Denada Jushi
Në Shqipëri për 2 ditë, 13 dhe 14 tetor, u mbajt Forumi i Gjashtë i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, ku fokusi ishin investimet në këto vende, me qëllim impaktin direkt në ekonomi dhe përafrimin e këtyre vendeve me BE-në. Ky moment është strategjik dhe tejet i rëndësishëm për integrimin e rajonit me BE përmes thithjes së investimeve të huaja me qëllim konsolidimin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë, duke e futur më qartë Ballkanin në hartën e zhvillimit europian dhe duke rikthyer besimin se rruga drejt Unionit po bëhet më e prekshme se kurrë.
Sipas Presidentes së BE-së Ursula Von der Leyen, integrimi i vendeve të rajonit do të thotë përmirësim i jetës së përditshme të secilit qytetar. Ajo solli si shembull transaksionet bankare: nga Brukseli në Tiranë më parë merrte 3 deri në 4 ditë dhe kushtonte 50 euro, ndërsa sot bëhet në çast dhe nuk ka asnjë tarifë, duke bërë që qytetari të jetë i barabartë me vendet e tjera europiane.
“Tarifat ishin 6 herë më të larta, anëtarësimi në SEPA do u kursejë afro 500 milionë euro në vit kompanive të huaja”.
Dy sektorët ku Presidentja Von der Leyen u ndal ishin Inteligjenca Artificiale dhe Energjia e Pastër, sektorë të cilët kanë qenë në vitet e fundit edhe në epiqendër të iniciativave zhurmëmëdha të qeverisë shqiptare. Megjithatë Von der Leyen deklaroi se BE do të nisë ngritjen e dy fabrikave për Inteligjencën Artificiale, njëra në Serbi dhe tjetra në Maqedoninë e Veriut, duke bërë që infrastruktura e Unionit të jetë në shërbim edhe të vendeve të Rajonit.
Prodhimi i energjisë së gjelbër është po ashtu një komponent i rëndësishëm që u diskutua në këtë forum. Për të kuptuar rëndësinë e kësaj teme, Presidentja solli në kujtesë faturat e majme të energjisë pas luftës Ukrainë-Rusi. Prodhimi i energjisë së pastër do të sjellë pavarësi dhe mbi të gjitha kosto të ulëta, duke e bërë tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër jo vetëm të mundur, por edhe të favorshëm për qytetarët.
Një nga marrëveshjet që përfitoi Shqipëria në këtë takim ishte nënshkrimi i “Titan Cement Group – Waste-to-Fuel and Waste-to-Heat Recovery Projects in Albania”, që në thelb ka të reduktojë pasojat e industrisë së çimentos, e cila është një nga industritë më ndotëse në botë. Energjia që do t’i shkaktonte dëm mjedisit mblidhet dhe kthehet në energji elektrike ose ngrohëse.
Shqipëria ka qenë nga vendet e para të rajonit që ka përfituar nga Fondi i Rritjes, i cili ka parashikuar që nga viti 2024 deri në 2027 t’u ofrojë vendeve të rajonit afro 6 miliardë euro.
Deri më tani Shqipëria ka përfituar 64,5 milionë euro në dy kategori: mbështetje në reforma si dhe investime në infrastrukturë.
34,5 milionë euro janë në proces implementimi në përmirësimin ose ngritjen e rrjeteve të transportit, energjisë dhe sociale. Ndërsa 30 milionë do të përdoren në formë huaje për të mbështetur reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, një sinjal i qartë se vendi po shihet si partner serioz dhe i gatshëm të përqafojë standardet e BE-së.
Më tej, vende të tjera si Serbia, e cila është dhe ekonomia më e madhe e rajonit, kanë përfituar përmes kornizës së investimeve apo kredive të buta në transport, energji dhe dixhitalizim.
Kur vjen puna tek Kosova, si një nga ekonomitë më të reja të rajonit, ky përfitim është ende në fazat fillestare. Ajo është mbështetur në projekte bazike si rrugët dhe energjia, sektorë ku ende vijojnë të ketë probleme të mëdha.
Jo pak herë vendet e rajonit penalizohen nga politika e brendshme dhe bllokadat e vazhdueshme për të përfituar nga Fondi i Rritjes, si në rastin e Kosovën konkretisht.
Bashkimi Europian synon të shpërndajë shtatë për qind të fondeve të planit të rritjes për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor që miratojnë Agjendat e Reformës, si parapagesë. Ky instrument financiar, që mbulon periudhën 2024–2027, ka një vlerë prej gjashtë miliardë eurosh dhe është krijuar me qëllimin për të dyfishuar rritjen ekonomike të rajonit gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Nga kjo shumë, dy miliardë euro do të ndahen në formën e granteve, ndërsa katër miliardë të tjera si hua me interesa të favorshme. Vlerësohet që Serbia do të përfitojë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 888 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë dhe Mali i Zi 383.5 milionë euro.
Pjesë e punimeve të forumit dyditor ishte edhe Kryeministri Rama, i cili kësaj here u shfaq optimist dhe pa vërejtjen e vazhdueshme ndaj Unionit për vonesën e integrimit, edhe pse u ndal tek koncepti i pritjes duke e quajtur “Në pritjen e Godosë…”
“Horizont i ri për mua do të thotë një vend ku investimet europiane gjejnë një ritëm shpejtësie të ri, ku novacioni nuk e gjen veten të zhytur nën pirgje letrash, e ku rezistenca nuk është slogan, por një nevojë e përditshme që përmbushet nga përkushtimi i pakushtëzuar ndaj Bashkimit të Europës.”
Ai riktheksoi nevojën që ka rajoni të jetë pjesë e BE-së në mënyrë që potenciali të kthehet në qëllim, duke shprehur bindjen se momenti për një kapitull të ri europian nuk është më thjesht aspiratë, por një proces në lëvizje.
Përpos firmosjes së 10 projekteve të biznesit, në ditën e dytë u diskutua edhe për 24 marrëveshje potenciale për të ardhmen.
Presidentja Von der Leyen pas Tiranës do të vijojë takimet në të gjitha vendet e rajonit, për takime bilaterale që në fokus kanë përfitimin nga Plani i Rritjes si dhe thithjen e investimeve të huaja. acqj.al