“Pse po i ikim librave?”, të rinjtë gjithnjë e më pak të interesuar për leximin. Shkrimtarët shpjegojnë arsyet

Autor: Ermal Spahiu

Të rinjtë po i japin shumë pak hapësirë leximit. Në sondazhin e posaçëm, në kuadër të këtij shkrimi, ky fakt u përforcua edhe më shumë me realitetin me të cilin përballemi sot.  , tregoi për një rënie të ndjeshme, lidhur me interesimin ndaj librit që pranohet nga 78.3% e të anketuarve. Në masë të madhe, ata pohuan se teknologjia dhe dhënia e përparësive të tjera kanë bërë që të mos krijohet vend për librat.

Koha e kufizuar, teknologjia dhe kostot e librit janë disa nga arsyet e kësaj rënie. “Libri kushton për shkak të kostos së prodhimit dhe taksës mes 15-20%. Çmimi i lartë ua ka pamundësuar familjeve shqiptare me prindër me arsim të ulët dhe/ose të mesëm të kenë një bibliotekë në familje, gjë që ul mundësinë që fëmijët e tyre të edukohen me kulturën e leximit”, thotë një prej të anketuarve.

Një tjetër argumenton se punët me orët e zgjatura, bëjnë që prindërit mos t’i shoqërojnë ata në bibliotekat e lagjes dhe të jenë frekuentues të rregullt të tyre. “Informacionet e pakta dhe kufizimi i fondeve çojnë në rënie dhe me këto ritme do e kemi të vështirë të bëhemi një shoqëri me stimujt e duhur për tu rritur e për të nxitur të tjerë që të lexojnë. Një i ri mesatar shqiptar nuk gjen kënaqësi dhe as dobi nga leximi passhkollor”, argumenton një tjetër.

Gentjan Tufa, një i ri që lexon rregullisht dhe i dhënë pas librit, pranon se raporti me leximin nuk është asnjëherë konstant. “Kushtëzohet nga koha fizike, cilësia e librave, sugjerimet nga njerëz që lexojnë shumë. Leximi më ka bërë më të zgjuar, nuk më ka lënë të ndihem i vetmuar, as të humbur, më ka ndihmuar të njoh më mirë veten dhe të tjerët, të bëj shumë miq me të cilët ndajmë të njëjtën varësi: të lexuarit. Leximi nxitet nga njerëzit e duhur që dinë të sugjerojnë libra të duhur. Mënyra më e mirë për të ruajtur një marrëdhënie të mirë me leximin është sinqeriteti në kënaqësinë estetike, thotë Borghesi”, përfundon argumentin Gentjani.

Një pjesë e të anketuarve theksuan se dëshira për të lexuar ka humbur, sidomos në botimet e gjuhës shqipe, fakt që vërtetohen me preferencat në botimet e gjuhës angleze. Kjo vjen si pasojë e përkthimit në gjuhën shqipe, duke kritikuar përshtatjen, sipas të cilëve lë shumë për të dëshiruar.

Libraritë e kryeqytetit janë shpesh pikëndalese për mua. Këtë herë, m’u desh të vizitoj disa prej tyre, ku u vura përballë një numri të ulët të interesuarish në “stacionet” ku shiten libra. Në vend të kësaj, të rinj e të rritur shihen çdo ditë e më të shumtë në kafene. Një shembull konkret vjen në librarinë Adrion, ngjitur me Bibliotekën Kombëtare. “Interesi këtë verë ka qenë më i madh, për shkak të sezonit dhe njerëzit duan medoemos të kenë të paktën një libër për ta lexuar”, thotë librashitësja e Adrion. Të rinjtë, sipas saj, i drejtohen botimeve të gjuhës angleze, mosha e mesme preferon klasikët, ndërsa të vjetrit qëndrojnë më shumë te filozofia, historia dhe librat motivues. Në librari ka një grusht njerëzish, ndërsa kafenetë ngjitur janë plot.

Një zotëri rreth të 70-tave, anëtar i bibliotekës prej 1999-tës dhe lexues librash, shpreh bindjen për forcën që ka leximi. I ulur në një karrige, gjen rast për të marrë një libër, duke nxjerrë gjithashtu dhe shënime.

“Format e këtij shteti janë vjetëruar. Duhen gjetur mënyra për t’i mbështetur shkrimtarët e rinj, kjo sepse e mira publike është koncept i modernizmit”, më thotë ai.

Një tjetër librari ku situata paraqitet po e njëjtë është Albas, pranë Toptanit. Një vend i pasur me libra të mirë, por me shumë pak të rinj frekuentues. “Nuk vijnë shumë të rinj, kryesisht janë moshë e tretë dhe fëmijë. Preferohen më shumë librat komercialë, janë të paktë ata që lexojnë libra vërtetë të mirë”, shpjegon librashitësja e Albas. Kjo ndodh dhe në Bookland, Tirana Book e në çdo librari të qytetit. Pavarësisht cilësisë së librave, interesi i të rinjve nuk është më i njëjtë si më parë.

