Autor: Dallandyshe Xhaferri
-“A keni shkuar për të votuar, se po më pyesin këta të punës?”
-“Çkemi si jeni? Ne shkuam dy herë atje se nuk punonte pajisja që në mëngjes. Pa merak”
Kjo bisedë e realizuar gjatë ditës së zgjedhjeve të 14 Majit në aparat celular është dërguar në platformën “Sinjalizo”, nga një sanitare e institucioneve publike, e cila në kushtet e anonimatit tregon se “një muaj përpara zgjedhjeve lokale, iu kam mbledhur kartat e identitetit të njohurve të mi që personat në pozicione drejtuese, që janë në qeveri, të verifikonin se vota jonë ka shkuar për ta”. Më tej, ajo tregon se si vajzës së saj i është çelur mundësia për një vend pune si edukatore, pa e pasur të nevojshme konkurrimin dhe përmbushjen e kritereve.
“Vajza ime jeton në Elbasan dhe koordinatori i PS-së në njësinë e saj i premtoi se do ta punësonte si edukatore pas zgjedhjeve, por ç’e do? Ajo s’ka shkollën”, – shprehet sinjalizuesja, në kushtet e anonimatit.

Rekrutimet e punonjësve pak muaj para zgjedhjeve lokale të 14 Majit
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur për “Sinjalizo” se vetëm gjatë periudhës nga muaji shkurt deri më 5 prill të këtij viti, në Administratën Tatimore Qëndrore janë punësuar 10 punonjës. Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga ky institucion, rezulton se në këtë periudhë parazgjedhore 3 punonjës janë rekrutuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, 4 të tjerë, përkatësisht 2 në Drejtorinë Rajonale Tatimore Shkodër dhe 2 në atë të Tiranës, duke u ndjekur nga Drejtoritë Rajonale Tatimore Dibër, Durrës, si dhe është regjistruar rekrutimi i një punonjësi dhe në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Në kthimin e përgjigjes, nuk përmenden rekrutime të punonjësve në Drejtorinë Rajonale Elbasan, ndërkohë që gjatë një investigimi të “Sinjalizo” rezulton se me rekomandim të Zyrës së Punës janë punësuar në muajin mars të këtij vit të paktën 2 punonjës me kontratë 6 mujore.
Ndërsa, në një raport nga Komisioneri Për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për monitorimin e nëpunësve civil për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, u evidentuan 14 emërime në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë, në Raportin e Ndërmjetëm Parazgjedhor, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka raportuar 2 ditë përpara çeljes së procesit zgjedhor, se zgjedhësit ishin në dijeni për hapjen e vendeve të reja të punës në administratën publike pak muaj para zgjedhjeve.
“Zgjedhësit në këto Bashki (Kukës, Korçë, Malësi e Madhe, Lezhë, Fier dhe Durrës) pohojnë se kanë dijeni për hapjen e vendeve të reja të punës në administratë shtetërore rishtazi, edhe kjo për përfitime të fushatës elektorale. Ndërkohë, kanë perceptimin se punësimi në administratën publike kryhet nëpërmjet një vlerësimi jo-meritokratik, por të bazuar në angazhimin e tyre partiak, sidomos gjatë fushatës”,- raporton KShH.
Drilona Hoxhaj, zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pranon gjatë intervistës për “Sinjalizo” se nuk kanë munguar denoncimet për punësim në administratë gjatë periudhës parazgjedhore.

“Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ka administruar 2 denoncime për punësime në administratë dhe gjatë hetimit administrativ nuk u arrit të provohej se punësimi ishte kryer gjatë periudhës së ndalimit”,– thotë Hoxhaj, e cila thekson se “Kodi Zgjedhor ndalon punësimin apo pushimin, lirimin, lëvizjen dhe transferimin në detyrë vetëm ‘gjatë fushatës zgjedhore’ periudhë e cila, referuar nenit 77, pika 1 të Kodit Zgjedhor, fillon 30 (tridhjetë) ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 (njëzet e katër) orë para datës së zgjedhjeve”,- tregon ajo.
KQZ: Nuk kemi administruar asnjë denoncim për shitblerjen e votës
Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën të ditur për “Sinjalizo” se zgjedhësit në 12 maj, dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale, kanë pohuar masivitetin e aktit të shitblerjes së votës.
“Në Bashkinë Lezhë, është pohuar se subjektet zgjedhore ofrojnë shuma parash që arrijnë vlerën 100 euro për votën për anëtarë të Këshillit Bashkiak si dhe ka raste masive të shpërndarjes së tollonave të naftës si shpërblim për individë të ndryshëm që angazhohen në takime elektorale”,- bën të ditur KShH, ndërkohë që në raport nënvizohet dhe presioni që u bëhet qytetarëve për të votuar njërin kah politik.
“KShH është njohur me të dhëna të sinjalizuara në terren, në Bashkinë Elbasan, sipas të cilave, pretendohet se eksponentë të lartë të subjektit zgjedhor PS i bëjnë presion votuesve duke i përcjellë informacion se ditën e votimit, vota e tyre do të jetë lehtësisht e identifikueshme”,- thuhet në raportin e KShH-së ndërkohë që raportohet se “mungesa e hetimeve të shpejta dhe ofrimi i mbrojtjes ndaj kallëzuesve” janë dy nga arsyet kryesore pse qytetarët e thjeshtë janë indiferentë ndaj raportimeve të krimeve zgjedhore, kryesisht të shitblerjes së votës.
Zëdhënësja e KQZ-së, Hoxhaj përforcon këtë fakt duke pohuar se “Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka administruar asnjë denoncim në lidhje me shitblerjen e votës,”- duke shtuar se,- “problematikat më të shumta janë shfaqur në qendra votimi të bashkisë Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Shkodër,Tropojë, Korçë, Pogradec, Selenicë, Konispol, Dropull, Peshkopi, Berat dhe Malësi e Madhe”.
Gerta Meta, drejtoreshë ekzekutive e “Shoqërisë për Kulturë Demokratike” tregon për “Sinjalizo” se “shitblerja e votës është një fenomen për t’u vërtetuar nga vetë partitë politike apo dhe institucionet pasi nuk kanë arritur ta kapin në flagrancë”, ndërkohë shton se ky proces “është evident dhe i kuptueshëm për qytetarët qoftë me para cash, qoftë me favorizime të shkeljes së ligjit”.

“Qoftë në shpërblime me tendera apo PPP-ra për joshjen e biznesmenëve në financimin e fushatave zgjedhore pa transparencën e duhur bazuar në Kodin Zgjedhor, intimidimin e punonjësve të administratës apo shpërblime specifike nga qeveria për target grupe të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore”,- vazhdon Meta, duke shtuar se një tjetër mënyrë shitblerjeje e votës është dhe “fryrja e adminstratës në fushatë apo edhe veprimtari të ndaluara nga institucionet shtetërore 4 muaj para zgjedhjeve”,- përfundon ajo, duke theksuar se “të gjitha këto forma i shërbejnë rritjes së presionit për shitblerjen e votës”.
31 kallëzime penale në Prokurori, KQZ: Provat të pamjaftueshme
Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur për “Sinjalizo” se gjatë zgjedhjeve të fundit lokale për krimet zgjedhore “janë regjistruar 31 kallëzime penale” dhe “janë arrestuar në flagrancë 6 persona, prej të cilëve 2 në Sarandë, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë”.
Më tej ky institucion sqaron se “janë regjistruar gjithsej 18 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 326/a, 327/1, 328, 328/a/1, 329, 330, 331/a, 190, 248, 84 të Kodit Penal”. Konkretisht këto nene parashikojnë ushtrimin e presionit mbi votuesin, pengimin e tij për të ushtruar vullnetin e lirë, kanosjen, identifikimin e zgjedhësve me dokumentacion të rremë, shitblerjen e votës, braktisjen e punës nga personat e zgjedhur për administrimin e procesit te votimit etj.
Katër prej këtyre procedimeve penale janë regjistruar në Prokurorinë Elbasan, 4 të tjera ne atë Beratit, duke u ndjekur më pas nga 2 të regjistruara në Prokurorinë e Vlorës, si dhe në Prokurorinë e Kukësit, Beratit, Sarandës etj.
Ndërkohë, Drilona Hoxhaj shprehet për “Sinjalizo” se “gjatë ditës së zgjedhjeve, më 14 Maj 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve administroi 46 denoncime në lidhje me problematikat e procesit zgjedhor.” Sipas saj, problematikat e hasura më 14 Maj fillonin nga ato që kishin të bënin me vonesat në fillimin e procesit të votimit në disa QV, intimidimin në procesin e votimit apo presionin ndaj zgjedhësve dhe deri tek ‘votimi familjar’, ndërkohë që shton se “nga provat e administruara nuk u arrit të provohej pretendimi i dërguar nga denoncuesit”.
Prokuroria bën të ditur në përgjigjen e saj se “është vendosur mosfillim i hetimeve për 3 kallzime penale, prej të cilave 2 mosfillime nga Prokuroria Dibër dhe 1 mosfillim nga Prokuroria Gjirokastër”, ndërkohë që shton se kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi dhe se “i është atribuar vepra penale për 25 shtetas”.
Gjithashtu, ky institucion tregon për “Sinjalizo” se “janë kaluar për kompetencë hetimi në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 3 procedime penale, 2 nga Prokuroria Berat dhe 1 nga Prokuroria Vlorë” ndërkohë që “është caktuar si masë sigurimi “arrest në burg”, për dy persona nga Prokuroria Vlorë”.
Zgjedhjet e 14 Majit, të rinjtë bojkotuan
Gerta Meta thekson për “Sinjalizo” se problematikat që shoqëruan zgjedhjet e 14 majit ishin të përsëritura ndër vite, “por çfarë ka bërë diferencën është pjesëmarrja e ulët në zgjedhje me 38.23%”.
“Sidomos pjesëmarrja e të rinjve për herë të parë rreth 16 000 të rinj nga 46 575 pjesëmarrës në vitin 2021”,- thënë ndryshe, në procesin zgjedhor morën pjesë 66% më pak të rinj, krahasuar me vitin 2021.
Ajo përfundon fjalën e saj duke pohuar se “nga 144 kandidatë për kyetarë bashkie në të gjithë vendin vetëm 15 kandidate ishin gra dhe nuk kishin hapësirën e duhur për të patur një garë korrekte e të barabartë”.