Ida Ismalaj
Fushata për zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri nuk u zhvillua vetëm në terren. Beteja më e madhe, më e heshtur dhe më e padukshme u zhvillua në hapësirën digjitale, një territor ku informacioni u kontrollua, u filtrua dhe shpesh u manipulua.
Një monitorim i gjerë i BIRN Albania në mbi 40 media online, nga portalet e lajmeve deri tek faqet e televizioneve kombëtare zbulon një realitet shqetësues: Gjatë 30 ditëve të fushatës (11 prill-10 maj), mediat shqiptare u shndërruan në transmetues mekanikë të deklaratave politike, ndërsa gazetaria nga terreni pothuajse u zhduk.
Nga monitorimi, rezultoi se 75% e mbulimit mediatik përbëhej nga deklarata dhe opinione politike, shumica e të cilave ishin thjesht riprodhime komunikatash apo postimesh në rrjete sociale. Në vend të verifikimit, analizës dhe balancimit, portalet ofruan një rrjedhë të pandërprerë mesazhesh të gatshme nga zyrat e shtypit të partive. Kjo e ktheu hapësirën online në një alibi të përsosur për aktorët politikë për të diktuar narrativën, pa kundërshtim dhe pa filtër kritik.
Dominimi i dyshes PS-ASHM
Dy aktorët kryesorë, Partia Socialiste (PS) dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM), përthithën mbi 90% të mbulimit të deklaratave politike. Brenda këtij territori të kontrolluar, Kryeministri Edi Rama dhe lideri opozitar Sali Berisha zunë pothuajse 60% të publikimeve, duke zhdukur pothuajse plotësisht kandidatë të tjerë dhe partitë më të vogla.
Partitë e vogla mbetën të padukshme, jo për mungesë aktiviteti, por për mungesë hapësire. Mediat nuk ndoqën temat e tyre, por zgjodhën narrativat më të klikueshme.
Gjuha e fushatës online u dominua nga përplasjet dhe akuzat, të cilat përbënin gati gjysmën e deklaratave. Ndërkohë, tema thelbësore si ekonomia, punësimi, drejtësia dhe barazia sociale u lanë në hije ose u trajtuan vetëm kur shërbenin si armë politike. PS u përqendrua kryesisht te mesazhet e integrimit europian, duke e lidhur këtë me premtime për “pasaportën evropiane” dhe sukses diplomatik, ndërsa çështjet e përditshme mbetën të dorës së dytë.
Aktivitetet qeveritare, si inaugurime, inspektime, njoftime zyrtare dominuan vijën e parë të portaleve, duke e bërë të paqartë kufirin mes fushatës dhe punës shtetërore.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u shfaq si institucioni më i dukshëm, kryesisht përmes komunikimeve të lidhura me procedurat dhe rregullat zgjedhore.
Reklamat politike: Pasqyra e pabarazisë
Monitorimi i reklamave online pasqyroi të njëjtën lojë të pabarabartë. Nga 90 reklama të regjistruara, mbi 80% i përkasin vetëm dy blloqeve të mëdha. Partitë e vogla, me burime financiare të kufizuara, mbetën jashtë kësaj gare, edhe pse marketingu digjital shihet si një faktor i rëndësishëm në zgjedhjet moderne.
Raporti i BIRN nxjerr në pah një problem struktural: Media online në Shqipëri ka humbur funksionin e saj si filtër kritik dhe është kthyer në kanal transmetimi të elitave politike. Narrativa e zgjedhjeve 2025 u diktua nga pak duar, ndërsa publiku mori informacion të pjesshëm, të shtrembëruar dhe polarizues.
Rekomandimet e Birn:
- Më shumë raportime nga terreni dhe më pak varësi nga deklaratat,
- Transparencë më të lartë mbi reklamat politike,
- Ekspozim më të gjerë për partitë e vogla dhe kandidatët gra,
- Mbikëqyrje më të rreptë të komunikimit institucional.
Por, pyetja që shteohet është: A mund të bëhet një fushatë e drejtë në një mjedis ku informacioni është i centralizuar, i kontrolluar dhe i diktuar nga pak aktorë?
Zgjedhjet e vitit 2025 treguan se demokracia nuk varet vetëm nga kutia e votimit. Por, varet edhe nga narrativa që i ushqehet publikut, dhe në 2025, kjo narrativë ishte më e filtruar se kurrë. /acqj.al