Autor: Denis Tahiri
Deri në ditën që pashë portretin e vajzës së saj 5 vjeçare në një nga mediat britanike, nuk e kisha marrë asnjëherë seriozisht një nga mikeshat e mia më të mira, e cila më thoshte se do provonte çdo mënyrë, për të mbërritur në Britaninë e Madhe.
Ajo, 34 vjeç, e arsimuar dhe në punë deri ditën që iku, nuk e mendoi dy herë, kur iu dha mundësia, që ilegalisht të kalonte kanalin e La Mansh-it me varkë drejt vendit ku beson se ajo dhe e vogla e saj do kenë një të ardhme më të mire. Historia e saj, është pak a shumë historia e mijëra shqiptarëve që kanë rrezikuar çdo mënyrë për të shkelur tokën britanike. “40% e emigrantëve ilegale të cilët kalojnë kanalin për në Britaninë e Madhe janë nga Shqipëria, një vend në paqe dhe jo i shkretuar nga luftrat”, shkruante “Daily Mail” duke iu referuar një raporti të shërbimit inteligjent të ushtrisë britanike. Sipas gazetës, “Vetëm për një periudhë 6 javore të verës 1,075 shqiptarë kaluan në Britaninë e Madhe me varka”.
Edhe media të tjera prestigjoze angleze, si “The Sun” kanë raportuar edhe për metoda të reja të kalimit të kufirit, ndërkohë problemi i emigrantëve shqiptarë që hynë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht u shndërrua në një çështje aq të madhe sa qeveritë u detyruan të lidhnin marrëveshje me njëra tjetrën.
Disa muaj më parë Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore do të raportonte për këtë problematikë duke sjellë edhe historinë e një 19 vjeçari që e kishte realizuar këtë udhëtim së fundmi.
Por Shqipëria nuk është duke u përballur vetëm me largimet nëpërmjet emigracionit ilegal. Gjatë viteve të fundit një pjesë e madhe e të rinjve të kualifikuar janë duke u larguar drejt Europës si dhe SHBA e Kanada nëpërmjet punësimit.
Përtej Atlantikut…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten toka e premtuar për shumë shqiptarë, të cilët në mënyrë masive aplikojnë për lotarinë amerikane. Por historia e emigracionit shqiptar drejt SHBA-ve e ka fillimin e tij prej 1876, ndërsa sot në SHBA nuk ka një shifër ekzakte mbi numrin e komunitetit shqiptar aty. Një raport i disa viteve më parë e vendos midis 250 mijë dhe 500 mijë. Ndërkohë në të njëjtin raport thuhet se numri i shqiptar- amerikanëve disa vite më parë ka qenë rreth 215 mijë, rreth 87 mijë gjeneratë e parë që kishte lindur në Shqipëri dhe rreth 127 mijë gjeneratë e dytë, që kanë lindur në SHBA.
Edhe Kanadaja ka një numër të konsiderueshëm rezidentësh shqiptarë. Në censusin e zhvilluar në vitin 2016 rreth 36 mijë rezidentë kanë deklaruar se kanë prejardhje shqiptare. Rreth 72% e tyre jeton kryesisht në provincën e Ontarios. Një ndër këta rezidentë është edhe Gentiani, një arkitekt 35 vjeçar. “Kam emigruar me vizë pune fillimisht, një i afërmi im më ndihmoi duke më gjetur një punë këtu dhe përshtatja me jetën e re nuk më zgjati më shumë se 2 muaj”, thotë ai, duke shtuar me humor se i ftohti i Ontarios fillimisht ishte pak problem, por tashmë është një i ftohtë pa të cilin s’mund të jetoj. Gentiani tregon se në Ontario ka një komunitet të madh shqiptarësh dhe që shpreson që së shpejti të mund të tërheqë edhe vëllain dhe motrën e tij. “Shpresoj shumë që të arrij të tërheq edhe motrën dhe vëllanë. Këtu është një tjetër cilësi jete. Vërtet punon shumë, taksohesh, por ke shërbimet, ke siguri, pra mund të jetosh i qetë”, thotë ai. E ndërsa pyetjes që a e mendon kthimin në Shqipëri në të ardhmen, ai thotë se: “E dua shumë atë vend, por për t’u kthyer sërish do të jetë shumë e vështirë. E di si thonë, kurrë mos thuaj kurrrë, por do të jetë shumë e vështirë që të rikthehem për të jetuar në Shqipëri”.
Mjekë dhe infermierë drejt Europës
Për E.G, një 27 vjeçare, emigrimi ishte objektiv i qartë pasi mbaroi shkollën për infermieri. Kushtet e punës, rrogat si dhe pamundësia për t’u rritur në karrierë, ishin arsyet. “Kushtet e punës janë jashtëzakonisht shumë të mira. Prej ditës që kam nisur punë këtu e deri tani, afërsisht 4 vite vetëm trajnime për rritjen time profesionale të siguruara nga spitali kanë qenë mbi 8”, tregon e reja, duke shtuar se kushtet ekonomike i ka shumë të mira. “Rroga që unë marr është një rrogë që as nuk e kam ëndërruar se mund ta merrja ndonjëherë në Shqipëri”, thotë ajo.
Ndërkohë krijimin e një mungese të bluzave të bardha për shkak të largimit të mjekëve dhe infermierëve jo zyrtarisht e pranon edhe një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë. “Kemi patur dhe vijojmë të kemi mungesa të specialiteteve të ndryshme, sidomos në spitalet bashkiake. Nëse shkon sot në një spital bashkiak me shumë mundësi mund të gjesh në mungesë kardiologun, reanimatorët etj. Investime ka patur, nuk është se s’ka patur, por janë vetë mjekët që sapo mbarojnë kërkojnë të largohen, pasi të jemi realist kushtet jashtë janë shumë më të mira nga çfarë mund të ofrojmë ne”, thotë ai.
Çfarë thonë shifrat e të larguarve?
Organizata Ndërkombëtare për Emigrancionin (IOM) jep shifra të sakta të emigracionit për shqiptarët. Sipas IOM numri total i emigrantëve të cilët kanë mbërritur në Shqipëri është 49,160, por është një shifër e cila prej 2015 ka pësuar rënie të vazhdueshme. Ndërkohë kur bëhet fjalë për qytetarë shqiptarë të cilët kanë emigruar, kjo shifër shkon në 1,250,451. Sipas po të njëjtit burim, pjesa e shqiptarëve të larguar përbëjnë 43.4% të popullsisë shqiptare.
Sipas Institutit Shqiptarë të Statistikave, shifrat e personave që janë larguar nga vendi prej vitit 2016 ka qenë gjithmonë me rritje, përveç vitit 2020 ku pati një rënie të ndjeshme, kjo edhe për shkak të vështirësimit të procedurave të emigracionit, si dhe mbylljes së kufijve si pasojë e Covid 19. Në vitin 2016 janë larguar nga Shqipëria 32,533 shtetas shqiptar, ndërkohë kjo shifër ka njohur rritje në vitin 2017 ku shifra e të larguarve ka shkuar në 39,905. Ndërsa shifra më e lartë e të larguarve nga vendi është regjistruar në vitin 2019 sipas ISTAT me 43,835 persona, e ndjekur me 23,854 qytetarë në 2020 dhe 42,048 në 2021.
Por në Shqipëri po shihet edhe një trend i lënies së shtetësisë shqiptare ku shifra e lënies së shtetësisë është më e madhe se ajo e marrjes së saj, e cila në shumicën e rasteve është shtetësi e dytë.
Sipas INSTAT në vitin 2021 numri i personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare është 711, nga ana tjetër numri i shtetasve shqiptarë që e kanë lënë shtetësinë shqiptare është 724. Por si pasqyrohet edhe në tabelën e mësipërme, numri i personave që e kanë lënë shtetësinë prej vitit 2017 ka qenë më i madh se i atyre që e kanë përfituar atë.
Nga ana tjetër sipas të dhënave të EUROSTAT, numri i qytetarëve shqiptarë që morën një shtetësi të Bashkimit Europian në 2020 ka patur një rritje prej 146% më të madhe se ajo e vitit 2010. “Deri në fund të 2020, kanë qenë 3.8 milionë qytetarë të vendeve kandidat dhe potencial kandidat për në BE me leje qëndrimi të vlefshme për të qëndruar në BE. Kjo është 6% më pak se në fund të 2010-tës. Rreth 2/5 janë qytetarë të Turqisë, me 41%, 1/5 qytetar të Shqipërisë me 22%, 11% nga qytetarët e Serbisë, në të njëjtën vlerë qëndrojnë edhe qytetarët e Bosnjes dhe Hercegovinës. 9% të lejeve të qëndrimit i mbajnë qytetarët e Kosovës, dhe 5% e 1% respektivisht i mbajnë qytetarët e Maqendonisë së Veriut dhe Mali të Zi”, thuhet në të dhënat e Eurostat.
Flasin ekspertët: Shqipëria po thinjet, shoqëria po debilizohet
Gjetja e një shkaku për largimin e kaq shumë qytetarëve nga vendi, është e pamundur për ta bërë, pasi janë një sërë shkaqesh që çojnë në largimet. Profesori i sociologjisë, Gëzim Tushi shprehet se ka shumë arsye, arsye të karakterit gjeo-politik, ekonomik që kanë të bëjnë me diferencat e nivelit të jetesës midis Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
“Kanë të bëjnë me faktin se shqiptarët jetojnë në Shqipëri dhe shpresat janë europiane, kanë të bëjnë me një proces të europianizimit shumë të shpejtë të të rinjve shqiptar të cilin nuk mund ta përballojnë më këtë mentalitetin ballkanik të lëvizjes së ngadaltë me ritme breshke, por duan të jenë në garë në kompeticion me zhvillimet europiane”, shprehet profesori. Ai shton se edhe politikat që kanë të bëjnë me punësimin në trajtimin e specialisteve, me politikat prioritare të caktuara që janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, të arsimit, të shkencës, të shëndetësisë etj, janë faktorë determinant të cilat ndikojnë pikërisht në ekzistencën e një fenomeni të tillë sikurse është largimi i të rinjve dhe i njerëzve nga Shqipëria.
“Unë mendoj që koha e një patriotizmi banal apo koha e bidaforive të tilla që qëndrojmë këtu se ky është atdheu im nuk shkojnë në shekullin e XXI. Unë gjithonë e them që atdheu është ai ku jeton më mirë njeriu, që kështu e kanë kuptuar këtë”, shprehet profesori duke shtuar se kjo është tezë reale që i përshtatet shoqërisë globale dhe proceseve të globalizimit në kohën e sotme.
E ndërsa Shqipëria është duke u shndërruar në një “shoqëri me flokë të thinjura” si thotë edhe profesor Tushi, cila mund të jetë zgjidhja për frenimin e kësaj hemoragjie të qytetarëve shqiptarë drejtë BE-së si dhe vendeve të zhvilluara perëndimore? “Ne kemi nevojë për një strategji kombëtare komplekse, ku besoj që duhet të jetë dhe pozita dhe opozita që duhet ta mendojnë se çfarë po i ndodh atdheut tonë, se kjo çeshtje nuk është çështje e karakterit ekonomik, ka të bëjë me tregun e punës, me boshatisjen e tregut të punës apo me vakumin që po krijohen me profesione të caktuara si janë mjeksia, infermieria, bota akademike etj”, përfundon Gëzim Tushi.
“Nga njëra anë ekonomia e dobët është faktor shtytës dhe nga ana tjetër vendet e zhvilluara përbëjnë faktorin tërheqës. Shumica e studimeve tregojnë se emigrimi është i motivuar kryesisht nga faktorët ekonomikë”, shprehet sociologia Marsida Simo. Sipas saj, duke qenë se Shqipëria është një vend në zhvillim edhe alternativat për të zgjedhur, rritur dhe nxitur punësime janë në zhvillim e sipër. “Në këtë pikë të rinjtë kanë marrë mesazhin se nuk ju ofrohen mundësitë që kërkojnë. Te vendimi për të emigruar shpesh lidhet jo stabiliteti politik i cili nuk i jep prioritet arsimit aq sa është e nevojshme”, thotë ajo. Për sociologen Simo, emigrimi mund të zvogëlohet duke nxitur arsimin, sidomos atë profesionale duke nxitur mundësitë e punësimit, nxitur vetëpunësimin, duke përmirësuar kujdesin shëndetësor e infrastrukturën etj.
Një problem kompleks e cilëson largimin e të rinjve si dhe të personave të specializuar edhe eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.“Politikat e ndjekura të qeverisë kanë dëmtuar në thelb konkurrencën.Kjo do të thotë përherë e më pak si në procesin e prokurimit ashtu edhe në procesin e rekrutimit të shërbyesve publik dhe përgjithësisht në sektorin publik predominojnë në mënyrë konstante patronazhistët dhe militanëtët. Ka pak ose aspak vend për njërëzit e kualifikuar, njërëzit idealist, njërëzit, qytetarët që shpresojnë dhe ëndërrojnë një të ardhme brenda vendit”, argumenton ai.
Sipas tij kapërcimi i kësaj situate duhet lidhur kryesisht me përmirësimin e klimës së biznesit me nxitjen e debatit politik dhe mbi të gjitha me inkurajimin e nismës së lirë, private. “Pa çliruar klimën e biznesit nga vargonjtë e ndërhyrjes shtetërore nga kontrolli i oligarkëve, nga ndikimi i lobistëve në kontrollin e burimeve natyrore e të fondeve buxhetore është vështirë të presësh një klimë të përmirësuar që absorbon fuqi punëtore të lirë dhe të kualifikuar.”, përfundon ai.
Nga ana tjetër, pedagogu Rezart Prifti flet me shifra për largimin e shqiptarëve. “Në një studim të fundit që janë përfshirë më rezulton se 60% e atyre që janë me arsim të lartë në 10 vjeçarin e fundit kanë lënë Shqipërinë, pra ne na ka ikur 2/3 e të gjithë atyre që krijojnë vlerë të shtuar në proceset ekonomike dhe sociale të këtij vendi”, thotë ai duke shtuar se në makro kjo shpjegon katastrofën e 10 viteteve të ardhshme. “Në mikro, në jetën e përditshme tënden dhe timen kjo shpjegon debilizmin që ka kapur shoqërinë shqiptare. Në çdo aspekt të vogël”, thotë ai.
Por situtata nuk duket aspak optimiste as për stafet akademike, ku sipas Priftit 54% e stafeve akademike kanë ikur, pra e punonjësve akademik në funksione pedagogjike në universitete. “Është çmontuar komplet universiteti i Korçës, Gjirokastrës dhe i Shkodrës. Ka ikje masive nga universiteti i Tiranës, por këta i zëvendësojnë shpejt pa kritere dhe prandaj nuk bien në sy”, thotë ai duke shtuar se arsyet që ikin është shumë evidente. “Këtu mungon institucioni i arsimit, mungon meritokracia që vjen si pasojë e mungesës së edukimit, se ata njerëz që bëjnë sistemin meritokratik kur s’kanë kulturë pune do të marrin në punë atë që s’është për punë se ai s’di si ta realizojnë punën.”, përfundon ai.
Mungesa e mirtokracise, kushtet e punës, mungesa e ligjit dhe rregullit, shërbimet, janë arsye të cilat i jep edhe peagogu Erjon Muça. Por pyetjes nëse shqiptarët të cilët janë të mirë arsimuar dhe kanë zgjedhur të largohen për të gjitha arsyet e lartpërmendura do të rikthehen sërish në atdhe, ai e sheh shume të vështirë.
“Unë nuk besoj në rikthimin e intelektualëve sidomos ata që kanë patur një status dhe një profesion në Shqipëri dhe kanë akumuluar një përvojë të rëndësishme disa vjeçare në profesionin e tyre që në një moment të caktuar të rikthehen. Edhe nëse rikthehen, rikthimi i tyre do të jetë i përkohshëm, si pjesë e ndonjë programi ndërkombëtar dhe si të dërguar me punë në mënyrë të përkohshme, me kontrata një ose dy vjeçare”, thotë profesor Muca i cili thotë se sheh një marzh të lartë të shqiptarëve të arsimuar jashtë, por përballja me zhgënjimin këtu mund t’i detyrojë të largohen sërish nga Shqipëria.