Hidrocentalet në Alpe, pasojat edhe në Malin e Zi!

Një nga lumenjtë më të bukur të Alpeve të Shqipërisë, lumi Cem, shumë shpejt rrezikon të jetë pre e 9 hidrocentraleve, duke dëmtuar, jo vetëm turizmin, por edhe të ardhmen e banorëve të këtyre zonave.

Autor: Ardit Toca

Banorët e zonës së Tamarës, Selcës dhe Lëpushës, nga ku kalon edhe lumi Cem, i bashkon shqetësimi për të ardhmen e lumit, por duken të dorëzuar.

“Ç’të bëjmë ne? Pak kemi protestuar. Nuk pyet njeri këtu, do bëhet si të thonë ata. Me na heq dhe ujin, ne jemi të marrë fund”, – thotë një banor, i vetmi që pranon të flasë, por jashtë kamerave.

Projektet për ndërtimin e këtyre HEC-eve, aktualisht dy prej tyre në funksion, kanë sjellë edhe zemërimin e banorëve.

Lumi Cem është një lumë tipik alpin dhe fakti që ndodhet në një zonë, ku natyra është e virgjër, ka bërë që vitet e fundit, me përmirësimin edhe të infrastrukturës, të shtohet numri i vizitorëve.

Kjo bëri që banorët e zonës, kryesisht në Tamarë dhe Lëpushë, të investonin në ndërtimin e bujtinave.

Megjithatë, banorët duken të pafuqishëm për të bërë diçka që rrjedha e lumit Cem të mos prishet nga hidrocentralet.

Të vetmet protesta publike janë disa tabela të vendosura përgjatë lumit Cem.

Cemi është një lumë që kalon nëpër Shqipëri dhe Mal të Zi. Lumi buron në Kelmend të Malësisë së Madhe në Shqipëri. Ai rrjedh në drejtim të përgjithshëm jugperëndimor përmes Kuçit dhe Grudës për rreth 64.7 kilometra, para se të bashkohet me Moraçën në jug të Podgoricës, në Mal të Zi.

Ekspertët e mjedisit janë të shqetësuar, jo vetëm për apatinë, por edhe për faktin që banorët, që preken nga këto ndërtimeve, nuk janë konsultuar.

Për ekspertin Abdulla Diku shqetësues është fakti se për ndërtimin e këtyre HEC-eve nuk është bërë asnjë konsultim, qoftë me banorët, apo edhe me fqinjët.

Ju i mbani mend ndërtimet e HEC-eve në lumin e Radikës, sa protesta kanë bërë shqiptarët, ndërsa, kur vjen puna te Mali i Zi, nuk i zbatojmë këto kontrata. Një situatë e tillë sjell kaos mjedisor në këtë lumë të bukur alpin, por sjell edhe marrëdhënie jokorrekte me Malin e Zi.

Do duhen shekuj për ta kthyer lumin Cem siç ka qenë. “

Eksperti Abdulla Diku

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, në këtë lumë është planifikuar të ndërtohen gjashtë hidrocentrale, (dy prej tyre janë tashmë duke u ndërtuar), por, sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Njerëzore, janë 9 hidrocentrale që do të ndërtohen.

Këto projekte kanë zemëruar edhe ata që kanë shfrytëzuar turizmin lumor në Mal të Zi.

Një nga destinacionet më të vizituara në Mal të Zi është Kuce Rakica apo e njohur ndryshe dhe si Ujëvara e Niagarës.

Përgjatë kësaj ujëvare, ku kalon lumi Cem, janë ndërtuar resorte. Pronarët e një restoranti thonë se, “ndërtimi i hidrocentraleve në Cem do ta dëmtojë këtë bukuri të natyrës e për rrjedhojë do të bjerë edhe numri i turistëve”.

Të shqetësuar për këtë janë edhe agjencitë turistike në Shqipëri. Janë me dhjetëra agjenci turistike që planifikojnë pothuajse çdo fundjavë vizita në Mal të Zi, ku në programin e tyre është gjithashtu edhe një ndalesë në këtë ujëvarë.

Harta nga balkanrivers.com

Lumi Cem – Pjesa e Malit të Zi

Ndalesa në Malin e Zi ishte në Tuz, pranë Ujëvarës së Niagarës, ku për disa nga banorët që intervistuam ndërtimi i këtyre hidrocentraleve ishte në dobi të qytetarëve. Për ta kjo do të thotë: më shumë burime energjie dhe ulje të çmimit të energjisë.

