Gjykata e Bashkimit Evropian: Qëndrim i fortë për ruajtjen e natyrës, Mësime për Shqipërinë

Gjykata e BE-së gjobiti Portugalinë me miliona euro për dështimin në mbrojtjen e natyrës, një sinjal i qartë për të gjithë. Për Shqipërinë, ku mbrojtja shpesh mbetet në letër, rreziku nuk është vetëm ligjor, por një paralajmërim për institucionet e pakoordinuara dhe për ritmin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Genti Kromidha, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri

Gjykata e Bashkimit Evropian (CJEU) njëherë e më shumë ka treguar rolin e saj si kujdestare e biodiversitetit të Evropës.

Më 5 mars 2026, Gjykata nxori një vendim historik kundër Portugalisë, duke i caktuar një gjobë prej 10 milionë eurosh dhe një dënim ditor prej 41,250 eurosh për mosrespektim të detyrimeve nën Direktivën e Habitateve. Pavarësisht një vendimi të vitit 2019 që kërkonte përcaktimin dhe mbrojtjen e 61 zonave Natura 2000, Portugalia nuk ka miratuar masa të përshtatshme për ruajtjen e natyrës.

Legjislacioni i miratuar nga Portugalia, i cili thjesht emërton SCI-të si SAC, pa specifikuar as llojet e habitateve natyrore as speciet e mbrojtura të pranishme në secilën prej tyre, mbetet i pamjaftueshëm…”, citohej në njofimin për shtyp të CJEU për këtë çështje.

Direktiva e Habitateve (1992) dhe Direktiva e Shpendëve (2009) formojnë shtyllën kurrizore të politikës së biodiversitetit të BE-së, duke krijuar rrjetin Natura 2000, rrjetin ekologjik më të madh në botë. Shtetet anëtare janë të detyruara të shpallin zonat me rëndësi komunitare (SCI) si Zona të Veçanta të Konservimit (SAC) dhe të miratojnë masa menaxhimi për të siguruar një status të favorshëm ruajtjeje.

Ky vendim thekson angazhimin e BE-së për të siguruar që mbrojtja e biodiversitetit të mos jetë simbolike, por operacionale. Ai nënvizon parimin që shpallja ligjore duhet të shoqërohet me plane konkrete menaxhimi, monitorim dhe mekanizma zbatimi. Pa objektiva të qarta konservimi dhe masa menaxhimi, zonat e mbrojtura mbeten të cënueshme ndaj degradimit.

Rasti i Portugalisë nuk është i izoluar. CJEU ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme kur shtetet anëtare neglizhojnë detyrimet e tyre nën Direktivat e Habitateve dhe të Shpendëve:

  • Greqia (2016, Gjiri i Kyparissias) – Gjykata dënoi Greqinë për mos-mbrojtjen e vendeve të folezimit të breshkës së kërcënuar Caretta caretta.
  • Polonia (2018, Pylli Białowieża) – Gjykata ndaloi prerjen e drurëve në një nga pyjet e vjetër natyrore të mbetur në Evropë, duke mbrojtur habitatet dhe speciet nga dëmtimi i pakthyeshëm.
  • Spanja (2021, Moçalet e Doñana) – Spanja u gjet në shkelje të ligjit të BE-së për nxjerrjen e tepërt të ujit nëntokësor që kërcënon shpendët migratorë në një zonë Natura 2000.
  • Irlanda (2023, ZRSH Atlantike) – Irlanda u gjykua për vonesa në shpalljen dhe menaxhimin e zonave të veçanta të ruajtjes.

Këto vendime kanë treguar në vazhdimësi gatishmërinë dhe vullnetin e BE-së për të vendosur sanksione kur Shtetet anëtare dështojnë të përmbushin detyrimet, duke siguruar integritetin e rrjetit Natura 2000.