Në foto, libraria Adrion, në Sheshin Skënderbej, ngjitur me një kafene në të djathtë. Klientët që e frekuentojnë janë shumë pak në krahasim me ato që gjen në kafene, të mbushur me të rinj dhe të rritur.

Shkrimtarët përballë lexuesve, raporti i brishtë mes tyre

“Mendja e shkrimtarit ngjan shpesh me një morg dhe varreza. Shumica e personazheve që hovin në mendjen e tij, si hije në mesnatë, zakonisht kthehen pas, në hiçin e mistershëm nga vijnë. Fare pak prej tyre i mbijetojnë asgjësimit. Të mbijetuarit, nëse kanë fat, shndërrohen në fjalë”, shkruhet në fragmentin e shkëputur nga libri “I keqi i vetes”, nga Gazmend Kapllani.

Si Gazment Kapllani ka dhe shumë të tjerë, mes të cilëve Alban Tufa, Katerina Haxhiaj, Hamdi Skeja dhe Urime Straka, të cilët kanë zgjedhur shkrimin për të qenë më pranë lexuesve. Komunikimi me lexuesit përmes shkrimit është rruga me të cilën ata njihen me shoqërinë, për qasjen e tyre mbi realitetin. “Puna e shkrimtarit nuk gjen vlerësim sot. Është shumë e vështirë. Si shumë të tjerë, i duhet të bëjë dy punë që të mbijetojë. Duhet të shkruajë, të gjejë botues e të shpenzojë nga paratë që merr në ato dy punë, të cilat i ka marrë parasysh”, thotë Alban Tufa, autor i librave “Një mbrëmje si mbrëmë” dhe “Nishanet në formë L-je”, i cili beson se poezia i bën njerëzit më të mirë, deklaratë të cilën e ka dhënë kohë më parë në një intervistë për ABC News.

Kjo është panorama që të ofron rruga drejt zonës së Bllokut, në të djathtë një sasi e madhe librash, por shumë pak interes nga kalimtarët e rastit

Urime Straka thotë se gjuha e folur pengohet në distanca fizike dhe libri është vepër që nuk vdes kurrë, ndaj herët ose vonë kalon në duart e njerëzve. “Nëse gjen terrenin e duhur ku të promovojë veten dhe artin e tij, mund të vlerësohet. Por, bëhet e vështirë për të gjetur hapësira në përcjelljen e mesazhit, kjo sepse shkrimtarët e rinj nuk lexohen, nuk vlerësohen madje as besohen”.

Erion Kristo, pedagog dhe përkthyes i librave për fëmijë, tregon për marrëdhënien që ka me lexuesit. “Arsyeja pse përkthej libra për fëmijë është sepse besoj tek ta, tek e ardhmja e tyre. Besoj te shprehja që kam krijuar: “O njeriu me mend! Çfarë bëre për fëmijët e vendit tënd?”. Sipas tij, roli i prindërve është thelbësor. “Ata mund t’ua kultivojnë dëshirën për të lexuar që në vitet e para të jetës. Zëri i tyre është ilaç dhe terapi. Kur shkojnë në shkollë ky zakon është krijuar e për ta përforcuar vjen roli i mësuesve. Shpesh prindërit nuk e kanë formimin e duhur, ndërsa mësuesit mund ta zëvendësojnë këtë rol me shumë lehtësi dhe përfitim.”

Erion Kristo

Marrëdhënia mes të rinjve dhe librave, a është po e njëjtë lidhja mes tyre?

Me zhvillimet e shumta në teknologji, leximi është transformuar dhe vizualisht, ku librat mund të lexohen lehtësisht në internet. Një ndryshim i tillë u lehtëson atyre kohën fizike, duke i porositur online. Megjithatë, ndjesitë e një libri fizik nuk përshkruhen me atë online. Sa i përket këtij ndryshimi, Tufa ka kritikat e tij për mungesën e dëshirës që kanë të rinjtë për të kaluar kohë me librat. “Ka dy lloje të rinjsh që kanë ekzistuar përgjatë historisë; ata që nuk lexojnë dhe s’kanë pretendime intelektuale dhe ata që kanë shumë pretendime intelektuale dhe lexojnë vazhdimisht. Sado lexohet, lexohet pak në krahasim me atë çfarë pres unë, po ashtu lexohet keq dhe më shumë flitet për lexim se sa lexohet.”

Straka thotë se hapësirat më të shumta i zënë kafenetë ku të rinjtë kalojnë kohë aty, në vend që të marrin librin në dorë për ta lexuar. “Është harruar si koncept, konsiderohet budallëk nëse një i ri kapet duke lexuar, shkruar ose studiuar, duke u shitur si mendim i jashtëzakonshëm”.

