Kush mban përgjegjësi për jetën e elektricistëve?

Brenda pak muajsh, elektricistë në Lezhë, Lushnjë, Himarë, Pogradec, Patos dhe Belsh humbën jetën gjatë ndërhyrjeve në rrjet. Në disa raste, dyshimet lidhen me linja të pastakuara ose masa sigurie që dështuan. Ndërkohë, OSHEE Group, Inspektorati i Punës dhe Ministria e Infrastrukturës nuk iu përgjigjën kërkesave të ACQJ-së për bilancin e aksidenteve dhe përgjegjësive, duke lënë pa sqaruar zinxhirin institucional.

Denada Jushi

Çdo ditë, qindra elektricistë në të gjithë Shqipërinë ngjiten mbi shtyllat e tensionit të lartë për të garantuar energji, shpesh duke sfiduar motin dhe rreziqet. Por vetëm gjatë muajve të fundit, një seri aksidentesh tragjike ka marrë jetën e dhjetëra punonjësve të terrenit. Prapa çdo ngjarjeje fshihet një zinxhir gabimesh teknike, mungesë procedurash sigurie dhe një heshtje e plotë nga institucionet shtetërore e kompanitë publike.

Arbeni ka më shumë se dy dekada që niset çdo mëngjes për të çuar dritë në zonat më të thella të Veriut të Shqipërisë. Çdo ditë për të është e ndryshme. Kohët kanë ndryshuar, por vështirësitë mbeten po ato.

“Puna më e vështirë është gjatë stuhive. Në këtë profesion nuk ka orar dhe nuk mund të thuash ‘nuk iki’ sepse bie shi apo fryn erë. Nuk kam më frikë kur ngjitem në shtyllë, kur isha i ri po, tani jam mësuar,” rrëfen ai.

Ky është një profesion që rrezikon jetën çdo ditë, por që Arbenin nuk e tremb më. Megjithatë, të dhënat e grumbulluara përgjatë vitit të fundit për aksidentet me pasoja fatale në rrjetin elektrik shpalosin një realitet tejet shqetësues.

Elektricistë që kanë humbur jetën, janë plagosur apo kanë rrezikuar jetën gjatë ndërhyrjeve, shpesh për shkak të mosstakimit të energjisë, tregojnë për një problem strukturor për të cilin flitet pak. Prej javësh kemi insistuar për kontakt me institucionet përgjegjëse, por ato refuzojnë të japin sqarime mbi shkaqet, kontrollet dhe përgjegjësitë e tyre.

Zinxhiri i tragjedive pa përgjigje

Në fshatin Rrilë të Lezhës, në shkurt të vitit 2026, 27-vjeçari M.P. humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë punës. Pas ngjarjes, katër punonjës të OSHEE-së, mes tyre edhe një inxhinier, u proceduan penalisht për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Hetimi penal ende nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes kryesore: Si mundi një elektricist të prekte një linjë me tension, kur ndërhyrja duhej të kryhej vetëm pas stakimit të plotë të energjisë?

Rasti i Lezhës nuk është i izoluar. Brenda pak muajsh, një seri aksidentesh të rënda ka përfshirë punonjësit e mirëmbajtjes së rrjetit:

Prill 2025 (Mërtish, Lushnjë):
Një 32-vjeçar humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje. Dy kolegë të tij u arrestuan nën dyshimin se nuk kishin stakuar linjën ku po kryhej riparimi.

22 Korrik 2026 (Himarë):
55-vjeçari B.B. humbi jetën gjatë punës për rikthimin e energjisë pas stuhisë, pasi dyshohet se iu shkëput rripi i sigurisë, duke e rrëzuar nga shtylla.

Korrik 2026 (Guri i Kuq, Pogradec):
A.B., punonjës i mirëmbajtjes së ndriçimit rrugor, ra në kontakt me energjinë. Sipas raportimeve, rrjeti kishte dy linja tensioni, por ishte stakuar vetëm njëra prej tyre.

11 Shtator 2026 (Margëlliç, Patos):
E.D. u gjet pa shenja jete pranë një shtylle elektrike të rrëzuar.

12 Shtator 2026 (Trojas, Belsh):
K.Z., 32 vjeç, humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën gjatë riparimit të linjës.

