Drejt plazheve, por në kërkim të vrojtuesve të tyre

“Në rastet kur shënohen mbytje të pushuesve, nuk përcaktohet se çfarë përgjegjësie ka stacioni i plazhit që s’kontrakton vrojtues apo vetë vrojtuesi, veprimi apo mosveprimi i të cilit nuk ka rezultuar në shpëtimin e jetëve të pushuesve”, thekson si shqetësim përgjatë auditimit të plazheve Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas KLSH, mjafton të shikohet shembulli i Greqisë, ku profesioni i vrojtuesit të plazhit rregullohet me një sërë aktesh pa harruar edhe Kodin Penal, që ka futur si vepër penale të posaçme rolin e vrojtuesit, që në rastet e mbytjeve parashikon dënimin me burg atëherë kur ai nuk vepron.

Por ligji që përfshiu vrojtuesin në plazhet e Rivierës Shqiptare, duket se së pari vijon ta trajtojë atë më së shumti si një aksesor të kullës, ndonëse që nga hyrja në fuqi e ligjit kanë ndodhur disa ndryshime. Megjithatë një VKM e pesë viteve më parë e vë theksin tek ekzistenca e një kulle se sa tek profili i shpëtuesit të ujit, i cili duhet të angazhohet nga bizneset turistike i gatshëm për të ndihmuar njerëz. Por Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se kullat me gjatësi 3 metra për çdo 200 deri në 250 metra plazh nuk rezultuan eficente, duke cënuar aftësinë e vrojtuesit për të monitoruar pushuesit dhe shpëtuar jetën në rastet e rrezikut të mbytjes.

Pavarësisht kohës që ka kaluar nga këto gjetje të fund vitit 2018, problemet vijojnë të jenë aktuale dhe ende larg shembullit të Australisë, një shtet i spikatur në këtë fushë ku shpëtohen 5 mijë pushues për sezon për shkak të kontrollit të lartë dhe eficensës.

Nisi sezoni me mungesa shpëtimtarësh

Për të dytin vit radhazi, Shqipëria e çeli sërish sezonin turisik në gjendje pandemie, ku si në çdo fushë është prekur edhe angazhimi i shpëtimtarëve të ujit. Nga jugu në veri tipologjia e plazheve është shumë e ndryshme, por të përbashkët kanë mungesën e vrojtuesve të plazhit, statusi i të cilëve pavarësisht trajnimeve të domosdoshme që duhet tu nënshtrohen, duhet të njihen si profesion.

Në jug të Shqipërisë, Arditi e ka hapur lokalin e tij, para të cilit shtrihet një plazh, që ai shpreson se turistët shqiptarë e të huaj do ta mbushin këtë vit. Në këtë mënyrë, do arrijë të kompesojë edhe një pjesë të humbjeve nga viti i kaluar. Përveç problemeve të biznesit, hall më vete për të ishte edhe gjetja e vrojtuesit të plazhit.

Kam kërkuar 1 muaj deri sa më në fund, rashë në gjurmët e një vrojtuesi plazhi. Se nuk mund të marrësh dikë që s’ja ka haberin asaj pune dhe thjesht ta mbash të rrijë aty. Ne deri tani nuk kemi patur probleme me mbytje ose të ngjashme, por larg qoftë një herë të ndodh, po nuk është i aftë ai personi e merr në qafë atë që ka nevojë”, thotë Arditi.

Ndërkohë, rreth 200 kilometra më në veri, në plazhet e Lezhës, takon Luçiano Markun, një vrojtues plazhi me disa vite eksperiencë, i cili gjatë viteve të punës si vrojtues, ka patur shpesh herë situata të vështira.

Luçiano Marku, vrojtues plazhi në Shëngjin

Momenti më i vështirë i punës është kur ke pushues që është në ujë dhe ka nevojë për ndihmë. Unë për katër sezone kam ndërhyrë në 26 raste të drejtëpërdrejta. Dita më e vështirë ka qenë një e dielë ku sëbashku me dy kolegë kemi nxjerrë 10 persona në një moment kur deti ishte mjaft i trazuar”, thotë ai, duke shtuar se ka patur edhe raste kur është rrezikuar edhe vetë.

Ka qenë një rast me dy pushues që kishin nevojë për ndihmë pasi rrezikonin të mbyteshin dhe ishte e pamundur që ti nxirrja në breg të dyja njëkohësisht, kështu që ndërhyva për ti nxjerrë të dyja në të njëjtën kohë. Ky ka qenë një nga rastet ku edhe unë vetë jam hospitalizuar dhe kam patur nevojë për ndihmë mjekësore”, përfundon ai.

