Vivian Mançellari
Nevojat për shërbime dhe kapacitete të shtuara janë një domosdoshmëri urgjente për qytetarët që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor në Shqipëri. Progresi në ngritjen e kapaciteteve të reja ëshë i pjesshëm dhe i ngadaltë. Planet e Veprimit për Shëndetin Mendor realizohen në mënyrë të kufizuar, me financime publike tepër të ulëta në krahasim me nevojën. Ekspertët vlerësojnë se mungon vizioni i institucioneve në mënyrën sesi planifikohen dhe realizohen këto zhvillime.
Shtëpitë e Mbështetura, ura lidhëse mes pacientëve dhe komunitetit
Prej disa vitesh Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt trajtimit në komunitet për personat me çrregullime të shëndetit mendor. Për këtë, është bërë reduktimi i kapaciteteve pranë shërbimeve psikiatrike me shtretër.
Rruga drejt deinstitucionailizimit dhe ulja e numrit të shtretërve psikiatrik, është shoqëruar me ngritjen dhe fuqizimin e shërbimeve komunitare, siç janë Shtëpitë e Mbështetura, në funksion të mirëadministrimit të pacientëve psikiatrikë në shërbimin shëndetësor.
Në rang kombëtar funksionojnë 14 Shtëpi të Mbështetura përkatësisht; 2 në Tiranë, 1 në Kavajë, 2 në Elbasan, 2 në Korçë, 4 në Shkodër dhe 3 në Vlorë. Kapaciteti total i tyre është 160 dhe aktualisht në këto shtëpi akomodohen 142 banorë.