Rrethanat ndryshojnë, por emëruesi i përbashkët mbetet i njëjtë: kur ndodhin ngjarje të këtilla tragjike, hetimet rrallë shkojnë te përgjegjësia e vërtetë zyrtare.

Institucionet mbyllin sytë dhe gojën

ACQJ iu drejtua OSHEE Group, Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me kërkesa zyrtare për të marrë një bilanc të plotë mbi aksidentet, shkeljet e konstatuara, masat disiplinore, kontrollet ndaj nënkontraktorëve dhe fondet e alokuara për trajnime e pajisje mbrojtëse. Deri në publikimin e këtij shkrimi, asnjë nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje.

Sipas të dhënave jozyrtare të mbledhura nga inxhinieri elektrik Azmer Duleviç, vetëm përgjatë vitit të fundit kanë humbur jetën më shumë se 18 elektricistë në sektorin publik dhe privat, një shifër që mbetet e pamundur të verifikohet zyrtarisht për shkak të murit të heshtjes nga autoritetet.

Inxhinieri Azmer Duleviç shpjegon se siguria në punë nuk përfundon thjesht me “fikjen e çelësit”:

“Përpara çdo ndërhyrjeje duhet të identifikohet saktë linja, të shkëputen të gjitha burimet e furnizimit, të parandalohet rienergjizimi aksidental, të verifikohet fizikisht mungesa e tensionit dhe të vendosen tokëzimet mbrojtëse. Fakti që një linjë është stakuar nuk mjafton për të garantuar jetën e punonjësit.”

Sipas tij, një linjë e deklaruar pa tension mund të rienergjizohet nga një manovrim i gabuar, nga një gjenerator privat apo nga tensioni i induktuar prej linjave ngjitur. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm elektricistit mbi shtyllë. Duhet të dokumentohet me procesverbal se kush e kreu stakimin, kush e verifikoi mungesën e tensionit, kush e siguroi zonën dhe kush e dha lejen përfundimtare për punë.

Nga ana tjetër, pedagogia dhe inxhinierja Pranvera Hysenaj thekson se kompanitë e sektorit duhet të kenë drejtues të dedikuar për sigurinë në punë: “Kjo nuk është kosto, por investim që duhet realizuar me patjetër, veçanërisht tani që Shqipëria synon anëtarësimin në BE.”

Të përballesh me rrezikun pa mbrojtje

Edison Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat në Punë, i tha ACQJ-së se pas çdo aksidenti hetimi duhet të përcaktojë nëse punëdhënësi, drejtuesi teknik dhe organet kontrolluese kanë përmbushur detyrimet e tyre.

“Përgjegjësia e punëdhënësit mbetet në çdo rast, edhe sikur aksidenti të ndodhë për shkak të një gabimi individual të punonjësit,” thotë Hoxha.

Ai ngre shqetësimin se, ndonëse aksidentet fatale janë të vështira për t’u fshehur, një pjesë e madhe e lëndimeve trupore nuk raportohen kurrë. Edhe pse sektori elektroenergjetik dominohet nga kompani publike, inspektimet për kushtet e punës mungojnë pothuajse tërësisht.

Gjatë vitit 2025 në Shqipëri u raportuan zyrtarisht 275 aksidente në punë me 48 viktima (nga 33 që ishin një vit më parë). Megjithatë, statistikat zyrtare nuk specifikojnë se sa nga këto viktima ishin elektricistë ose punonjës të nënkontraktorëve privatë, një hapësirë kjo ku përgjegjësia zbehet edhe më shumë.

Standardet evropiane vs. realiteti shqiptar

Në Bashkimin Evropian, punët me rrezik të lartë rregullohen përmes direktivave të rrepta: asnjë ndërhyrje nuk nis pa një “Leje Pune” formalisht të dokumentuar, e cila përcakton masat para, gjatë dhe pas ndërhyrjes, të kryer vetëm nga personel i certifikuar. Siguria mbështetet mbi një zinxhir të qartë dhe ligjërisht të përgjegjshëm.

Në Shqipëri, ky zinxhir është i shkëputur. Njerëz si Arbeni nisen çdo ditë për të garantuar dritën në shtëpitë tona, por askush, as kompania, as shteti dhe as ligji nuk u garanton atyre se do të kthehen të gjallë te familjet e tyre në mbrëmje./acqj.al