Euro në rënie, Leku në ngjitje, çfarë ndodh pas ketij zhvlerësimi?

Në Shqipëri po ndodh një paradoks ekonomik: Leku po ngjitet, ndërsa euro po bie në nivelet më të ulëta të dekadës. Pas këtij zhvlerësimi qëndron një përzierje e rrezikshme midis turizmit, remitancave, parave të ndërtimit dhe flukseve të paqarta që kanë mbushur tregun me valutë. Eksportuesit humbin, importuesit fitojnë, ndërsa qytetarët shohin fuqinë blerëse të ndryshojë çdo ditë.

Denada Jushi

Shqipëria po përballet me një paradoks të rrallë ekonomik; një monedhë kombëtare që forcohet përtej pritshmërive dhe një Euro që po humbet terren dita-ditës.

Kursi i këmbimit ka rënë nën 98 Lekë për Euro niveli më i ulët i dekadës, kur disa vite më parë, një Euro kushton 140 lekë, një diferencë që ka ngjallur debate të forta mes ekonomistëve, eksportuesve dhe Bankës së Shqipërisë.

Pas këtyre shifrash, qëndron një realitet kompleks, ku prurjet e larta valutore, ekonomia joformale dhe mungesa e një politike të qartë fiskale, po ndërtojnë një ekuilibër të rrezikshëm për ekonominë shqiptare.

Dhe pikëpyetja më e madhë është deri ku do të shkojë ky zhvlerësim i Euros? A rrezikon të demtohet ekonomia e vendit?

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa e përshkruan situatën si “një disbalancë të krijuar mes kërkesës dhe ofertës në tregun monetar, e ushqyer nga prurje të forta valutore në Euro”.

Sipas tij, përmirësimi i ekonomisë së brendshme, rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve veçanërisht turizmit si dhe investimet e huaja kanë pasur ndikim të fortë.

Por, shton Xhepa, historia nuk mbaron këtu:

“Mendoj se edhe hyrjet e Euros nga ekonomia joformale, trafiqet, korrupsioni, etj. kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sjelljen e kursit të këmbimit.”

Prej vitesh diskutohet në menyrë informale, sa se është duke e ndikuar paraja e pistë, që hyn në vendin tonë, ekonominë?

A e demton qytetarin normal të ketij vendi realiteti ekonomik i ndikuar nga kjo para?

Në vend që të mungojë valuta, siç ndodh zakonisht në një ekonomi të vogël si e jona, sot në Shqipëri qarkullojnë më shumë Euro se kurrë. Ato vijnë nga turistët, emigrantët, por edhe nga kanale që askush s’i kontrollon plotësisht. Dhe ky “vërshim Eurosh” po e ul vetë vlerën e monedhës evropiane përballë Lekut.

ACQJ ju drejtua Bankës së Shqipërisë për të kuptuar më teper mbi këtë huhatje, për shkaqet dhe arsyet që ky institucion veren sa i takon zhvlerësimit të Euros dhe nëse vetë Banka e Shqipërisë, ka ndërhyrë si aktor në këtë situatë.

Kjo e fundit ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve konkrete, deri më tani, sa i takon kërkeses zyrtare, por qëndrimi i saj publik ka qenë i përsëritur, kursi i këmbimit nuk është objektiv politikash monetare, por inflacioni po.

Po çfarë nënkuptohet me këtë?

Në interpretimin e Selami Xhepës, kjo do të thotë se ndërhyrjet që banka ka bërë në treg “kanë synuar vetëm të shmangin luhatjet e forta, pa patur si qëllim ruajtjen e një niveli të caktuar që konsiderohet i dëmshëm për sektorin real.”

Në praktikë, kjo do të thotë se Euro është lënë të “zhvlerësohet lirshëm”, pavarësisht se kjo ka prodhuar një efekt domino në disa shtylla të ekonomisë si eksportet, prodhimin, kreditë dhe remitancat.

Humbësit dhe fituesit e zhvlerësimit

Gazetari i ekonomisë Neritan Gjerko e përshkruan me një metaforë të fortë këtë situatë

“Nëse do të shohim ecurinë e Euros në rajon, Shqipëria është si një avion që po zbret në pistë, ndërsa fqinjët qëndrojnë në fluturim të qëndrueshëm.”

Sipas Gjerkos, humbësit më të mëdhenj janë eksportuesit, kryesisht ndërmarrjet fason të cilët “kanë deklaruar humbje që kalojnë 200 milionë Euro, kanë shkurtuar staf dhe disa janë mbyllur apo zhvendosur jashtë”.

Këto biznese, që shesin në Euro por paguajnë kostot në Lekë, po shohin fitimet të shkrihen për shkak të kursit. Humbës të tjerë janë familjet që jetojnë me remitanca.

Në vitin 2020, 100 Euro vlenin 12,500 Lekë. Sot, vlejnë vetëm 9,700 Lekë, 2,800 Lekë më pak për të njëjtën shumë.

Në mënyrë të ngjashme, ata që kanë marrë kredi në Euro, por të ardhurat i kanë në Lekë, po përballen me këste më të larta dhe norma interesi që janë rritur pas krizës inflacioniste të 2022-shit.

Por jo të gjithë humbin!

Qeveria dhe importuesit janë në anën tjetër të medaljes. Si zakonisht kur vjen puna për fitimet!

Qeveria, që mbledh të ardhura në Lekë dhe shlyen borxhe në Euro, përfiton nga zhvlerësimi. I duhen 25% më pak Lekë për të paguar të njëjtin borxh të jashtëm, thotë Gjerko.

Ndërsa importuesit e naftës dhe mallrave të tjera kanë rritur fitimet, “me mbi 100 milionë Euro në vit vetëm nga kursi i këmbimit”, pasi çmimet për konsumatorin nuk janë ulur.

Kur vjen puna për ta krahasuar Shqipërinë me rajonin, natyrisht tabloja është e ndryshme. Në Kosovë dhe Mal të Zi, ku Euro është monedha zyrtare, efekti nuk ekziston.

Por çfarë tregon vezhgimi në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi? Euro është luhatur brenda kufijve normalë, pa rënie dramatike. Shqipëria është përjashtimi! Aty ku rënia e kursit nuk lidhet vetëm me faktorë ekonomikë, por edhe me mungesë transparence mbi burimin e valutës.

“Ka një prezencë të panjohur në treg,” paralajmëron Arben Shkodra, ekspert fiskal.

“Nuk po shohim një studim të Bankës së Shqipërisë që të tregojë se jemi gabim. Sot kemi ulje të eksporteve nga mbiçmimi i Lekut. Dyshojmë se prezenca e Euros në mënyrë okulte po ndikon në kurs.”

Shkodra ngre alarmin për mungesën e një modeli ekonomik të qëndrueshëm:

“Jemi në vendin 82 në renditjen e Bankës Botërore sepse jemi pa busull. Nuk kemi strategji që tregon se cila do të jetë ekonomia shqiptare.”

Ai shton se bumi i ndërtimit dhe flukset e parave nga rindërtimi pas tërmetit kanë ushqyer tregun me Euro pa origjinë të qartë, pa reflektuar në rritje të prodhimit apo të eksportit.

Natyrisht ky peizazh nuk është pa pasoja! Nëse Euro vijon të zhvlerësohet, paralajmëron Xhepa, “rrezikojmë një krizë të fortë monetare me pasoja të pariparueshme”.

Prodhimi vendas dhe ai për eksport do të rrënohej seriozisht, dhe konkurueshmëria e turizmit gjithashtu do të cenohej ndjeshëm, thotë ai. Ndërsa Banka e Shqipërisë rendit disa faktorë të tjerë që kanë ndikuar sipas tyre.

Sa i takon ndikimit të forcimit të Lekut tek eksportet, analiza është më komplekse dhe varet nga një sërë faktorësh, mes tyre lloji i ekspozimit në tregjet ndërkombëtare dhe aftësia për të përcjellë kostot te çmimet e produkteve apo shërbimeve të ofruara

Ndërkohë, qytetarët po përshtaten. Siç vëren Gjerko, “sot kursi i këmbimit po bëhet më i lexueshëm dhe më i parashikueshëm”.

Një pjesë e popullsisë ka filluar të kursejë në Lekë, e të kërkojë kredi në monedhën vendase, duke pranuar se “çdo qindarkë e ruajtur sot në Lekë, nesër do të ketë më shumë vlerë në valutë”.

Shqipëria, për momentin po qëndron në një ekuilibër “delikat” midis fitimeve afatshkurtra dhe rreziqeve afatgjata që mund të shpërthejnë në çdo moment. Nëse Euro vazhdon të bjerë, ajo që sot duket si fitore monetare, nesër mund të kthehet në një krizë që do ta paguajmë të gjithë. /acqj.al