Njëjtë mendon dhe autorja Katerina Haxhiaj, e cila thotë se bota ka ecur me zhvillimet e saj, ndërsa të rinjtë kanë ngecur, duke mos i kushtuar kohë librit.“Interesi i tyre ka rënë, rendin më shumë pas vëmendjes dhe jetës perfekte. Interneti po fiton terren, por libri qëndron po aty, duke të dhënë tjetër ndjesi kur e sheh në bibliotekë”.

Leximi i pakët ndodh për arsye të ndryshme. Alban Tufa rendit disa prej tye: “Së pari, në nivel të përgjithshëm ka rënë vlera konvencionale e dijes. Njerëzit, sidomos të rinjtë, përpiqen të ndërtojnë një jetë cila u sjell vetëm pasuri e të mira materiale. Teknologjitë mediatike po na prishin çdo marrëdhënie tonën të mëparshme, edhe atë me leximin; ky i fundit lidhet shumë me keq-leximin. Nëse dikush do përballej me letërsi të mirë, do gërmonte më tej. Në të kundërt, sa më larg saj. Kjo situatë e ka gjenezën që herët, edukimi me lexim në fëmijëri, shkolla dhe gjimnaze që përgjithësisht nuk bëhet, por edhe kur bëhet, bëhet keq.  Kushtet ekonomike. Një libër i mirë mund të kushtojë 10-20 mijë lekë. Ka shumë faktorë të tjerë social, por më së shumti lidhen me mungesën e bibliotekave,” shprehjet ai.

Juventina Ngjela, sociologe, thotë se është evidentuar një rënie e numrit të personave të interesuar për të blerë duke preferuar t’i huazojnë për të shfrytëzuar kohën e tyre të lirë, kryesisht me libra artistikë. “Arsyet që çojnë në një lexim të pakët fillojnë tek udhëtimet, daljet me familjen, punët me orë të zgjatura dhe dypunësimi që po evidentohet nga viti në vit. Këto sjellin pamjaftueshmëri kohe për të lexuar”, shpjegon ajo.

Hamdi Skeja, autor i katër librave, thotë se leximi është ushqim shpirtëror dhe horizontesh. “Jam kundër dixhitalizimit. Nuk ka shpirt leximi online siç e lexon në letër. Aty ka tjetër ndjenjë, jetë dhe emocione; shpesh të bëjnë të lotosh. Si mund të japë emocione, diçka që nuk e prek? A mundet një dashuri, pa prezencë dhe pa prekje të dhurojë zjarrin e të kundërtës?”, argumenton ai.

Kush janë përgjegjësit e kësaj krize intelektuale?

Leximi është kthyer në dilemë të madhe në vend, aq më tepër kur bëhet fjalë për të rinjtë. Si të mos mjaftojë kjo, shkrimtarët e kanë të vështirë të përshtaten me një terren ku nuk ka lexues. Stanka ngarkon me përgjegjësi prindërit pasi ata nuk po tregojnë kujdesin e duhur ndaj fëmijëve të tyre: “Nëse prindërit do ndryshojnë qasjen e edukimit ndaj fëmijëve, kam shpresë se leximi do shikohet në të ardhmen si diçka më e frytshme”.

Erion Kristo thekson problemin që ka të bëjë me të rinjtë përçmues ndaj atyre që marrin mundimin për të lexuar. “Kam kërkuar që leximi të quhet çështje e sigurisë kombëtare dhe të diskutohet në Këshillin e Sigurisë, por ata që janë aty s’ia kanë idenë sigurisë. Nuk mund ta lëmë leximin në duart e ndërgjegjësimit të pak njerëzve, pa krijuar programe të posaçme kombëtare që kushtojnë shumë më pak se një kilometër asfalt”, vlerëson ai.

Foto e shkrepur në “Tirana Book”, ngjitur në mur ndodhen shkrimtarët më të mirë të kohës, shqiptarë dhe të huaj.

Libri, një mik që nuk të braktis dhe në stinët më të ftohta, kur njeriu ka nevojë më së shumti për të.

Përkundër zhvillimeve të fundit që ka njohur vendi ynë, leximi i librave nuk mund të injorohet, sepse numri dhe cilësia e tyre janë aty, në pritje për tu blerë nga të rinjtë kureshtarë dhe dijedashës.

Ashtu siç shprehet dhe Mariana Misha, menaxherja e librarisë Adrion, e cila jeton dhe punon mes librave, leximi është ai që bën bashkë një familje: “Në kohën e pandemisë u bë më e ndjeshme lidhja me librin. U bë pjesë e familjeve duke krijuar një lidhje më të ngrohtë mes tyre. Këtu tendenca është si ajo në botë. Libri miku më i mirë në heshtje, kudo me ty!”.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter