Ida Ismalaj
Shoqata Together for Life ka prezantuar një raport monitorimi mbi mënyrën se si institucionet publike trajtojnë ankesat dhe sinjalizimet për korrupsion në sektorin e shëndetësisë. Raporti evidenton se pavarësisht ngritjes së strukturave përkatëse, sinjalizimet e qytetarëve dhe të punonjësve për korrupsion, ndryshe nga sa raportohet nga media, mbeten shumë të pakta.
Në një kohë ku qytetarët ankohen çdo ditë për mosmarrje shërbimi dinjitoz në institucionet shëndetësore publike, mungesa pothuajse totale e ankesave për korrupsion në institucionet publike shëndetësore ngre më shumë dyshime sesa siguri. Ky është konstatimi kryesor i raportit të monitorimit, i cili ka analizuar mënyrën se si institucionet shëndetësore trajtojnë ankesat dhe sinjalizimet për korrupsion.
Sipas raportit, në institucionet e monitoruara nuk rezulton asnjë ankesë formale për korrupsion, përveç një rasti të izoluar dhe të paqartë nëse përbën një denoncim të mirëfilltë apo jo. Në një vend ku perceptimi publik për korrupsionin në shëndetësi është i lartë, kjo shihet si tregues i heshtjes nga frika, mosbesimi ose mungesa e informacionit.
Edhe të dhënat e ILDKPKI-së e përforcojnë këtë panoramë: Sipas Raportit Vjetor 2024, ndonëse janë ngritur dhe funksionojnë njësitë përgjegjëse për sinjalizimin në institucionet publike, nuk ka asnjë sinjalizim të brendshëm për korrupsion në sektorin shëndetësor.
Ndërsa sa i takon sinjalizimit të jashtëm të kryer në mënyrë të drejtpërdrejt pranë ILDKPKI, nuk del e qartë nga raporti nëse 6 sinjalizimet e kryera ndaj institucioneve publike janë kryer nga punonjës të institucioneve shëndetësore.
Përfaqësuesja e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Majlinda Thomaj shprehet se ILDKPKI ka qenë e angazhuar që në fazën fillestare të zbatimit të ligjit për sinjalizimin.
“Aktualisht për vitin që flasim janë krijuar 194 njësi përgjegjëse në sektorin në sektorin publik dhe 540 përgjegjëse njësi në sektorin privat,” shprehet ajo.
Monitorimi i Together for Life nxjerr në pah një model të përsëritur në disa institucione shëndetësore:
- Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” deklaron zyrtarisht se nuk ka patur asnjë sinjalizim, as shkresor dhe as elektronik. Në faqen zyrtare mungon një program i qartë transparence dhe nuk ofrohen informacione të drejtpërdrejta për denoncimin e korrupsionit.
- Instituti i Shëndetit Publik ka përcjellë një përgjigje të pjesshme, duke deklaruar se nuk ka patur ankesa për korrupsion, por duke deleguar përgjegjësinë e informimit tek një institucion tjetër.
- Spitali Universitar i Traumës nuk ofron të dhëna të qarta për numrin e ankesave. As nga përgjigjja zyrtare dhe as nga faqja e internetit nuk mund të identifikohet ndonjë regjistër ankesash.
- Spitali Psikiatrik Elbasan ka ngritur një komision të brendshëm për menaxhimin e ankesave, por sipas institucionit nuk ka patur asnjë ankesë të depozituar, as fizikisht dhe as elektronikisht.
- Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor konfirmon se nuk ka patur asnjë ankesë të regjistruar lidhur me ryshfet apo korrupsion.
- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh) pranon se nuk ka një strukturë të dedikuar për ankesat kundër korrupsionit. Ankesat trajtohen në mënyrë të përgjithshme dhe delegohen në drejtoritë përkatëse, duke munguar një mekanizëm specifik dhe i pavarur.
Struktura që ekzistojnë vetëm në letër
Raporti evidenton gjithashtu mbivendosje rolesh dhe konfuzion institucional. Në disa raste, njësitë e sinjalizimit, koordinatorët kundër korrupsionit dhe auditit të brendshëm funksionojnë pa ndarje të qartë kompetencash, madje ndonjëherë nga i njëjti punonjës. Kjo rrit rrezikun e konfliktit të interesit dhe minon besueshmërinë e procesit.
Në institucione të tjera, njësitë e ankesave ekzistojnë vetëm formalisht, pa staf, pa burime financiare dhe pa kapacitete teknike. Akoma më problematike është varësia hierarkike e këtyre strukturave nga drejtuesit e institucioneve, duke vënë në dyshim paanshmërinë e tyre.
Edhe pse shumica e institucioneve kanë miratuar programe transparence sipas ligjit për të drejtën e informimit, ato nuk përfshijnë elementë konkretë për ankesat antikorrupsion. Mungojnë regjistrat publikë të ankesave, formatet standarde të denoncimit dhe informacioni i qartë mbi procedurat.
Raporti i Together for Life arrin në një përfundim që në në sektorin e shëndetësisë, mekanizmat e ankesave ekzistojnë, por nuk funksionojnë si duhet. Pa pavarësi, pa staf, pa transparencë dhe pa mbrojtje reale për sinjalizuesit, këto struktura rrezikojnë të mbeten thjesht formalitete administrative.
Rekomandimi kryesor është ndërtimi i një strategjie gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale, në bashkëpunim me shoqërinë civile, për të promovuar kulturën e raportimit dhe për të garantuar mbrojtje reale për ata që guxojnë të flasin./acqj.al