Vendimi i fundit kundër Portugalisë shërben gjithashtu si një kujtesë e fortë e pasojave të mosrespektimit të detyrimeve për biodiversitetin. Për Shqipërinë, në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, ky vendim duhet të shihet si një thirrje për veprim. Vendi ynë ka një biodiversitet të jashtëzakonshëm që përballet me rreziqe të ngjashme me ato të identifikuara në Portugali, përfshirë këtu menaxhimin e dobët dhe zbatimin e pamjaftueshëm të kuadrit ligjor.

Në vitet e fundit, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri kanë hapur derën për zhvillim brenda zonave kyçe të ruajtjes së natyrës, duke minuar qëllimin e vetë mbrojtjes së tyre. Po ashtu, ligji i ri i gjuetisë ka ngritur shqetësime serioze për ruajtjen e specieve, potencialisht në konflikt me direktivat e BE-së që kërkojnë masa të rrepta mbrojtjeje për faunën e cenueshme. Këto ndryshime legjislative tregojnë një trend shqetësues të prioritizimit të interesave ekonomike afatshkurtra mbi integritetin ekologjik afatgjatë.

Përparimi në shpalljen e zonave Natura 2000 ka qenë i kufizuar, pavarësisht mbështetjes së BE-së përmes iniciativave si EU4Nature. Ky ritëm i ngadaltë vonon përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së dhe dobëson lidhshmërinë ekologjike rajonale, e cila është thelbësore për koherencën e rrjetit Natura 2000.

Në thelb të këtyre sfidave qëndrojnë boshllëqe të rëndësishme njohurish mbi shpërndarjen e habitateve dhe specieve. Pa të dhëna të forta, është e vështirë të hartohen plane efektive menaxhimi ose të monitorohen rezultatet e konservimit. Këtij problemi i shtohet mungesa e kapaciteteve institucionale: Agjencitë përgjegjëse për konservimin mbeten të nën financuara dhe të pakualifikuara, duke kufizuar aftësinë e tyre për të zbatuar ligjet, për të angazhuar komunitetet dhe për të përmbushur kërkesat e BE-së.

Duke i marrë këto çështje së bashku, ato nënvizojnë nevojën urgjente që Shqipëria të forcojë përpjekjet e saj për ruajtjen e natyrës. Vendimi ndaj Portugalisë tregon se institucionet e BE-së do të veprojnë me vendosmëri kur Shtetet anëtare dështojnë të përmbushin detyrimet.

Për Shqipërinë, kjo është një paralajmërim dhe një mundësi: Duke adresuar dobësitë legjislative, duke përshpejtuar shpalljen e zonave Natura 2000 dhe duke investuar në kapacitetet institucionale, vendi mund të shmangë sanksionet e ardhshme dhe të pozicionohet si një partner i besueshëm në strategjinë e përbashkët evropiane për biodiversitetin.

Sipas Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), zhvillimet e fundit në nivel europian përbëjnë një sinjal të qartë për rëndësinë e zbatimit real të politikave të konservimit. Organizata thekson se mbrojtja e natyrës nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por duhet të jetë e matshme, e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.

Në këtë kontekst, ajo nënvizoi nevojën për një qasje më të fortë institucionale, ku masat për ruajtjen e natyrës të shkojnë përtej shpalljes formale të zonave të mbrojtura. Përfshirja e komuniteteve lokale në menaxhimin e këtyre zonave dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal janë elementë kyç për funksionimin real të rrjetit Natura 2000.

Po ashtu, theksohet rëndësia e krijimit të kushteve që ekspertët vendas të mund të adresojnë problemet dhe të propozojnë zgjidhje në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike apo administrative. Vendimet e fundit të Gjykatës së BE-së, sipas INCA, tregojnë se moszbatimi i detyrimeve në fushën e biodiversitetit mund të sjellë pasoja konkrete dhe kërkon reagim të shpejtë dhe profesional.

Organizata ngre gjithashtu nevojën për përmirësimin e kornizave qeverisëse dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale, në mënyrë që të sigurohet përputhshmëria me direktivat e BE-së dhe zbatimi efektiv i masave për ruajtjen e natyrës./acqj.al