Denda Jushi
Bashkia e Tiranës miraton çdo vit një nga buxhetet më të majme në vend, duke premtuar transformim rrënjësor të infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Por, pas fasadës së shifrave miliardere, fshihet një realitet shqetësues: paratë janë, nevojat e qytetarëve janë ulëritëse, por buxheti thjesht nuk shpenzohet.
Burime të brendshme konfirmojnë për ACQJ se prej vitesh institucioni më i madh vendor në Shqipëri dështon të kthejë planet në investime konkrete, duke lënë miliona euro “të ngrira” në llogari, ndërsa lagjet e qytetit presin për rrugë, shkolla dhe ujësjellës. Prej disa vitesh, Bashkia, edhe pse miraton buxhetin, nuk ka arritur ta shpenzojë atë, duke ngritur një pikëpyetje: paratë janë, nevoja ka, por pse nuk shpenzohet buxheti?
Çdo vit, Bashkia e Tiranës miraton një nga buxhetet më të mëdha vendore në vend; edhe viti 2025 ishte me premtime për investime në infrastrukturë, shërbime publike dhe zhvillim urban. Fakt është se një pjesë e mirë e këtij buxheti ka mbetur e pazbatuar në mënyrë konstante.
ACQJ iu drejtua Bashkisë Tiranë për shifrat e viteve të fundit dhe, sipas informacionit zyrtar të vënë në dispozicion, niveli i realizimit të buxhetit ndryshon nga një vit në tjetrin, por një pjesë e lartë e fondeve mbetet e pashpenzuar, veçanërisht në zërat që lidhen me investimet kapitale.
Sipas të dhënave zyrtare mbi zbatimin e buxhetit të vitit 2025, diferenca mes planifikimit dhe realizimit mbetet e dukshme edhe në shifra. Buxheti fillestar i Bashkisë së Tiranës ishte rreth 38.8 miliardë lekë, ndërsa gjatë vitit ai u rishikua duke arritur në 57.5 miliardë lekë. Megjithatë, deri në muajin e njëmbëdhjetë janë shpenzuar 30.3 miliardë lekë, ose rreth 53% e planit të rishikuar.
Në ndarjen sipas zërave, shpenzimet për personelin u rritën nga 10.3 miliardë lekë në planin fillestar në 11.4 miliardë lekë pas rishikimit, ndërsa realizimi faktik arriti në 8.6 miliardë lekë, rreth 76% të planit, por pa arritur as planin fillestar të shpenzimeve. Shpenzimet operative pësuan një rritje më të ndjeshme, nga 13.6 miliardë lekë në 19.4 miliardë lekë, me një realizim prej 12.2 miliardë lekësh, ose 63% të planit të rishikuar.
Ndërkohë, shpenzimet kapitale, që përfshijnë investimet në infrastrukturë dhe projekte zhvillimore, u rritën nga 14.8 miliardë lekë në 26.7 miliardë lekë pas rishikimit buxhetor. Deri në fund të periudhës 11-mujore janë realizuar 9.4 miliardë lekë, ose rreth 35% të planit. Pas shqyrtimit të buxheteve të viteve paraardhëse, shpenzimet kapitale kanë shfaqur në mënyrë të përsëritur një nivel të ulët realizimi, duke mbetur zëri më problematik i zbatimit të buxhetit.
Ekonomistët shpjegojnë se shpenzimet kapitale janë ndër më të rëndësishmet për një institucion publik, pasi lidhen me investime afatgjata, si ndërtimi ose rikonstruksioni i rrugëve, ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, parqe, sheshe dhe hapësira publike, kanalizime dhe ujësjellës, ndriçim publik i ri, investime në transport publik, si dhe blerje pajisjesh të mëdha ose infrastrukture.
“Shpjegimet zyrtare shpesh mjaftohen me ‘vonesa administrative’, duke shmangur një analizë reale mbi shkaqet e mosrealizimit. Ky nuk është vetëm problem burokratik, por pasojë e një vendimmarrjeje të paralizuar që po shtyn projektet jetike nga viti në vit,” shpjegon për ACQJ Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak.
E njëjta situatë mbi dështimin e zbatimit të buxheteve të miratuara shfaqet edhe në vitet paraardhëse. Megjithatë, krahasuar me vitin 2025, niveli i realizimit të buxhetit në vitet paraardhëse paraqitet më i lartë. Në vitin 2023, Bashkia e Tiranës realizoi rreth 67% të planit të rishikuar, ndërsa në vitin 2024 realizimi zbriti në 60%. Edhe në ndarjen sipas kategorive vihet re e njëjta prirje. Shpenzimet e personelit janë realizuar në 88% në vitin 2023 dhe 87% në vitin 2024, ndërsa në vitin 2025 ky nivel zbret në 76%. Shpenzimet operative kanë kaluar nga 80% në vitin 2023 dhe 73% në vitin 2024 në 63% në vitin 2025.
