Tirana është kthyer në një kantier. Zhurmat të rrezikshme për shëndetin, shkojnë mbi 100 decibel

Autor: Merxhan Daci

Kur Edi Rama u shfaq në këngën “Tirona” duke interpretuar mes të tjerash vargje të saj “Zhurmë, shumë zhurmë sa zhurmë”, ai ishte jo vetëm kryebashkiaku i qytetit më të madh, por dhe njeriu që përveshi mëngët për ta sistemuar. Por pothuajse dy dekada nga kënga e grupit shqiptar West Side Family, kryeqyteti shqiptar vijon të jetë në të njëjtin realitet me smog, rrëmujë e kontraste kioskash të rrënuara dhe njëherazi ngjitur një super pallat. Por siç ishte refreni i këngës, Tirana vazhdon të jetë qyteti më i zhurmshëm në Shqipëri.

Në total, vlerësohet se mbi gjysmë milionë qytetarë operojnë çdo ditë nën ekspozimin dhe ndikimet e zhurmave.

Duke u përpjekur të vendosin situatën nën kontroll, gjatë muajit dhjetor 2021, u njoftua se në blloqet e banimit në kryeqytet nuk do të jepeshin më leje zhvillimi aktivitetesh që gjenerojnë zhurmë. Aty u përfshinë lavazhet, apo serviset e makinave, të cilat u deklarua se do të zhvendoseshin larg qendrave të banuara.

Bashkia e Tiranës njoftoi se do të disiplinojë dhënien e lejeve për subjekte të tilla, por gjithashtu do të menaxhojë edhe zhurmat e trafikut dhe do krijojë një hartë të zonave të gjelbra akustike.

Por pesë muaj më pas, asgjë nuk ka ndryshuar. Qytetarët ankohen se ndërtimet në çdo cep të kryeqytetit dhe trafiku i rënduar po ua bën jetesën të vështirë deri në të pamundur.

Tirana ka zhurmë të rrezikshme për shëndetin

Norma e lejuar e zhurmave sipas legjislacionit shqiptar, europian dhe standartit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë është 45 decibel ndërkohë që kjo tejkalohet me disa herë në disa zona në Tiranë.

Disa nga shkaqet kryesore të niveleve mbi normat e lejuara të matjeve të nivelit të zhurmave në Tiranë: janë shtimi i qarkullimit të automjeteve, zgjerimi i aktivitetit të ndërtimit duke përfshirë edhe ndërtimet infrastrukturore si dhe investime të tjera publike dhe private.

Sipas një raporti të vitit 2021 i projektit “Mushkëri të Gjelbërta” zbatuar nga CO-Plan, prej më shumë se pesë vitesh nga institucionet shtetërore nuk ka pasur matje të parametrave të zhurmave në asnjë pjesë të qytetit të Tiranës.

Matjet e “Mushkëri të Gjelbërta”, kanë treguar se një nga zonat më të ndotura nga zhurmat është ajo e Sheshit Shqiponja ku niveli i zhurmave ka shkuar deri në 132 decibel, nivel ky shumë i lartë  dhe mbi normat e lejuara. Nivele të ngjashme ka pasur edhe në rrugën “Dritan Hoxha” dhe “Teodor Keko”. Shkak për këto nivele zhurmash në këto zona janë bërë punimet infrastrukturore për Unazën e Re dhe trafikut të krijuar si rrjedhojë.

Një tjetër zonë problematike është ajo e ish-Bllokut për shkak të bareve dhe restoranteve të përqëndruara në këtë zonë. Kjo duket qartë në matjet e kryera gjatë orëve të darkës kur zona e ish-Bllokut në hartë ngjyroset me të kuqe, për të treguar nivelin e lartë të ndotjes akustike.

Mjafton të shkarkosh një nga aplikacionet në telefon që masin nivelin e zhurmave në mjedis. “Sinjalizo” shkarkoi dBMeter dhe bëri një vëzhgim nëpër kryeqytet në përpjekje për të kuptuar trendin e zhurmave.

Disa prej zhurmave kapin edhe 100 decibel, një nivel që konsiderohet i dëmshëm dhe kategorizohet si “rrezik” nga aplikacioni dhe standartet europiane e globale të  ndotjes akustike.

