Autor: Denis Tahiri
Nuk duhet të kërkosh shumë për të gjetur kaosin në bregdetin shqiptar që për këtë vit u braktis nga pushuesit vendas. Për rënien e frekuentuesve të Rivierës duket se nuk ndikuan vetëm çmimet e larta, por edhe mungesa e kushteve higjienike dhe faciliteteve të tjera. Është kulmi i sezonit veror 2022. Muzika e lartë është një tjetër shqetësim. Mungesa e vendeve të parkimit po ashtu. Sfida tjetër janë mushkonjat.
Gusht, ora shënon 11:20.
Në plazhin pas kanalit në Plepa pa folur për mbeturinat, ndotjen që vjen nga kanali, mund ta ndiesh me shqisa. Por përsëri ky plazh frekuentohet nga qytetarë të ndryshëm, mes tyre edhe dy çifte pensionistësh të cilët ndajnë një çadër.
“Unë jam nga Mallakastra, këto 10 ditë, vijmë këtu, por keq është. Por nga ana tjetër këto kushte financiare kemi”, tregon 72 vjeçari i cili flet në kushte anonimiteti. “Këto ditë që duam ti shijojmë, prapë nuk i shijojmë dot. Ja po të duash të ikësh andej, shezlonget i ke me 5 mijë lekë, 7 mijë lekë por prapë është keq”, thotë pensionisti i cili e vendos theksin edhe te ndotja nga ujërat e zeza. “Andej kanalet janë më keq, ujërat e zeza të pallateve të ndërtuara aty derdhen në det”, thotë ai, duke treguar me gisht edhe kanalin ngjitur, i cili zyrtarisht është kanal për ujërat e shiut. Megjithatë aty mund të gjesh shumë thjesht me sy të lirë, plehra të hedhura, si dhe kafshë të ndryshme të ngordhura dhe që janë kalbur.
Ndërkohë bashkëshortja e të moshuarit lë të kuptohet se është zgjedhja e diktuar nga kushtet ekonomike. “Ky kanal është…..po skemi ça të bëjmë, se nuk kemi mundësi të shkojmë diku tjetër”, thotë gruaja për “Sinjalizo”, duke shtuar se “Këtu kushtet nuk janë të mira. Kushtin këtu e bën leku. Paguan 70 euro dhomën e pastaj rri si zonjë, por ne nuk i kemi këto mundësi. Kaq e kemi mundësinë dhe i themi Zotit faleminderit, sepse ka të tjerë që nuk bëjnë fare plazh”, shprehet ajo.
E njëjta situatë disa kilometra më larg
Një panoramë e përsëritur si edhe vitin e shkuar, për plazhin e Vilbashtovës. Pushuesit janë të pakët në numër, por mbetjet vijojnë të jenë prezente. Edhe pse individë të cilët kanë investuar për plazhe, kanë kryer pastrime të rërës vetëm disa dhjetra metra më larg tyre, shihen plehra nga më të ndryshmet, duke nisur me bidonat plastikë e duke vijuar me mbetje të tjera.
Institucionet nuk shohin asgjë!
Ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë të dhënë për ndotjen e ujërave të plazheve, është Agjencia Europiane e Ujërave e cila sjell të dhëna. Pasqyrimi që bën Agjencia Europiane e Ujërave nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga situata në të cilën ndodhej ndotja e plazheve nga viti që lamë pas dhe që ACQJ i bëri një mbulim të plotë duke sjellë edhe rrezikun shëndetësor për frekuentuesit e këtyre plazheve.
