Ida Ismalaj
Një medikament i projektuar për të shpëtuar jetën e pacientëve me diabet po përdoret sot masivish për një qëllim krejt tjetër: Rënien drastike në peshë. Ozempic, i miratuar ekskluzivisht për trajtimin e diabetit të Tipit 2 është shndërruar në një nga trendet më të debatuara të estetikës.
I promovuar nga yjet e Hollywood-it dhe i shpërndarë viralish në rrjetet sociale, ky medikament po blihet masivisht në Shqipëri, pa recetë mjekësore dhe përmes platformave online.
Ndërsa farmacistët dhe mjekët pranojnë se kërkesa është rritur për shkak të obezitetit, pacientët që kanë nevojë jetike për të po përballen me mungesa në treg. Në Shqipëri, çmimi i Ozempic varion nga 8.500 deri në 18.000 lekë për një dozë mujore, ndërsa në Kosovë çmimet luhaten nga 120 deri në 250 euro. Ozempic, merret një herë në javë dhe nis me një dozë 0.25 mg dhe mund të zgjasë deri në 1 vit, shpesh pa asnjë mbikëqyrje mjekësore.
Ozempic është një medikament i prodhuar nga kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk. Ky medikament u miratua nga FDA në dhjetor të vitit 2017 dhe u lançua në treg në 2018, ekskluzivisht për trajtimin e diabetit të tipit 2. Substanca e tij aktive, semaglutide imiton hormonin GLP-1 që rregullon oreksin.
Marrja e ilaçit Ozempic rrit ndjesinë e ngopjes, ngadalëson tretjen (zbrazjen e stomakut) dhe rregullon insulinën, duke ndihmuar pankreasin të prodhojë insulinë kur nivelet e sheqerit janë të larta.
Dr. Blertina Dyrmishi, endokrinologe, sqaron se Ozempic nuk ka miratim zyrtar për trajtimin e obezitetit. “Për fat të keq, tek ne është marrë dhe merret pa këshillën e mjekut. Mjekët nuk e përdorin Ozempic tek pacientët obezë pa diabet” shprehet Dr. Dyrmishi.
Rreziqet: Nga dehidratimi te gjendja e komës
Përdorimi i këtij ilaçi pa mbikëqyrje mjekësore mund të sjellë pasoja të rënda. Sipas mjekëve, efektet nisin me çrregullime të ngrënies dhe gjumit, reaksione alergjike, por mund të përshkallëzohen deri në probleme në shikim, probleme të veshkave, të tëmthit etj.
Dr.Aurora Dollenberg, kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, paralajmëron për rrezikun më të madh që haset tek personat pa diabet: “Efekti më i rrezikshëm lidhet me hypogliceminë, uljen e nivelit të sheqerit në gjak nën normat e lejuara. Nëse kjo i ndodh pacientit, ai mund të humbasë vetëdijen dhe të kalojë në gjendje kome. Nëse gjendja zgjat për 30 minuta dhe nuk i jepet ndihmë, atëherë kjo mund të jetë fatale për pacientin sepse truri nuk furnizohet normalisht me sheqer.”
Sa i përket efekteve afatgjata, studimet mbi kafshët kanë treguar një lidhje të mundshme me tumoret e tiroides.
Ozempic dhe rrjetet sociale
Roli i yjeve të Hollivudit ka qenë nxitës për përdorimin e Ozempic në rënie në peshë. Kim Kardashian u kthye në simbolin e këtij trendi, pas paraqitjes së saj në Met Gala 2022, ku u shfaq dukshëm më e dobët. Edhe pse ajo nuk e pranoi publikisht përdorimin e Ozempic, buja në rrjete sociale ishte e jashtëzakonshme.
Figura të njohura si Elon Musk, Sharon Osbourne, Robbie Williams kanë ndarë historitë e tyre të rënies në peshë përmes ilaçit Ozempic. Nga yjet e Hollivudit, trendi kaloi te njerëzit e zakonshëm, të cilët ndajnë në rrjete sociale foto “para dhe pas”, duke e paraqitur ilaçin si “zgjidhje magjike”. Hashtag-u #Ozempic ka arritur mbi 274 milionë shikime në TikTok.
“Pacientët e konsiderojnë atë një ilaç të mrekullueshëm” thotë kirurgu dermatolog i Nju Jorkut, Paul Jarrod Frank.
Mirëpo, ajo që nuk tregohet është se shumica e peshës rikthehet sapo ndërpritet kura. Një studim i publikuar në The BMJ, që përfshiu 9.341 pacientë nga 37 studime zbuloi se pacientët rifitonin mesatarisht 0.8 kg në muaj pas ndërprerjes së ilaçit Ozempic. Studimi thekson se brenda 1 viti e gjysëm, qytetarët që e kanë përdourur ktheheshin në peshën e mëparshme.
“Në fund, pothuajse të gjithë përfundojnë në të njëjtën peshë ku ishin para trajtimit” tha studiuesi kryesor, Dimitrios Koutoukidis, Universiteti i Oksfordit.
Tregu i pakontrolluar në Shqipëri
Në Shqipëri, rregullat e shitjes shpesh anashkalohen.Ozempic blihet lehtësisht pa recetë mjekësore. Farmacistët pranojnë se ilaçi po kërkohet masivisht për rënie në peshë. “Qytetarët e kanë kthyer në trend përdorimin e Ozempic për dobësim, që për mua është i gabuar, ndërsa klinikat e kanë kthyer në biznes” shprehet një farmaciste.
Një tjetër alarm është varësia që krijon marrja e ilaçit. “Një vajzë ra 14 kg për 3 muaj, përmes marrjes së Ozempic në kushte shtëpie, pa kontroll mjekësor. Ajo vazhdon ta marrë ilaçin, pasi e sheh si të vetmen mënyrë për të rënë në peshë. Problemi është se pasojat shfaqen pas 1 viti” shprehet një tjetër farmaciste.
Shqetësues është fakti se nëse një pacient me diabet kërkon të blejë Ozempic nuk e gjen në të gjitha farmacitë. Ndërsa, një pjesë tjetër e farmacive e reklamojnë online, duke bërë edhe dërgesa në të gjithë Shqipërinë, pa kërkuar recetë mjekësore. Ne kontaktuam me njëren prej tyre, në rrjetin social instragram, e cila rikonfirmoi se Ozempic gjendet në të gjitha degët e saj dhe porosia përmes platformës online, në çdo qytet dërgohet brenda 48 orësh.
Fakti i fshehur: Novo Disk, kompania daneze që e ka prodhuar nuk është kursyer me ata që kanë në dorë sa dhe si do të përdoret një medikament: Mjekët. Novo Disk ka shpenzuar mbi 11 milionë dollarë vetëm në SHBA për marketing te mjekët (udhëtime dhe ushqim).
Mbi 12 mijë mjekë u ftuan në seminare gjatë të cilave u shpjegohej si funksionon e gjithë klasa e molekulave të agonistëve GLP-1, nga të cilat Ozempic është aktualisht më i suksesshmi. Ozempic, Saxenda, Wegovy janë medikamentet që sot po përdoren nga njerëz të njohur publik në mbarë botën për rënien nga pesha e që reklamohen si ilaçi magjik që heq kilogramët e tepërta. Por, studimet më të fundit në fakt të botuara në revista prestigjioze po flasin gjithnjë e më shumë për efekte anësore në shëndet.
Ozempic është një arritje e madhe për mjekësinë, por jo një “shkop magjik” për estetikën. Përdorimi i tij pa kriter jo vetëm që rrezikon shëndetin e përdoruesit, por privon të sëmurët kronikë nga një ilaç jetik./acqj.al