Edhe pse ndjeshmëria për të patur vrojtues plazhi është rritur në zonën e Lezhës, sërish mungesat janë të dukshme.

Çdo vit e më shumë është një trend rritës të vrojtuesit e plazhit, por sërish kemi mangësi pasi vetëm në Lezhë ka nevojë për më shumë se gjysmën e vrojtuesve. Pra nga 240 që i nevojiten Lezhës ne kemi 90 vrojtues. Kërkesat janë shumë më të mëdha se sa oferta që ka tregu”, thotë ai.

Të shpëtuar…

Në 12 muajt e vitit 2019, Shqipërinë e kanë vizituar 4,850,689 turistë prej të cilëve 3,363,970 prej të cilëve në sezon veror, kjo është një shifër e cila përkthehet në rreth 400 mijë turistë më shumë se vera e vitit 2018 dhe rreth 900,000 mijë më shumë se vera e vitit 2017.

Por me rritjen e numrit të turistëve në zonat bregdetare janë shtuar edhe rastet e rrezikimit të mbytjes ose problematikave të tjera në bregdet. Sipas të dhënave nga Shoqata e Vrojtuesve të Plazhit, rezulton se gjatë vitit 2019 janë raportuar 12 humbje jete në det, prej të cilave, 5 janë shkaktuar nga ataku kardiak, 1 nga arsye shëndetësore, 1 si pasojë e goditjes nga mjet lundrues, 1 nga pasoja që janë lidhur me rrethana kriminale dhe 4 prej tyre si pasojë e mbytjes në det. Shifër kjo që është e ulët në krahasim me dy vitet e mëparshme, ku nga i njëjti burim të dhënash, në 2017 raportohet se kanë humbur jetën 42 persona.

Gjatë verës së 2019, i cili ishte një sezon turistik i pandikuar nga pandemia “Covid-19”, Vrojtuesit e Plazhit kanë raportuar 84 raste shpëtimi, ku bëhet fjalë për raste që ka qenë e domosdoshme ndërhyrja e vrojtuesve për ti nxjerrë të rrezikuarit në breg. Prej këtyre rasteve, 24 kanë qenë në kushte kritike dhe janë mbajtur ose janë rikthyer në jetë deri në mbërritjen e ndihmës mjekësore të specializuar.

Problemet e trajnimit të vrojtuesve të plazhit nëpër qytete

Saranda është një nga qytetet më të preferuara shqiptare për pushime vere. Vendosja strategjike e qytetit buzë detit Jon, e bën të preferuar për shumë pushues për shkak edhe të aksesit të shpejtë që ka në qytezën e Ksamilit ose në plazhet e Rivierës Shqiptare. Vija e plazheve të Sarandës shtrihet prej Borshit e deri në Ksamil, dhe ka nevojë për një numër të madh vrojtuesish për të garantuar sigurinë në ujë të pushuesve.

Një numër fiks për vrojtues plazhi në Sarandë nuk mund ta them, pasi një pjesë e tyre janë trajnuar dhe janë larguar jashtë. Aktualisht janë certifikuar 100 vrojtues në zonën e Sarandës”, shprehet Agron Halili, kreu i trajnimeve të Shoqatës së Vrojtuesve të Plazhit në Sarandë.

Por problematike për të, janë pjesa dërrmuese e plazheve. “Problematike janë të gjitha zonat, të gjitha plazhet kanë probleme, 80% e tyre për sa i përket individit të trajnuar dhe bazës materiale. Ka patjetër subjekte që janë të ndërgjegjësuar për këtë pjesë, por janë të pakta”, thotë ai.

Por të kualifikohesh për të qenë një vrojtues plazhi ka disa kritere. “Trajnimi është i ndarë në dy forma, një i fragmentizuar gjatë javës 2 ose 3 herë në javë që zgjat një muaj ose ditë për ditë që zgjat 20 ditë”, thotë Agroni i cili shton se trajnimi konsiston në pjesën teorike dhe praktike, ku në atë teorike përfshihen karakteristikat e plazheve, ndihma e shpejtë, problematikat mjekësore, si dhe transporti. Ndërkohë nga ana praktike bëhet pjesa e notimit, instruktimi pasi është një lloj notimi ndryshe që vrojtuesit e plazhit duhet të zotërojnë, që nga mënyra se si bëhet hyrja në ujë e deri te notimi drejt personit që kërkon ndihmë dhe vendosja e materialeve të transportit.

