Ida Ismalaj
Sëmundjet kancerogjene po marrin përmasa gjithnjë e më shqetësuese në Shqipëri, duke u kthyer në një problem madhor të shëndetit publik. Të dhënat zyrtare tregojnë se 7076 raste të reja me kancer janë regjistruar vitin e fundit, duke e renditur sëmundjen si shkakun e dytë të vdekjeve pas sëmundjeve kardiovaskulare. Statistikat tregojnë se meshkujt janë më të prekurit, me mbi 3800 raste të reja gjatë vitit të fundit, ndërsa te gratë janë regjistruar rreth 3200 raste të reja.
Tek meshkujt, incidenca më e lartë vihet re te kanceri i mushkërive, ai i stomakut, i prostatës dhe kanceri i zorrës së trashë. Ndërkohë te gratë, kanceri i gjirit mbetet forma më e përhapur, me rreth 800 raste të reja çdo vit.
Gjatë Forumit “Kontrolli i Kancereve në Shqipëri: Parandalim, Depistim dhe Kujdes ndaj Pacientit”, ekspertët e shëndetit publik, e lidhën rritjen e rasteve me stilin e jetesës, veçanërisht me duhanpirjen, e cila mbetet faktori kryesor i rrezikut.
Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli tha: “Ajo që bie sy është një rritje e vazhdueshme e sëmundjeve kancerogjene me 2.5- 2.6% çdo vit. Duhet përgatitur për rritje të ndjeshme të kancerit të zorrës, edhe të stomakut. Unë personalisht kam shpresuar që do të fillojë të vendoset në kontroll, por fatkeqësisht po vijon të rritet”.
Alarmante mbetet edhe rritja e rasteve në mushkëri te grupmoshat mbi 50 vjeç. Kjo situatë reflektohet edhe në rritjen e shtrimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku shërbimet onkologjike raportojnë ngarkesë në rritje.
Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala tha se në luftën ndaj kancerit, përveç parandalimit dhe kapjes së hershme, po punohet fort për trajtimin e tij, përmes ngritjes së Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit, që sipas saj është çështje muajsh.
“Ngritja e një Institucioni Kërkimor-Shkencor sipas modeleve europiane. Gjatë këtyre muajve, në Milano kam takuar mjekë shqiptarë të rinj që punojnë në institucione europiane të ekselencës dhe kanë dëshirën për të kontribuar në këtë reformë historike. Rrjeti Kombëtar i Kancerit do të mundësojë ofrimin e shërbimit onkologjik afër pacientit” u shpreh ministrja.
Megjithatë, përtej masave, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet pritur ulje të rasteve në vitet e ardhshme.
“Shqipëria duhet të jetë e përgatitur për një numër të madh të rasteve me kancer dhe një sfidë të madhe në sistemin shëndetësor” theksoi eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli.
Duhanpirja, alkooli, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti dhe ndotja mjedisore, mbeten faktorët kryesorë që ushqejnë këtë epidemi të heshtur, duke e bërë parandalimin dhe kapjen e hershme po aq të rëndësishme sa edhe trajtimin./acqj.al