Shtëpitë e Mbështetura të cilat ofrojnë shërbim rehabilitues dhe riaftësues për pacientët psikiatrikë, i përkasin në thelb fazës post-spitalore, përpara integrimit në komunitet të pacientit dhe kalimit të tij sërish nën mbikëqyrjen e Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor.
Banorët që akomodohen dhe marrin shërbim pranë Shtëpive të Mbështetura referohen nga Shërbimi i Psikiatrisë me Shtretër/Spitalet Psikiatrike.
Pas daljes nga spitali është i nevojshëm rehabilitimi i pacientëve për rifitimit e disa shprehive të jetesës të cilat i kanë humbur jo për shkak të diagnozës, por për shkak të institucionalizimit. Pas trajtimit në Shtëpitë e Mbështetura, të cilat janë institucione me kushte shtëpie, dhe kthimit pranë banesave dhe familjarëve të tyre, referohen pranë QKSHM-ve për trajtimin në vazhdimësi, si dhe ndiqen nga kjo qendër pas daljes në komunitet.
Koha mesatare e parashikuar për qëndrimin në Shtëpitë e Mbështetura varion sipas pacientëve në varësi të kohës që ju duhet për të rifituar funksionin dhe të jenë gati për një jetesë të pavarur në komunitet, por zakonisht është 6-12 muaj.
Trajtimet e ofruara pranë këtyre qendrave kryhen nga ekipet multidisiplinare, ato janë trajtime me medikamente, psikologjike, infermierore dhe sociale, specifike dhe individuale në bazë të diagnozës që pacientët kanë për problemet e shendetit mendor.
Sipas kuadrit rregullator në fuqi, në Shtëpitë e Mbështetura referohen:
– pacientët rezidentë kronikë të cilët nuk kanë më nevojë për trajtime spitalore, por kanë humbur ose iu janë cënuar aftësitë për të jetuar në komunitet për shkak të institucionalizimit të zgjatur;
dhe
– pacientë me çrregullime kronike të rënda të shëndetit mendor, të cilëve u mungon kujdesi familjar ose mbështetja shoqërore dhe kanë paaftësi të shprehur që nuk u mundëson jetesën në mënyrë të pavarur.
Ndjekja e trajtimeve përfshin mbikëqyrje të medikamenteve, terapi individuale dhe grupore, si dhe aktivitetete për përmirësimin e aftësive jetësore.
Mbingarkesa e shërbimMbingarkesa e shërbimeveeve
Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor me shtretër përmes uljes së numrit të shtretërve në këtë shërbim dhe ngritjes të shërbimeve komunitare, ende shërbimi me shtretër nuk përballon dot me cilësi dhe kushte të përshtatshme numrin në rritje të individëve me problematika kronike të shëndetit mendor.
Në institucionet shëndetësore ku ofrohet shërbim shëndetësor i specializuar me shtretër rreth 60% e shtretërve shfrytëzohet aktualisht nga pacientë kronikë rezidentë, të cilët prej vitesh jetojnë e trajtohen si pacientë të trajtimit të vullnetshëm pranë këtyre strukturave.
58.6% e pacientëve kronikë rezidentë kanë më shumë se 10 vite qëndrimi në shërbimin spitalor. Sipas një raporti nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, publikuar në vitin 2024, kjo dukuri është me e theksuar në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe të Vlorës ku pacientë kronikë rezidentë strehohen nga këto struktura në mungesë të një sistemimi alternativ për ta. Sipas këtij raporti, 37.5% e pacientëve kronikë rezidentë janë të braktisur nga familja.
Nga vizitat në terren të grupit të auditimit të KLSH në Elbasan e Vlorë, u konstatua se Shtëpitë e Mbështetura në vend që të shndërroheshin në një institucion tranzitor, gjysmë rezidencial, me qëllim rehabilitimin dhe riaftësimin e personave me diagnoza psikiatrike, janë shndërruar në një zgjatim të spitaleve e që ofrojnë në thelb shërbim rezidencial, pasi aty janë akomoduar individë për të cilët nuk ka më mundësi akomodimi në vende të tjera (për shkak të braktisjes nga familja, kushteve ekonomiko – sociale, apo për shkak të moshës së avancuar).
Sipas Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, edhe Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor vlerësojnë si problem kryesor mungesën e rezidencave sociale për personat e vetmuar e të braktisur.
“Sipas termave të referencës të Shtëpive të Mbështetura, ka një afat qëndrimi, nuk është një zëvendësim i spitalit me Shtëpinë e Mbështetur. Eshtë një institucion i ndërmjetëm që ka për synim rehabilitimin dhe jo strehimin e të sëmurëve kronik.”, thotë psikiatri Neli Demi.
Në të gjitha Shtepitë e Mbështetura të vendit trajtohen kryesisht pacientë me probleme kronike të shëndetit mendor të cilët kanë qenë të hospitalizuar për një kohë të gjatë.
Ndonëse Shtëpitë e Mbështetura nuk supozohet të jenë streha të përhershme të pacientëve të cilët më parë kanë jetuar në spitalet psikiatrike, psikiatri Demi e vlerëson si pozitiv këtë kalim: “Sigurisht janë kushte më të mira jetese dhe kjo është shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh kushtet jashtëzakonisht jonjerzore në të cilën këta persona kanë jetuar për vite me rradhë në spitalet psikiatrike.”
Zbatimi i kufizuar i Planeve të Veprimit për Shëndetin Mendor
Pavarësisht këtij angazhimi për të ngritur e fuqizuar shërbimet shëndetësore në të gjitha nivelet, në praktikë ka rezultuar se Plani I Veprimit për Shëndetin Mendor 2013 – 2022 ka patur realizim të pjesshëm e të kufizuar. Sipas parashikimeve në planin e veprimit duhet të funksiononin 22 Shtëpi të Mbështetura në gjithë vendin, ndërkohë janë ngritur vetëm 14 të tilla.
Edhe për Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026 i cili është në proces zbatimi, deri në shtator të vitit 2024 implementimi ka qenë i pjesshëm dhe i kufizuar, kryesisht për shkak të mungesës së financimit adekuat dhe prioritizimit institucional. Sipas raportit të organizatës “Together for Life” mbi shpenzimet publike për sektorin e shëndetësisë, burimet financiare nuk janë përshtatur me rritjen e nevojave reale.
“Për ta bërë funksional dhe gjithëpërfshirës sistemin e shërbimeve të shëndetit mendor, kërkohet urgjentisht rritje e investimeve, përmirësim i koordinimit ndërsektorial dhe vullnet politik për ta trajtuar shëndetin mendor si përparësi kombëtare.”, thotë Alma Lahe, eksperte pranë TFL.
Mosngritja e infrastrukturës institucionale në mbështetje të shërbimit shëndetësor të specializuar me shtretër ka rënduar ngarkesën e punës pranë këtyre strukturave, në veçanti në rastin e spitaleve psikiatrike të Elbasanit dhe të Vlorës, ku është shumë aktual dhe i prekshëm problemi i pacientëve kronikë rezidentë.
Shtimi i numrit të shtëpive do të bënte të mundur që kapacitetet ekzistente të mos shndërroheshin totalisht në streha për pacientë kronik, por të kishin mundësi të kryenin funksionin rehabilitues dhe riintegrues të parashikuar në termat e referencës të Shtëpive të Mbështetura.
Pranë Shtëpive të Mbështetura që funksionojnë aktualisht në vendin tonë, nuk ofrohet shërbim për të miturit. Sipas psikiatres për fëmijë dhe adoleshentë, Elona Dashi prania e këtyre shërbimeve do përmiresonte cilësinë e jetës së fëmijëve dhe familjeve të tyre.
“Shtëpitë e Mbështetura për fëmijë apo dhe institucione të posaçme për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve me probleme të shëndetit mendor, janë një nevojë imediate. Na ndodh shpesh në praktikë të shohim raste që kanë nevojë për këto shërbime të kufizuara.”, thotë Dashi.
Problemet e Shtëpive Mbështetëse ekzistuese
Sipas informacioneve të marra nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, nevojitet ndërhyrje e menjëhershme infrastrukturore, pasi disa prej godinave të Shtëpive Mbështetëse janë të amortizuara.
OSHKSH raporton si problematike edhe mungesat e burimeve njerëzore, veçanërisht për stafin specializuar në trajtimet psikosociale. Mungesa e programeve të rregullta të trajnimit për stafin e Shtëpive të Mbështetura, është një tjetër problem i cili duhet adresuar.
Sipas psikiatrit Neli Demi, funksionimi i institucioneve të reja komunitare të shëndetit mendor, ka nevojë për një ndjekje rigoroze dhe mbikqyrje të vazhdueshme. Sipas tij, duhet vlerësuar zbatimi i termave të referencës së institucionit dhe të çdo profesionisti në institucionet rehabilituese:
“Një psikolog që punon në spital psikiatrik, nuk ka të njëjtat terma reference si një psikolog që punon në Shtëpitë e Mbështetura, apo si një psikolog që punon në shërbimin komunitar të shëndetit mendor.”, shpjegon Demi.
“Nuk mjafton të hedhësh para dhe të ndërtosh ndërtesa të bukura, dhe t’i pajisësh shumë mirë, por çfarë bëhet aty, çfarë ndodh aty është gjëja kryesore, përndryshe ato para janë të hedhura në kosh.”, komenton më tej Neli Demi.
Sipas informacioneve të ardhura nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, për monitorimin e Shtëpive të Mbështetura nuk ka një sistem të unifikuar e gjithëpërfshirës.
“Aktualisht pranë Shtëpive të Mbështetura nuk ka një sistem online apo databaze dhe procesi i përditësimit dhe mirëmbatjes së regjistrave administrohen në mënyrë fizike nga stafi i shërbimit.”, thuhet në përgjigjen e OSHKSH.
Formati i Shtëpive Mbështetëse; Shqipëria në krahasim me vendet e BE-së
Profesionistë të shëndetit mendor theksojnë rëndësinë e vendosjes dhe ngritjes së Shtëpive Mbështetëse në vendndodhje strategjike të mirëmenduara. Psikiatri Neli Demi i cili ka punuar në procesin e ngritjes së Shtëpive Mbështetëse thotë:
“Kemi këmbëngulur pranë autoriteteve që Shtëpitë Mbështetëse të mos jenë brenda territorit të spitalit, dhe mundësisht të jenë brenda qytetit ose në periferi të gjelbëruar të qytetit.”, duke marrë si shembull rastin e Korçës.
Në Korçë Shtëpia e Mbështetur, “një vilë e bukur me gjelbërim”, është afër Qendrës Komunitare të Shëndetit mendor, por nuk ka një institucion spitalor të përfshirë në rrethim. Në rastin e Vlorës dhe të Shkodrës, Shtëpitë e Mbështetura janë në afërsi ose brenda rrethimit të spitalit.
Një aspekt i rëndësishëm i kujdesit për banorët e Shtëpive të Mbështetura, janë aktivitetet rehabilituese, edukuese dhe zbavitëse brenda ambienteve të shtëpive dhe jashtë tyre; në komunitet dhe qendra të tjera komunitare të shëndetit mendor publike ose jo publike.
Shtëpia Mbështetëse në Tiranë, e cila njihet si “Shtëpia e Kuqe”, ndodhet brenda rrethimit të QSUT. Qendra me dy godina të cilat funksionojnë si një, përbën 2 Shtëpitë e Mbështetura të Tiranës. Ato janë investim i Komunitetit Sant’Egidio dhe janë nën administrimin e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tiranë.

Në këtë qendër ofrohen shërbime vetëm për burra dhe aty aktualisht janë 20 pacientë të akomoduar në dhoma dyshe. 18 prej këtyre burrave, raportohen se ndodhen aty prej më shumë se një dekade. Ata janë të diagnostikuar me skizofreni dhe çrregullime personaliteti dhe me gjasë nuk do të dalin kurrë nga aty.
Në një paradite të zakonshme banorët e kësaj Shtëpie Mbështetëse, shihen të ndërveprojnë në ambjentet e jashtme; një hapësirë prej fare pak metrash rreth ndërtesës së kuqe ku ata ecin dhe qarkullojnë gjatë ditës.

Me një vizitë pranë një qendre në Belgjikë, e cila ofron shërbime të ngjashme, shihet se këto qendra të ngritura sipas modeleve europiane, janë si nata me ditën nga ato të BE-së.

Klavier Emmaus është një institucion i kujdesit dhe mbështetjes për persona me aftësi të kufizuara, në thelb, një lloj shtëpie mbështetëse për ta.
Ky institucion i ndarë në shtëpiza, ndodhet në mes të një hapësirë të madhe me gjelbërim. Personat e akomoduar aty, kanë mundësinë të ecin lirshëm të shoqëruar nga stafi ose nga familjarë gjatë vizitave. Brenda kësaj hapësire gjenden gjithashtu kuaj dhe kafshë të there ferme.
Sipas mjekëve, të qenit në natyrë e gjelbërim, ka rezultuar si një formë terapie shumë efiçente në përmirësimin e simptomave për pacientë me çrregullime të ndryshme të shëndetit mendor.

“Krahasimin patjetër që duhet ta bëjmë relativ, sepse duhet të krahasojmë gjithçka tjetër pastaj me Brukselin, jo se do ishte një krim po të bëheshin të gjitha ashtu…”, e mbyll mendimin e tij psikiatri Neli Demi.