Pjesë e trajnimit është edhe komunikimi me qendrën shëndetësore, në mënyrë që mjekët të përgatiten për problematikën shëndetësore që i pret. Gjithashtu trajnohen edhe për pjesën e vendosjes së sinjalistikës, mirëmbajtjes së saj por edhe komunikimit me frekuentuesit e plazhit”, tregon Agroni, i cili u bën edhe thirrje zotëruesve të plazheve që mos ta lënë trajnimin e vrojtuesit të plazhit për në momentin e fundit, pasi është një trajnim që kërkon përkushtim dhe vullnet.

Në fund të fundit vrojtuesi do të ketë jetën e pushuesit në dorë, nuk mund të neglizhohet trajnimi dhe pas trajnimit që bëhet për tu certifikuar vrojtuesi duhet të kaloj provimin. Nëse ai ose ajo nuk arrin të kalojë provimin, nuk certifikohet”, përfundon ai.

Një mungesë e vazhdueshme

Vjet janë rregjistruar mbi 1700 biznese por operojnë më tepër, një numër të saktë nuk e di. Këtë vit pritet të jenë mbi 2 mijë biznese dhe numri i vrojtuesve që janë certifikuar është diku te 780. Tregu kërkon mbi 2000 vrojtues, por të gjithë kujtohen në momentin e fundit”, kjo është përgjigjja që Genti Lasku, sekretar i Federatës së Vrojtuesve të Plazhit, të jep në momentin që e pyet në lidhje me mungesën e madhe që ka vendi për këta punonjës të vijës së parë. Por vrojtuesit e plazhit, shihen nga operatorët e biznesit më shumë si një kriter për të plotësuar kriteret ligjore për marrjen e lejeve që të vijojë punën e tyre, sesa si një punonjës i domosdoshëm për të garantuar sigurinë dhe jetën e pushuesve në brigjet e detit.

Në 2020 janë bërë rreth 120 ndërhyrje, duke filluar që nga mjekimi i çarjeve, thyerjeve etj. Rreth 40 prej tyre kanë qenë të një grade me rrezikshmëri të lartë, 25 të gradës ekstreme nga të cilët 8 kanë qenë me rikthim në jetë, reanimin kardiopulonar, kanë qenë pa puls dhe janë rikthyer në jetë”, thotë Lasku, duke u përpjekur të tregojë rëndësinë që kanë për sigurinë e jetës në det vrojtuesit e plazhit.

E kur e pyet për situatën, ai të tregon dhjetra probleme, por një pjesë të fajit ua ngarkon edhe vrojtuesve duke sjellë edhe një shembull. “Edhe vrojtuesit kanë fajet e veta. Ka ndodhur vjet që një vrojtues plazhi është regjistruar në dy biznese, por janë marrë masa që kjo mos të ndodhi më”.

Genti Lasku është kritik edhe për zbatimin e ligjit, pasi në pjesën më të madhe nuk sigurohen mjetet e vrojtuesve të plazhit që kërkohen nga ligji nga pronarët e bizneseve.

                                          Plazhi i Gjirit të Lalëzit, Foto: ACQJ

Në ligj është e mirëpërcaktuar madje e gjithë baza materiale që duhet siguruar. Këtë nuk e ka për detyrë i punësuari, por subjekti dhe duhet ti vendosë në dispozicion mjetet e punës. Të paktën të zbatojnë ligjin në dy kritere, bova e shpëtimit dhe kutia e ndihmës së parë mjekësore, por kuti e ndihmës së parë mjekësore për vrojtuesit e plazhit dhe jo nga ajo që blihet në farmaci, sepse nuk është për atë punë”, radhit ai.

E ndërkohë që kulla e vrojtuesit të plazhit, është ngritur gjatë sezoneve të kaluara si objekt simbolik që tregonte mungesën e vrojtuesit, Lasku shprehet se është një objekt i panevojshëm për tipologjinë e plazheve shqiptare.

“Në ligjin e vjetër nuk u merrte njeri me vrojtuesin e plazhit, por me kullën e vrojtimit e cila duhet të ishte mbi 3 metra e lartë dhe mbi 200 metra larg njëra tjetrës. Kulla nuk shkon të shpëtoj njeri në plazh o zotëri. Deri vjet policia shkonte në plazhe dhe kërkonte ku e ke kullën. Tani, me ligj është pika e vrojtimit, çadra e kuqe, flamuri, dhe tabelat se çfarë simbolizon sinjalistika e dhënë”, thotë ai duke treguar se në Shqipëri ka kulla me tjegulla në mes të plazhit, të cilat praktikisht janë ndërtim pa leje.

Për këtë shkrim Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore kontaktoi edhe Ministrinë e Turizmit, për të marrë një informacion se si është situate aktuale dhe nëse ka një plan pune për përmirësimin e mungesës së vrojtuesve të plazhit, por ministria e pati të pamundur për të realizuar një intervistë.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter