Ida Ismalaj
Një projektligj, i cili po lëngon në dosjet e Parlamentit që në 2024 dhe synon të “riformatojë” përfaqësimin e biznesit në Shqipëri, po prodhon një efekt të rrallë: Një kundërshtim pothuajse unanim nga vetë aktorët që supozohet të përfaqësojë.
Në qendër të debatit është krijimi i Dhomës Ekonomike Kombëtare (DHEK), një institucion i ri, i konceptuar si person juridik publik, me anëtarësim të detyrueshëm për të gjitha bizneset dhe me kompetenca që shtrihen përtej përfaqësimit tradicional.
Drafti synon të bashkojë rreth 180 shoqata në një Dhomë të vetme, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si organizohet dhe përfaqësohet biznesi në Shqipëri. Ky transformim nuk është thjesht organizativ, por prek vetë natyrën e marrëdhënies mes shtetit dhe sipërmarrjes.
Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar në vitin 2024, Kryeministri Edi Rama ka argumentuar se kjo reformë është e nevojshme për të krijuar një zë të unifikuar të biznesit, sidomos në funksion të integrimit europian dhe rritjes së investimeve të huaja deri në 3-4 miliardë euro: “Pa diskutim i kemi mundësitë të kemi një tjetër vlerësim pozitiv nga Standard&Poor’s”.
Reagimi i biznesit: Nga skepticizmi te refuzimi i hapur
Në kontrast të fortë me argumentet e qeverisë, reagimi i biznesit ka qenë i drejtpërdrejtë dhe kritik. Një grup prej 19 shoqatash biznesi dhe dhoma tregtie kanë kundërshtuar draftin, duke e konsideruar atë si një ndërhyrje të panevojshme që cenon lirinë e organizimit dhe autonominë e sipërmarrjes. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mungesën e qartësisë mbi përfitimet konkrete që bizneset do të marrin në këmbim të tarifave, të cilat variojnë nga 1 mijë lekë në vit për bizneset e vogla dhe deri në 70 mijë lekë në vit për të tjerat.
Një tjetër kritikë lidhet me faktin se shumë nga shërbimet që pritet të ofrojë Dhoma Ekonomike tashmë mbulohen nga institucione ekzistuese si Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) dhe platforma e-Albania, të cilat ofrojnë shërbime regjistrimi, informimi dhe asistence pa pagesë. Kjo ngre pikëpyetje mbi nevojën reale për një institucion të ri që mund të krijojë mbivendosje funksionesh dhe burokraci shtesë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë, në komentet e saj depozituar në faqen e konsultimeve publike ka nënvizuar se anëtarësimi i detyrueshëm për subjektet tregtare bie ndesh me parimin e lirisë dhe vetë tarifa e regjistrimit mund të konsiderohet një barrë financiare për biznesin.
Në disa vende të Evropës kontinentale, si Gjermania apo Austria, ekzistojnë modele të dhomave me anëtarësim të detyrueshëm, të cilat luajnë rol në koordinimin ekonomik dhe në zhvillimin e aftësive profesionale. Por, këto modele janë të ndërtuara mbi tradita të konsoliduara institucionale dhe mbi një ekuilibër të qartë mes autonomisë së biznesit dhe funksioneve publike.
Për kreun e Dhomës Britanike Zenel Hoxha, kjo nismë është një regres institucional dhe nuk do të ketë anjë lloj efekti për të tërhequr diasporën: “Drafti për riorganizmin e një dhome të re ekonomike kombëtare është një kthim mbrapa në raport me atë që nisëm 31 vjet më parë me progresin që patën këto institucione në të gjithëterritorin e vendit.”
Por, ndryshimi më i madh nuk është te statusi formal, por te funksioni real. DHEK nuk kufizohet në përfaqësimin e interesave të biznesit. Ajo merr mbi vete një sërë funksionesh që tradicionalisht i përkasin administratës publike: Nga mbledhja dhe përpunimi i të dhënave ekonomike, te ndikimi në proceset e politikëbërjes, deri te roli në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes mekanizmave të arbitrazhit.
Ky draft është kundërshtuar edhe nga sipërmarrjet të cilat e konsiderojnë një monopolizim për të mos deleguar problematikat në vend. Theodhor Kristuli nga Unioni Tregtar Agroushqimor e sheh nismën si një rikthim në modele të së shkuarës: “Është një gjë që ne nuk ja kemi kërkuar pse shqetësohet qeveria. Janë shumë dhe do t’i përmbledh në një? Si i bie do centralizojë gjithçka, ne ishim 40 vjet do shkojmë prapë atje?”
Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri ka ngritur shqetësimin se një strukturë e detyrueshme mund të dëmtojë klimën e investimeve dhe të krijojë pasiguri për investitorët e huaj, të cilët operojnë në një mjedis që kërkon stabilitet dhe parashikueshmëri.
Një rol i ri në jetën e biznesit
Disa zhvillime të fundit mbi të ardhmen e DHEK mund të japin efekte edhe më të rënda për biznesin shqiptar. Në vijim të projektligjit për ngritjen e DHEK, ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 9723 “Për regjistrimin e biznesit” e thellojnë ndjeshëm rolin e Dhomës Ekonomike Kombëtare, duke e zhvendosur atë nga një strukturë përfaqësuese në një nyje qendrore të administrimit ekonomik.
Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron kontrolli mbi Kodin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), i cili kthehet në referencën kryesore ligjore.
DHEK fiton kompetencën për identifikimin, verifikimin, certifikimin dhe përditësimin e këtij kodi për të gjitha subjektet, pa dallim anëtarësie, duke e bërë këtë një proces të detyrueshëm dhe të vazhdueshëm. Kjo ndërhyrje i jep DHEK një rol të drejtpërdrejtë në ciklin e jetës së biznesit: Nga regjistrimi fillestar, te ndryshimet e aktivitetit dhe deri te verifikimi periodik vjetor.
Mosrespektimi i këtyre detyrimeve nuk mbetet formal, por shoqërohet me pasoja konkrete, si gjoba dhe pezullimi i aktivitetit në regjistrin tregtar, çka e vendos institucionin në një pozicion me ndikim real mbi funksionimin e bizneseve.
Në këtë mënyrë, përmes një ligji teknik të regjistrimit, DHEK fiton fuqi që shkojnë përtej përfaqësimit: Një rol de facto rregullator, me kontroll mbi klasifikimin ekonomik, akses në të dhëna dhe ndikim të drejtpërdrejtë në operimin e tregut. Në kombinim me funksionet e saj të tjera, kjo e shndërron DHEK në një aktor me juridiksion universal mbi sektorin privat, një institucion që jo vetëm flet në emër të biznesit, por edhe përcakton, verifikon dhe kushtëzon mënyrën se si ai operon.
Shqetësimi i biznesit është më konkret. Tarifat e anëtarësimit, tarifat e shërbimeve dhe një sërë detyrimesh të reja administrative, edhe pse për vitin e parë nuk parashikohet pagesë, janë një pikë për mungesë konsensusi. Në një sistem ku tashmë ekziston një infrastrukturë funksionale për regjistrimin dhe administrimin e bizneseve përmes QKB dhe platformave digjitale, lind një pyetje thelbësore: çfarë vlere të shtuar sjell kjo ndërhyrje?
Në vend që të reduktojë ndërveprimet administrative, reforma duket se shton një hallkë të re, duke rritur kostot dhe kompleksitetin për biznesin, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Në fund, pyetja që mbetet nuk është thjesht nëse Dhoma Ekonomike Kombëtare duhet të krijohet, por çfarë modeli ekonomik synon Shqipëria të ndërtojë? Një model ku përfaqësimi i biznesit është i lirë dhe i bazuar në zgjedhje, apo një model i centralizuar, ku përfaqësimi dhe funksionet ekonomike institucionalizohen përmes një strukture të detyrueshme?/acqj.al