Denada Jushi
Kur Bashkimi Europian shpalli paketën 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor në kulmin e krizës energjetike, synimi ishte i qartë: të ndihmonte rajonin të përballonte goditjen e menjëhershme, por njëkohësisht të përshpejtonte tranzicionin drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më pak të varur nga krizat.
Por disa vite më vonë, pyetja që ngrihet është më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë: çfarë ndryshoi realisht?
Raporti i përgatitur nga CEE Bankwatch Network, rrjeti rajonal që monitoron financimet publike dhe projektet e mëdha në Evropën Qendrore dhe Lindore, dhe publikuar nga PPNEA, jep një përgjigje jo fort optimiste. Sipas raportit, vetëm 163.1 milionë euro nga paketa totale prej 1 miliard eurosh mund të lidhen drejtpërdrejt me avancimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.
Nga 500 milionë eurot e shpërndara si mbështetje buxhetore për qeveritë e rajonit, vetëm 41.1 milionë euro konsiderohen se kanë financuar masa me ndikim afatgjatë.
Në praktikë, pjesa më e madhe e fondeve nuk shkoi për të transformuar sistemet energjetike të rajonit, por për të mbajtur nën kontroll faturat e energjisë dhe për të amortizuar krizën sociale të shkaktuar nga rritja e çmimeve.
Shqipëria përfitoi rreth 80 milionë euro nga kjo paketë. Por edhe këtu, sipas raportit, pjesa më e madhe e ndërhyrjeve nuk solli ndryshim strukturor në sektorin energjetik.
Rreth 90% e fondit për Shqipërinë u disbursua që në maj 2023, ndërsa kësti i fundit prej 8 milionë eurosh u dha vetëm në fund të vitit 2024. Vetë mënyra e shpërndarjes së fondeve është një nga kritikat kryesore të raportit: paratë u dhanë kryesisht paraprakisht dhe jo të lidhura fort me performancën apo arritjen reale të objektivave.
Plani shqiptar ishte më shumë një paketë lehtësimi krize sesa një paketë tranzicioni energjetik.
Masat kryesore përfshinin subvencionimin e faturave të energjisë për familjet, mbështetje për shtresat vulnerabël dhe ndihmë për bizneset e vogla e të mesme. Ndërkohë, masat që lidhen me energjinë e rinovueshme apo eficiencën energjetike zinin një pjesë shumë më të vogël të paketës.
Një nga kritikat më të forta lidhet me atë që raporti e quan mungesë të ndërhyrjeve të reja reale.
Sipas Bankwatch, shumica e masave që u financuan në Shqipëri kishin nisur përpara paketës së BE-së. Kjo do të thotë se fondet europiane nuk krijuan politika të reja transformuese, por kryesisht ndihmuan qeverinë të vazhdonte skemat ekzistuese të subvencionimit me një kosto më të ulët financiare.
Në thelb, paratë ndihmuan për të kaluar krizën, por jo për të ndryshuar sistemin.
Pikëpyetje ngrihen edhe mbi mënyrën se si u përzgjodhën përfituesit. Mbështetja nuk u kufizua vetëm tek familjet në nevojë, por u zgjerua më gjerë tek konsumatorët dhe bizneset. Sipas raportit, mbetet e paqartë nëse përfituesit kryesorë ishin realisht qytetarët vulnerabël apo kompanitë shtetërore të prodhimit dhe tregtimit të energjisë që përfituan indirekt nga subvencionet.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria vazhdon të mbetet një nga sistemet më të ekspozuara energjetike në rajon. Vendi mbështetet pothuajse tërësisht tek hidroenergjia, duke e bërë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj thatësirave dhe ndryshimeve klimatike.
Vetëm gjatë vitit 2022, deri në tetor, Shqipëria importoi energji me një kosto prej rreth 360 milionë eurosh.
Megjithatë, paketa europiane nuk u përdor në mënyrë të mjaftueshme për të ulur këtë varësi strukturore përmes investimeve më të mëdha në eficiencë energjetike apo burime alternative të rinovueshme.
Ka pasur disa masa që raporti i konsideron pozitive. Ndër to përmenden skema për panele diellore termike për familjet, ankandet për energjinë e erës dhe zgjerimi gradual i energjisë diellore. Por edhe këto, sipas raportit, mbetën të kufizuara në shkallë krahasuar me volumin e madh të fondeve të përdorura për subvencionimin e faturave.
Skema për panelet diellore termike konsiderohet si masa më e vlefshme afatgjatë në Shqipëri. Rreth 2 mijë familje përfituan prej saj dhe se afërsisht 8 milionë euro mund të lidhen me masa që rrisin eficiencën energjetike dhe që mund të kenë ndikim më të qëndrueshëm.
Por edhe këtu ekziston një problem: shumë nga këto masa ishin planifikuar përpara paketës së BE-së.
Në kontrast, mbi 100 mijë familje dhe biznese përfituan mbështetje për pagesën e faturave të energjisë, por këto masa nuk krijuan rezistencë afatgjatë përmes kursimit të energjisë apo prodhimit të decentralizuar.
Raporti kritikon edhe mungesën e transparencës. Planet e veprimit për Shqipërinë nuk janë lehtësisht të aksesueshme dhe, sipas autorëve, është pothuajse e pamundur të identifikohet saktësisht se si janë shpërndarë dhe shpenzuar 80 milionë eurot.
Kjo krijon një boshllëk të madh llogaridhënieje, sidomos duke pasur parasysh se vetë struktura e paketës ishte ndërtuar më shumë mbi tregues formalë sesa mbi kontroll të detajuar të shpenzimeve.
Madje raporti argumenton se Shqipëria i përmbushi teknikisht treguesit e kërkuar nga BE, por kjo nuk duhet lexuar si sukses i madh. Për shkak se shumica e aktiviteteve kishin nisur më herët, arritja e treguesve konsiderohej e pritshme. Indikatorët funksionuan më shumë si formalitet administrativ sesa si mekanizëm real për të testuar performancën.
Në rajon, tabloja është edhe më problematike.
Në Serbi dhe Mal të Zi, raporti evidenton përdorim të fondeve edhe për masa që bien ndesh me tranzicionin e gjelbër, përfshirë subvencione për karburante fosile dhe krijimin e rezervave të naftës.
Në Maqedoninë e Veriut, subvencionet për energjinë u shpërndanë në mënyrë të përgjithshme për të gjithë konsumatorët, duke humbur fokusin tek shtresat më vulnerabël.
Një tjetër kritikë thelbësore lidhet me vetë dizajnin e paketës. Sipas raportit, 90% e fondeve u dhanë paraprakisht, ndërsa vetëm 10% u kushtëzuan me arritjen e objektivave konkrete. Në një rajon ku vetë Bashkimi Europian ka ngritur vazhdimisht shqetësime për korrupsionin, mungesën e transparencës dhe dobësinë e shtetit ligjor, kjo qasje shihet si problematike.
Në përfundim, raporti jep një vlerësim të përzier për Shqipërinë, por me tone qartësisht kritike. Pranohet se disa masa, si mbështetja për energjinë diellore dhe disa reforma në sektorin e rinovueshëm, kanë vlerë. Por në tërësi, paketa duket se financoi më shumë vazhdimin e skemave ekzistuese të subvencionimit sesa krijimin e një tranzicioni të qëndrueshëm energjetik.
Paketa energjetike e BE-së ndihmoi Ballkanin të përballonte krizën e momentit. Por sipas raportit, ajo dështoi të ndërtojë mekanizma që do ta bënin rajonin më pak vulnerabël në të ardhmen.
Dhe kjo ndoshta është kritika më e fortë nga të gjitha: Ballkani vazhdon të jetojë më shumë për të tashmen sesa për të ardhmen./acqj.al