Liria e medias kundrejt lirisë së pronarëve të medias

Në një peizazh mediatik ku pluralizmi është vetëm numerik, pronarët e mediave në Shqipëri vijojnë të ndikojnë në vijat editoriale përmes interesave të tyre ekonomike dhe politike. Nga ndërtimi te turizmi, lidhjet mes biznesit dhe redaksive po cënojnë integritetin e gazetarisë. Në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias, OSBE, ekspertët theksuan krizën e pavarësisë editoriale, sfidat financiare të RTSH-së dhe domosdoshmërinë e transparencës për pronarët e mediave.

Denada Jushi

Influenca politike, ekonomike, vija editoriale lidhen ngushtë me pronësinë e medias dhe interesat e këtyre pronarëve në fusha të tjera. Kjo është një nga gjetjet që prezantoi Marius Dragomir, Drejtor i Media and Journalism Research Center, në Media Development Forum të 11-të të organizuar nga OSBE në Shqipëri.

Forumi është një takim i përvitshëm i roganizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në të cilin përfaqësues nga media kombëtare dhe lokale, institucione publike, akademikë dhe shoqëria civile diskutojnë mbi sfidat më të rëndësishme por edhe arritjet në këtë fushë, dhe të ardhmen e lirisë dhe integritetit të medias në vend.

Tre pronarët e mediave kombëtare dhe kryesore në vend janë shpallur investitorë strategjikë, tha Aleksandra Bogdani, kryeredaktore e BIRN Albania.

Duke evidentuar lidhjet e pronarëve të medias me interesa ekonomike, dhe si pasojë e kësaj lidhjeje ndryshon apo përshtatet vija editoriale në varësi të interesave qeveritare. Tri fushat kryesore, tha Bogdani, ku vërehet kjo lidhje janë ndërtimi, koncesionet dhe turizmi.

Për Blerjana Binon, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), në këtë marrëdhënie, të dëmtuar janë gazetarët, të cilët ose duhet të pranojnë vijën editoriale dhe të kthehen në “plastelinë” sa herë pronari ndërron vijën editoriale në bazë të interesave ekonomike, ose duhet të zgjedhë të punojë në qendra mediatike me financime që vijnë kryesisht nga vende të Bashkimit Europian apo SHBA, që garantojnë lirinë editoriale, por nuk kanë qëndrueshmëri në financime sepse operojnë me programe.

Armela Krasniqi, drejtuese e AMA-s, u ndal në rishikimin e ligjit të vitit 2013 për mediat, duke thënë se ai ishte një ligj për mediat analoge, ndërsa sot dixhitalizimi ka ndryshuar tërësisht këtë peizazh.

“Kemi 4 licenca kombëtare, por kemi 15 televizione tanimë që shihen në të gjithë vendin.”

Për Prof. Mark Markun, çdo ndërhyrje apo hartim duhet parë me kujdes, për shkak se sipas tij problemi i pronësisë është një nga problemet më të vështira për t’u adresuar, dhe që nuk ka një model as nga vendet e BE-së për këtë çështje.

Ndërkohë pikuë e rëndësishme e këtij forumi ishin edhe sfidat e Radio Televizionit Publik (RTSH).

Drejtoresha e re e institucionit, Eni Vasili, tha se ky televizion kishte humbur relevancën dhe se problemet financiare e kanë çuar para sfidave të mëdha TVSH-në.

“Po shohim strukturën, rregulloret dhe gjithçka mungon brenda këtij institucioni,” tha ajo.

Për Lutfi Dervishin, gazetar por edhe pjesë e këtij institucioni për një kohë të gjatë, nga viti 2007–2020, duhen emisione të mira dhe cilësore në TVSH. Balancimi i propagandës nuk është progres.

Progres është distancimi nga propaganda. E mbi të gjitha duhet vetëreflektim për përgjegjësinë dhe rëndësinë e Televizionit Publik, si aset.

Ndërsa për Binon, duhet zgjeruar përtej parlamentit roli se si zgjidhet Këshilli i këtij institucioni dhe duhet transparencë financiare.

RTSH, për shkak të largimeve masive dhe arbitrare nga puna të ardhura si pasojë e vendimeve të momentit të drejtuesve të saj ndër vite, vetëm për vitet 2023 – 2025 ka pësuar një faturë financiare të ardhur nga vendime gjyqësore prej 76,126,442 Lekë.

Nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për 3 vitet e fundit, janë marrë në total 42 vendime me objekt pushim i padrejtë nga puna, ndërsa nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për 3 vitet e fundit janë marrë në total 5 vendime.

Siguria e gazetarëve, impakti i medias, pavarësia editoriale e mbi të gjitha transparenca për pronarët e mediave në Shqipëri vijojnë të mbeten disa nga rekomandimet e çdo raporti që vjen nga Bashkimi Europian.

Në Shqipëri ka pluralitet mediatik në kuptimin e sasisë, por mungon pavarësia dhe liria për të dhënë lajmin.

Shembullin konkret e solli në forum Lutfi Dervishi me lajmin e thirrjes së Zv. Kryeministres Balluku në SPAK, të cilin nuk e raportuan as dy mediat më të mëdha në vend, por as televizioni publik. /acqj.al