Në zonën e sheshit “Skënderbej” për shembull, ku këto kohë ka pasur disa evenimente që kanë krijuar jo pak ndotje akustike, të dhënat e aplikacionit tonë tregojnë për nivele deri në 90 decibel rreth orës 19:20.

Screenshot nga të dhënat për Sheshin Skënderbej, dBMeter
Screenshot nga të dhënat për Sheshin Skënderbej, dBMeter

Një zonë tjetër që në aplikacionin tonë ka treguar për vlera të larta është ajo e rrugës “Asim Vokshi” pranë Harry Fultz ku vlerat kanë shënuar rreth 100 decibel.

Screenshot nga të dhënat në Rrugën Asim Vokshi afër Harry Fultz

Vlera që varionin tek 80-90 decibel kishte edhe në zonën e rrugës së Elbasanit apo Bulevardit Zhan D’Ark.

“Sinjalizo” u përpoq të kontaktonte me Bashkinë Tiranë për të marrë një koment në lidhje me plan-veprimin 5 muaj pas aktivizimit, pra çfarë masash janë marrë nga institucioni i Bashkisë Tiranë.

Po ashtu, pyetja se a ka një numër ankesash në bashki nga qytetarët për ndotje akustike nuk mori një përgjigje.

Zhurma – Shqetësim real për banorët dhe bizneset

Chris është shtetas i huaj. Është vendosur me qira në një hostel në Tiranë prej disa vitesh tek rruga e Bogdanëve. Ardhja e Chris në këtë lagje përkoi me nisjen e ndërtimit të një godine 7 katëshe ngjitur.

Emri im është Kris, jam në Shqipëri që prej 4 vitesh. Kam marrë këtë vend me qira. Jemi në mes të qytetit kështu që është normale që gjatë ditës të kesh zhurma, si psh trafiku, qytetet e mëdha e kanë këtë. Por ndërtimi sjell një zhurmë të shtuar duke qenë se është ngjitur. Ndërtimi këtu fillon çdo ditë nga ora 7 e mëngjesit deri në 5. Ka zhurma, prerje metalesh, druri etj. Nuk kanë një orar të përcaktuar. Po ndërtohet një godinë 6-7 katëshe rezidenciale. Ke ndërtime në Tiranë në cdo cep, kështu që kjo sjell patjetër zhurmë”, tregon Chris për “Sinjalizo”.

Në të djathtë hosteli i Chris në Tiranë, në të majtë ndërtesa që po ngrihet FOTO:M.Daci

Ai tregon ndër të tjera se ka pasur jo pak ankesa për zhurmën nga klientët e tij nga e gjithë bota.

“Ndodh që hosteli është plot me njerëz dhe ndërtimi fillon që në orën 5 të mëngjesit. Normalisht kur punohet me eskavator dhe ai është vetëm 50 cm larg nga kjo ndërtesë e gjithë ndërtesa shkundet e dridhet. Çfarë mund tju thuash klientëve, çohen në mëngjes dhe thonë që nuk kam pasur as një orë gjumë. Kjo patjetër dëmton biznesin tonë, pasi klientët shkruajnë komente negative që këtu ka zhurmë, ndërtime”.

Ndërtesa që po ngrihet, FOTO: M.Daci

Ndërkohë kjo foto është dërguar në redaksinë e “Sinjalizo” nga një banore që jeton aty pranë ku kjo ndërtesë po ngrihet.

Fotoja është shkrepur në orën 1 pas mesnate teksa duken makineritë e mëdha që hedhin betonin në këtë ndërtesë.

Foto e dërguar nga Sinjalizuesja R.C

Një ndërtim i ri është kthyer në makth edhe për Aldo M. tek rruga e Elbasanit. Ai është 29 vjeç dhe banon aty prej disa vitesh në një prej hyrjeve në një pallat të kohës së komunizmit dhe ngjitur prej muajsh një godinë e re po ngrihet. Aldo është me profesion berber dhe thotë për “Sinjalizo” se dëmi nga zhurma është për të dyfish, edhe si banor por edhe në mjedisin e tij të punës.

Punojnë orar pa orar, i lënë hekurat në rrugë, se kanë problem. Punojnë në 1 të natës, në 2. Kur vjen betonierja njëherë është problem, plus që sjell trafik, bllokohet komplet kjo rruga këtu në lagje”, tregon Aldo.

Ndërtesa e re që po ndërtohet pranë banesës së Aldos

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2021 në qarkun e Tiranës janë dhënë 366 leje ndërtimi, shumica prej tyre normalisht në kryeqytet. Siç vihet re nga monitorimi i trafikut, ka një ngarkesë më të madhe të volumit të trafikut pranë këtyre ndërtimeve ku qarkullojnë automjete të ndryshme të shpërndarjes së materialeve të ndërtimit, por jo vetëm.

Zhurmat përbëjnë vërtet shqetësim për shëndetin e njerëzve, ku sipas të dhënave të OBSH renditet si shkaktari numër dy i sëmundjeve në kategorinë e ndotësve mjedisorë.

Aljona Jonuzi, psikologe me profesion, punon prej vitesh në Tiranë. Ajo tregon se ankesat dhe shqetësimet e klientëve të saj për zhurmat janë të shpeshta.

“Kam shpesh ankesa nga persona që kanë probleme ose mos tolerancë ndaj zhurmave të ndryshme. Ka persona që kanë gjendje ankthi ose vuajnë nga çrregullimet e panikut ose nga pagjumësia dhe në momentin kur ndodhin këto zhurma i kanë të patolerueshme. Acarohen më shpejt, ose janë të ndjeshëm, nga çdo lloj zhurme që ndodh rreth e rrotull. Në shumicën e rasteve ankesat më të mëdha janë për muzikën e lartë, lokalet poshtë pallateve psh me zhurma orar pa orar. Njerëzit bëhen agresivë, të padurueshëm. Nëse çështja e zhurmave është e vazhdueshme atëherë çon deri në ataket e panikut tek disa persona”, tregon ajo për “Sinjalizo”.

Ndërtimet në zonën pas xhamisë së Sahatit, FOTO:M.Daci

Kuadri ligjor dhe udhëzimet apo Vendimet e Këshillit të Ministrave nuk kanë munguar përgjatë viteve në Shqipëri.

Ligji i parë që rregullon ndotjen akustike në Shqipëri është ai i korrikut të vitit 2007.

Tre vite më pas, një VKM e vitit 2010 kishte për qëllim monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike. Në vitin 2012 u miratuan dy udhëzime për çështjen e ndotjes akustike. Po në 2012 u miratua një VKM për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Manaxhimin e Zhurmave.

Në vitin 2014 kishte një urdhër për miratimin e rregullores për mbrojtjen e mjedisit nga zhurmat e aviacionit civil.

Më pas, nga 2015-2018 pati edhe tre udhëzime të tjera në përpjekje për të rregulluar ndotjen akustike.

Edhe pse kuadri ligjor nuk mungon, niveli i zbatimit të këtij legjislacioni, ndër të tjera i përshtatur me direktivat e Bashkimit Europian lë për të dëshiruar.

Një nga arsyet e moszbatimit të legjislacionit është mungesa e strukturave administrative për të zhvilluar më tej Planin Kombëtar. Një ndër arsyet e tjera është mungesa e strategjisë dhe fondeve të alokuara nga pushteti qëndror dhe vendor për zbatimin e politikave për vlerësimin dhe monitorimin e nivelit të zhurmave si dhe krijimin e hartave me njollat e zhurmave. Matjet e fundit për qytetin e Tiranës datojnë në vitin 2015.

ISHP ka kryer monitorimin e zhurmave në mjedis deri në  vitin 2014 dhe më pas ka kryer e vazhdon të kryejë matje për subjekte të caktuara sipas ankesave si dhe për subjekte që aplikojne për leje mjedisi.

Sipas informacioneve të “Sinjalizo”, në Shqipëri nuk ka ekspertë të çertifikuar për zhurmat. Kësisoj, të dhënat e vetëmonitorimeve deklarohen gjithnjë brenda normave kombëtare të lejuara.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter