Denada Jushi
Moti në Shqipëri është një bekim, nga 360 ditë, mesatarisht vendi ynë 300 ditë i ka me diell, por ajo që dora e njeriut ka ndërtuar keq, pa pasur një plan infrastrukturor, me thyerjen e barrierave mbrojtëse, ndërtimin në zona jo të duhura dhe një sërë faktorësh të tjerë, kanë bërë që ditët e para të dimrit të përkthehen në një kaos që, si çdo vit, risjell pasoja edhe kësaj here, të rënda.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, u shpreh se po monitoron në terren situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut.
Ai tha nga Fieri se situata vijon të mbetet në alert dhe se përparësore është jeta e qytetarëve.
Por në Korçë, jeta e qytetarëve nuk është e sigurtë.
Kërkimet për Flora Hoxhën, 76 vjeç, vijojnë prej më shumë se 24 orësh në fshatin Progër të Korçës, ku ajo është zhdukur pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shumta.
Situata atje vijon të mbetet e rënduar; përroi që përshkon fshatin dyshohet se mund ta ketë marrë të moshuarën me vete.
Ndërsa dëmet janë të shumta, nga bujqësia deri tek bizneset e ndryshme.
Në fshatin Rëmenj në Pogradec, dy banesa janë pjesërisht të shembura pas vërshimit të ujërave, duke i kthyer të pabanueshme e duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.
Në Bashkinë e Maliqit, një pulari është përmbytur plotësisht. Administratori i pularisë thotë se dëmi ka zeruar të gjithë punën dhe investimin e krijuar ndër vite.
Situata e përmbytjeve më tutje përkeqësohet.
Pas çarjes së argjinaturës së lumit Bistricë në fshatin Çukë, janë shkaktuar dëme të shumta materiale dhe në bagëti. 500 krerë bagëti janë mbytur, ndërsa qindra tonë misër dhe produkte të tjera bujqësore janë dëmtuar brenda magazinave.
Në veri, problemi i përmbytjeve vijon prej vitit 2010.
Fshati Obot tashmë është “përshtatur” me këtë model jetese.
Varkat e ushtrisë qëndrojnë prej vitesh dhe mundësojnë gjatë gjithë dimrit kalimin e banorëve.
Çdo vit, të mbjellat dhe bagëtitë rrezikojnë nga hapja e digave.
Në Mirditë, 5 fshatra janë tërësisht të izoluara.
Rrëshqitja e dherave ka bërë që të shembet ura që lidh fshatin Jezull me rrugën kryesore.
Dëmet janë të larta thuajse në të gjithë vendin.
Edhe pse është herët për të folur për dëme ekonomike, një fenomen që vërehet çdo vit është se Shqipëria në verë thahet, e në dimër përmbytet.
Një vit më parë ministrja asokohe Anila Denaj, në prezantimin e projektbuxhetit 2024 për sektorin bujqësor, pranoi se nuk kishte fonde të mjaftueshme për të ndërhyrë, dhe se fatura vetëm për këtë sektor, për të parandaluar përmbytjet, ishte llogaritur në 700 milionë dollarë.
Vetëm fatura e vitit të shkuar, sa i takon dëmit që vinte nga zonat që u goditën nga breshëri, ishte 200 milionë lekë për qarkun Korçë, Berat, Elbasan.
Ndërsa kryeministri, vitin që shkoi, e konsideronte “çmenduri” të motit, nga e cila preket e gjithë bota.
Çdo sezon reshjesh tregon se institucionet nuk kanë një strategji të qëndrueshme për menaxhimin e riskut, ndërsa komunitetet ndodhen sërish përballë dëmeve ekonomike dhe sociale.
Derisa autoritetet të kuptojnë se është më mirë të parandalojnë sesa të dëmshpërblejnë, kostot do të vijojnë vit pas viti./acqj.al