Ida Ismalaj
Viti 2025 shënoi një rritje të ndjeshme të rasteve të problemeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri, duke e kthyer çështjen në një alarm publik. Të dhënat e publikuara nga Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri tregojnë një shtim të vazhdueshëm të rasteve që lidhen me ankthin, presionin social, konfliktet familjare dhe situatat e rrezikut emocional.
Sipas raportit vjetor të CRCA, përmes linjës për fëmijë (ALO 116-111), gjatë 2025-ës janë regjistruar 9.042 telefonata dhe 566 raste komunikimi përmes chat-it. Këto shifra përfaqësojnë një nga nivelet më të larta të raportuara ndër vite. Pas çdo telefonate fshihen histori të fëmijëve që kërkojnë mbështetje për ndjenja izolimi, frike, pasigurie dhe mungese komunikimi në familje apo shkollë.
Rritje alarmante e rasteve vetëdëmtuese
Një nga treguesit më shqetësues të vitit 2025 është rritja e fortë e rasteve që përfshijnë mendime dhe sjellje vetëdëmtuese. Nga dy raste të raportuara në vitin 2021, numri ka arritur në 91 raste gjatë vitit 2025. Kjo rritje brenda pak vitesh sinjalizon një përkeqësim serioz të shëndetit mendor dhe nevojën urgjente për ndërhyrje sistematike në nivel lokal dhe kombëtar. Ndërkohë fatkeqësisht, raste të dëmtimit të adoleshentëve me pasoja për jetën janë regjistruar edhe në 2 muajt e parë të 2026.
Raporti evidenton 178 raste të lidhura me sigurinë online dhe përdorimin e pakontrolluar të internetit. Bullizmi virtual, kërcënimet dhe presioni po ndikojnë drejtpërdrejt në vetëvlerësimin e fëmijëve.
Sipas specialistëve, ekspozimi i hershëm ndaj teknologjisë dhe mungesa e mbikëqyrjes së duhur kanë krijuar një mjedis ku presioni emocional është i vazhdueshëm dhe shpesh i padukshëm për prindërit. Psikiatre Sonila Tomorri tha se janë shtuar rastet e tentativave të vrasjes te vajzat e moshës nga 12-17 vjeç, përveç depresionit, ankthit, frikës dhe pasigurisë.
“Ka ndryshime në sjelljen e tyre. Janë shtuar konsultat për moshën 5-17 vjeç në të gjithë botën për problematikat e shëndetin mendor. Vërehet edhe rënia në mësime, humbja e shpresës dhe interesi për të ardhmen” u shpreh ajo.
Problemet e shëndetit mendor nuk lidhen vetëm me botën online. Gjatë vitit 2025 janë raportuar 44 raste dhune në familje dhe 16 raste bullizmi në shkollë. Po ashtu, 144 raste kanë të bëjnë me shfrytëzim për përfitim, ndërsa 10 raste lidhen me ngacmime seksuale, të cilat përbëjnë një traumë të rëndë për zhvillimin emocional të fëmijëve.
Të dhënat tregojnë se problemet e shëndetit mendor prekin të dyja gjinitë, me një shpërndarje pothuajse të balancuar të viktimave: 48% vajza dhe gra, 45% djem dhe burra, si dhe 7% raste që përfshijnë grupe fëmijësh, të cilat kërkojnë vëmendje të shtuar për shkak të vulnerabilitetit të lartë emocional dhe social. Nga pikëpamja gjeografike, numri më i madh i rasteve vjen nga Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora, duke reflektuar si densitetin e popullsisë, ashtu edhe presionet sociale dhe digjitale në zonat urbane.
Gjetjet e raportit konfirmojnë nevojën urgjente për:
- Forcimin e shërbimeve të shëndetit mendor për fëmijët dhe adoleshentët,
- Integrimin e mbështetjes psiko-sociale në shkolla me atë në bashki dhe në komunitet,
- Rritjen e ndërgjegjësimit për ndikimin e rreziqeve online në mirëqenien emocionale të fëmijëve.
Rritja e rasteve ngre pikëpyetje mbi kapacitetin e sistemit për të përballuar këtë situatë. Numri i kufizuar i psikologëve në shkolla, mungesa e shërbimeve të specializuara për fëmijë dhe stigma ndaj trajtimit psikologjik mbeten sfida të rëndësishme. Viti 2025 shënon një pikë kthese që kërkon reagim të koordinuar institucional, përpara se kriza e shëndetit mendor tek fëmijët të thellohet edhe më tej./acqj.al