Denada Jushi
Prej më shumë se 24 orësh, flakët, tymi dhe era e rëndë në Bushat të Shkodrës kanë rikthyer edhe një herë problemin e zjarreve në landfille të tejmbushura me mbetje.
Përveç situatës alarmante për shëndetin dhe mjedisin që sjellin zjarre të tilla, rastet e përsëritura po rrezikojnë të shihen si një “zgjidhje”.
Ato shpërthejnë çdo vit, shpesh në të njëjtat vende, duke çliruar tym toksik, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe duke nxjerrë në pah dështimet në menaxhimin e mbetjeve urbane.
Në Shkodër, flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha mbetjesh, ndërsa tymi i dendur u përhap në zonat përreth. Forcat zjarrfikëse nga disa bashki u angazhuan për të vënë nën kontroll situatën.
Por rastet janë të përsëritura edhe në:
Elbasan, ku landfilli është kthyer në simbol të krizës së mbetjeve në vend.
Në verën e vitit 2025, një zjarr masiv përfshiu landfillin dhe zgjati për afro një javë. Flakët u përhapën në thellësi të shtresave të mbetjeve, duke e bërë të vështirë shuarjen, ndërsa tymi toksik mbuloi qytetin për ditë me radhë. Banorët raportuan vështirësi në frymëmarrje, ndërsa ekspertët ngritën alarmin për rritjen e ndotjes së ajrit në nivele të rrezikshme.
Për ditë të tëra, jetesa në qytet u bë e vështirë.
Por ajo që e bën rastin e Elbasanit edhe më shqetësues është përsëritja. Djegiet nuk janë incidente të rralla, por ndodhin herë pas here, shpesh të lidhura me mbingarkesën e landfillit dhe mosfunksionimin efektiv të inceneratorit. Në disa raste, dyshohet se zjarret janë të qëllimshme, të përdorura si një mënyrë për të reduktuar volumin e mbetjeve dhe për të krijuar hapësirë për depozitime të reja.
Në Vlorë, situata paraqet të njëjtin model shqetësues. Landfilli i qytetit është përfshirë disa herë nga flakët gjatë viteve të fundit, me episode të përsëritura thuajse çdo sezon.
Në nëntor 2024, një tjetër zjarr u raportua në këtë landfill: tym i dendur, ndërhyrje e zjarrfikësve dhe shqetësim i banorëve. Raportimet tregojnë se djegia e mbetjeve në këtë zonë ndodh disa herë në vit, çka e bën të qartë se nuk kemi të bëjmë me aksidente të rastësishme, por me një problem të vazhdueshëm strukturor.
Në Vlorë, situata shpesh ka ndodhur në kulmin e sezonit turistik, duke sjellë edhe dëm në këtë sektor.
Një tjetër landfill që ka pasur zjarre ka qenë ai i Orikumit, me të njëjtin skenar.
Në të gjitha rastet, një element është i përbashkët: Landfillet janë të mbingarkuara dhe shpesh jashtë standardeve të kërkuara. Mungesa e ndarjes në burim, riciklimit dhe trajtimit të duhur të mbetjeve krijon një presion të vazhdueshëm mbi këto hapësira, duke i kthyer ato në “bomba mjedisore” të gatshme për t’u ndezur në çdo moment.
Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se zjarret në landfille nuk janë thjesht problem menaxhimi, por edhe rrezik serioz për shëndetin publik. Djegia e mbetjeve çliron substanca të rrezikshme, përfshirë dioksina dhe gazra toksikë, të cilët mund të kenë efekte afatgjata në organizëm, duke rritur rrezikun për sëmundje respiratore dhe kancer.
Një tjetër problem mbetet reagimi institucional. Në shumicën e rasteve, ndërhyrja vjen pasi zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Mungesa e monitorimit të vazhdueshëm, e sistemeve parandaluese dhe e transparencës në menaxhimin e landfilleve e bën situatën edhe më të rëndë. Edhe kur zjarret shuhen, mungojnë hetimet për shkaqet dhe për autorët e tyre.
Ndërkohë, Shqipëria aspiron integrimin në Bashkimin Europian, ku standardet për menaxhimin e mbetjeve janë shumë më të rrepta. Politikat europiane kërkojnë reduktimin e depozitimit në landfill dhe rritjen e riciklimit, ndërsa djegia e pakontrolluar e mbetjeve konsiderohet një shkelje serioze mjedisore.
Rastet e përsëritura në Elbasan, Vlorë dhe Shkodër nuk janë thjesht kronika zjarresh, por dëshmi e qartë e një sistemi që nuk funksionon./acqj.al