Denada Jushi
Arbri është një 30-vjeçar i cili duhet të bëjë dy punë, që të përballojë banesën me qira pranë ish-stadiumit Dinamo.
“Prej pak muajsh jam bërë baba dhe krahas shpenzimeve për familjen, barra më e madhe është qiraja.”
Edhe pse pagesat e dy punëve i kalojnë 1 mijë euro, 50% e tyre shkon për qiranë e një apartamenti 1+1, na thotë ai.
Rritja e qirave në Shqipëri, në Tiranë apo në disa nga zonat bregdetare si Durrësi, Lezha dhe Vlora, nuk lidhet me fenomene të përkohshme. Të dhënat që kemi marrë nga vlerësimet e agjentëve imobiliarë apo analizat e ekonomistëve tregojnë se familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, apo mbi të gjitha familjet e reja, e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë një banesë me qira.
Sipas INSTAT, në nëntor 2025, qiratë rezultuan grupi me rritjen më të lartë të çmimeve, me një rritje prej 6.7%.
Një sfidë për mijëra familje në kryeqytet, të cilat përballen me çmime që jo pak herë tejkalojnë të ardhurat e tyre mujore.
ACQJ bëri një vëzhgim në terren për të kuptuar më shumë mbi të dhënat e tregut imobiliar.
Cilat janë zonat më të kërkuara të Tiranës?
Sa arrijnë çmimet e qirave dhe mbi të gjitha si e ndikojnë ekonominë e qytetarëve?
Nga vëzhgimi i disa kompanive imobiliare, vërejtëm se një apartament 1+1 në zonat e kërkuara të kryeqytetit jepet me qira deri në 900 euro në muaj.
Për një apartament 2+1 pranë stadiumit “Air Albania”, çmimi mund të arrijë deri në 1,800 euro. Në zonën e Ish-Bllokut, një apartament 1+1 kushton mesatarisht rreth 800 euro, me një rritje prej 16 për qind krahasuar me një vit më parë. Në Rrugën e Elbasanit, qiratë për një 1+1 arrijnë rreth 700 euro, ndërsa në zonën e Liqenit Artificial çmimet shkojnë deri në 900 euro për 1+1 dhe 1,400 euro për 2+1, me rritje që arrijnë deri në 17 për qind.
Sipas Klajdit, agjent imobiliar me përvojë në tregun e pasurive të paluajtshme, rritja më e fortë e qirave gjatë dy viteve të fundit është vërejtur në zonat prime dhe semi-prime të Tiranës.
“Bëhet fjalë kryesisht për Bllokun, zonën e Liqenit Artificial, Komunën e Parisit, Don Boskon dhe disa pjesë të qendrës,” thotë ai. Sipas tij, kërkesa në këto zona ka qenë dukshëm më e lartë se oferta, duke nxitur rritjen e çmimeve.
Gjetja e një apartamenti me qira nën 400 euro brenda vijës së verdhë të Tiranës është bërë gjithnjë e më e vështirë. Kërkesa e lartë dhe oferta e kufizuar kanë shtyrë çmimet lart, duke e zhvendosur gjithnjë e më shumë shtresën e mesme drejt periferisë së qytetit.
Megjithatë, Klajdi Peçi nga Century Sun 21 thotë se kërkesat janë shtuar në treg, ndaj është një marrëdhënie kërkesë-ofertë.
Rritja e qirave në Tiranë është rezultat i një kombinimi faktorësh, thotë Peçi. Interesimi i të huajve, ekspertëve nomadë dixhitalë, por edhe përdorimi i ambienteve për Airbnb kanë ndikuar ndjeshëm.
Një pjesë e konsiderueshme e pronave të banimit po përdoren për qira afatshkurtra turistike, përmes platformave si Airbnb, duke reduktuar ndjeshëm ofertën për banim të qëndrueshëm. Ky fenomen është rritur vitet e fundit me rritjen e turizmit në vend. Turizmi, veçanërisht ai afatshkurtër, ka luajtur një rol të rëndësishëm. Pronarët preferojnë të japin apartamentet me qira ditore, të cilat ofrojnë fitime më të larta.
Një tjetër faktor lidhet me çmimet e larta të blerjes së banesave. Për shumë familje dhe individë, blerja e një shtëpie është bërë praktikisht e pamundur, duke i detyruar të qëndrojnë më gjatë me qira.
Të ardhurat dhe qiratë: raport në disbalancë!
Sipas INSTAT, paga mesatare bruto mujore në Shqipëri në tremujorin e parë të vitit 2025 ishte rreth 82,210 lekë, ose afërsisht 740 euro. Për shumë familje, kjo do të thotë se një qira mujore në Tiranë mund të konsumojë një pjesë shumë të madhe të të ardhurave.
Ekonomisti Zef Preçi thotë se rritja e qirave po ecën shumë më shpejt se rritja e pagave. “Në vlerësimin tim, qiratë po rriten shumë më shpejt se pagat e punës, kryesisht për shkak të faktorëve makroekonomikë jashtë tregut, si pastrimi i parave që vijnë nga korrupsioni dhe veprimtaritë kriminale,” thotë ai.
Sipas Preçit, ndonëse në vendet e rajonit rritja e qirave lidhet me urbanizimin, të ardhurat dhe kufizimet e ofertës, në Shqipëri rritja e çmimeve të banesave ka ndodhur kryesisht për arsye jo ekonomike. “Qiratë janë bërë viktimë e këtij procesi, të toleruar nga qeveria dhe agjencitë ligjzbatuese,” thekson ai.
Një nga dallimet më të mëdha mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian lidhet me mënyrën se si mbrohet qiramarrësi. Në shumicën e vendeve të BE-së, qiratë nuk mund të rriten lirshëm, por lidhen me inflacionin, indeksin e çmimeve ose një tavan ligjor vjetor. Pra, ndryshimi i qirave nuk mund të ndodhë brenda natës, por vetëm në raste kur ka arsye reale. Kjo mbrojtje nuk lejon askënd të abuzojë dhe rëndon qytetarin.
Në Gjermani, rritja e qirasë është e kufizuar në maksimum 10 për qind brenda tre viteve. Në Francë, qiratë lidhen me indeksin e inflacionit, ndërsa në Holandë aplikohet një tavan kombëtar vjetor. Spanja ka vendosur kufizime të forta në zonat e ashtuquajtura të “strehimit të mbingarkuar”.
Kurse në Shqipëri, një mekanizëm i tillë mungon. Ligji nuk vendos asnjë kufizim për rritjen e qirave, duke e lënë tregun të parregulluar dhe qiramarrësin të pambrojtur.
Por a mund të ndërhyhet në këtë sektor, pa prishur tregun e lirë?
Sipas ekonomistit Zef Preçi, po.
Ndërhyrja në tregun e qirave nuk nënkupton domosdoshmërisht cenimin e tregut të lirë.
“Ka hapësira për ndërhyrje që rrisin transparencën dhe formalizimin, si regjistrimi i saktë i banesave, ulja e informalitetit dhe rishikimi i taksimit mbi qiratë,” shprehet ai.
Preçi sugjeron gjithashtu politika lehtësuese për grupe të caktuara shoqërore, si studentët, familjet me të ardhura të ulëta apo personat pa strehë, duke theksuar se banimi duhet të trajtohet si një çështje sociale dhe jo vetëm si marrëdhënie private.
Por për shkak të të ardhurave të ulëta dhe çmimeve të larta të shitjes së apartamenteve, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të mbipopullimit të banesave te të rinjtë, që po kthehet në një faktor nxitës për emigracionin.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, për vitin 2021, të fundit të disponueshme për Shqipërinë, 70.3% e të rinjve shqiptarë (15–29 vjeç) jetojnë në kushte mbipopullimi, që nënkupton se një familje nuk ka mjaftueshëm dhoma në raport me numrin e anëtarëve.
Sipas agjentëve, qiratë në Tiranë pritet të hyjnë në një fazë stabilizimi, me rritje më të përmbajtura.
“Tregu po bëhet më selektiv,” thotë Klajdi. “Qiramarrësit janë të gatshëm të paguajnë, por vetëm për vlerë reale.”
Megjithatë, për familjet shqiptare me të ardhura mesatare, rritja e qirave mbetet një barrë që i rëndon. Ekspertët thonë se, duke aplikuar politika mbrojtëse dhe duke parë mundësinë e huazimit të një kuadri ligjor, strehimi mund të arrijë të stabilizohet. Në të kundërt, rrezikon të kthehet në një sfidë të papërballueshme për qytetarët./acqj.al