Në krahasimin trevjeçar, shpenzimet kapitale mbeten zëri me nivelin më të ulët të realizimit dhe me një prirje në rënie. Në vitin 2023 ato u realizuan në masën 48% të planit të rishikuar, në vitin 2024 ranë në 38%, ndërsa për vitin 2025 rezultojnë në rreth 35% për periudhën 11-mujore, duke i vendosur investimet publike në një trajektore zbritëse nga viti në vit.
Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, vë në dukje se planifikimi mbi objektiva “ambicioze”, por që nuk përputhen me kapacitetet reale, krijon një grumbullim problemesh për të ardhmen.
“Kur një projekt shtyhet, ai nuk kushton më njësoj. Inflacioni dhe ndryshimi i çmimeve të materialeve bëjnë që projektet e shtyra të rëndojnë më shumë arkën e shtetit sesa ishte parashikuar fillimisht, ndërkohë që qytetarët mbeten peng i të njëjtave probleme,” nënvizon Haxhimali.
Nga ana tjetër, mazhoranca në Këshill e lidh këtë ngërç me mungesën e figurës qendrore të Bashkisë. Eridian Salianji, anëtar i Këshillit, përfaqësues i Partisë Socialiste, argumenton se performanca e vitit 2025 u penalizua nga faktorë politikë.
“Realizimi është rreth 60% dhe kjo ndodhi sepse kryetari nuk u lejua të bënte punën e tij. 40% e buxhetit mbeti i pazbatuar vetëm për shkak të mungesës së Veliajt, duke penguar direkt shërbimin ndaj qytetarëve,” shprehet ai.
ACQJ vëzhgoi disa nga diskutimet në Këshillin Bashkiak, ku u evidentua se vështirësitë më të mëdha shfaqen te shpenzimet kapitale, projektet që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetit, si rrugë lagjesh, infrastrukturë urbane, shkolla, çerdhe apo hapësira publike.
Në teori, Këshilli Bashkiak ka mekanizma për të monitoruar zbatimin e buxhetit përmes raporteve periodike dhe mundësisë për ngritjen e Komisionit të Auditimit Financiar. Por sipas Rukos, këto instrumente nuk janë përdorur në mënyrë efektive.
“Mbledhjet shpesh kthehen në paraqitje formale shifrash, ku mungon tërësisht llogaridhënia për dështimin e investimeve kapitale,” dëshmon ajo.
Pavarësisht prapavijës politike, mekanizmat monitorues të Këshillit, si Komisioni i Auditimit Financiar, mbeten “shpresa në letër” që nuk përdoren.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar buxhetin e vitit 2026 me vlerë rreth 400 milionë euro, pa praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në atë mbledhje, kryetarja në detyrë e bashkisë, Anuela Ristani, u shpreh se në buxhetin e vitit 2026 të ardhurat totale parashikohen në 39.2 miliardë lekë.
“Peshën kryesore e zë pastrimi i qytetit (25%), Transporti Publik (11%) dhe Arsimi Bazë (9%),” u shpreh ajo.
Sipas saj, një fokus i veçantë do t’i kushtohet zgjerimit të infrastrukturës, zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, politikave sociale dhe mjedisore, si dhe ndërtimit të një qyteti me standarde evropiane jetese.
“Projektbuxheti Afatmesëm 2026–2028 është një dokument i përgjegjshëm, financiarisht i qëndrueshëm dhe i orientuar qartë drejt investimeve, shërbimeve publike dhe mbrojtjes sociale. Ai garanton vazhdimësinë e transformimit të Tiranës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë,” u shpreh më tej Ristani.
Shifrat e mbetura të pazbatuara në buxhet reflektohen në projekte që nuk janë realizuar sipas planifikimit, përfshirë ndërhyrje në infrastrukturë, objekte arsimore dhe shërbime publike vendore. Viti 2026 nis me një tjetër buxhet të miratuar me vlerë rreth 400 milionë euro, ndërsa mbetet për t’u parë niveli i zbatimit të tij gjatë vitit fiskal.
Të dhënat e viteve të fundit tregojnë diferenca të vazhdueshme mes planifikimit dhe realizimit, veçanërisht në shpenzimet kapitale. Diskutimet në Këshillin Bashkiak dhe raportimet periodike janë përqendruar kryesisht në paraqitjen e shifrave, ndërsa analiza mbi faktorët që ndikojnë në mosrealizimin e investimeve mbetet pjesë e debateve institucionale.
Zhvillimi i Tiranës nuk mund të penalizohet më nga vonesat administrative apo ngërçet politike. Paratë janë aty, taksat dhe tarifat lokale vijojnë të rriten në mënyrë eksponenciale nga viti në vit dhe nevoja është urgjente; mbetet vetëm që ato të shpenzohen me efikasitet dhe transparencë./acqj.al