Ndotja në vijën bregdetare të Shqipërisë është e pranishme në Durrës, në zonën e Currilave si dhe në Plazhin pas Kanalit, por përjashtim nuk bëjnë as qytetet e tjera. Në Vlorë, aktualisht sipas Agjencisë Europiane të Ujërave me cilësi të keqe, uji për tu larë janë tre plazhe, dy prej të cilëve në krah të portit të qytetit, ndërsa një i tretë në fillim të rrugës “Çamëria”. E ndërkohë që këtë verë, Pogradeci me liqenin e tij u kthye në një destinacion të preferuar të qytetarëve për shkak të çmimeve të lira dhe cilësisë së mirë të shërbimit, në dy prej plazheve të këtij qyteti, cilësia e ujit të liqenit lë për të dëshiruar. Sipas identifikimit të bërë nga AEU dy plazhet që nuk plotësojnë kriteret minimale për të qenë të përshtatshëm për të notuar në këtë qytetet janë pranë shëtitores “Gjokë Risto Kondakçi” dhe në fillim të rrugës “Driloni”.
Mungojnë sërisht vrojtuesit
2900 stacione plazhi janë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, por numri i vrojtuesve të plazhit, ose “lifeguard”-eve është vetëm 1200.
Vija bregdetare e Shëngjinit, është ajo e cila këtë vit nuk ka patur ngjarje të rënda ujore, as humbje jete për shkak të mbytjeve dhe as aksidente. Por kjo nuk është gjë e rastësishme. Sipas Luçiano Marku, i cili prej 6 vitesh, ushtron profesionin e vrojtuesit të plazhit, në vijën bregdetare të Shëngjinit ka patur një rritje të numrit të vrojtuesve krahasuar me qytetet e tjera bregdetare.
“Deri më tani kemi patur shumë raste shpëtimi, por fatmirësisht nuk kemi patur humbje jete për shkak të ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale dhe shpresojmë që deri në fund të sezonit të mos kemi”, shprehet ai, duke shtuar se nga 85 vrojtues plazhi që kjo vijë bregdetare kishte një vit më parë aktualisht numri është rritur duke shkuar rreth 140-150 në të gjithë vijën bregdetare të Lezhës.
Marku shton se vrojtuesi i plazhit është element sigurie edhe për sinjalistikën e nevojshme. “Në plazhet që kanë vrojtues plazhi, kanë arritur ta vendosin sinjalistikën duke krijuar zonë të sigurt për notuesit. Në këto plazhe është kategorike që asnjë vrojtues nuk lejon motorr uji ose varka të hynë në zonën e sigurt, kanë korridore të përcaktuara.”
Por edhe pse ka një ndërgjegjësim të madh krahasuar me disa vite më parë për rëndësinë e vrojtuesve të plazhit, hilet për të kaluar filtrin e institucioneve shtetërore për të marrë kontratën për të shfrytëzuar plazhin nuk mungojnë.
Një burim i tha “Sinjalizo”, se shumë biznesmenë marrin certifikimin si vrojtues plazhi për të plotësuar kriterin e vendosur nga institucionet shtetërore, por që në realitet nuk e kryejnë atë funksion. “Kjo është edhe arsyeja që edhe kur ka kullë vrojtimi në plazh e shikon bosh”, tregon ai, duke shtuar se janë pikërisht instancat shtetërore të cilat vijojnë ta shohin si një hap procedurial vrojtësin e plazhit dhe nuk kontrollojnë kurrë nëse këta persona të certifikuar janë vërtet në kryerje të kësaj detyre që shpëton jetë. “Sipas ligjit në fuqi, nëse do të kishte kontrolle në momentin që edhe pse mund të kenë përdorur këtë hile për të marrë kontratën për shfrytëzim plazhi, kur bëhet inspektimi dhe vihet re që nuk është vrojtuesi i plazhit në stacionin e tij, kontrata duhet të ndërpritet menjëherë, por inspektime ska, masa merren vetëm kur ndodh ndonjë ngjarje”, përfundon ai.
