Fabrika e bakrit në Fushë-Arrëz ndot të tashmen dhe të ardhmen

Autor: Merxhan Daci

Derdhja e mbetjeve nga pasurimi i bakrit po dëmton banorët dhe mjedisin e zonave që përshkohen nga lumi Fan i Madh, duke përfshirë disa fshatra të bashkive Fushë-Arrëz dhe Pukë.

Fshati Gjegjan me 2800 banorë është një nga zonat që po penalizohet, megjithëse ka potencial për turizëm.

Sapo hyn në qytetin e vogël të Fushë-Arrëzit, në veri të tij ndjen në nuhatje praninë e rëndë në ajër të metaleve. Gurët e lumit Fan i Madh, që kalon anash qytetit, kanë marrë ngjyrën e verdhë të bakrit.

Prej vitesh lumi Fan i Madh në zonën e Pukës dhe Fushë-Arrëzit është i ndotur nga prania e lartë e bakrit.

Fabrika e pasurimit të tij në Fushë-Arrëz, Beralb sh.a., u gjobit së fundmi nga autoritetet, pasi shkarkonte në mënyrë të pakontrolluar mbetjet e bakrit.

Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit tha se ka ushtruar kontroll në fabrikën e bakrit në Fushë-Arrëz. Gjatë këtij kontrolli konstatoi se kjo fabrikë shkarkonte ujërat e ndotura industriale në lumin Fan, duke sjellë si pasojë ndotjen e tij.

Ndaj këtij subjekti më 9 qershor IKMT mori masë administrative me gjobë 2 milionë lekë për shkeljen e kryer.

Dëmi në mjedis dhe në jetët e njerëzve

Lumi Fan i Madh buron në fshatin Kryezi në njësinë administrative Qafë-Mali, gjarpëron në krah të qytetit të Fushë Arrëzit dhe më tej në njësinë administrative Gjegjan, derisa derdhet në Adriatik.

Ai ka vlera ekonomike dhe klimatike-mjedisore, por është ndotur në mënyrë të përsëritur nga derdhja e mbetjeve të fabrikës së pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz. Për shkak të natyrës së mbetjeve, që përmbajnë metale të rënda, përdorimi i ujit paraqet probleme, si për njerëzit, ashtu edhe për florën dhe faunën.

Është e gjithëpranuar se një nga pikat e dobëta të Bashkisë së re të Fushë-Arrëzit është keqmenaxhimi i burimeve minerare të bakrit nga shoqëritë private dhe ndikimi në mjedis i derdhjeve të fabrikës së pasurimit të bakrit në lumë.

Kjo problematikë konfirmohet edhe nga banorët e zonave përgjatë lumit Fan i Madh.

Ndue Zaja, banor i fshatit Gjegjan në Fushë-Arrëz, tha për Faktoje se uji i lumit Fan është i dëmshëm për çdo lloj bimësie në zonë.

Shumë gjallesa kanë ngordhur, si p.sh., bretkosat, peshqit, gjarpërinjtë. Bagëtitë tona nuk e pinë ujin e lumit. Ne nuk e vadisim dot tokën se bimët thahen”, – tregon ai.

Edhe Dodë Zaja, po ashtu banor i fshatit Gjegjan, thotë se ndotja e lumit ndikon shumë në komunitetin e tyre.

Ne nuk e përdorim fare ujin e lumit, ujin që pimë, e marrim nga një burim tjetër këtu afër”, – thotë ai.

Tonin Ndoci thotë se lumi që gjarpëron në fshatin Gjegjan ka ndryshuar shumë.

Dikur laheshim në të, kapnim peshq, tani është dëmtuar shumë”, – pohon ai.

Banorët po ashtu thonë se, ndonjëherë, kur fëmijët e fshatit nuk i rezistojnë vapës së verës dhe kridhen në lumë, shfaqin infeksione në lëkurë.

Në fillim të qershorit disa aktivistë protestuan për ndotjen e lumit Fan në Fushë-Arrëz.

Citizens Channel

Ata iu bënë thirrje qytetarëve të zonave përreth të bashkohen dhe këtë banderolë e varën përpara bashkisë së Fushë-Arrëzit.

Sajmir Beqiraj, hidrobiolog, njëkohësisht profesor në Universitetin e Tiranës, thotë se prania e shtuar e bakrit në lumenj sjell largimin ose ngordhjen e disa gjallesave dhe dëmtim të vegjetacionit.

Shtimi i vazhdueshëm dhe në sasi të madhe i bakrit, zakonisht nga aktivitetet industriale, mund të ndikojë në ndryshimin e raportit midis përbërësve të ndryshëm kimikë të ujit, rrjedhimisht ndikon edhe në prishjen e cilësisë së tij. Vetëm një numër i kufizuar speciesh mund ta tolerojë këtë ndryshim, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë të ndjeshme në aspektin ekologjik dhe mjedisor, të cilat mund të zhvendosen (nëse e kanë të mundur), në një pjesë tjetër të lumit ose të ngordhin, siç ndodh në shumicën e rasteve”, – tha ai.

Beqiraj, thotë se ndotja e lumit mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut, si dhe në aspektin social-ekonomik për banorët e zonës.

Nëse lumi përdoret për ujë të pijshëm ose është i lidhur me ujëra nëntokësorë që mund të shërbejnë si burime të ujit të pijshëm për banorët e zonës, ndikimi i ndotjes është i drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut. Për sa i përket ndikimit në aspektin social-ekonomik, ndotja e përhapur me anë të ujit, krahas habitateve të egra natyrore, mund të dëmtojë edhe tokat bujqësore, bimët e kultivuara, drurët frutorë, bagëtitë dhe kafshët e tjera shtëpiake që përdorin ujin dhe habitatet e zonës”, – tha Beqiraj.

Ndër të tjera ai shton se në Shqipëri për pjesën më të madhe të lumenjve ekziston mundësia që gjendja ekologjike dhe mjedisore të mos degradojë në ekstrem, por, sipas tij, nuk ka më kohë për të pritur.

Nëse nuk veprojmë sot për t’i mbrojtur lumenjtë tanë, nesër do të jetë vonë”, – vëren ai.

Ndotja e konstatuar nga Google Earth

Rast i përsëritur

Kjo nuk është hera e parë që fabrika e bakrit ndot ujin e lumit Fan. Ajo u evidentua si problematike për ndotjen edhe në vitin 2014.

Ditën për diell, asokohe kompania derdhte mbetjet e bakrit duke bërë që edhe banorët të ankoheshin për shkallën e lartë të ndotjes.

Këto janë pamjet e 6 viteve më parë të raportuara nga media lokale, Puka TV.

Më herët, në vitin 2013, banorët protestuan te fabrika, me pretendimin se aty nuk po punësoheshin vendasit dhe se “asnjë pikë e marrëveshjes, as ajo e ndotjes së tokës, ujit, ajrit, nuk është rishikuar nga firma”.

Zona ka potencial turistik

Banorët kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e turizmit në këto zona, edhe pse merren kryesisht me bujqësi, sa për të mbajtur familjet e tyre.

Ata kanë filluar të ngrenë bujtinat e para, teksa thonë se numri i turistëve të huaj vjen duke u shtuar.

Turizmi, veçanërisht ai malor dhe kulturor, është një nga vlerat më të mëdha dhe të pashfrytëzuara të Bashkisë së Pukës dhe Fushë-Arrëzit.

Anisa Gjergjari, banore e fshatit Gjegjan, tha për Faktoje se ndotja e lumit po ndikon negativisht në zhvillimin e potencialit turistik.

Ky problem është shumë shqetësues, madje edhe për zonat përreth, sepse po ndot lumin e Fanit dhe sigurisht edhe prish pamjen e bukur të natyrës. Një bujtinë për shembull po hapet në fshat. Gjegjani është vend shumë i bukur dhe i pasur me natyrë”, – i tha ajo Faktoje.

Megjithatë, niveli i turizmit mbetet ende shumë i ulët po ta krahasosh me potencialin e zonës.

Siç thonë edhe ekspertët e mjedisit, lumi nuk është një vijë uji që rrjedh dhe nuk duhet trajtuar si i tillë. Fani i Madh pret të ngrihet në nivelin e emrit.

*Foto në krye të shkrimit marrë nga Donjetazeqanews.wordpress.com

Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ).Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter