Monopatinat, aksioni i radhës!

Në Tiranë, qindra qytetarë u zgjuan pa mjetet e tyre të transportit alternativ. Pas një urdhri të beftë nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit nisi sekuestrimin masiv të monopatinave elektrike, pa paralajmërim, konsultim publik apo bazë ligjore të qartë. Vendimi ndezi debate mbi ligjshmërinë, sigurinë rrugore dhe mënyrën “reaksionare” me të cilën institucionet shqiptare menaxhojnë problemet publike.

Denada Jushi

Me qindra monopatina dhe motorë elektrike janë sekuestruar prej ditës së hënë, ku Policia e Shtetit, pas një njoftimi në rrjetet sociale nga Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ku deklaroi se do të ndalohej menjëherë lëvizja me monopatina, pas një numri të madh ankesash dhe aksidentesh të raportuara në kohët e fundit.

Megjithatë, ky urdhër erdhi jo vetëm i beftë, por edhe pa një bazë ligjore të mirëfilltë, apo një plani afatgjatë për rregullimin e këtij sektori, duke vijuar fillimisht me një aksion sekuestrues e më pas ngritjen e një kornize të mirëfilltë ligjore që do të rregullojë këtë sektor, një traditë tashmë shumëvjeçare në modelin “reaksionar” të marrjes së masave publike për tejkalimin e një problemi.

Ky vendim ka nxitur një diskutim dhe reagim të gjerë në opinionin publik. Arsyeja lidhet jo vetëm me urdhrin që ka hyrë në fuqi në mënyrë të menjëhershme si dhe faktin se Policia e Shtetit nuk ka sqaruar se mbi çfarë baze ligjore po vepron për ndalimin dhe marrjen e monopatinave të qytetarëve për një afat ende të papërcaktuar, por edhe me çështjen se ka qenë vetë Bashkia Tiranë dhe Kryetari Veliaj, i cili i ka promovuar vetëm një vit më parë këto mjete si një alternativë për transportin publik dhe uljen e trafikut në rrugët e Tiranës.

Migen Qiraxhi, nga Qendresa Qytetare shprehet se “Policia e Shtetit ka vepruar në paligjshmërinë për bllokimin e motomjeteve elektrike. Është e pa imagjinueshme që pa mbushur 24 orë nga njoftimi në media dhe pa u përgatitur asnjë dokument zyrtar (apo bazë ligjore) Policia e Shtetit shfaqet në rrugë të zbatojë një kërkesë të Ministres që ndikon një numër të madh shqiptarësh dhe biznesesh në mënyrë drastike. Asnjë konsultim publik për të thjesht një iniciativë e rrufeshme e Ministres që po aq rrufeshëm zbatohet.”

ACQJ ju drejtua Policisë së Shtetit për të marrë një koment mbi situatën si dhe për t’u njohur mbi çfarë baze ligjore janë duke vepruar, por deri momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk morëm asnjë përgjigje.

Ditën e djeshme para Komisariatit të Policisë Rrugore u mbajt edhe një protestë për këtë vendim.

Migen Qirazhi, nga Qëndresa Qytetare vëren për ACQJ se “Së bashku me aktivistë dhe qytetarë ne organizuam edhe reagim përpara Drejtorisë së Policisë Rrugore, e megjithatë askush prej funksionarëve të policisë nuk merrte përsipër të shpjegonte situatën apo të kthente monopatinat qytetarëve duke ngritur supet për një veprimtari të palogjikshme dhe joligjore të ndërmarrë prej tyre”.

Qytetarët e pyetur u shprehën se asnjë rregullore nuk mund të vendoset brenda ditës, dhe se kjo rregullore i dëmton ata, për shkak se monopatinat i përdorin për të shmangur trafikun e rënduar, kur shkojnë në punë apo në shkollë.

“Të gjendur në vështirësi Policia e Shtetit kishte vetëm një fjali për ne “prisni 30 ditë sa ta rregullojë ministria procedurën,” përfundon Qiraxhi.

Por qytetarë të tjerë që u pyetën mbi vendimin, thanë se monopatinat janë kthyer në një rrezik sepse lëvizin kudo dhe me shpejtësi.

Shpresa, një zonjë në rrugën e Kavajës e cila shoqërohej nga mbesa e saj trevjeçare, na thotë se duhet të përcaktohen rregulla, sepse shpesh herë monopatinat i kanë kaluar në trotuar fare pranë saj dhe se është ndjerë e rrezikuar se bashku me fëmijën që merr për dore me frikë.

Ndarja në këtë çështje ka qenë edhe tek opinioni publik, ku njerëz të njohur në fusha të ndryshme si gazetaria apo shoqëria civile janë shprehur kundër kësaj rregulloreje.

Renaldo Salianji, gazetar, thotë se regjistrimi i monopatinave, kufizimi i shpejtësisë, limiti i moshës dhe mbajtja e pajisjeve mbrojtëse do ta përmirësonin panoramën e kësaj problematike.

Drejtuesi i një biznesi që tregton monopatina i thotë ACQJ se mësoi nga televizioni se kompania e tij kishte falimentuar me urdhër të Ministres. Të nesërmen, para derës së mbyllur, e kuptoi se lajmi nuk ishte thjesht një gabim mediatik.

Paradoksi sipas tij vijon më tej, kur në Republikën e Shqipërisë zhdoganimi dhe lejimi i futjes së këtij mjeti lejohet, por nga kjo e hënë nuk lejohet qarkullimi i tyre.

“Unë nuk e di çfarë do të ndodhë me biznesin tim, me të cilin mbaj familjen, përpos shpenzimeve që kam bërë për blerjen e furnizimit. Kemi frikë të zgjohemi në mëngjes sepse e gjen veten në situatë kaotike, ku përfshihet e ardhmja jo veç e imja por e gjithë familjes.”

Për ekspertin e sigurisë Fatjon Softa ky vendim është i drejtë por i nxituar, e për këtë ai ofron shifrat ku tregojnë rrezikshmërinë e monopatinave.

“Vetëm për vitin 2024 kemi rreth 191 raste, ku nuk mungojnë dhe rastet e vdekjeve që kanë ardhur si pasojë e përdorimit të tyre. Vetëm për 2025 kemi 212 raste, me 721 masa ndëshkuese nga Policia e Shtetit”.

Në Shqipëri mungon një ligj specifik për monopatinat apo motorët elektrikë, duke i lënë përdoruesit pa rregulla të qarta dhe mbrojtje ligjore. Nga janari 2024 deri në maj 2025 janë regjistruar 35 aksidente, 18 prej tyre në Tiranë; vetëm në pesë muajt e parë të 2025 janë raportuar 15 aksidente dhe 212 raste të lëndimeve, kryesisht te të rinjtë 15–30 vjeç.

Nuk kërkohet patentë, kaskë apo regjistrim, dhe gjobat ekzistuese për mjetet e regjistruara me autoritetet shtetërore nuk janë të zbatueshme. Praktikat ndërkombëtare kërkojnë korsi të dedikuara, por ato ose mungojnë ose nuk zbatohen.

Në një qytet si Tirana apo qytete të tjera të mëdha, trafiku vijon të mbetet një problem i pazgjidhur dhe që prek gjithë qytetarët. Po ashtu çmimi i lartë i naftës, pamundëson shumë qytetarë të përdorin makinat e tyre, linjat urbane vijojnë me problemet me oraret, ndaj monopatinat dhe skuterat ishin bërë një zgjidhje për qytetarët të cilët i përdornin për të kryer punët e tyre.

Zgjidhjet e shpejta me aksione nuk kanë funksionuar edhe pse kanë qenë praktika të vazhdueshme në këto vite.

Qartësia ligjore, ngritja e një grupi pune, konsultimi me përdoruesit dhe dëshira për të zgjidhur formën më të mirë edhe për sigurinë por edhe për mos pengimin e përdorimit të tyre do të ishte zgjidhja e vërtetë e cila nuk do të shkaktonte pakënaqësi.

Praktikat nga vendet europiane mund të shërbejnë si zgjidhje e kësaj situate. Gjermania ka vendosur t’i regjistrojë dhe të kufizojë zonat ku lejohet përdorimi i tyre. Në Francë gjobitesh me shuma të mëdha nëse nuk respekton rregullat, në Itali ka limit shpejtësie për to.

Huazimi i këtyre mënyrave do ta lehtësonte zgjidhjen, mjafton vetëm vullneti për ta bërë. acqj.al