“Mendoj se është pozitiv ndërtimi i hidrocentraleve, pasi kështu kemi më shumë burime energjie, edhe ne e blejmë më lirë”, – thotë një banor.

Por, ambientalistët nuk ndajnë të njëjtin mendim. Ambientalistët kanë protestuar, duke i kundërshtuar këto projekte, që sipas tyre dëmtojnë natyrën dhe zhdukin lumenjtë. Për ta rasti i lumit Cem ka nxjerrë në pah faktin se qeveritë nuk negociojnë me njëra-tjetrën, kur vjen puna te pasuritë natyrore.

Mungesën e konsultimit mes dy qeverive e konfirmon edhe ambientalisti malazez,

Alaksandar Peroviq, nga Eco-Ozon.

“Çështja Cijevna ka nxjerrë në pah gjithçka që ishte praktikë në të shkuarën. Qeveria malazeze bashkëpunon me fqinjët, vetëm kur bëhet fjalë për marrëdhëniet tregtare, por, kur bëhet fjalë për natyrën, ky komunikim nuk është aspak në nivelin e duhur. Konventa ESPOO, në lidhje me ndikimet ndërkufitare mjedisore, i detyron të gjitha shtetet që ta respektojnë atë. Kjo do të thotë se, kur ndërtohet një strukturë në rrjedhat ujore me rëndësi ndërkombëtare, siç është lumi Cem, duhet konsultë mes fqinjëve. Është e qartë se qeveria e Shqipërisë, ashtu si edhe ajo e Malit të Zi, kanë realizuar projekte të vogla hidrocentralesh, pa u konsultuar me fqinjët.”

Dëmet sipas ambientalistëve janë të mëdha dhe të pariparueshme, jo vetëm në speciet që do të zhduken, por do të ndikojnë edhe në cilësinë e jetës së vendbanimeve përgjatë lumit Cem. Futja e ujit në tub do të thotë më pak ujë për tokat bujqësore.

“Lumi Cem është pjesërisht i mbrojtur si një monument natyror, – thotë, – Peroviq, që nënkupton një plan të duhur menaxhimi, si dhe një vlerësim të rrezikut të shkatërrimit të mëtejshëm. Fakti që nuk ka asnjë plan për mbrojtjen e Cijevna-s, tregon se sa qeveria jonë është “e shqetësuar” nga shkatërrimi i lumenjve që po ndodh brenda Malit të Zi, si dhe që po zhvillohet aktualisht në territorin e Shqipërisë”.

Ujëvara Kuce Rakica

Ministria e Infrastrukturës dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në Shqipëri konfirmon se “në pellgun e lumit Cem parashikohet të zhvillohen 9 hidrocentrale me koncesion ose në zbatim të VKM 822, nga të cilat 2 janë në ndërtim dhe 7 të tjera janë në fazat e marrjes së lejeve përkatëse”

Ndërsa, sa i përket konsultimeve mes dy qeverive, AMBU i referohet një marrëveshjeje kuadër, “Për marrëdhëniet e ndërsjella në menaxhimin e burimeve ujore, ndërkufitare, e miratuar me VKM Nr. 745, datë 19.12.2018”

Jo të gjitha lejet e dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri prej afro një dekade janë ekzekutuar.

Sipas Rodion Gjokës, inxhinier Mjedisi, kjo më shumë se me shqetësimin për ndikimin në mjedis ka të bëjë me pamundësinë ekonomike të operatorëve ose presionin e banorëve, të cilëve iu është mohuar aksesi në ujëra.

“Sot jemi në situatën ku Valbona, lumi Cem, lumi Fan e shumë e shumë të tjerë po futen në tub si të ishin prona private. Jemi në kushtet kur po shkelet Kushtetuta, jo thjesht ligjet që mbrojnë mjedisin apo shëndetin publik”, – thotë Gjoka.

Strategjia për të ndërtuar një “superfuqi energjitike”, bazuar në ndërtimin e 350 koncesioneve HEC-esh të vogla dhe të mesme, në praktikë nuk po kundërshtohet vetëm nga ambientalistët, por edhe nga banorët e zonave që preken nga zhvendosja e ujit nga shtrati natyror në tuba. E ardhmja e tyre cenohet në mënyrë të pakthyeshme.” përfundon ai.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter