo nuk ndodh. Për shkak të mungesës së oficerëve të policisë, ne jemi të detyruar të kryejmë shërbimin dhe në sektorët e tjerë”, -ka thënë ai duke pranuar se është kërcënuar me largim nga puna, kur ka kundërshtuar të kryejë shërbimin në sektorët e tjerë.

Valentin Maçaj, Kryetari i Sindikatës së Policëve në Shqipëri, tregon se pagesa e punonjësve të policisë së “bis-it” nuk justifikon stresin dhe përballimin e kërcënimeve që u bëhen në mënyra të ndryshme.

Në Shqipëri regjimi ‘41 bis’ nuk funksionon si në Itali, ku identiteti i policit mbahet sekret. Këtu oficerët e policisë së regjimeve janë lehtësisht të dallueshëm dhe të shantazhueshëm nga bota e krimit” – thotë Maçaj.

Valentin Maçaj, Kreu i Sindikatës së Burgjeve

Ai shton se Policia e Burgjeve ndodhet në një situatë të vështirë socio-ekonomike si pasojë e presionit të vazhdueshëm në vendin e punës dhe pagesës së ulët.

Policia e Burgjeve nuk përfiton akoma të drejtën e transportit, të dietave ushqimore, të marrjes së gradës në bazë të meritës dhe të drejtën e uniformës” – ka shtuar Maçaj.

Avokati i Popullit, znj. Ballanca pranon se institucioni që përfaqëson ka realizuar rekomandime për oficerët e policisë dhe të dënuarit e regjimit, duke theksuar krijimin e dhomave të veçanta të edukimit psiko-social, si dhe ka mohuar që oficerët e bis të kenë bërë ankimim për mosrespektim të rregullores.

Të dënuarit ‘VIP’ kanë nevojë të flasin me dikë, pasi janë të izoluar gjatë gjithë kohës” -tregon Ballanca, ndërkohë që policët kanë mohuar marrjen e shërbimeve psiko-sociale në vendin e punës.

Nuk kemi mundësinë e konsultimit me një psikolog” – tregon punonjësi i policisë, duke pranuar se ky rast është vetëm një nga pikat e shkelura të rregullores së burgjeve.

Sipas Ballancës, forca policore e Shqipërisë është shumë e vogël për t’i adresuar gjithmonë detyra të reja.

Pandemia ishte shembulli konkret. Policët punuan me orët të zgjatura, ndërkohë që gjithçka ishte e pezulluar. Kërkesat dhe pritshmëritë ndaj policisë janë shumë të mëdha”, – tha ajo, ndërkohë që mbetet ende në pritje përmirësimi konkret i trajtimit të punonjësve të policës. Së fundmi rregjimit të ashpër ju shtuan edhe disa të dënuar të tjerë si Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri, Viktor Ymeri dhe Redjan Rraja, që të katërt të ballafaquar me drejtësinë për akuza të rënda.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter