Java kundër diskriminimit 2025: Edukim, ndërgjegjësim, parandalim

Java Kundër Diskriminimit 2025 solli mesazhe për parandalim dhe bashkëpunim, por realiteti mbetet i pandryshuar. Aksesueshmëria, strehimi, gjuha e urrejtjes dhe barazia gjinore vazhdojnë të sfidojnë institucionet. Mes premtimeve dhe statistikave, pyetja mbetet: pse diskriminimi vazhdon të përsëritet?

Ida Ismalaj

“Mos prit që diskriminimi të ndodhë, parandaloje.” Ky ishte mesazhi kryesor i Javës Kundër Diskriminimit 2025, por faktet tregojnë se Shqipëria hyn në vitin e ardhshëm me të njëjtat plagë të hapura.

Aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara, strehimi i komunitetit rom dhe egjiptianë, si dhe gjuha e urrejtjes mbeten sfidat kryesore, pavarësisht viteve të diskutimeve dhe strategjive. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda pranoi se problematikat mbeten pothuajse të njëjta si në vitet paraardhëse. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 2010–2024, pranë institucionit janë trajtuar 2429 ankesa me pretendim për diskriminim.

“Së bashku me organizatat e shoqërisë civile mund të bëjmë më shumë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, jo vetëm në trajtimin e çështjeve, por edhe në kërkimin e llogarisë ndaj palëve të treta” theksoi Gajda, duke nënvizuar se bashkëpunimi institucional nuk duhet të mbetet formal.

Një nismë e nisur nga Komisioneri ishte për ngacmimet seksuale në administratën publike. Sipas Gajdës, ekziston një projekt i posaçëm i institucionit, por mungojnë ende monitorime konkrete që të tregojnë përmasat reale të këtij shqetësimi. “Duhet monitorim, trajnime dhe rregullim i Kodit të Etikës se si institucioni do të përballet me këtë çështje” u shpreh ai. Në të njëjtën linjë, Gajda foli edhe për ligjin për Barazinë Gjinore, i cili sipas tij është product i mirë, por në praktikë është shoqëruar me dezinformim dhe gjuhë urrejtjeje si asnjëherë tjetër.

Ndërkohë, Risena Xhaja kryeadministratore e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara vuri theksin te ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara. “Fokusi ynë kryesor është vendosja e pasurive të konfiskuara në funksion të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore” deklaroi ajo.

Sipas Xhajës, agjencia ka qenë për vite me radhë “nën hije”, e përmendur vetëm në një rresht të ligjit Antimafia, pa vëmendjen e duhur as në nivel kombëtar dhe as ndërkombëtar. 50% e pasurive do të kalojnë për përdorim institucional dhe social, megjithëse ajo pranoi se ka ende vështirësi në përdorimin e tyre. Xhaja: “Në një vit, janë prezantuar 30 projekte, ndërsa janë realizuar disa nisma konkrete, si vendosja e një vile në “Qytetin Studenti” për një organizatë që mbështet gratë e dhunuara dhe hapja e një galerie fotografie për fëmijët në nevojë”.

Xhaja nënvizoi se për vitin e ardhshëm janë 15 projekte me ripërdorim social dhe se të ardhurat e agjencisë janë rritur nga 800 mijë euro në 3 milionë euro në vit, vetëm nga administrimi i pasurive.

Nga ana tjetër, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e vendosi diskutimin në një kontekst më të gjerë. “Kemi pasur fatin që në gjashtë vitet e fundit të kemi një rrugëtim të përbashkët në spektrin e të drejtave të njeriut” tha ajo, duke pranuar se ka pasur edhe çështje për të cilat nuk ndihej krenare.

Ballanca shtoi se diskutimi kryesor në nivel global është kthimi pas në çështjet e të drejtave të njeriut: “Fatkeqësisht, flluska e përkatësisë së të drejtave të njeriut po merr goditje jo të vogla” nënvizoi Ballanca, duke theksuar se vetëm një bashkëpunim real mes institucioneve dhe shoqërisë civile mund të adresojë këto problematika./acqj.al