Shoqëria Civile i drejtohet Kuvendit: Të mos zvarritet kërkesa e SPAK për Ballukun

Ndërsa kërkesa e SPAK për autorizim parlamentar ndaj Belinda Ballukut mbetet pezull, organizatat e shoqërisë civile paralajmërojnë se vonesat politike rrezikojnë të kthejnë imunitetin në mburojë dhe procedurat kushtetuese në instrument presioni.

Ida Ismalaj

Organizatat e shoqërisë civile i kanë kërkuar Kuvendi i Shqipërisë të mos zvarrisë shqyrtimin e kërkesës së SPAK për autorizimin parlamentar ndaj deputetes Belinda Balluku, duke paralajmëruar rrezikun e politizimit të procedurave kushtetuese dhe cenimit të besimit publik te drejtësia.

Sipas organizatave, imuniteti parlamentar nuk është një mburojë personale për t’iu shmangur drejtësisë, por një garanci funksionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues. Çdo devijim nga afatet dhe procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit, theksohet në kërkesë, cenon parimin e barazisë para ligjit dhe dobëson shtetin e së drejtës.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari, vlerëson se deklaratat kontradiktore mes Komisioni Evropian dhe Kryeministrit Edi Rama krijojnë një situatë shqetësuese që përfaqëson hapa mbrapa në luftën kundër korrupsionit dhe në rrugëtimin evropian të vendit.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin apo të fshihet pas imunitetit!”, thekson ai.

Në kërkesën e tyre, organizatat rikujtojnë se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të ushtrojë kompetencat e veta pa penguar apo vonuar veprimtarinë e organeve të drejtësisë, në respekt të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ato nënvizojnë gjithashtu se trajtimi në kohë, transparent dhe pa politizim i kërkesave të SPAK është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në kuadër të kapitujve 23 dhe 24 të procesit të integrimit.

Në mënyrë konkrete, shoqëria civile kërkon:

  1. Thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit
  2. Shqyrtimin e kërkesës së SPAK brenda afateve kushtetuese, pa vonesa apo ndërhyrje politike
  3. Respektimin e plotë të parimit se askush nuk është mbi ligjin, përmes procedurave parlamentare transparente dhe të paanshme

Sipas organizatave, respektimi i Kushtetutës në këtë rast nuk është zgjedhje politike, por detyrim institucional. Trajtimi korrekt i kërkesës së SPAK shihet si provë konkrete e funksionimit të shtetit të së drejtës dhe e seriozitetit të institucioneve shqiptare në forcimin e standardeve demokratike dhe në procesin e integrimit evropian./acqj.al