Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë

Shqiptarët po blejnë gjithnjë e më shumë ilaçe, por jo domosdoshmërisht më të sigurta. Raporti i KLSH ngre alarmin se 80% e barnave në treg janë xhenerikë, ndërsa kontrollet laboratorike mbeten minimale.

Ida Ismalaj

Një sistem që duhet të garantojë jetën e qytetarëve po dështon, duke iu ofruar atyre medikamente të skaduara dhe jo cilësore. Raporti më i fundit i Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre një alarm serioz për sigurinë e barnave në Shqipëri.

Gjatë raportimit në nënkomisionin për auditimin e sektorit publik, KLSH ngriti shqetësimin se 80% e barnave që qarkullojnë në vendin tonë janë xhenerikë, pra janë kopje e ilaçeve origjinale, me kosto dhe cilësi më të ulët, por që shiten me çmime njësoj si në Bashkimin Europian, në mos edhe më shtrenjtë.

“Me ndryshimet ligjore të vitit 2014, që synonin uljen e kostove spitalore dhe rritjen e përfituesve përmes zëvendësimit të emrave tregtarë me barna xhenerike, u lejua futja në tregun shqiptar e barnave që nuk janë prodhuar sipas standardeve të BE-së. Kjo situatë solli si pasojë largimin e disa kompanive tregtare nga tregu farmaceutik shqiptar, duke zëvendësuar medikamentet që ato tregtonin me medikamente xhenerike” tha Drejtoresha e Departamentit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Arminda Bushi.

Shqipëria ndër vite po importon më shumë ilaçe, por edhe pse barnat shtohen, kostot e blerjes së tyre ulen. Kjo për Kontrollin e Lartë të Shtetit është kambana e parë e alarmit, se cilësia e barnave dhe efektet që ato japin, mund të jenë larg standardeve.

“Në vitin 2023 rezulton një rritje konsiderueshme e importeve prej 837 ton barna farmaceutike krahasuar me vitin 2022, por me një kosto më të ulët prej 791.000 lekësh për ton barna” nënvizoi Arminda Bushi.

Shqetësuese sipas raportit të Kontrollit të lartë të Shtetit është edhe lista e barnave të rimbursuara. 43 barna alternative të para nuk janë në regjistrin e barnave.

“Mungesa e një strukture të posaçme në Ministrinë e Shëndetësisë për kontrollin periodik të aktiviteteve të agjencisë se Barnave dobëson llogaridhënien dhe rrit rrezikun e përsëritjes së problematikave në sistem” thekson KLSH.

Barna pa analiza: Sistemi ekziston vetëm në letër

Disa lloje barnash hyjnë pa iu nënshtruar analizave në Shqipëri, sipas një vendimi qeverie të 2015 dhe sipas përfaqësueses së KLSH-së në Kuvend, paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për cilësinë dhe sigurinë, veçanërisht pasi këto barna mund të importohen nga vendet e treta pa analiza laboratorike të detyrueshme.

“Nga auditimi rezulton se për vitin 2020 laboratori nuk ka kryer asnjë analizë të mostrave për 740 autorizime tregtimi të lëshuara. Ndërsa për periudhën 2021-2023 janë kryer vetëm 644 analiza për 2884 autorizime të lëshuara” shtoi përfaqësuesja e KLSH.

Raporti ka evidentuar mangësi ka edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional, përfshirë shkëmbimin e të dhënave me doganat dhe partnerët ndërkombëtarë, çka mundëson qarkullimin e barnave të ndaluara në vendet e BE-së.

Raporti kritikon drejtpërdrejt rolin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore: “Këto institucione nuk kanë arritur të sigurojnë kontrolle efektive dhe mbikëqyrje të vazhdueshme”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë 35 rekomandime për përmirësimin e situatës së sigurisë së medikamenteve që tregtohen, ndërsa pritet një seancë dëgjimore në Kuvend me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet përgjegjëse./acqj.al