Lajme të trishta që nuk iu ndanë verës në Shqipëri
Jetët e humbura në plazhet shqiptare kanë qenë të pranishme gjatë gjithë sezoneve të verës. Sipas të dhënave të siguruara nga “Federata Shqiptare Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” gjatë verës së vitit 2019, u raportuan 12 humbje jete në det, prej të cilave 5 ishin shkaktuar nga ataku kardiak, 1 për arsye shëndetësore, 1 si pasojë e goditjes me mjet lundrues, 1 si pasojë e motiveve të lidhura me rrethana kriminale dhe 4 prej tyre kanë ardhur si pasojë e mbytjes në det.
Ndërkohë në vitin 2018 sipas po të njëjtit burim janë regjistruar 20 humbje jete në det. Por në 2017 parë jetët e humbura në brigjet shqiptare gjatë stinës së verës kapnin shifrën e 42 personave. E ndërsa në vitin 2020 do të rregjistroheshin 12 humbje jete, në vitin 2021 shifra do të shkonte në 19.
Agjencitë pa kontroll mbi stacionet e plazhit
Ngjarja e rëndë e ndodhur në Potam të Himarës, ku humbi jetën 7 vjeçarja nxorri në pah moskoordinimin e institucioneve shtetërore me njëra- tjetrën për të garantuar sigurinë në stacionet e plazhit në vijën bregdetare. E ndërsa sinjalistika i është lënë detyrë pushtetit lokal, i cili shpesh herë çalon në kryerjen e kësaj detyre, as Agjencia e Bregdetit si dhe policia, kontrollin për stacionet e plazhit e ka minimal.
“Policia e shtetit nuk mund të mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstitucionale nuk bashkëpunojnë dhe zbatojnë ligjin”, do të shkruante Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, drejtuar Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, bashkive, prefekturave dhe ministrive përgjegjëse pas ngjarjes e Himarës, me qëllim garantimin e një sezoni turistik.
Por fakti që Policia e Shtetit kërkon bashkëpunim në mes të sezonit turistik, tregon se ky bashkëpunim ka munguar. “Për të garantuar dhe siguruar jetën e qytetarëve dhe të pushuesve, përgjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, kërkojmë bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjitha hallkave institucionale për të monitoruar, kontrolluar zbatimin e ligjit dhe të akteve nënligjore në fushën e turizmit”, shkruan ndër të tjera ai, duke shtuar se Policia e Shtetit nuk është informuar sipas tij, mbi masat e marra nga institucione në asnjë rast. Pikërisht këto fjalë, të drejtuara institucioneve në mes të sezonit turistik, pas një ngjarjeje të rëndë, tregojnë qartë, që shteti shqiptar, kontrollin e vetëm mbi sigurinë e plazheve ka atë të ndarjes së parcelave të plazheve.
Turistët ia morëm Greqisë, por a vinë ata në plazhe me mushkonja?
Deklarata e Ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro se shumë turistë që shkonin në Greqi “ tashmë janë kthyer në Shqipëri” u shndërrua shumë shpejt në një objekt tallje në rrjetet sociale dhe kjo për shumë arsye. Greqia është një nga shtetet me një nga industritë më të zhvilluara të turizmit në Europë dhe këtë vit arriti shifra rekord, duke i patur 80% të njësive akomoduese me rezervime të plota, nga të cilat vendi pret të përfitojë rreth 15 miliardë euro deri në fund të sezonit turistik. Fqinji jugor i Shqipërisë, ka një paketë turistike aq të shumëllojshme, sa që ofron paketa turistike duke nisur nga 300 euro, e deri në pushimet e luksit. Ndërsa nga ana tjetër duket e vështirë që Shqipëria, ti marrë dhjetëra mijëra turistë Greqisë, në një moment që edhe dezinfektimi i plazheve nuk është realizuar për shkak të bllokimeve burokratike në sistemin e prokurimeve. Mungesa e dezinfektimit në këtë sezon veror erdhi si pasojë e pezullimit të tenderit të organizuar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Kjo pasi subjektet ofertuese u ankuan në Komisionin e Prokurimit Publik në lidhje me kriteret e vendosura.